-
Vazhdoni të ndërtoni njëri-tjetrinKulla e Rojës—1993 | 1 Mars
-
-
të besuar nën kujdesin e tyre», dëshirojnë të ndjekin këshillën e Pjetrit, «të mos zotërojnë mbi ata që janë trashëgim i Perëndisë» (1. Pjetrit 5:2, 3) Gjatë zhvillimit të punës së tyre plot dashuri, mund të lindin pyetje mbi çështje në lidhje me të cilat ka pikëpamje të ndryshme. Ndoshta është shprehi lokale qëndrimi në këmbë për leximin e paragrafeve gjatë studimit të Kullës së Rojës. Përgatitjet e grupit për shërbimin në fushë dhe shumë hollësira të tjera në lidhje me shërbimin mund të trajtohen sipas zakoneve të vendit. Mirëpo, a do të ndodhte ndonjë katastrofë nëse ndokush vepron në një mënyrë pak të ndryshme? Mbikëqyrësit dashamirës dëshirojnë që «çdo gjë të bëhet në mënyrë të denjë dhe me rregull», shprehje e përdorur nga Pavli në lidhje me dhuratat e mrekullueshme. Por, konteksti tregon se interesi kryesor i Pavlit ishte «ndërtimi i kongregacionit». (1. Korintasve 14:12, 40) Ai nuk tregoi aspak prirje për të vendosur një pafundësi me rregulla, sikur të kishte për qëllim kryesor njëllojshmërinë absolute apo efektivitet të plotë. Ai shkroi: «Zotëria [na dha autoritetin] për t’ju ndërtuar e jo për t’ju rrënuar.»—2. Korintasve 10:8, NW.
23. Në cilat mënyra mund të imitojmë shembullin e Pavlit në ndërtimin e të tjerëve?
23 Padyshim që Pavli punoi për ndërtimin e të tjerëve me ligjërata pozitive dhe inkurajuese. Në vend që të shoqërohej me një rreth të vogël miqsh, bëri përpjekje të shumta për të vizituar shumë vëllezër e motra, si ata të fortë në kuptim frymor edhe ata që kishin veçanërisht nevojë të ndërtoheshin. Dhe i dha rëndësi dashurisë dhe jo rregullave, sepse «dashuria ndërton».—1. Korintasve 8:1.
-
-
Zbavitje shoqërore: përfitoni dobitë, shmangni grackatKulla e Rojës—1993 | 1 Mars
-
-
Zbavitje shoqërore: përfitoni dobitë, shmangni grackat
«Për njeriun nuk ka asgjë më të mirë se të hajë dhe të pijë dhe t’i tregojë shpirtit të tij të mirën nga puna e tij e fortë.»— EKLISIASTIU 2:24.
1. Në ç’mënyra e ndihmon udhëheqja e Perëndisë popullin e tij në lidhje me zbavitjet?
UDHËHEQJA e Jehovait u sjell shërbëtorëve të tij shumë dobi. Këtë mund ta shohim në fushën e zbavitjes. Udhëheqja e tij i ndihmon të krishterët të mos shkojnë në ekstreme. Disa fanatikë fetarë, të cilët insistojnë në thjeshtësinë e veshjes dhe të sjelljes, konsiderojnë si mëkatare pothuajse të gjitha kënaqësitë. Nga ana tjetër, shumica e njerëzve anon nga kënaqësitë edhe nëse ato bien në kundërshtim me ligjet dhe kriteret e Jehovait.—Romakëve 1:24-27; 13:13, 14; Efesianëve 4:17-19.
2. Çfarë treguesi kemi rreth pikëpamjes së Perëndisë mbi zbavitjet që nga koha e hershme?
2 Por ç’mund të themi mbi popullin e Perëndisë? Shumë nga ata që fillojnë të studiojnë Biblën mbesin të habitur kur kuptojnë se Perëndia i krijoi qëniet njerëzore me aftësinë për të gëzuar jetën. Ai u dha prindërve tanë të parë punë për të bërë, por jo një punë të mërzitshme depresionuese që karakterizon pjesën më të madhe të njerëzve të papërsosur. (Zanafilla 1:28-30) Mendoni mbi mënyrat e ndryshme të shëndetshme në të cilat cilido që jeton në një parajsë tokësore mund të gjejë kënaqësi. Merre me mend çfarë gëzimi do të ishte të shikonim kafshë të egra të parrezikshme dhe kafshë të shumëllojshme shtëpiake që mund të bëjnë pjesë në jetën tonë të përditshme! Dhe sa e bukur do të jetë, kur të mund të hamë nga «çdo pemë e dëshiruar për të parët dhe e mirë për ushqim»!—Zanafilla 2:9; Eklisiastiu 2:24.
