Kapitulli 20
Çfarë do të zgjedhësh?
1, 2. (a) Si po ndikon «lajmi i mirë» mbi miliona njerëz sot? (b) Si ishte parathënë kjo mbledhje globale?
PARAJSA e ardhshme nën Mbretërinë e Perëndisë është ai lajm për të cilin ka nevojë njerëzimi. Dhe Jezui profetizoi se shpallja në të gjithë tokën e «këtij lajmi të mirë të Mbretërisë» do të ishte një aspekt i periudhës menjëherë ‘përpara ardhjes së fundit’. (Mateu 24:14) Sot, miliona Dëshmitarë të Jehovait po bëjnë pikërisht këtë gjë. Ata po e ndajnë këtë lajm të mirë me miliona njerëz të tjerë, të cilët përgjigjen duke studiuar Biblën dhe duke u shoqëruar me ta.
2 Kjo vepër e madhe e edukimit botëror, që po grumbullon njerëz nga të gjitha kombet, ishte parathënë në Bibël. Profecia e Isaisë thotë për këto ditë të fundit: ‘Adhurimi i Jehovait do të vendoset fortësisht dhe drejt tij do të vërshojnë njerëz nga të gjitha kombet. Dhe Jehovai do t’i mësojë ata mbi rrugët e tij dhe ata do të ecin shtigjeve të tij.’—Isaia 2:2-4; shiko edhe Isaia 60:22; Zaharia 8:20-23.
3. Cilën ndarje sjell si rezultat mesazhi i Mbretërisë?
3 Rezultati i shpalljes së Mbretërisë në mbarë botën ka qenë ndarja e qartë e njerëzve. Në një gjuhë figurative Jezui foli për ditët tona: «Të gjitha kombet do të mblidhen para tij dhe ai do t’i ndajë njerëzit nga njëri-tjetri, ashtu si një bari ndan delet nga dhitë.» Ata që bashkëpunojnë me qëllimin e Krijuesit identifikohen sikur të jenë dele. Për ata që qëndrojnë të pavarur thuhet se janë ngjashëm dhive. Dhe sa për atë që i pret, Jezui tha se «delet» do të marrin «jetë të përhershme», ndërsa «dhitë» «shkatërrim të përhershëm».—Mateu 25:32-46.
Mos ‘ta kthejmë të vërtetën në gënjeshtër’
4. (a) Nëse dëshirojmë të vazhdojmë të jetojmë, çfarë është thelbësore? (b) Sipas Biblës, si duhet klasifikuar teoria e evolucionit?
4 Është thelbësore për të ardhmen tonë që ta vëmë jetën në përputhje me qëllimet e Perëndisë, sepse tek ai është «burimi i jetës». (Psalmi 36:9) Prandaj, nuk duhet të biem në grackën e filozofive që janë në kundërshtim me realitetin. Romakëve 1:25 flet për «ata që e kthyen të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan e i bënë shërbim të shenjtë krijesës në vend të Atij që krijoi». Siç kemi parë, teoria e evolucionit është në kundërshtim me realitetin, po, është në fakt një «gënjeshtër». Kthimi i fakteve në lidhje me Perëndinë e Krijimit në një «gënjeshtër» të tillë, siç pohon Romakëve 1:20, është «e pafalshme» përballë dëshmive.
5, 6. (a) Ku e ka në të vërtetë origjinën besimi në evolucionin? (b) Përse është bërë kaq i përhapur në kohën tonë? (c) Si duhet të ndihemi në lidhje me këtë çështje?
5 Nuk duhet të habitemi që teoria e evolucionit është përhapur kaq shumë në kohët moderne, pavarësisht nga dëshmitë kundër saj. Mesazhi i vërtetë i këtij besimi është se nuk ekziston një Perëndi, se ai është i panevojshëm. Nga të ketë lindur një gënjeshtër e tillë kolosale? Jezui identifikoi burimin kur tha: «Djalli . . . është një gënjeshtar dhe atë i gënjeshtrës.»—Gjoni 8:44.
