Largohu kur të kanoset rreziku
PAK njerëz janë më të ndjeshëm ndaj rrezikut, sesa marinarët. Ata duhet të jenë të kujdesshëm ndaj kohës, baticave e zbaticave dhe afërsisë së anijeve nga bregu. Kur baticat e zbaticat, bashkë me erërat e shtyjnë anijen drejt bregut, marinarët përballojnë punë dhe rreziqe të vështira.
Në kushte të tilla—duke u gjendur kundrejt erës—marinari e mban barkën në një largësi të konsiderueshme nga bregu, veçanërisht nëse vihet në lëvizje vetëm nga velat. Një manual lundrimi shpjegon se «kur të zë stuhia kundrejt erës, është ndoshta një nga situatat më të vështira», në të cilat mund ta gjejë veten një marinar. Cila është zgjidhja e këshilluar? «Mos e lejo kurrë anijen tënde që të gjendet në një situatë të tillë.» Mënyra e sigurt për të shmangur ngecjen në ndonjë breg rëre ose në ndonjë breg shkëmbor, është të mbajmë largësinë e mjaftueshme nga rreziku.
Të krishterët duhet të jenë të ndjeshëm ndaj rreziqeve që mund të shkaktojnë fundosjen e besimit të tyre. (1. Timoteut 1:19) Në ditët tona, kushtet nuk janë aspak ideale për të mbajtur një drejtim të palëkundur. Ashtu si një varkë mund të drejtohet në një drejtim të gabuar nga erërat dhe nga baticat e zbaticat, edhe jeta jonë e dedikuar mund të humbë drejtimin për shkak të tërheqjes së vazhdueshme të trupit tonë të papërsosur dhe goditjes së pamëshirshme të frymës së botës—që tashmë pothuajse ka arritur forcën e një stuhie.
Një njeri që jetoi në rrezikshmëri
Sa e lehtë është të rrezikosh pa dashje në ujëra të rrezikshme frymësisht!
Shqyrto një shembull që ndodhi afër një pasqyre uji të rrethuar me tokë, në Detin e Vdekur. Bëhet fjalë për shembullin e Lotit. Vendimi i tij për të jetuar në Sodomë i solli shumë probleme dhe jo pak të dhimbshme. Pas një grindjeje mes barinjve të tyre, Abrahami dhe Loti ranë dakort që të jetonin në zona të ndryshme. Thuhet se Loti zgjodhi krahinën e Jordanit dhe e ngriti tendën e tij ndërmjet qyteteve të krahinës. Më vonë, ai vendosi të jetonte në Sodomë, edhe pse mënyra e jetës së banorëve të Sodomës e pikëllonte.—Zanafilla 13:5-13; 2. Pjetrit 2:8.
Përse Loti vazhdoi të jetonte në një qytet imoral të njohur, që e ofendonte thellësisht Jehovain dhe madje shkaktonte një kundërshtim publik nga ana e njerëzve që jetonin aty afër? Sodoma ishte një vend i pasur dhe pa dyshim gruaja e Lotit gëzonte dobitë materiale që i ofronte jeta e qytetit. (Ezekieli 16:49, 50) Ndoshta edhe Loti ishte i tërhequr nga ekonomia e bollshme e Sodomës. Çfarëdo të kishte qenë arsyeja e tij për të jetuar atje, ai duhej të ikte sa më shpejt që të ishte e mundur. Vetëm këmbëngulja e ngutshme e engjëjve të Jehovait bëri që familja e Lotit të braktiste përfundimisht zonën e rrezikshme.
Tregimi tek Zanafilla thotë: «Sa doli agimi, engjëjt e nxitën Lotin duke thënë: ‘Çohu, merr gruan dhe bijat e tua që gjenden këtu, që ti të mos vdesësh në dënimin e këtij qyteti.’» Por edhe pas këtij paralajmërimi të ngutshëm, Loti «po ngurronte». Më në fund, engjëjt «e morën për dore atë, të shoqen dhe bijat e tij, sepse Zotit i kishte ardhur mëshirë për të, e nxorën jashtë dhe i shpëtuan jetën duke e çuar jashtë qytetit».—Zanafilla 19:15, 16.
Në rrethinat e qytetit, engjëjt i dhanë familjes së Lotit disa udhëzime përfundimtare: «Ik shpejt për të shpëtuar jetën tënde! Mos shiko prapa e mos u ndal në asnjë vend të fushës; shpëto në mal që të mos vdesësh!» (Zanafilla 19:17) Edhe atëherë, Loti kërkoi leje për të shkuar në qytetin e afërt të Zoarit në vend se të braktiste mbarë rajonin. (Zanafilla 19:18-22) Është e qartë, Loti s’kishte dëshirë të largohej sa më shumë që të ishte e mundur nga rreziku.