3-5. (a) Cilit qëllim duhet t’i shërbejë zbavitja? (b) Përse mund të jemi të sigurt se Perëndia nuk i ndalonte izraelitët të gëzonin jetën?
3 Këto aktivitete mund të konsiderohen në fakt si një zbavitje, qëllimi i të cilave në Parajsë do të jetë i njëjtë si tani: të freskojmë dhe ripërtrijmë forcat për të bërë aktivitete të mëtejshme prodhuese (d.m.th. punë të tjera). Kur plotëson këtë qëllim, zbavitja është e dobishme. A do të thotë kjo se në jetën e adhuruesve të vërtetë ka vend për zbavitje edhe pse nuk jetojnë në Parajsë? Po. Insight on the Scriptures (Mendjehollësi mbi Shkrimet) në lidhje me zbavitjet në mesin e popullit të vjetër të Jehovait thotë:
4 «Argëtimet dhe zbavitjet e izraelitëve nuk kanë një paraqitje të dukshme në Bibël. Megjithatë është treguar se konsideroheshin si korrekte dhe të pëlqyeshme nëse ishin në harmoni me kriteret fetare të kombit. Format themelore të argëtimit ishin rënia e instrumenteve muzikore, këngët, vallet, bisedat si dhe disa lojëra. Parashtrimi i enigmave dhe pyetjeve të vështira ndiqej mjaft.—Gjykatësit 14:12.»—Volumi 1, faqe 102.
5 Kur Davidi u kthye me fitore, gratë hebreje me lahuta dhe dajre kremtuan (hebraisht, sachaq) këtë ngjarje. (1. Samuelit 18:6, 7) Kjo fjalë hebreje do të thotë «qeshje», ndërsa disa përkthime «gra që dëfrejnë» (Byington, Rotherham, The New English Bible). Ndërsa transferonin Arkën, «Davidi dhe e gjithë shtëpia e Izraelit kremtonin para Jehovait me të gjitha llojet e instrumenteve». Mikela, gruaja e Davidit, nuk kishte një qëndrim të drejtpeshuar sepse e kundërshtoi Davidin që kishte marrë pjesë në aktivitetet zbavitëse. (2. Samuelit 6:5, 14-20) Perëndia paratha se mërgimtarët e kthyer nga Babilonia do të merrnin pjesë në aktivitete të ngjashme të gëzuara.—Jeremia 30:18, 19; 31:4; krahaso Psalmi 126:2.
6. Si na ndihmojnë Shkrimet e Krishtere Greke të mbajmë një qëndrim të drejtë mbi zbavitjet?
6 Edhe ne duhet të përpiqemi të jemi të drejtpeshuar në lidhje me zbavitjet. Për shembull, a kemi menduar se Jezui nuk ka qenë asketik? Ai gjente kohë për të marrë pjesë në dreka freskuese, si «banketi i madh» i shtruar nga Levi. Dhe kur disa që donin të dukeshin si të drejtë e kritikonin përse hante dhe pinte, Jezui e dënoi mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit të tyre. (Luka 5:29-31; 7:33-36). Duhet të kujtoni se ai gjithashtu ka marrë pjesë në një dasmë dhe ka kontribuar konkretisht në të. (Gjoni 2:1-10) Gjysmë vëllai i Jezuit, Juda, përmend se të krishterët mbanin edhe «bankete dashurie», që me sa duket ishin ngjarje ku nevojtarët mund të merrnin pjesë në një darkë dhe të gëzonin një shoqëri të këndshme, në një atmosferë çlodhëse.—Juda 12.
Zbavitje shoqërore: në kohën dhe vendin e vet
7. Si na inkurajon Fjala e Perëndisë që të jemi të drejtpeshuar në zbavitje?
7 Eklisiastiu 10:19 flet në mënyrë të favorshme për «bukën e qeshjes së punëtorëve dhe verën që bën jetën të gëzuar». Me të vërtetë, a nuk jep kjo idenë që dëfrimi në vetvete është i gabuar apo i keq? Megjithatë, i njëjti libëri thotë: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, . . . një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur; një kohë për të vajtuar dhe një kohë për të kërcyer.» (Eklesiastiu 3:1, 4) Po, megjithëse nuk e dënon zbavitjen e përshtatshme, Bibla na ofron paralajmërime. Për shembull, rreth zbavitjeve shoqërore na këshillon të kemi parasysh faktorët kohë dhe sasi. Na paralajmëron gjithashtu mbi grackat që paraqiten në rastet e tubimeve mjaft të mëdha.—2. Timoteut 3:4.
