Kapitulli 19
Një parajsë tokësore do të vijë së shpejti
1, 2. (a) Cila është dëshira normale e njeriut, por nga se pengohet realizimi i saj? (b) Cilat kushte do të mund të përcaktoheshin si ideale?
DO TË kishe dëshirë që jeta jote të vazhdonte në kohë të pacaktuar, e plotë dhe e gëzueshme? Ka shumë të ngjarë që përgjigjja të jetë, po. Ka aq shumë gjëra për të bërë, vende të mrekullueshme për t’u parë dhe gjëra të reja për t’u mësuar.
2 Megjithatë, probleme që duken të pazgjidhshme nuk na lejojnë ta gëzojmë plotësisht jetën. Një prej tyre është koha relativisht e shkurtër e jetës së sotme. Për më tepër, shpesh jeta trazohet nga sëmundjet, dhimbjet dhe hallet. Prandaj, për ta gëzuar plotësisht jetën në të gjitha aspektet e saj, do të ishte ideale që të kishim (1) një ambient parajsor, (2) siguri të plotë, (3) një punë tërheqëse, (4) shëndet të përsosur dhe (5) një jetë pa fund.
3. Kush është i vetmi që mund t’i sjellë këto kushte?
3 Por, a s’po kërkojmë shumë? Nga pikëpamja njerëzore po, patjetër. Historia na mëson se njeriu, i vetëm, nuk mund t’i sjellë këto kushte ideale. Por nga pikëpamja e Krijuesit tonë këto gjëra jo vetëm që janë të mundura, por madje janë edhe të pashmangshme! Përse? Sepse këto kushte të dëshirueshme bënin pjesë në qëllimin fillestar të Perëndisë për këtë tokë.—Psalmi 127:1; Mateu 19:26.
Parajsa do të vendoset
4. Cili ishte qëllimi fillestar i Perëndisë për tokën?
4 Siç kemi parë në kapitujt e mëparshëm, njerëzit e parë nuk ishin si kafshë. Çifti i parë u krijua me karakteristika plotësisht njerëzore. Banesa e tyre fillestare, Edeni, ishte «një parajsë kënaqësie». (Zanafilla 2:8, Douay Version) Duhej ‘ta kultivonin dhe të kishin kujdes për të’. (Zanafilla 2:15) Roli i tyre mbi tokë përfshinte veç kësaj edhe këtë detyrë administrative plotësisht njerëzore: «Jini të frytshëm dhe shumëzohuni dhe mbusheni tokën e nënshtrojeni atë.» (Zanafilla 1:28) Pak nga pak që pasardhësit e tyre do të shtoheshin, do të kishin edhe detyrën për të shtrirë kufijtë e këtij kopshti të shkëlqyer, duke e kthyer gjithë tokën në një parajsë. Sa do të zgjaste e gjithë kjo? Bibla thotë vazhdimisht se toka do të mbetet «në kohë të pacaktuar, ose përgjithmonë». (Psalmi 104:5; Eklisiastiu 1:4) Prandaj, toka parajsore do të kishte qenë banesa e këndshme dhe e përhershme e njerëzve të përsosur, të cilët do të banonin mbi të përgjithmonë.—Isaia 45:11, 12, 18.
5. Përse mund të kemi besim se qëllimi i Perëndisë do të realizohet?
5 Edhe pse shkaktoi një ndërprerje të përkohshme në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë, rebelimi në Eden nuk e ndryshoi një qëllim të tillë. Perëndia ka siguruar mjetin për të ndaluar dëmin dhe për të rivendosur Parajsën. Mekanizmi i nevojshëm për këtë qëllim është Mbretëria e Perëndisë, qeveria qiellore që ishte një nga pjesët kryesore të mesazhit të Perëndisë për njerëzimin. (Mateu 6:10, 33) Dhe mund të jemi të sigurt se qëllimi fillestar i Perëndisë do të përmbushet. Krijuesi i plotfuqishëm që e ka vendosur na siguron: «Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.»—Isaia 55:11, Dio.
6, 7. (a) Si e dimë që po i afrohemi vendosjes së Parajsës? (b) Cilët do të mbesin në jetë në fund të këtij sistemi gjërash dhe cilët jo?
