BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 15/11 f. 26-29
  • Harmonia midis pleqve dhe shërbëtorëve ndihmës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Harmonia midis pleqve dhe shërbëtorëve ndihmës
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Roli i pleqve dhe i shërbëtorëve ndihmës
  • Çfarë mund të bëjnë pleqtë
  • Shërbëtorët ndihmës i kontribuojnë harmonisë
  • Shërbëtorët e kongregacionit bëjnë shërbim të çmuar
    Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait
  • Pleq, stërvitni të tjerë që të mbajnë ngarkesën!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Çfarë roli luajnë shërbëtorët ndihmës?
    Cilët po bëjnë vullnetin e Jehovait sot?
  • Shërbëtorët ndihmës bëjnë një shërbim të vlefshëm
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1999
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 15/11 f. 26-29

Harmonia midis pleqve dhe shërbëtorëve ndihmës

PAK pas Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., në kongregacionin e porsalindur të krishterë lindi një çështje që kërkonte zgjidhje të menjëhershme. Ishin marrë masa për t’u kujdesur për vejushat nevojtare. Por pas një farë kohe «lindi një murmuritje nga ana e judenjve që flisnin greqisht kundër judenjve që flisnin hebraisht, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shpërndarjen e përditshme.»​—Veprat 6:1, BR.

Këto pakënaqësi arritën në veshët e apostujve. «Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve thanë: ‘Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza. Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t’ua besojmë këtë detyrë.’»z—Veprat 6:2, 3.

Kjo tregon një parim të rëndësishëm të organizimit brenda kongregacionit të krishterë. Disa njerëz me përgjegjësi përdoren për t’u kujdesur për çështjet e përditshme, ndërsa disa të tjerë kujdesen për shqetësimet më të rënda frymore. Ky organizim ekzistonte edhe në të kaluarën. Në Izraelin e lashtë Aaroni dhe pasardhësit e tij u emëruan për të shërbyer si priftërinj për t’i bërë sakrificat Perëndisë. Megjithatë, Jehovai i udhëzoi që levitët t’i ndihmonin ata ‘që të kujdeseshin për të gjitha orenditë e çadrës së mbledhjes’. (Numrat 3:5-10) Në mënyrë të ngjashme, sot, mbikëqyrësit ndihmohen nga shërbëtorët ndihmës.

Roli i pleqve dhe i shërbëtorëve ndihmës

Shkrimet përshkruajnë cilësitë e larta që duhet të kenë si pleqtë ashtu edhe shërbëtorët ndihmës. (1. Timoteut 3:1-10, 12, 13; Titit 1:6-9) Ata nuk janë konkurrues, por punojnë për të njëjtin qëllim​—ndërtimin e kongregacionit. (Krahaso Efesianëve 4:11-13.) Megjithatë, ka disa ndryshime në punën që ata bëjnë në kongregacion. Në 1. Pjetrit 5:2, mbikëqyrësve u thuhet: «Ruani tufën e Perëndisë që është midis jush, duke e mbikëqyrur jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnet të mirë.» Ata i japin llogari Perëndisë për mënyrën se si e kryejnë këtë detyrë të shenjtë.​—Hebrenjve 13:17.

Ç’mund të themi për shërbëtorët ndihmës? Shkrimet nuk kërkojnë që ata të jenë të kualifikuar në aftësinë e tyre për të mësuar. Detyrat e tyre janë paksa të ndryshme nga ato të pleqve. Në shekullin e parë të e.s., pa dyshim kishte mjaft çështje të natyrës së zakonshme, materiale apo mekanike që kërkonin vëmendje, duke përfshirë ndoshta blerjen e materialeve për kopjimin e Shkrimeve, apo madje bërjen vetë të kopjeve.

Sot, shërbëtorët ndihmës vazhdojnë të kryejnë një sërë punësh të rëndësishme brenda kongregacionit, të tilla si mbajtja e territoreve dhe llogarisë së kongregacionit, shpërndarja e librave dhe revistave dhe mirëmbajtja e Sallës së Mbretërisë. Disa shërbëtorë ndihmës që kanë aftësi, mund të përdoren si mësimdhënës, duke drejtuar disa herë studimin e librit të kongregacionit, duke trajtuar pjesët në mbledhjen e shërbimit apo duke mbajtur fjalime publike.