8, 9. Si ndikojnë koha në të cilën jetojmë dhe detyra që Perëndia na ka dhënë mbi zbavitjet?
8 Kemi parë se hebrenjtë që ktheheshin nga Babilonia—të cilët kishin punë të rëndë për të bërë—dëshironin të merrnin pjesë në pushime të gëzuara. Megjithatë, Jeremia më parë kishte thënë se ai «s’do të ulej në shoqërinë e ngushtë të atyre që talleshin e ngazëlleheshin». (Jeremia 15:17) Perëndia i kishte besuar detyrën që të lajmëronte dënimin e afërt, prandaj për të ajo nuk ishte kohë e përshtatshme për të bërë festë.
9 Të krishterët sot kanë për detyrë të lajmërojnë mesazhin e shpresës së Perëndisë si dhe të shpallin gjyqet e tij kundër sistemit të lig të Satanait. (Isaia 61:1-3; Veprat 17:30, 31) Është pra e qartë, se nuk duhet të lejojmë që zbavitja të mbizotërojë në jetën tonë. Këtë mendim mund ta ilustrojmë me një shembull: pak kripë apo një aromë e veçantë i japin shije ushqimit. Por a do të hedhësh sasi të mëdha prej tyre në mënyrë që të mbizotërojnë shijen e ushqimit? Sigurisht që jo. Në harmoni me fjalët e Jezuit në Gjonin 4:34 dhe Mateun 6:33, interesi ynë kryesor—vetë ushqimi ynë—duhet të jetë kryerja e vullnetit të Perëndisë. Kështu që zbavitja është sikurse aromat. Ajo duhet të na çlodhë e të na stimulojë, e jo të na lodhë apo mbizotërojë mbi çdo gjë tjetër.
10. Përse të gjithë ne duhet të rishqyrtojmë se sa kohë i kushtojmë zbavitjes?
10 Prandaj, ndaluni dhe mendoni: Ndoshta a nuk do të thonë shumica e njerëzve se koha dhe kujdesi që i kushtojnë zbavitjes janë të kufizuara? Nëse nuk do të ishin të bindur, do të kishin ndryshuar. A nuk na kujton kjo se secili prej nesh duhet të ndalet dhe seriozisht, ndershmërisht të analizojë, se ç’vend zë në të vërtetë zbavitja në jetën e tij? A është e mundur që pa e kuptuar ajo të ketë zënë vend në plan të parë? Për shembull, a e ndezim automatikisht televizorin çdo herë që kthehemi në shtëpi? A kemi bërë shprehi që çdo javë të rezervojmë një pjesë të madhe të kohës për zbavitje, për shembull çdo të premte apo të shtunë në mbrëmje? A do të ndiheshim në krizë, nëse arrinte ai moment dhe ne jemi në shtëpi pa planifikuar një zbavitje? Dy pyetje të tjera: Në ditën pas një zbavitjeje shoqërore, a e kuptojmë që jemi kthyer vonë në shtëpi apo kemi udhëtuar aq larg, saqë ndihemi të rraskapitur, ndoshta aq të lodhur, saqë nuk mund të marrim pjesë në shërbimin e krishterë apo të kryejmë si duhet punën tonë tek punëdhënësi? Nëse zbavitja jonë ndonjë herë apo shpesh ka pasoja të tilla, a kemi të bëjmë me të vërtetë me një zbavitje të përshtatshme dhe të drejtpeshuar?—Krahaso Proverbat 26:17-19.
11. Përse është i përshtatshëm një rishikim i natyrës së zbavitjes sonë?
11 Gjithashtu, mund të jetë e nevojshme të shqyrtojmë vetë natyrën e zbavitjes së cilës i kushtohemi. Fakti që jemi shërbëtorë të Perëndisë s’është një garanci që zbavitja jonë është e përshtatshme. Konsideroni se çfarë i shkroi apostulli Pjetër të krishterëve të mirosur: «Ju mjafton koha e shkuar për të bërë vullnetin e kombeve, kur kryenit vepra të një sjelljeje të shthurur, dëshira të ethshme, kur e tepronit me verë, në zdërhallje, të dhënë pas garës në pije dhe në adhurim të palejueshëm të idhujve.» (1. Pjetrit 4:3, NW ) Ai nuk po drejtonte gishtin kundër vëllezërve të tij, duke i akuzuar për imitimin e asaj që bëjnë ata në botë. Megjithatë, është me rëndësi jetësore për të krishterët (sot si atëherë) që të kenë mendjen, sepse është e lehtë të biesh në grackë nga zbavitjet e dëmshme.—1. Pjetrit 1:2; 2:1; 4:7; 2. Pjetrit 2:13.