6 Është inkurajuese të shohësh se ngjarjet botërore të ditëve tona përmbushin «shenjën» e «ditëve të fundit». (Mateu 24:3-14; 2. Timoteut 3:1-5) Kjo tregon se është afër koha në të cilën «fjala» e Perëndisë ‘do të realizohet plotësisht’. Suksesi është i garantuar sepse Perëndia i plotfuqishëm do të ndërhyjë në punët njerëzore, për të mundësuar përmbushjen e qëllimeve të tij. (Jeremia 25:31-33) Mund të presim që shumë shpejt të shohim përmbushjen e psalmit profetik që thotë: «Vetë keqbërësit do të shfarosen, por ata që shpresojnë në Jehovain do të trashëgojnë tokën. Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më . . . Vetë të drejtët do të zotërojnë tokën dhe do të banojnë mbi të përgjithmonë.»—Psalmi 37:9-11, 29; Mateu 5:5.
7 Prandaj, ata që duan të jenë të pavarur nga Krijuesi do të «shfarosen». Ata që «shpresojnë në Jehovain» do të mbijetojnë në fund të këtij sistemi dhe do të fillojnë të rivendosin Parajsën. Ajo do të shtrihet gradualisht, derisa të mbulojë mbarë tokën. Vendosja e kësaj Parajse është kaq e sigurt, saqë me besim absolut Jezui mundi t’i premtonte vjedhësit që u ekzekutua përkrah tij: «Me të vërtetë po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.»—Luka 23:43.
Toka transformohet
8, 9. Cili ndryshim i gjendjes do të ndodhë në lidhje me tokën?
8 Përshkrimi biblik i Parajsës është me të vërtetë entuziazmues. Për shembull, flet për një ndryshim madhështor të vetë kushteve mbi tokë. Ndoshta të kujtohet se çiftit të parë njerëzor, kur u përzu nga Edeni, iu tha se dheu do të prodhonte gjemba e shkurre dhe se vetëm me djersën e ballit do të arrinin të nxirrnin ushqimin e tyre nga toka. (Zanafilla 3:17-19) Prej asaj kohe e deri tani, shpesh është dashur të luftohet kundër shkretëtirave të pandalshme, truallit të varfër, thatësirës, barërave të infektuara, insekteve, sëmundjeve të bimëve dhe të korrave të dëmtuara. Shumë shpesh, nga kjo luftë ka dalë fitimtare zija e bukës.
9 Por gjendja do të përmbyset: «Shkretëtira dhe rajoni pa ujë do të gëzojnë dhe fusha e shkretëtirës do të gëzojë e do të lulëzojë si shafrani. . . . Sepse në shkretëtirë do të gurgullojnë ujërat dhe përrenj në fushën e shkretëtirës. Dhe toka e thatë do të bëhet si një pellg i dendur me kallamishte dhe toka e etur si burim ujërash.» «Në vend të shkurreve me gjemba do të rritet dëllinja. Në vend të hithrës djegëse do të rritet mërsina.» (Isaia 35:1, 6, 7; 55:13) Përmbushja e qëllimit të Perëndisë do të nënkuptojë, pra, që njerëzimi do të ketë detyrën mjaft të pëlqyeshme për të transformuar tokën në një vend të mrekullueshëm, i cili përgjithmonë do t’u sjellë gëzim banorëve të tij. Por nuk do të jetë vetëm çështje bukurie.
Fundi i varfërisë
10, 11. Në ç’mënyrë do ta eliminojë Jehovai urinë?
10 Transformimi i shkretëtirave të gjera dhe i zonave të thata do të nënkuptojë një rritje të madhe të tokës së prodhueshme. Nën udhëheqjen e Krijuesit, njeriu do të arrijë ta kthejë tokën më pjellore se kurrë më parë: «Jehovai, nga ana e tij, do të japë ç’të jetë e mirë dhe vetë vendi ynë do të japë prodhimin e tij.» (Psalmi 85:12) Ky «prodhim» do të sigurojë një «sasi të madhe gruri mbi tokë; në majë të maleve do të ketë vërshim». (Psalmi 72:16) Nuk do të ketë më kurrë miliona të uritur.—Isaia 25:6.
11 Edhe papunësia do të jetë diçka e së kaluarës, do të eliminohet përgjithmonë. Dhe të gjithë do të gëzojnë frytet e punës së tyre: «Sigurisht do të mbjellin hardhi dhe do të hanë frutin e tyre. . . . nuk do të mbjellin që të hajë dikush tjetër.» (Isaia 65:21, 22) E gjithë kjo do të sjellë sigurinë ekonomike të përshkruar në Ezekielin 34:27: «Druri i fushës do të japë frutin e tij dhe vetë vendi do të japë prodhimin e tij dhe me të vërtetë do të jenë në truallin e tyre në siguri.»
