Kapitulli 1
Jeta: Si filloi ajo?
1. Sa e përhapur është jeta në planetin tonë, Tokë?
JETA gjendet kudo përreth nesh. Ajo shfaqet në zukatjen e insekteve, në këngën e zogjve, në gumëzhimën e gjallesave të vogla nëpër barishtet. Ajo ekziston në zonat e akullta polare dhe në shkretëtirat përvëluese. Ajo është e pranishme që nga sipërfaqja e ndriçuar e detit e deri në thellësitë e errëta të tij. Lart në atmosferë, krijesa shumë të vogla lundrojnë rreth e përqark. Poshtë këmbëve tona, triliona e triliona mikroorganizma punojnë dheun, duke e bërë atë pjellor për rritjen e bimëve, të cilat ushqejnë forma të tjera jete.
2. Çfarë pyetjesh e kanë munduar prej kohësh mendjen e shumë njerëzve?
2 Toka është e mbuluar me jetë në forma kaq të ndryshme e në numër kaq të madh, sa të trondit imagjinatën. Si filloi e gjithë kjo? Planeti ynë dhe gjithë banorët e tij—si ndodhen ata këtu? Dhe më tej, si filloi jeta njerëzore? A evoluoi ajo nga kafshët si majmunë? Apo është krijuar? Vërtet, si erdhëm ne këtu? Dhe ç’kuptim përmban përgjigjja e kësaj pyetjeje në lidhje me të ardhmen? Pyetje të tilla janë bërë prej kohësh dhe akoma nuk kanë gjetur përgjigje në mendjet e shumë njerëzve.
3. Si mendojnë disa për këto probleme dhe pse janë me rëndësi për çdonjërin?
3 Ndoshta ti mendon se këto probleme nuk të përkasin ty realisht. Mund të mendosh: «Ç’rëndësi ka se nga kam ardhur—unë jam këtu. Dhe ndoshta do të jetoj 60, 70 apo 80 vjet—kush e di? Por si të jemi të krijuar, si të jemi të zhvilluar prej evolucionit, kjo tani për mua nuk ndryshon ndonjë gjë.» Përkundrazi, kjo mund të ndryshojë shumë gjëra—sa do të jetosh, mënyrën e jetesës, kushtet në të cilat jeton. Por, pse është kështu? Sepse i gjithë qëndrimi ynë për jetën dhe për të ardhmen ndikohet nga pikëpamja jonë mbi origjinën e saj. Dhe mënyra se si lindi jeta këtu, mund të ndryshojë përfundimisht rrugën e mëtejshme të historisë dhe vendin tonë në të.
Pikëpamje të ndryshme
4. Si mendojnë shumë njerëz mbi perspektivën e jetës në Tokë?
4 Në mendjen e shumë prej atyre që pranojnë teorinë e evolucionit, tabloja e jetës përbëhet gjithmonë nga konkurrenca e ashpër, nga konflikti, urrejtja, luftërat dhe vdekja. Disa bile mendojnë se njeriu do të asgjësojë vetveten në të ardhmen e afërt. Një shkencëtar i shquar ka thënë: «Ne mund të kemi akoma vetëm pak dekada deri në ditën e shkatërrimit. . . . Zhvillimi i armëve bërthamore dhe i sistemit të tyre të shpërndarjes, herët a vonë do të çojë në një shkatërrim të përgjithshëm.»1 Edhe nëse kjo nuk do të ndodhë së shpejti, shumë njerëz besojnë se kur jeta e një njeriu mbaron me vdekjen e tij, atëherë ky njeri pushon përfundimisht së ekzistuari. Të tjerët mendojnë se në të ardhmen e gjithë jeta në Tokë do të shuhet. Ata teorizojnë se Dielli do të bymehet në një yll të kuq gjigant dhe kështu «oqeanet do të ziejnë, atmosfera do të avullojë në hapësirë dhe një katastrofë nga më të tmerrshmet që mund të imagjinohet do të përfshijë planetin tonë».2
5. (a) Si e shikojnë tokën pasuesit e «krijimit shkencor»? (b) Ç’probleme ngre kjo pikëpamje?