Gjatë rrugës për në Zoar, gruaja e Lotit shikoi pas drejt Sodomës, duke ndier në mënyrë të dukshme mall për gjërat që kishte lënë pas. Pasi nuk përfilli udhëzimin e engjëjve, ajo humbi jetën. Loti—një njeri i drejtë—mbijetoi bashkë me dy bijat e tij nga shkatërrimi i qytetit. Por çfarë çmimi pagoi pasi zgjodhi të jetojë afër rrezikut!—Zanafilla 19:18-26; 2. Pjetrit 2:7.
Shmang rrezikun
Përvoja e hidhur e Lotit tregon se çfarë mund të ndodhë nëse i afrohemi shumë një situate të rrezikshme ose nëse vonohemi shumë në një ambient të rrezikshëm. Mençuria duhet të na diktojë se ngjashëm marinarëve të aftë, kurrë nuk duhet ta lejojmë veten të gjendemi në një situatë të tillë. Cilat janë disa zona të rrezikshme, nga të cilat duhet të qëndrojmë sa më larg? Disa të krishterë kanë shkuar në rrugë të shtrembër, duke u përfshirë në aktivitete biznesi, duke kultivuar miqësi të ngushta me shokë nga bota ose duke u tërhequr emocionalisht drejt dikujt nga seksi i kundërt, kur nuk janë të lirë për t’u martuar.
Në çdo rast, drejtimi i mençur është të rrimë larg nga rreziku. A jemi të zgjuar në drejtim të rreziqeve frymore që mund të sjellin të ashtuquajturat mundësi të arta biznesi? Disa vëllezër e kanë zhytur veten në disa aktivitete tregtare, duke sakrifikuar familjet, shëndetin dhe përgjegjësitë e tyre teokratike. Shpeshherë, i tërheq mënyra shumë më e rehatshme e jetës, që mund të ofrojë paraja. Herë të tjera konsiston në sfidën për të treguar mendjemprehtësinë e tyre në biznes. Disa mund të arsyetojnë se motivi që i nxit është dëshira për të siguruar punë për vëllezër të tjerë ose që të mund të kontribuojnë më shumë për veprën ndërkombëtare. Ndoshta mendojnë se kur biznesi shkon mirë, mund të kenë më shumë kohë për t’ia dedikuar interesave të Mbretërisë.
Cilat janë disa nga grackat? Atmosfera e pasigurt ekonomike dhe «ngjarjet e paparashikuara», mund të fundosin aktivitetin më të mirë tregtar të planifikuar. (Eklisiastiu 9:11) Hasja me një borxh të rëndë mund të sjellë dhembje të mëdha dhe të largojë interesat frymore. Edhe kur një biznes lulëzon përkohësisht, ka të ngjarë që të përpijë shumë kohë e energji mendore dhe mund të kërkojë të qëndrosh shpesh me shoqëri të botës.
Një plak i krishterë në Spanjë ishte në vështirësi të mëdha financiare, kur një shoqëri sigurimesh i bëri një ofertë tunduese. Megjithëse kishte perspektivë për të bërë shumë para, duke punuar si përgjegjës sigurimesh, më në fund nuk pranoi. «Nuk ishte vendim i lehtë, por jam i lumtur që nuk pranova,—shpjegon ai.—Për një gjë nuk doja të bëja shumë para—madje edhe në mënyrë indirekte—nga kontaktet e mia teokratike. Edhe pse mendimi për të punuar i pavarur më pëlqente, duhej të udhëtoja shumë dhe të harxhoja shumë kohë duke punuar. Në mënyrë të pashmangshme do të më bënte të lija pas dore familjen dhe kongregacionin. Para së gjithash, jam i bindur se nëse do ta pranoja këtë ofertë, do të kisha humbur kontrollin e jetës sime.»
Asnjë i krishterë nuk mund të lejojë të humbë kontrollin e jetës së tij. Jezui tregoi rezultatet tragjike që vijnë duke ndjekur një drejtim të tillë, kur bëri një ilustrim për njeriun i cili grumbullonte gjithnjë e më shumë pasuri në mënyrë që të tërhiqej dhe të bënte një jetë të lehtë. Por, po atë natë që ai vendosi se përfundimisht kishte mbledhur mjaft para, vdiq. «Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyun.»—Luka 12:16-21; krahaso Jakovi 4:13-17.
Duhet të jemi gjithashtu vigjilentë ndaj zgjerimit të shoqërisë me njerëzit e botës. Ndoshta është një fqinj, një mik shkolle, një koleg ose një shok në aktivitetet tona tregtare. Ndoshta mund të arsyetojmë: «Ai i respekton Dëshmitarët, ka parime morale të shëndosha dhe shpesh në disa raste flasim edhe për të vërtetën.» Megjithatë, përvoja e të tjerëve tregon se me kalimin e kohës, kuptojmë se na pëlqen më shumë një shoqëri e tillë, sesa ajo e vëllezërve dhe e motrave frymore. Cilat janë disa nga rreziqet e një miqësie të tillë?
