Prediko Mbretërinë
1 Në Hebrenjve 10:23, ne nxitemi «të mbajmë të patundur shpalljen publike të shpresës sonë». (BR) Shpresa jonë përqendrohet në Mbretërinë e Perëndisë. Jezui urdhëroi në mënyrë specifike që lajmi i mirë i Mbretërisë të predikohej në të gjitha kombet. (Mar. 13:10) Duhet ta mbajmë ndër mend këtë gjë gjatë kohës që kryejmë shërbimin tonë.
2 Kur takojmë njerëz, ne përpiqemi të fillojmë një bisedë rreth diçkaje që u intereson apo i shqetëson ata. Zakonisht përmendim gjëra, për të cilat ata janë mirë të vetëdijshëm, si krimet në zonën ku banojnë, problemet e të rinjve, shqetësimet për sigurimin e jetesës apo ndonjë krizë në çështjet botërore. Duke qenë se mendjet e shumicës së njerëzve janë të përqendruara në këto ‘preokupime të jetës’, kur tregojmë se kujdesemi dhe i kuptojmë ata, në të shumtën e rasteve njerëzit do të shprehin çfarë kanë në mendje. (Luka 21:34) Kjo gjë mund të na hapë rrugën për të ndarë shpresën tonë.
3 Por, nëse nuk tregojmë kujdes, biseda mund të mbetet në gjëra negative, aq sa të mos arrijmë të plotësojmë qëllimin e vizitës sonë: për të predikuar mesazhin e Mbretërisë. Megjithëse tërheqim vëmendjen drejt kushteve të këqija që sjellin kaq shumë shqetësim, synimi ynë është që ta drejtojmë vëmendjen drejt Mbretërisë, e cila do të zgjidhë përfundimisht të gjitha problemet e njerëzimit. Kemi vërtet një shpresë të mrekullueshme, të cilën njerëzit duhet patjetër ta dëgjojnë. Prandaj, ndërsa mund të trajtojmë fillimisht disa aspekte të këtyre ‘kohëve të vështira’, duhet të përqendrohemi pa humbur kohë në mesazhin tonë kryesor, në «lajmin e mirë të përjetshëm». Në këtë mënyrë do ta përmbushim plotësisht shërbimin tonë.—2. Tim. 3:1; 4:5; Zbul. 14:6, BR.