5 Përkundër këtyre përfundimeve qëndrojnë pasuesit e «krijimit shkencor». Por, interpretimi i tyre mbi krijimin e parë i çon ata në përfundimin se Toka është vetëm 6.000 vjeçare dhe se të gjashtë «ditët» e përmendura në Zanafillë për krijimin ishin secila 24 orëshe. Por, a paraqet saktësisht një ide e tillë atë që thotë Bibla? A u krijua Toka dhe të gjitha format e jetës në të vetëm në gjashtë ditë, në kuptimin e vërtetë të fjalës? Apo ka ndonjë ide tjetër të arsyeshme?
6. Ku duhet t’i mbështetim konkluzionet mbi origjinën e jetës në Tokë dhe si e ka lënë këtë çështje të hapur Darvini?
6 Duke konsideruar pyetjet që lidhen me origjinën e jetës, opinionet apo ndjenjat e njerëzve të thjeshtë janë shumë të lëkundura e të ndryshme. Që të shmanget kjo dhe që të arrihen konkluzione të sakta, duhet të shqyrtojmë pa paragjykim faktet. Është interesante të vërehet gjithashtu, se edhe mbrojtësi më i mirënjohur i evolucionit, Çarls Darvini, tregohet i vetëdijshëm për kufizimet e teorisë së tij. Në konkluzionin e librit Prejardhja e llojeve ai shkruan për madhështinë e kësaj mënyre «të vështrimit të jetës, me një sërë forcash të saj që fillimisht iu dhanë nga Krijuesi disa formave ose një forme të vetme»3, duke vënë kështu në dukje që tema e origjinës së jetës mbetet e hapur për shqyrtim të mëtejshëm.
Nuk sulmohet shkenca
7. Çfarë sqarimi duhet bërë këtu për shkencën dhe për respektin tonë ndaj saj?
7 Para se të vazhdohet më tej, mund të jetë i dobishëm një sqarim: këtu nuk sulmohen arritjet shkencore. Çdo njeri i informuar çuditet nga arritjet e mëdha shkencore në shumë fusha. Studimet shkencore kanë rritur në mënyrë të rrufeshme dijet tona mbi universin, tokën dhe qeniet e gjalla. Studimi i trupit të njeriut ka çuar në mënyra kurimi më të mira të sëmundjeve dhe dhimbjeve. Përparimet e shpejta në elektronikë çuan në epokën e kompjuterëve, gjë që po ndryshon jetën tonë. Shkencëtarët kanë arritur të realizojnë zbulime befasuese, bile edhe të dërgojnë njerëz në Hënë e t’i kthejnë ata përsëri në Tokë. Është vërtet e drejtë të respektohen aftësitë që i kanë çuar kaq përpara dijet tona mbi botën që na rrethon, që nga gjërat mikroskopike e deri tek ato jashtëzakonisht të mëdha.
8. Me ç’kuptim përdoret në këtë libër termi evolucion dhe kujt i referohet termi krijim?
8 Mund të jetë gjithashtu e dobishme që të sqarojmë përfundimisht edhe këtë pikë: termi evolucion, siç përdoret në këtë libër, i referohet evolucionit organik—teorisë që organizmi i parë i gjallë u zhvillua nga materia inorganike. Më tej, thotë kjo teori, ndërsa ky organizëm riprodhohej, pësoi ndryshime, duke kaluar në lloje të ndryshme qeniesh të gjalla, që më në fund dhanë të gjitha format e jetës që kanë ekzistuar ndonjëherë në Tokë, duke përfshirë edhe formën njerëzore. Dhe e gjithë kjo besohet të jetë kryer pa një drejtim inteligjent apo ndërhyrje të mbinatyrshme. Nga ana tjetër, krijimi është konkluzioni se shfaqja e qenieve të gjalla mund të shpjegohet vetëm me ekzistencën e një Perëndie të plotfuqishëm, i cili projektoi dhe bëri universin dhe të gjitha llojet bazë të jetës në Tokë.
Disa pyetje me rëndësi jetësore
9. Çfarë pohojnë për krijimin ata që pranojnë evolucionin dhe ç’pyetje mund të bëhen mbi evolucionin dhe krijimin?