Vigjilentë ndaj grackave
12. Çfarë gracke përshkruan 1. Pjetrit 4:3?
12 Nga cilat gracka duhet të jemi vigjilentë? Pjetri përmendi «teprimet me verë, zdërhalljet dhe garat në të pirë». Sipas një komentatori gjerman, fjalët e përdorura greke «në rradhë të parë aplikohen në pirjet shoqërore në bankete». Një profesor zviceran shkruan se këto veprime në atë kohë ishin të zakonshme: «Përshkrimi ka të bëjë me tubimet e organizuara apo edhe me grupet e rregullta në të cilat praktikoheshin veprimet e turpshme të përshkruara.»
13. Si ka qenë përdorimi i pijeve alkoolike në tubime një grackë? (Isaia 5:11, 12)
13 Pijet alkoolike në tubimet e mëdha shoqërore kanë qenë si një grackë për shumicën. Bibla nuk ndalon përdorimin e matur të pijeve të tilla. E tregon fakti që në festën e dasmës në Kanë, Jezui prodhoi verë. Atje me siguri nuk ka pasur dehje, sepse në atë rast Jezui do të ndiqte këshillën e Perëndisë e nuk do të qëndronte në mes të pijanecëve. (Proverbat 23:20, 21) Por, vëreni një hollësi: Drejtuesi i këtij banketi tha se në banketet e tjera së pari shërbehej vera e mirë «dhe pastaj, kur njerëzit të deheshin, shërbehej vera më e dobët». (Gjoni 2:10) Pra duhet të ketë qenë e zakonshme për hebrenjtë që të dehen në festat e dasmave ku kishte verë me bollëk për të gjithë.
14. Në cilat mënyra mikpritësit e krishterë mund t’u paraprijnë problemeve që lidhen me pijet alkoolike?
14 Në përputhshmëri me këtë, disa mikpritës të krishterë kanë vendosur të përgatisin verë, birrë dhe pije të tjera alkolike vetëm nëse personalisht janë në gjendje të kontrollojnë se çfarë u shërbehet miqve apo çfarë konsumojnë. Nëse grupi është i madh, aq sa mikpritësi nuk mund t’i kontrollojë drejtpërdrejtë, si dasmat e përmendura hebreje, alkooli në masë të madhe mund të jetë grackë e rrezikshme. Në mes të të pranishmëve mund të ndodhet ndonjë që ka luftuar për t’u liruar nga vesi i dehjes. Nuk duhet shumë për të kuptuar se duke pasur një liri të pakontrolluar të pijeve alkoolike mund të tentojë të dehet, duke ia prishur festën të gjithëve. Një mbikëqyrës me fëmijë nga Gjermania ka thënë se familja e tij, kur merr pjesë në një festë me vëllezërit nxjerr dobi nga shoqëria e këndshme. Megjithatë, shtoi ai, pa dyshim mundësia më e madhe që të lindin probleme është në rastet kur birra është me vullnet të lirë.
15. Si mund të arrihet një mbikëqyrje e përshtatshme në tubimet shoqërore?
15 Dasma në Kanë kishte një «drejtues banketi». (Gjoni 2:8) Kjo s’do të thotë se një familje që fton në shtëpinë e saj miq për drekë apo për darkë apo për të qëndruar për një kohë në shoqëri duhet të emërojë një drejtues. Bashkëshorti do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e asaj që ndodh. Por, edhe pse grupi përbëhet prej dy familjesh apo pak më i madh, është e qartë se dikush duhet të ketë përgjegjësi për atë që ndodh. Shumë prindër sigurohen për këtë kur djali apo vajza e tyre janë të ftuar në ndonjë festë. Ata vihen në lidhje me mikpritësin që të dinë se kush do ta mbikëqyrë gjithë atë ngjarje, duke qenë i pranishëm nga fillimi deri në fund. Disa prindër të krishterë e kanë përshtatur orarin e tyre në mënyrë që të jenë të pranishëm e kështu si të rinjtë edhe të rriturit të gëzohen anasjelltas nga shoqëria.