12. Cilët do të kenë banesa të rehatshme në Parajsë?
12 Por njerëzit ndiejnë edhe dëshirën e lindur për të pasur një banesë të rehatshme dhe pak tokë ku të mbjellin lule, pemë apo edhe një kopsht të vogël. Por, a mund të bëhet fjalë për banesa të rehatshme, në një kohë kur miliona njerëz jetojnë të grumbulluar në grumbuj të mëdhenj pallatesh apo në lagje të mjera, madje edhe në rrugë? Asgjë nga këto nuk do të ekzistojë në Parajsën e ardhshme, sepse Perëndia ka premtuar: «Sigurisht do të ndërtojnë shtëpi dhe do t’i zënë . . . Nuk do të ndërtojnë për t’i zënë dikush tjetër.» Ky program ndërtimi në shkallë botërore do të realizohet përsosmërisht dhe do të ketë rezultate të qëndrueshme: «Do ta përdorin plotësisht veprën e duarve të tyre. Nuk do të lodhen më kot.» (Isaia 65:21-23) Banesat e rehatshme, pra, nuk do të jenë privilegj i një pakice të pasur, por do të jenë në dispozicion për të gjithë ata që do t’i nënshtrohen sundimit të Perëndisë.
Kurrë më sëmundje dhe vdekje
13, 14. Ç’do të ndodhë me sëmundjet, me paaftësitë, madje edhe me vdekjen?
13 Fjala e Perëndisë na siguron se kushtet e pëlqyeshme të Parajsës nuk do të shëmtohen nga paaftësi, sëmundje dhe vdekje: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’ » (Isaia 33:24) «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre, dhe vdekja nuk do të jetë më, as vaj, as britmë dhe as dhimbje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.»—Zbulesa 21:4.
14 Imagjino një botë, në të cilën sëmundjet dhe mangësitë do të shërohen! Fjala e Perëndisë thotë: «Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve; atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi.» (Isaia 35:5, 6, Dio) Çfarë transformimi i mrekullueshëm! Për më tepër, imagjino perspektivën e jashtëzakonshme për të jetuar, që nga ai çast e më tej, sa të jetojë Perëndia: në përjetësi! Vdekja nuk do ta godasë kurrë më njerëzimin, sepse Perëndia «me siguri do ta gëlltisë vdekjen përgjithmonë».—Isaia 25:8.
15. Ç’do të ndodhë me të moshuarit që do të mbijetojnë fundin e këtij sistemi?
15 Por ç’mund të themi për ata që do të mbijetojnë në fund të këtij sistemi gjërash dhe që janë tashmë në një moshë të shkuar? Do të mjaftohen me një shëndet të mirë në pleqëri dhe do të mbesin të tillë përgjithmonë? Jo, sepse Perëndia ka fuqinë dhe do ta përdorë atë për ta kthyer mbrapsht procesin e plakjes. Bibla e përshkruan kështu: «Mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij.» (Jobi 33:25, Dio) Personat e moshuar do të kthehen gradualisht në gjendjen e të rriturve të përsosur, në të cilën ndodheshin Adami dhe Eva në Eden. Ky proces do të jetë një nga rezultatet e «rikrijimit» për të cilin foli Jezui.—Mateu 19:28.
Paqe e qëndrueshme botërore
16, 17. Përse Parajsa nuk do të trazohet nga luftërat apo dhuna?
16 A do të trazohet ndonjëherë Parajsa nga luftërat apo dhuna? Jo, sepse «të drejtët janë ata që do të banojnë mbi tokë dhe të pafajshmit janë ata që do të lihen aty. Sa për të ligjtë, do të shfarosen nga vetë toka; dhe sa për të pabesët, do të shkulen prej saj». (Proverbat 2:21, 22) Nuk mund të ketë më luftëra apo dhunë, sepse nuk do të ekzistojnë më luftënxitës apo njerëz të dhunshëm.
