Jini bërës, jo vetëm dëgjues
1 Të krishterët e vërtetë sot, e marrin për zemër këshillën e Biblës për të qenë bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues. (Jak. 1:22) Kjo i vë në një kontrast të thellë me ata që, megjithëse pohojnë se janë të krishterë, i japin thjesht shërbim me buzë Perëndisë. (Isa. 29:13) Në mënyrë të qartë Jezui deklaroi se vetëm ata që kryejnë vullnetin e Perëndisë do të shpëtohen.—Mat. 7:21.
2 Adhurimi pa vepra të shenjta është i kotë. (Jak. 2:26) Prandaj duhet të pyesim veten: ‘Në ç’mënyrë provojnë veprat e mia se besimi im është i sinqertë? Çfarë tregon se me të vërtetë jetoj në harmoni me atë që besoj? Si mund ta imitoj Jezuin në mënyrë edhe më të plotë?’ Përgjigjet e ndershme të këtyre pyetjeve do të na ndihmojnë të shohim se ç’përparim kemi bërë apo që akoma duhet të bëjmë për të kryer vullnetin e Perëndisë.
3 Si ithtarë të Jezuit, qëllimi ynë kryesor në jetë, duhet të jetë i njëjtë me atë që shprehet nga psalmisti: «Ne do të lëvdojmë çdo ditë Perëndinë dhe do të kremtojmë emrin tënd përjetë.» (Psal. 44:8) Krishterimi është një mënyrë jetese ku tregojmë veten çdo ditë dhe në çdo gjë që bëjmë. Çfarë kënaqësie ndiejmë ndërsa demonstrojmë në të gjitha aktivitetet tona dëshirën e sinqertë për të lavdëruar Jehovain!—Filip. 1:11.
4 Dhënia e lavdisë Jehovait përfshin më shumë se bërja e një jete të drejtë: Nëse sjellja e mirë ishte e gjitha ajo që kërkonte Perëndia, ne mund të përqendroheshim thjeshtë në rafinimin e personalitetit tonë. Por, adhurimi ynë përfshin edhe shpalljen kudo të shkëlqesive të Jehovait si dhe shpalljen publike të emrit të tij!—Hebr. 13:15; 1. Pjetr. 2:9.
5 Predikimi publik i lajmit të mirë është një ndër veprat më të rëndësishme që ne kyejmë. Jezui ia kushtoi veten kësaj vepre sepse e dinte që ajo do të thoshte jetë e përhershme për ata që do ta dëgjonin. (Gjoni 17:3) Sot, ‘shërbesa e fjalës’ nuk është më pak e rëndësishme; ajo është e vetmja mënyrë me anë të së cilës njerëzit mund të shpëtohen. (Vep. 6:4; Rom. 10:13) Duke kuptuar dobitë afatgjata, ne mund të çmojmë faktin se përse Pavli na këshilloi që të ‘predikojmë fjalën’ dhe ‘ta bëmë këtë me urgjencë’.—2. Tim. 4:2.
6 Deri në çfarë mase duhet ta zërë jetën tonë lavdërimi i Jehovait? Psalmisti tha se kjo gjë ishte në mendjen e tij gjatë gjithë ditës. A nuk ndiejmë edhe ne të njëjtën gjë? Po, madje do ta konsiderojmë çdo kontakt me një person tjetër si një rast të mundshëm për të folur mbi emrin e Jehovait. Ne do të kërkojmë mundësi të përshtatshme për ta drejtuar bisedën tonë ndaj gjërave frymore. Ne do të përpiqemi, gjithashtu, që të marrim pjesë rregullisht në aktivitetet e shërbimit të organizuara nga kongregacioni. Ata, të cilëve rrethanat ua lejojnë mund t’i japin një vëmendje serioze shërbimit si pionierë, sepse kjo na ndihmon ta vëmë çdo ditë veprën e predikimit të parën në jetën tonë. Fjala e Perëndisë na siguron se duke qenë bërës këmbëngulës të vullnetit të Perëndisë, do të jemi të lumtur.—Jak. 1:25.