6 Ne duhet ta pranojmë faktin se teoria e evolucionit është në shërbim të qëllimeve të Satanait. Ai dëshiron që njerëzit të imitojnë rrugën e tij, si edhe atë të Adamit e të Evës, duke u rebeluar kundër Perëndisë. Dhe kjo është veçanërisht e tillë tani, pasi Djalli ka vetëm «një periudhë të shkurtër kohore». (Zbulesa 12:9-12) Pra, të besosh në evolucion do të thotë të përkrahësh interesat e tij e të verbosh veten përpara qëllimeve të mrekullueshme të Krijuesit. Si duhet të ndihemi, pra, në lidhje me këtë? Ne ndiejmë indinjatë ndaj atyre që përpiqen të na vjedhin paratë apo edhe pak të mira materiale. Akoma më shumë duhet të ndihemi të indinjuar ndaj doktrinës së evolucionit dhe krijuesit të saj, pasi qëllimi i tij është të na vjedhë jetën e përhershme.—1. Pjetrit 5:8.
‘Të gjithë duhet të dinë’
7. Çfarë ka thënë se do të bëjë Krijuesi, në lidhje me ekzistencën dhe emrin e tij?
7 Së shpejti, të gjithë duhet të dinë se me të vërtetë ekziston një Krijues. Ai deklaron: «Unë sigurisht do ta shenjtëroj emrin tim të madh, që është sharë midis kombeve, . . . dhe kombet duhet të dinë që unë jam Jehovai.» (Ezekieli 36:23) Po, të gjithë do të dinë se «Jehovai është Perëndi. Është ai që na ka bërë dhe jo ne vetveten».—Psalmi 100:3.
8. Si do të ballafaqohen së shpejti kombet me Jehovain?
8 Kombet do të dinë se Jehovai është Perëndia i Krijimit, kur ai t’u dalë atyre përballë së shpejti. Kjo do të ndodhë në kohën kur ai do t’i japë fund eksperimentit të mjerë njerëzor, në përpjekje për të qenë të pavarur nga Perëndia. Ja, se ç’do të ndodhë në atë kohë: «Para zemërimit të tij toka dridhet dhe kombet nuk mund të qëndrojnë përpara indinjatës së tij.» «Perënditë që nuk kanë bërë qiejt dhe tokën do të zhduken nga toka dhe nën qiellin.»—Jeremia 10:10, 11, Dio; shiko edhe Zbulesën 19:11-21.
9. (a) Përse evolucioni nuk do të mësohet në Parajsë? (b) Cila shfaqje madhështore e aftësisë së Jehovait do të provojë se ai i krijoi njerëzit?
9 Kështu, pra, në Parajsën e ardhshme, kombet, sistemi i tyre i edukimit dhe mjetet e tyre të informacionit nuk do të ekzistojnë më. Në atë kohë, evolucioni nuk do të mësohet më. Përkundrazi, siç tregon Isaia 11:9, «toka me siguri do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbulojnë vetë detin». Çdo person do të edukohet që ta njohë Krijuesin nga afër. Të gjithë do të mrekullohen me mënyrën se si i ka përmbushur ai qëllimet në të shkuarën. Do të shohin veprat e tij të ardhshme në Parajsë dhe do të entuziazmohen prej tyre. Dhe midis atyre veprave madhështore do të jetë edhe ringjallja. Kjo do të provojë përfundimisht se Perëndia i krijoi njerëzit. Përse? Sepse aftësia e tij për të rikrijuar miliona njerëz të vdekur, me siguri do të provojë se ai ka qenë, gjithashtu, i aftë për të krijuar edhe çiftin e parë njerëzor.
Të bëjmë një zgjedhje
10. Duke parë se Jehovai e ka përcaktuar tashmë të ardhmen, cilave pyetje duhet t’u përgjigjemi?
10 Jo, e ardhmja nuk do të vendoset nga disa procese të rastësishme evolutive. E ardhmja është përcaktuar tashmë nga Krijuesi. Do të realizohen qëllimet e tij, jo ato të ndonjë njeriu apo të Djallit. (Isaia 46:9-11) Duke parë këtë, pyetjet që duhet të bëjë çdonjëri prej nesh janë: Ku qëndroj unë? A dëshiroj të jetoj përgjithmonë në një Parajsë të drejtë? Nëse po, a i plotësoj kërkesat e Perëndisë për të mbijetuar?