17 Përse ata që «do të lihen» pasi Perëndia të ketë shfarosur të ligjtë dhe të pabesët, janë quajtur «të drejtë» e «të pafajshëm»? Sepse tashmë do të jenë edukuar sipas normave hyjnore për një jetë paqësore dhe do t’u jenë përshtatur atyre. Njohja në një mënyrë të tillë e Perëndisë dhe nënshtrimi ndaj ligjeve të tij është sekreti i paqes në Parajsë, sepse Bibla thotë: «Nuk do të bëjnë asnjë dëm dhe as do të shkaktojnë ndonjë rrënim . . . sepse toka sigurisht do të jetë plot me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbulojnë vetë detin.» (Isaia 11:9) Jezui tha gjithashtu: «Të gjithë do të mësohen nga Jehovai» dhe shtoi se të gjithë ata që e pranojnë këtë mësim dhe jetojnë në përputhje me të, do të marrin «jetën e përhershme».—Gjoni 6:45-47.
18. Cilët janë ata që qysh tani po edukohen për të jetuar në paqe në Parajsë?
18 Kjo vepër e arsimimit botëror, e bazuar mbi rregullat e Perëndisë, do të prodhojë një botë plotësisht paqësore dhe të harmonishme, pa kriminalitet, paragjykime, urrejtje, përçarje politike dhe luftëra. Efektshmëria e këtij arsimimi tregohet tashmë nga miliona Dëshmitarë të Jehovait në të gjithë botën. Ata formojnë një vëllazëri ndërkombëtare të bazuar mbi dashurinë dhe mbi respektin reciprok. (Gjoni 13:34, 35) Paqja dhe uniteti i tyre botëror janë të pathyeshme. Madje as persekutimet apo luftërat botërore nuk i detyrojnë dot ata të marrin armët kundër të afërmve, në cilëndo pjesë të botës. Nëse kjo paqe dhe ky unitet botëror mund të ekzistojnë qysh tani, në një botë të përçarë, patjetër që do të jetë shumë më e lehtë të vazhdohet kjo rrugë nën qeverinë e Perëndisë në Parajsë.—Mateu 26:52; 1. Gjonit 3:10-12.
19. Cila profeci që tani është duke u përmbushur, do të vazhdojë të përmbushet edhe në Parajsë?
19 Prandaj, qysh në fillim të vendosjes së Parajsës do të mbretërojë paqja botërore. Dhe ata që do të mbijetojnë luftën e përgjithshme të Perëndisë në Harmagedon do të vazhdojnë të jetojnë në përputhje me fjalët e profecisë, të cilat po i përmbushin qysh tani: «Nuk do të ngrenë më shpatë, komb kundër kombi, as do të mësojnë më luftën.» Për këtë profecia shton: «Në të vërtetë do të ulen, secili nën hardhinë e tij dhe nën fikun e tij, dhe nuk do të ekzistojë askush që t’i bëjë të dridhen.» (Mikea 4:3, 4) Për sa kohë? Premtimi që të ngroh zemrën është: «Paqja nuk do të ketë të sosur.»—Isaia 9:7.
20. Çfarë do të bëjë Jehovai me kombet dhe me armatimin e tyre ushtarak?
20 Është e vërtetë se kombet e sotme të militarizuara kanë grumbulluar armatime më shumë se kurrë më parë. Por kjo nuk do të thotë asgjë për Atë që me fuqinë e tij krijoi universin. Ai na thotë se ç’do të bëjë së shpejti me armët e kombeve: «Ejani, shihni veprat e Jehovait, se si ka vënë ngjarje të mrekullueshme mbi tokë. I pushon luftërat deri në skajet e tokës. Thyen harkun dhe i bën copë heshtat; i djeg qerret në zjarr.» (Psalmi 46:8, 9) Zhdukja e kombeve dhe e fuqisë së tyre ushtarake do të hapë rrugën për një paqe të qëndrueshme botërore në Parajsë.—Danieli 2:44; Zbulesa 19:11-21.
Paqe me mbretërinë e kafshëve
21, 22. Cilat marrëdhënie do të rivendosen midis njeriut dhe kafshëve?
21 Për ta bërë të plotë paqen e përgjithshme në Parajsë, do të rivendoset edhe harmonia që ekzistonte midis njeriut dhe kafshëve në Eden. (Zanafilla 1:26-31) Sot, njeriu trembet nga shumë kafshë dhe në të njëjtën kohë përbën një kërcënim për shumë prej tyre. Por nuk do të jetë kështu në Parajsë. Cilado qoftë mënyra me të cilën Perëndia mbante harmoninë midis njeriut dhe kafshëve në Eden, do të bëjë po njësoj edhe në Parajsë. Në këtë mënyrë, sundimi i dashur i njeriut mbi kafshët do të bëhet përsëri realitet.