Kur pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës punojnë së bashku në harmoni, nevojat e kongregacionit​—si ato frymore dhe organizative—​plotësohen në mënyrë të ekuilibruar. Në këtë rast, anëtarët e kongregacionit janë të gëzuar, të fortë dhe të frytshëm nga ana frymore. Kujto se çfarë u shkroi Pavli të mirosurve në Efes: «Prej të cilit gjithë trupi, i lidhur mirë dhe i bashkuar, me anë të kontributit që jep çdo gjymtyrë dhe sipas forcës së çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij në dashuri.»​—Efesianëve 4:16.

Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës duhet të përpiqen për të zhvilluar një harmoni të tillë që është pajtim, marrëveshje, bashkëpunim dhe unitet. Megjithatë, një harmoni e tillë, nuk mund të vijë në mënyrë automatike. Ajo duhet kultivuar dhe mbrojtur me kujdes.

Çfarë mund të bëjnë pleqtë

Një hap i rëndësishëm është që të kuptohet se marrëdhënia e një plaku me një shërbëtor ndihmës nuk është ajo midis një zotërie dhe skllavit të tij apo një punëdhënësi dhe nëpunësit. Atje ku ka harmoni të vërtetë, pleqtë i shohin shërbëtorët ndihmës si bashkëpunëtorë të ngushtë në veprën e Perëndisë. (Krahaso 1. Korintasve 3:6-9.) «Në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin»,—thotë Romakëve 12:10. Prandaj, pleqtë nuk i trajtojnë shërbëtorët ndihmës në një mënyrë që mund të duket mospërfillëse apo poshtëruese. Ata inkurajojnë në vend që të shtypin iniciativën e shëndetshme. Trajtimi me respekt i shërbëtorëve ndihmës, rrit cilësitë e mira tek ta dhe i ndihmon që të ndiejnë gëzim në detyrën e tyre në kongregacion.

Gjithashtu, pleqtë duhet të mbajnë mend se caktimi i tyre për të kullotur kopenë e Perëndisë në kujdesin e tyre, përfshin edhe vëllezërit që shërbejnë si shërbëtorë ndihmës. Në të vërtetë, nga personat me përgjegjësi të tillë, pritet që të jenë të krishterë të pjekur. Megjithatë, ashtu si pjesa tjetër e kopesë, herë pas here, ata duhet t’i kushtojnë vëmendje vetes. Pleqtë duhet të jenë thellësisht të interesuar për rritjen e tyre frymore.

Për shembull, kur apostulli Pavël takoi të riun Timote, menjëherë e kuptoi fuqinë e tij dhe «shprehu dëshirën që ky njeri të shkonte me të». (Veprat 16:3, BR) Timoteu shërbeu si shoqërues në udhëtimin e Pavlit dhe si rezultat fitoi një përgatitje të paçmuar. Ja, pse vite më vonë, Pavli u shkroi të krishterëve në Korint: «Për këtë arsye ju kam dërguar Timoteun, që është biri im i dashur dhe besnik në Zotin. Ky do t’ju kujtojë udhët e mia në Krishtin!»​—1. Korintasve 4:17.

Pleq, a keni filluar të shfrytëzoni gjithë fuqinë e shërbëtorëve ndihmës në kongregacionin tuaj? A i ndihmoni që të përparojnë, duke i përgatitur personalisht për fjalimin publik dhe hulumtimin mbi Biblën? A i keni ftuar ata që janë të kualifikuar, që t’ju shoqërojnë gjatë vizitave baritore? A punoni me ta në shërbimin në fushë? Në shëmbëlltyrën e Jezuit mbi talentat, zotëria i thotë shërbëtorit të tij besnik: «Të lumtë shërbëtor i mirë dhe besnik!» (Mateu 25:23) A jeni, gjithashtu, zemërgjerë me aprovime dhe lavdërime ndaj shërbëtorëve ndihmës që me modesti i kryejnë detyrat e tyre në një mënyrë të shkëlqyer? (Krahaso Proverbat 3:27.) Nëse jo, a do të ndienin se puna e tyre është çmuar?