Mund të fillojmë të nënvlerësojmë urgjencën e kohës në të cilën jetojmë ose të interesohemi më shumë në gjërat materiale sesa në ato frymore. Ndoshta, për shkak të frikës se nuk u pëlqejmë miqve tanë nga bota, mund edhe të dëshirojmë të pranohemi nga bota. (Krahaso 1. Pjetrit 4:3-7.) Nga ana tjetër, psalmisti David preferonte më shumë shoqërinë me njerëz që e donin Jehovain. «Unë do t’u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi, do të të lëvdoj në mes të kuvendit»,—shkroi ai. (Psalmi 22:22) Do të jemi të mbrojtur nëse imitojmë shembullin e Davidit, duke kërkuar miqësi që na ndërtojnë frymësisht.
Një drejtim tjetër i rrezikshëm është që të lidhemi emocionalisht me një person të seksit të kundërt, kur njëri nuk është i lirë për t’u martuar. Rreziku mund të lindë, kur ushqehet simpati për dikë që është tërheqës, biseda e të cilit është nxitëse dhe që madje ka të njëjtën pikëpamje dhe humor si tonin. Dikujt mund t’i pëlqejë shoqëria e tij apo e saj dhe mund të arsyetojë: «Unë e di se deri në ç’masë duhet shkuar. Ne jemi vetëm miq.» Megjithatë, një herë që zgjohen ndjenjat nuk është e lehtë për t’i kontrolluar.
Maria, një motër e re e martuar, rrinte me kënaqësi në shoqëri me Majkëllin.a Ai ishte një vëlla i mirë, por që e kishte shumë të vështirë të bënte miq. Të dy kishin mjaft gjëra të përbashkëta dhe bënin shaka midis tyre. Maries i bëhej qejfi kur mendonte që një vëlla beqar i besonte asaj. Shpejt, ajo që dukej një miqësi e padjallëzuar, u bë një lidhje e thellë emocionale. Ata kalonin gjithnjë e më shumë kohë së bashku dhe përfundimisht bënë imoralitet. «Duhej ta kisha kuptuar rrezikun që në fillim,—psherëtin Maria.—Pasi lulëzoi, kjo miqësi u bë si rëra thithëse që na përpinte gjithnjë e më thellë.»
Nuk duhet të harrojmë kurrë paralajmërimin e Biblës: «Zemra gënjehet më shumë se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?» (Jeremia 17:9) Ngjashëm valëve që e shtyjnë një barkë drejt shkëmbinjve, zemra jonë tradhtare mund të na shtyjë në një lidhje emocionale shkatërruese. Cila është zgjidhja? Nëse nuk je i lirë për t’u martuar puno me maturi për të mbajtur distancën tënde emocionale nga dikush që të duket tërheqës.—Proverbat 10:23.
Lirohu dhe qëndro larg rrezikut
Ç’mund të themi nëse e gjejmë veten në një rrezik frymor? Marinarët kur shtyhen nga era apo batica dhe zbatica drejt një bregu shkëmbor, mundohen të pashpresë ta çojnë barkën në det të hapur ose të qëndrojnë në largësinë e duhur nga bregu, derisa të arrijnë ujërat e sigurta. Në këtë mënyrë edhe ne duhet të luftojmë për të liruar veten. Duke ndjekur këshillat e gjetura tek Shkrimet, duke u lutur me zjarr për ndihmën e Jehovait dhe duke kërkuar ndihmë nga vëllezërit e pjekur të krishterë, mund të kthehemi në drejtimin e sigurt. Do të bekohemi akoma më tepër me paqe në mendje dhe në zemër.—1. Selanikasve 5:17.
Çfarëdo qofshin kushtet tona, me zgjuarsi le të rrimë larg nga «gjërat që i përkasin botës». (Galatasve 4:3) Në dallim me Lotin, Abrahami zgjodhi të jetonte larg nga kanaanitët e botës, edhe pse duhej të jetonte në tenda për shumë vite. Ndoshta i mungonin disa gjëra materiale, por mënyra e thjeshtë e jetës e mbrojti atë frymësisht. Në vend se të vuante fundosjen e besimit të tij, ai u bë «ati i të gjithë atyre që kishin besim».—Romakëve 4:11, BR.
Të rrethuar nga një botë që i është dedikuar kënaqësive, «fryma» e së cilës është gjithnjë e më e fortë, duhet të ndjekim shembullin e Abrahamit. (Efesianëve 2:2) Nëse pranojmë udhëheqjen e Jehovait në të gjitha çështjet, do të bekohemi duke përjetuar drejtpërsëdrejti mbrojtjen e tij të dashur. Do të ndihemi si Davidi: «Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij. Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.» S’ka asnjë dyshim, nëse në vend se të zgjedhim rrugët e rrezikshme, ndjekim «shtigjet e drejtësisë», do të marrim bekime të përhershme.—Psalmi 23:3, 6.
[Shënimi]
a Disa emra janë ndryshuar.
[Figura në faqen 24]
Nëse nuk je i lirë për t’u martuar, mbaj distancë emocionale ndaj dikujt që të duket tërheqës