22 Në lidhje me këtë, Krijuesi deklaron: «Sigurisht do të përfundoj në atë ditë për ta një besëlidhje me bishën e egër të fushës, me krijesën fluturuese të qiejve dhe me gjërat zvarritëse të tokës.» (Hozea 2:18) Cili do të jetë rezultati? «Do të vendos me to një besëlidhje paqeje dhe do të zhduk nga vendi kafshët e liga, kështu ato do të mund të rrinë të sigurta në shkretëtirë dhe të flenë nëpër pyje.»—Ezekieli 34:25, Dio.
23. Cili ndryshim i madh në mbretërinë e kafshëve ishte parathënë nga Isaia?
23 Paqja që do të mbretërojë midis njerëzve, si edhe midis njeriut dhe kafshëve, do të pasqyrohet edhe brenda mbretërisë së kafshëve: «Në të vërtetë ujku do të banojë njëkohësisht me qengjin, dhe me kecin do të shtrihet vetë leopardi dhe viçi me luanin e ri kreshpor dhe me kafshën e majme të gjithë bashkë; dhe një fëmijë i vogël do t’i udhëheqë ata. Dhe lopa me ariun do të kullosin; të vegjlit e tyre do të shtrihen së bashku. Edhe luani do të hajë kashtë, ashtu si demi. Dhe foshnja e gjirit me siguri do të luajë mbi vrimën e kobrës; dhe një fëmijë i zvjerdhur me të vërtetë do të vendosë dorën e tij mbi folenë e dritës së një gjarpri helmues. Nuk do të bëjnë asnjë dëm, as do të shkaktojnë asnjë rrënim mbi gjithë malin tim të shenjtë.»—Isaia 11:6-9.
24. Në ç’mënyrë e përshkruan Psalmi 37 paqen që do të mbretërojë në Parajsë?
24 Çfarë përshkrimi të shkëlqyer i bën Bibla paqes absolute që do të mbretërojë në Parajsë! Nuk habitemi që Psalmi 37:11 thotë në lidhje me jetën në atë sistem të ri: «Vetë të butët do të zotërojnë tokën dhe në të vërtetë do të provojnë shijen e këndshme të bollëkut të paqes.»
Kthimi i të vdekurve
25, 26. (a) Çfarë premton Fjala e Perëndisë në lidhje me të vdekurit? (b) Përse nuk është një problem për Krijuesin të kujtojë të gjithë ata që kanë vdekur?
25 Ata që do të mbijetojnë fundin e sistemit të tanishëm të gjërave, nuk do të jenë të vetmit që do të gëzojnë dobitë e jetës në Parajsë. Nën sundimin e qeverisë qiellore do të ndodhë edhe një fitore e jashtëzakonshme: fitorja e përgjithshme mbi vdekjen. Në fakt, jo vetëm që do të mposhtet vdekja e trashëguar, por ata që kanë vdekur do të rikthehen në jetë dhe do të marrin mundësinë për të jetuar në Parajsë. Fjala e Perëndisë na siguron: «Do të ketë një ringjallje si për të drejtët dhe për të padrejtët.» (Veprat 24:15) Sa rast i shkëlqyer do të jetë atëherë kur, brez pas brezi, njerëzit e dashur do të kthehen prej varreve!—Luka 7:11-16; 8:40-56; Gjoni 11:38-45.
26 Jezui tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që gjenden në varre përkujtimore, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin jashtë, ata që bënë gjëra të mira në ringjallje jete, ata që praktikonin gjëra të këqija në ringjallje gjykimi.» (Gjoni 5:28, 29) Po, ata që gjenden në kujtesën e Perëndisë do të rikthehen në jetë. Dhe nuk duhet të mendojmë se kjo është një detyrë tepër e rëndë për Perëndinë. Mbaj parasysh se ai krijoi mijëra e miliarda yje. Dhe Bibla thotë se ai i thërret të gjithë «në emër». (Isaia 40:26) Në krahasim me këtë, numri i atyre që kanë jetuar e vdekur është i vogël. Prandaj, qoftë ata vetë apo edhe modelet e tyre të jetës mund të arkivohen me lehtësi në kujtesën e Perëndisë.