16. Çfarë duhet të konsiderojmë mbi madhësinë e tubimeve?
16 Dega e Shoqatës Watchtower në Kanada shkruan: «Disa pleq kanë kuptuar se këshilla mbi përkufizimin e madhësisë së tubimeve shoqërore do të thotë se tubimet e mëdha si në festat e dasmave shkelin këtë këshillë. Ata kanë nxjerrë konkluzionin se, nëse jemi të këshilluar që të kufizojmë përmasat e festave në mënyrë që të jetë një grup i vogël i kontrollueshëm, do të ishte e gabuar të ftohen 200 apo 300 njerëz në një festë dasme.»a Në vend se të theksohet së tepërmi madhësia, kujdesi primar i duhet kushtuar mbikëqyrjes së drejtë, pa marrë parasysh numrin e të pranishmëve. Sasia e verës që siguroi Jezui tregon, se në dasmën në Kanë të pranishmit ishin të shumtë, por, është e dukshme se kishte një mbikëqyrje të duhur. Tek festat e tjera të asaj epoke diçka e tillë mungonte; madhësia e tyre ka qenë ndoshta faktor që të çonte në një mbikëqyrje të papërshtatshme. Grupi më i madh, sfida më e madhe, sepse është më e lehtë për më të dobëtit që ta teprojnë, që të dalin vetë përpara. Në tubime pa mbikëqyrje ata mund të nxisin aktivitete të dyshimta.—1. Korintasve 10:6-8.
17. Si mund të tregojmë drejtpeshim të krishterë kur planifikojmë një tubim?
17 Mbikëqyrja e mirë e një tubimi përfshin planet relative dhe përgatitjet. Kjo nuk kërkon që të shpiket një temë e veçantë për të bërë diçka të vetme dhe të paharrueshme, por që do të imitonte tubimet e botës, siç janë vallëzimet e mëdha me maska apo me kostume. A mund të marrësh me mend Izraelitët besnikë në Tokën e premtuar të planifikojnë një festë, ku të gjithë duhet të visheshin si paganët e Egjiptit apo të ndonjë vendi tjetër? A do të vinin në program vallëzime epshore apo muzikë të pafrenuar që mund të jetë e zakonshme tek paganët? Në Malin Sinai, në fakt, ranë në grackë nga muzika dhe vallet që ndoshta ishin të zakonshme dhe të popullarizuara në Egjipt. E dimë mirë si Perëndia dhe shërbëtori i tij i pjekur Moisiu e konsideronin atë mënyrë zbavitje. (Të Dalët 32:5, 6, 17-19) Pra, mikpritësi apo mbikëqyresi i një tubimi shoqëror duhet të marrë parasysh nëse do të këndohet apo do të kërcehet dhe në atë rast, të sigurohet që këngët dhe vallet nuk bien në kundërshtim me parimet e krishtëre.—2 Korintasve 6:3.
18, 19. Ç’mund të mësojmë nga fakti se Jezui ishte i ftuar në një festë dasme, dhe si mund ta zbatojmë këtë?
18 Më në fund, të kujtojmë se «Jezui dhe dishepujt e tij ishin të ftuar në festën e dasmës.» (Gjoni 2:2, NW ) Sigurisht, një individ i krishterë apo një familje mund të vizitojë të tjerët thjesht për të kaluar pak kohë në mënyrë të këndshme dhe ndërtuese. Por, për sa i përket zbavitjeve shoqërore të organizuara, pasojat na mësojnë për të shmangur problemet, që më parë duhet të vendoset se cilët do të jenë të pranishëm. Rëndësinë e kësaj e theksoi një nga pleqtë në Tenessee, SH.B.A, që ka rritur bij dhe bija të cilët tani janë në shërbimin plotë-kohor. Para se ai apo gruaja të pranonin një ftesë, apo t’u jepnin leje fëmijëve, viheshin në kontakt me mikpritësin për t’u siguruar që të dihej me saktësi se cilët do të ishin të pranishëm. Familja e tij u mbrojt nga grackat në të cilat kanë rënë disa në tubimet zbavitëse të hapura për të gjithë, qoftë vetëm për një drekë, për një piknik, apo një zbavitje sportive, si për shembull një lojë me top.