11. Shembullin e kujt duhet të ndjekim nëse dëshirojmë të jetojmë në Parajsë?
11 Nëse dëshirojmë të jetojmë përgjithmonë në Parajsë, atëherë Bibla tregon se duhet të ndjekim shembullin e atyre që respektojnë Krijuesin, qëllimet dhe ligjet e tij. Ai këshillon: «Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja. Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.»—Psalmi 37:37, 38, Dio.
12. (a) Edhe pse njerëzit kanë liri për të zgjedhur, çfarë nuk do të lejojë Perëndia që të vazhdojë? (b) Çfarë i pret ata që e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes për t’i shërbyer Perëndisë?
12 Perëndia na ka dhënë lirinë për të zgjedhur nëse do t’i shërbejmë atij apo jo. E megjithëse nuk i detyron njerëzit që të binden, ai nuk do të lejojë që ligësia, vuajtjet dhe padrejtësia të vazhdojnë përgjithmonë. Nuk do të lejojë, gjithashtu, të jetojë askënd që do të dojë të turbullojë paqen dhe lumturinë në Parajsën e tij të ardhme. Ja, përse ai i fton qysh tani njerëzit që ta përdorin lirinë e tyre për t’i shërbyer atij. Ata që do të veprojnë kështu, do të shohin fundin e kësaj bote zhgënjyese dhe më pas do të kenë gëzimin e madh që të japin ndihmën e tyre në transformimin e tokës në një parajsë.—Psalmi 37:34.
13. Nëse dëshirojmë «jetën e vërtetë», çfarë duhet të bëjmë?
13 Është e vërtetë që shumë njerëz nuk dëshirojnë t’u përshtaten kërkesave të Jehovait. Kjo është përgjegjësia e tyre dhe duhet të paguajnë pasojat. (Ezekieli 33:9) Por, a është dëshira jote që ‘të mbahesh fortësisht në jetën e vërtetë’ që po vjen? (1. Timoteut 6:19) Nëse po, Jezui tregoi se ç’duhet bërë, kur iu lut Perëndisë: «Kjo do të thotë jetë e përhershme, që të fitojnë njohuri mbi ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe mbi atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.
14. Cilën rrugë të mençur e urgjente duhet të marrim?
14 Prandaj, rruga e mençur dhe urgjente që duhet marrë, derisa ka ende kohë, është të mësojmë vullnetin e Perëndisë dhe të përpiqemi sinqerisht për ta kryer atë. Fjala e tij e frymëzuar na nxit: «Përpara se të vijë mbi ju dita e zemërimit të Jehovait, kërkoni Jehovain, të gjithë ju të butët e tokës, që praktikoni vendimin e Tij gjyqësor. Kërkoni drejtësinë, kërkoni butësinë. Ndoshta do të jeni të mbrojtur në ditën e zemërimit të Jehovait.»—Sofonia 2:2, 3.
15. Cila perspektivë e lavdishme i pret personat e butë?
15 Qoftë e mundur që edhe ti të jesh një person i tillë i butë, përulësisht i nënshtruar ndaj vullnetit të Perëndisë. Ç’mund të presësh, nëse je i tillë? «Bota po kalon,—thotë Bibla,—por ai që kryen vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.» (1. Gjonit 2:17) Sa perspektivë e lavdishme—të jetosh përgjithmonë mbi një Parajsë në tokë—nëse bën zgjedhjen e duhur!
[Diçitura në faqen 247]
Miliona njerëz po mblidhen në adhurimin e vërtetë të Jehovait
[Diçitura në faqen 248]
Ku lindi në të vërtetë ideja e evolucionit?
[Diçitura në faqen 249]
Së shpejti, të gjithë do të dinë se ka një Krijues
[Diçitura në faqen 249]
Ringjallja do të provojë se njerëzit u krijuan nga Perëndia
[Diçitura në faqen 250]
E ardhmja tashmë është vendosur
[Diçitura në faqen 250]
Si do ta përdorim lirinë tonë për të zgjedhur?
[Figura në faqen 251]
Një perspektivë e lavdishme shtrihet përpara atyre që bëjnë një zgjedhje të drejtë