27. Cila mundësi do t’u ofrohet të gjithëve në Parajsë?
27 Të gjithë të ringjallurit do të edukohen me rregullat e Perëndisë në një ambient parajsor. Nuk do të pengohen nga ligësia, vuajtjet apo padrejtësitë, si në jetën e mëparshme. Nëse pranojnë sundimin e Perëndisë dhe u përshtaten rregullave të tij, do të gjykohen të denjë për të vazhduar jetën. (Efesianëve 4:22-24) Kështu, pra, nëse vjedhësi që u vu në shtyllë pranë Jezuit do të ketë dëshirë për të qëndruar në Parajsë, duhet të bëjë ndryshime dhe nga vjedhës duhet të bëhet një person i ndershëm. Por ata që do të rebelohen kundër sundimit të drejtë të Perëndisë, nuk do të lejohen që të vazhdojnë të jetojnë e të trazojnë në këtë mënyrë paqen dhe gëzimin e të tjerëve. Do të marrin një gjykim që do të jetë kundër tyre. Çdo person, pra, do të ketë mundësinë e plotë e të drejtë, që të tregojë nëse e çmon me të vërtetë jetën në një tokë parajsore në të cilën «do të banojë drejtësia».—2. Pjetrit 3:13.
28. Çfarë na pret, pra, së afërmi?
28 Së bashku me ata që do të mbijetojnë Harmagedonin, të ringjallurit do të gëzojnë një jetë me kënaqësi të pafundme. Truri i përsosur njerëzor, me potencialin e tij të madh për njohuri, do të jetë në gjendje të asimilojë informacione përgjithmonë. Mendo mbi ato që do të mësojmë për tokën dhe universin madhështor, me miliarda galaktikat e tij! Shqyrto edhe punën tërheqëse dhe të gëzueshme që do të kryejmë në lidhje me ndërtimin, me sistemimin e peizazhit, me kopshtarinë, aktivitetet didaktike, me artin, muzikën dhe me shumë fusha të tjera! Jeta nuk do të jetë aspak e mërzitshme apo pa rendiment. Përkundrazi, siç parathotë Bibla, çdo ditë në Parajsë do të ketë një «shije të këndshme». (Psalmi 37:11) Në këtë mënyrë, pra, pikërisht para nesh po hapet një epokë e re e mrekullueshme.
[Diçitura në faqen 232]
Njerëzit nuk mund të sjellin kushte ideale, por Perëndia mundet
[Diçitura në faqen 236]
Do të ndodhë një ndryshim madhështor i vetë tokës
[Diçitura në faqen 242]
Zhdukja e kombeve dhe e fuqisë së tyre ushtarake do t’i hapë rrugë paqes botërore
[Diçitura në faqen 244]
«Do të provojnë shijen e këndshme të bollëkut të paqes»
[Diçitura në faqen 246]
Pikërisht para nesh po hapet një epokë e re e mrekullueshme
[Figura në faqen 233]
Këto kushte ideale do të na lejonin ta gëzonim plotësisht jetën
Ambient parajsor
Siguri e plotë
Punë tërheqëse
Shëndet i përsosur
Jetë e pafund
[Figura në faqen 234]
Ata që duan të jenë të pavarur nga Krijuesi do të shkatërrohen
[Figura në faqen 235]
«Ata që shpresojnë në Jehovain» do të mbijetojnë
[Figurat në faqet 236, 237]
Njerëzimi do të ketë detyrën e këndshme për ta transformuar tokën në një parajsë
[Figura në faqen 238]
Të gjithë do të kenë siguri ekonomike
[Figurat në faqen 239]
Parajsa nuk do të shëmtohet nga paaftësi, sëmundje apo vdekje
[Figura në faqen 240]
«Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij.»—Jobi 33:25
[Figura në faqen 241]
Në Parajsë nuk do të ketë as luftëra, as dhunë. Të gjitha armët do të shkatërrohen.—Ezekieli 39:9, 10
[Figura në faqen 243]
Do të vendoset përsëri harmonia midis njeriut dhe kafshëve
[Figura që zë gjithë faqen 245]
Të vdekurit do të kthehen në jetë dhe do të kenë mundësinë për të jetuar në Parajsë. Fjala e Perëndisë siguron: «Do të ketë një ringjallje si për të drejtët dhe për të padrejtët»