Komunikimi është, gjithashtu, jetësor për një marrëdhënie pune të harmonishme. (Krahaso Proverbat 15:22.) Detyrat nuk duhet të caktohen e as të ndahen në një mënyrë arbitrare apo të rastësishme. Pleqtë duhet të konsiderojnë në lutje se si mund të përdoren më mirë aftësitë e një vëllai në kongregacion. (Krahaso Mateu 25:15.) Kur bëhet një caktim, një vëlla duhet të jetë i informuar mirë për atë që saktësisht i kërkohet. «Pa një udhëheqje të urtë populli bie»,—paralajmëron Proverbat 11:14.

Nuk është mirë që thjesht t’i thuhet një vëllai të marrë në dorëzim llogaritë, revistat apo repartin e literaturës që kish në dorëzim një shërbëtor tjetër. Nganjëherë, një shërbëtor i ri i caktuar, merr në dorë vetëm një numër shënimesh të pasakta ose jo të plota. Sa shkurajuese! «Të gjitha të bëhen sikur ka hije dhe me rregullsi»,—urdhëron 1. Korintasve 14:40. Pleqtë duhet të marrin iniciativën për të stërvitur vëllezërit, duke i njohur me procedurat e kongregacionit dhe duke dhënë shembullin personal në ndjekjen e tyre. Për shembull, pleqtë duhet të kontrollojnë llogaritë e kongregacionit çdo tre muaj. Lënia pas dore e këtij rregulli kaq të rëndësishëm, mund të çojë në lindjen e problemeve dhe të dobësojë respektin që kanë shërbëtorët ndihmës për udhëzimet

Por le të supozojmë se një vëlla duket i pakujdesshëm në kryerjen e një detyre të veçantë. Në vend se të arrijnë në përfundimin për ta hequr nga caktimi i tij, pleqtë duhet të bisedojnë mbi çështjen bashkë me të. Ndoshta problemi ka të bëjë me një të metë në përgatitjen e tij. Nëse vëllai vazhdon të ketë vështirësi në kryerjen e kësaj detyre, ndoshta mund t’ia dalë më mirë në një caktim tjetër.

Pleqtë, gjithashtu, mund të përkrahin harmoninë, duke treguar përulësi. Filipianëve 2:3 i inkurajon të krishterët: «Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten.» Kështu, një plak duhet të bashkëpunojë me një përcjellës, nëse ai e drejton për t’u ulur në një vend të caktuar të sallës, e jo të mendojë se duke qenë se është një plak, nuk duhet të bindet. Ndoshta përcjellësi është duke ndjekur sugjerimin e dhënë për t’u ulur në vende të ndryshme të sallës, por megjithatë ai duhet të ketë parasysh se nuk ekziston një rregull që të gjithë duhet të bëjnë kështu.a Një plak duhet të shmangë kundërshtimin e panevojshëm ndaj vendimeve të marra nga një shërbëtor ndihmës në lidhje me çështjet që i janë caktuar atij.

Shërbëtorët ndihmës i kontribuojnë harmonisë

«Shërbëtorët ndihmës, gjithashtu, duhet të jenë seriozë»,—shkroi apostulli Pavël. (1. Timoteut 3:8, BR) Duke i parë seriozisht caktimet e tyre​—si pjesë e shërbimit të shenjtë—​ata mund të bëjnë shumë për të parandaluar rritjen e tensioneve. Nëse je një shërbëtor ndihmës, a i kryen me entuziazëm detyrat e tua? (Romakëve 12:7, 8) A ke marrë si vendim për t’u kualifikuar në kryerjen e detyrave të tua? A je i besueshëm? A tregon një frymë të gatshme kur ka për të bërë ndonjë punë? Një shërbëtor ndihmës në një zonë të Afrikës, kishte tre detyra të ndryshme në kongregacion. Cili ishte qëndrimi i tij? «Thjesht, do të thotë më shumë punë dhe puna e madhe nuk të vret»,—tha ai. Në të vërtetë, ata që jepen me gjithë shpirt, ndiejnë më shumë lumturi.​—Veprat 20:35.