9 Është e qartë se midis teorisë së evolucionit dhe tregimit të Zanafillës mbi krijimin ka ndryshime thelbësore. Ata që pranojnë evolucionin thonë se krijimi nuk është shkencor. Por, po të mendojmë sinqerisht, gjithashtu mund të pyesim: A është vetë evolucioni me të vërtetë shkencor? Dhe nga ana tjetër, a është Zanafilla vërtet një mit i lashtë mbi krijimin, siç thonë disa? Apo është në përputhje me zbulimet e shkencave moderne? Ç’mund të thuhet mbi pyetjet e tjera që shqetësojnë shumë njerëz: Nëse ekziston një Krijues i plotfuqishëm, përse ka kaq shumë luftëra, uri e sëmundje që shkaktojnë vdekjen e parakohshme të miliona njerëzve? Përse duhej të lejonte kaq shumë vuajtje? E më tej, nëse ekziston një Krijues, a zbulon ai se ç’do të sjellë e ardhmja?
10. (a) Cili është qëllimi i këtij libri dhe çfarë shpresojnë botuesit e tij? (b) Përse është kaq e rëndësishme që të shqyrtohen këto probleme?
10 Është qëllimi i këtij libri që të shqyrtojë probleme të tilla dhe përfundimet që dalin prej tyre. Botuesit shpresojnë se edhe ti do t’i shqyrtosh ato pa paragjykime. Përse ka kaq rëndësi kjo? Sepse ky informacion mund të ishte me vlerë të madhe për ty, ndoshta më të madhe nga sa mund të kesh menduar deri tani.
[Diçitura në faqen 7]
Jeta evoluoi apo u krijua?
[Diçitura në faqen 8]
I gjithë qëndrimi ynë për jetën dhe për të ardhmen ndikohet nga pikëpamja jonë mbi origjinën e saj
[Diçitura në faqen 10]
Ata që pranojnë evolucionin thonë se krijimi nuk është shkencor; por, a mund të thuhet sinqerisht se vetë teoria e evolucionit është me të vërtetë shkencore?
[Kutia dhe figura në faqet 12, 13]
Le të mendojmë për këto gjëra
Bota jonë është e mbushur plot me gjëra të tilla të mrekullueshme:
Gjëra të mëdha: Një diell i ngritur lart, që e bën qiellin në perëndim të flakërojë plot ngjyra. Një qiell natën, i mbushur plot me yje. Një pyll me pemë të larta përmes së cilave depërtojnë rrezet e dritës. Vargmale të thepisura me maja plot dëborë që vezullojnë nën rrezet e diellit. Oqeane që dallgëzojnë nga erërat. Këto gjëra na mrekullojnë dhe na mbushin me admirim.
Gjëra të vogla: Një zog i vogël, trumcaku, fluturon përtej Atlantikut dhe duke dashur të shkojë në Amerikën e Jugut, drejtohet drejt Afrikës. Pas afro 6 km, ai arrin një rrymë ajri që e kthen drejt Amerikës së Jugut. I drejtuar nga instinkti i tij i shtegtimit, ai ndjek rrugën e tij për shumë ditë dhe bën rreth 4.000 km me krahë të mbledhur, gjë që të mrekullon dhe të habit.
Gjëra të shkathëta: Lakuriqë nate që përdorin ultratingullin. Ngjala që prodhojnë elektricitet. Pulëbardha që shkripëzojnë ujërat e detit. Grerëza që prodhojnë letër. Termite që montojnë kondicionerë ajri. Oktapodë që lëvizin me anë të çurgjeve reaktive të ujit. Zogj që thurin apo ndërtojnë shtëpi. Milingona që punojnë tokën, që qepin apo shërbejnë në rolin e bariut. Xixëllonja me një dritë që ndizet e shuhet natën. Ne mrekullohemi nga këto aftësi.
Gjëra të thjeshta: Kur plakemi, shpesh e përqendrojmë vëmendjen në gjëra të vogla, që më parë na dukeshin krejt të zakonshme: Një buzëqeshje. Prekja e një dore. Një fjalë e ngrohtë. Një lule e brishtë. Kënga e një zogu. Ngrohtësia e diellit.
Kur mendojmë për këto gjëra të mëdha që të hutojnë, për gjërat e vogla që megjithatë të bëjnë t’i admirosh, për gjërat e shkathëta që na mrekullojnë, për gjërat e thjeshta që nuk i vlerësonim më parë—kujt ia atribuojmë të gjitha këto? Vërtet, pra, si mund të shpjegohen gjëra të tilla? Prej nga vijnë ato?
[Figura që zë gjithë faqen 6]
[Figura në faqen 9]
Vetëm 6.000 vjeçare?
[Figura në faqen 11]
Është e drejtë të respektohen aftësitë shkencore që i kanë çuar kaq përpara dijet tona