19 Jezui dekurajoi shprehinë për të ftuar vetëm kushërinjtë, miqtë e vjetër apo persona të një moshe apo gjendje të njëjtë ekonomike. (Luka 14:12-14; krahaso Jobi 31:16-19; Veprat 20:7-9.) Nëse zgjidhni me kujdes cilin të ftoni do të jetë më e lehtë të përfshihen të krishterë të moshave dhe gjendjeve të ndryshme. (Romakëve 12:13; Hebrenjve 13:2) Disa prej tyre mund të jenë persona të dobët në kuptim frymor apo të rinj në të vërtetën që mund të përfitojnë nga shoqëria me të krishterët e pjekur.—Proverbat 27:17.
Zbavitja në vendin e vet
20, 21. Përse zbavitja mund të ketë një vend të përshtatshëm në jetën tonë?
20 Është e përshtatshme për ne si popull që i frikësohet Perëndisë, të interesohemi për zbavitjen tonë, të interesohemi që ajo të jetë e përshtatshme dhe të jemi të drejtpeshuar në lidhje me sasinë e kohës që i kushtojmë. (Efesianëve 2:1-4; 5:15-20) Shkrimtari i frymëzuar i Eklisiastiut ishte i një mendje, prandaj tha: «Unë vetë e lavdërova gëzimin, sepse për njerëzimin nën diell nuk ka asgjë më të mirë, sesa të hajë e të pijë dhe të gëzohet, dhe kjo le t’i shoqërojë në punën e tyre të rëndë gjatë ditëve të jetës së tyre, që Perëndia i vërtetë ia ka dhënë atyre nën diell.» (Eklisiastiu 8:15) Këto kënaqësi të drejtpeshuara mund të freskojnë trupin dhe mund të ndihmojnë në kalimin e problemeve dhe zhgënjimeve të zakonshme në sistemin aktual të gjërave.
21 Për shembull, një pioniere austriake i ka shkruar një shoqeje të vjetër: «Një ditë bëmë një shëtitje shumë të bukur. Shkuam rreth 50 vetë në liqenin afër Ferlach-ut. Vëllai B—udhëhiqte kolonën me makinën e tij që transportonte tri skara, karrige që palosen, tavolina si dhe një tryezë ping-pongu. Jemi zbavitur shumë. Një motër kishte marrë me vete një fizarmonikë e kështu kemi kënduar shumë këngë të Mbretërisë. Vëllezërit, të rinj e të moshuar, kanë mbetur të kënaqur nga shoqëria.» Kjo motër ruante një kujtim të mirë nga kjo shëtitje, e mbikëqyrur si duhet pa gracka siç janë teprimet në të pirë apo sjellja e shthurur.—Jakovi 3:17, 18.
22. Ç’paralajmërim duhet të kemi të qartë në mendje të gjithë, derisa gëzohemi në zbavitjet shoqërore?
22 Pavli na këshilloi të kemi kujdes mos biem në dëshirat e trupit të papërsosur, madje as të mos bëjmë plane që mund të na vënë përpara provave. (Romakëve 13:11-14) Kjo vlen edhe kur bëjmë plane për zbavitje shoqërore. Nëse zbatojmë këshillën e tij, do të jemi në gjendje të shmangim ato situata që i kanë çuar disa në fundosjen frymore. (Luka 21:34-36; 1. Timoteut 1:19) Të zgjedhim me maturi një zbavitje të shëndoshë që na ndihmon të ruajmë marrëdhënien tonë me Perëndinë. Kështu, do të përfitojmë nga zbavitjet shoqërore që mund të konsiderohen si një nga dhuratat e mira të Perëndisë.—Eklisiastiu 5:18.
[Shënimet]
a Kulla e rojës më 15 prill 1984 (angl.), jepte këshilla të drejtpeshuara mbi martesat dhe festat e dasmave. Të martuarit e ardhshëm dhe të gjithë që do ti ndihmojnë, mund të përfitojnë nga një rishikim i këtyre informacioneve përpara se të bëjnë përgatitjet për dasmë.
Pyetjet për përsëritje
◻ Çfarë pikëpamje të drejtpeshuar gjejmë në Bibël në lidhje me zbavitjet shoqërore?
◻ Përse duhet t’i konsiderojmë kohën dhe natyrën e zbavitjes?
◻ Cilat janë disa gjëra që mund t’i bëjë mikpritësi i krishterë për të shmangur grackat?
◻ Çfarë përfitimi mund të prodhojë zbavitja për të krishterët nëse është e përshatshme dhe e drejtpeshuar?
[Figura në faqen 30]
Mikpritësi apo drejtuesi i tubimit ka përgjegjësi të sigurohet që mysafirët të mos bien në grackë
-