Gjithashtu, mund të bësh shumë për të përkrahur harmoninë, duke bashkëpunuar plotësisht me pleqtë. «Dëgjoni të parët tuaj dhe nënshtrohuni atyre, sepse ata rrijnë zgjuar për shpirtërat tuaj, si ata që duhet të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psherëtima, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi»,—thotë Hebrenjve 13:17. Në të vërtetë, pleqtë janë njerëz të papërsosur dhe mund të jetë e lehtë për të gjetur të meta tek ata. Megjithatë, një qëndrim kritik shkakton mosbesim ndaj tyre. Ai mund të prishë gëzimin dhe të ndikojë në mënyrë negative tek të tjerët në kongregacion. Prandaj, apostulli Pjetër dha këtë këshillë: «Gjithashtu ju, të rinjtë, nënshtrojuni pleqëve. Po, nënshtrojuni të gjithë njeri tjetrit dhe vishuni me përulje . . . Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur.»​—1. Pjetrit 5:5, 6.

Kjo këshillë është veçanërisht e përshtatshme, nëse e ndien se ke qenë i shkujdesur në lidhje me privilegjet e shërbimit. Ndoshta ke «synuar detyrën e një mbikëqyrësi», por emërimi nuk të është bërë. (1. Timoteut 3:1) Modestia e mendjes mund të të ndihmojë që të mbash «një qëndrim pritës». (Vajtimet 3:24, BR) Në vend se të ndihesh i fyer ndaj pleqve​—gjë që mjafton për të minuar marrëdhënien tuaj të mirë—​pyeti ata nëse ka aspekte ku duhet të përmirësohesh. Gatishmëria jote e çiltër për të pranuar dhe zbatuar këshillat, pa dyshim do të shihet si një dëshmi e rritjes tënde frymore.

Përulësia dhe modestia hyjnore, mund të ndihmojnë një shërbëtor ndihmës, për të ruajtur ekuilibrin nëse ai ka aftësi të veçanta, apo epërsi arsimore dhe shoqërore. Mund të jetë mjaft tunduese për të, që të mbizotërojë mbi pleqtë apo të tërheqë vëmendjen mbi aftësitë e tij! Proverbat 11:2 na kujton se «dituria është me njerëzit e thjeshtë». Një vëlla i thjeshtë është i vetëdijshëm për kufizimet e tij. Ai është i gatshëm të punojë në mënyrë të qetë, pa rënë në sy, duke përdorur aftësitë e tij për të mbështetur pleqtë. Gjithashtu, modestia mund ta ndihmojë atë të kuptojë se ndërsa mund të ketë shumë njohuri sipas mënyrës botërore, mund të ketë akoma mangësi në aspekte të rëndësishme të mençurisë dhe mendjehollësisë frymore​—cilësi në të cilat pleqtë duhet të shquhen.​—1. Korintasve 1:26–2:13; Filipianëve 1:9.

Është e qartë, pra, se pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës, luajnë një rol jetësor. Së bashku ata mund të bëjnë shumë për të ndërtuar të gjithë në kongregacion. Por për t’ia arritur kësaj, ata duhet të punojnë së bashku në mënyrë të harmonishme, ‘me çdo përulësi dhe zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri, duke u përpjekur që të ruajnë unitetin e Frymës në lidhjen e paqes.»​—Efesianëve 4:2, 3.

[Shënimi]

a Shiko Kullën e Rojës së 1 janarit 1993, faqe 24.

[Figurat në faqen 27]

Pleqtë nuk i shohin shërbëtorët ndihmës si vartës, por si bashkëpunëtorë të ngushtë në veprën e Perëndisë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo