-
Mbikëqyrësit udhëtues: Dhurata në njerëzKulla e Rojës—1996 | 15 Nëntor
-
-
Mbikëqyrësit udhëtues: Dhurata në njerëz
«Kur u ngjit lart, ai mori me vete të burgosur; ai dha dhurata në njerëz.»—EFESIANËVE 4:8, BR.
1. Cila vepër e re u lajmërua në këtë revistë, në vitin 1894?
MËSE një shekull më parë, Kulla e Rojës lajmëroi diçka të re. Kjo gjë u përshkrua si «Një tjetër fushë e veprës». Çfarë përfshinte ky aktivitet i ri? Ishte përurimi modern i veprës së mbikëqyrësve udhëtues. Numri i 1 shtatorit 1894 i kësaj reviste, shpjegonte se që tani e tutje vëllezër të kualifikuar do të vizitonin grupet e Studentëve Biblikë, ‘me qëllim që t’i ndërtonin ata në të vërtetën’.
2. Çfarë detyrash kanë mbikëqyrësit qarkorë dhe krahinorë?
2 Në shekullin e parë të e.s., kongregacionet e krishtere vizitoheshin nga mbikëqyrës të tillë, si Pavli dhe Barnaba. Këta burra të besueshëm kishin si objektiv ‘të ndërtonin’ kongregacionet. (2. Korintasve 10:8) Sot, ne jemi të bekuar me mijëra burra, të cilët e bëjnë këtë gjë në mënyrë sistematike. Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait i ka emëruar ata si mbikëqyrës qarkorë dhe krahinorë. Një mbikëqyrës qarkor shërben në pothuajse 20 kongregacione, një javë në secilin, gati dy herë në vit, duke shqyrtuar regjistrimet e kongregacionit, duke mbajtur fjalime dhe duke marrë pjesë në shërbimin në fushë me lajmëtarët lokalë të Mbretërisë. Mbikëqyrësi krahinor është drejtuesi i secilës nga asambletë qarkore vjetore për një sërë qarqesh, shkon në shërbimin në fushë me kongregacionet mikpritëse dhe siguron inkurajim me fjalime të bazuara në Bibël.
Fryma e tyre vetëflijuese
3. Përse mbikëqyrësit udhëtues duhet të kenë një frymë vetëflijuese?
3 Mbikëqyrësit udhëtues janë vazhdimisht në lëvizje. Në vetvete, kjo kërkon një frymë vetëflijuese. Udhëtimi nga njëri kongregacion në tjetrin shpesh mund të jetë i vështirë, por këta burra dhe gratë e tyre e bëjnë këtë me një qëndrim të gëzuar. Një mbikëqyrës qarkor tha: «Gruaja ime më mbështet shumë dhe nuk ankohet . . . Ajo meriton shumë mirënjohje për frymën e saj vetëflijuese.» Disa mbikëqyrës qarkorë udhëtojnë mëse 1.000 km nga njëri kongregacion në tjetrin. Shumë prej tyre kanë automjete, por të tjerët shkojnë nga njëri vend në tjetrin me transportin publik, me biçikleta, me kuaj apo në këmbë. Madje, një mbikëqyrës qarkor afrikan duhej të çante përmes një lumi, me të shoqen mbi shpatulla, për të arritur në një kongregacion. Në udhëtimet e tij misionare, apostullit Pavël iu desh të përballonte nxehtësinë dhe të ftohtin, urinë dhe etjen, netë pa gjumë, rreziqe të ndryshme dhe persekutime të dhunshme. Ai kishte, gjithashtu, «ankth për të gjitha kongregacionet», një përvojë e zakonshme për mbikëqyrësit qarkorë sot.—2. Korintasve 11:23-29.
4. Çfarë ndikimi mund të kenë problemet shëndetësore mbi jetën e mbikëqyrësve udhëtues dhe të grave të tyre?
4 Ngjashëm me shokun e Pavlit, Timoteun, disa herë mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre kanë probleme shëndeti. (1. Timoteut 5:23) Kjo u shton atyre edhe më shumë stres. Gruaja e një mbikëqyrësi qarkor shpjegon: «Të gjendem gjithmonë me vëllezërit, kur nuk ndihem mirë, për mua është një mundim. Me fillimin e menopauzës, kjo për mua ka qenë veçanërisht e vështirë. Vetëm fakti që duhet të paketojmë gjithë plaçkat çdo javë, për të lëvizur diku gjetkë, është një sfidë e vërtetë. Shpesh, me duhet të ndaloj e t’i lutem Jehovait që të më japë forcë për të vazhduar.»
5. Pavarësisht nga sprovat e ndryshme, çfarë fryme kanë treguar mbikëqyrësit qarkorë dhe gratë e tyre?
5 Pavarësisht nga problemet e shëndetit dhe sprovat e tjera, mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre gjejnë gëzim në shërbim dhe shfaqin një dashuri vetëflijuese. Disa kanë vënë në rrezik jetën e tyre, për të dhënë ndihmë frymore në kohë luftërash dhe persekutimesh. Duke vizituar kongregacionet, ata kanë treguar një frymë të ngjashme me atë të Pavlit, i cili u tha të krishterëve selanikas: «Qemë zemërbutë midish jush, ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj. Kështu, duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush, ishim të kënaqur duke ju komunikuar jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe vetë jetën tonë, sepse na u bëtë të dashur.»—1. Selanikasve 2:7, 8.
6, 7. Çfarë ndikimi pozitiv mund të sigurojnë mbikëqyrësit e palodhur udhëtues?
6 Ashtu si pleqtë e tjerë në kongregacionin e krishterë, mbikëqyrësit e krishterë «punojnë fort në të folur e në të mësuar». Të gjithë këta pleq duhen «çmuar të denjë për nderim të dyfishtë». (1. Timoteut 5:17, BR) Shembulli i tyre mund të jetë i dobishëm, nëse ‘duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, marrim si shembull besimin e tyre’.—Hebrenjve 13:7.
7 Çfarë ndikimi kanë pasur mbi të tjerët disa mbikëqyrës udhëtues? «Sa ndikim të mrekullueshëm ka pasur në jetën time vëllai P.,—shkroi një Dëshmitar i Jehovait.—Ai ishte mbikëqyrës udhëtues në Meksikë nga viti 1960 e këtej. Si fëmijë, vizitat e tij i prisja me padurim dhe me gëzim. Kur isha dhjetë vjeç, ai më tha: ‘Edhe ti do të bëhesh mbikëqyrës qarkor.’ Gjatë viteve të vështira të adoleshencës, e kërkova vazhdimisht, sepse ai kishte gjithmonë fjalë mençurie për të ofruar. Ai jetoi për të kullotur kopenë! Tani që jam mbikëqyrës qarkor, përpiqem gjithmonë t’u kushtoj kohë të rinjve e të vë përpara tyre synime teokratike, ashtu si bëri dhe ai me mua. Edhe në vitet e fundit të jetës së tij, pavarësisht nga problemet me mosfunksionimin e mirë të zemrës, vëllai P. u përpoq gjithmonë të ofronte fjalë inkurajuese. Vetëm një ditë përpara se të vdiste, në shkurt 1995, ai më shoqëroi në një asamble speciale njëditore dhe ofroi synime të shkëlqyera përpara një vëllai që është arkitekt. Menjëherë vëllai plotësoi kërkesën për të shërbyer në Bethel.»
Janë të çmuar
8. Cilët janë «dhuratat në njerëz», të përshkruar në kreun 4 të Efesianëve dhe si u sjellin ata dobi kongregacioneve?
8 Mbikëqyrësit udhëtues dhe pleqtë e tjerë të favorizuar me caktime shërbimi nga dashamirësia e pamerituar e Perëndisë, janë quajtur «dhurata në njerëz». Si përfaqësues i Jehovait dhe Kreu i kongregacionit, Jezui ka siguruar burra të tillë frymorë, me qëllim që ne të mund të rritemi individualisht dhe të shkojmë drejt pjekurisë. (Efesianëve 4:8-15, BR) Çdo dhuratë meriton shprehje çmueshmërie. Kjo është veçanërisht e vërtetë për një dhuratë që na forcon për të vazhduar në shërbimin e Jehovait. Kështu, pra, si mund ta shfaqim çmueshmërinë tonë për punën e mbikëqyrësve udhëtues? Në cilat mënyra mund të tregojmë se ‘vazhdojmë t’i kemi të dashur këta burra’?—Filipianëve 2:29, BR.
9. Në cilat mënyra mund të tregojmë çmueshmëri për mbikëqyrësit udhëtues?
9 Kur të lajmërohet vizita e mbikëqyrësit qarkor, ne mund të fillojmë të bëjmë planet për të pasur një pjesëmarrje të plotë në aktivitetet e kongregacionit për atë javë. Mbase mund të rezervojmë ca kohë më tepër për të mbështetur rregullimet për shërbimin në fushë gjatë javës. Gjatë atij muaji mund të jemi në gjendje të shërbejmë si pionierë ndihmës. Sigurisht do të kemi dëshirë të vëmë në praktikë sugjerimet e mbikëqyrësit qarkor, për të përmirësuar shërbimin tonë. Një frymë e tillë e gatshme do të na sjellë dobi dhe do të sigurojë mbikëqyrësin se vizita e tij është e dobishme. Po, mbikëqyrësit udhëtues vizitojnë kongregacionet për të na ndërtuar, por edhe ata kanë nevojë të ndërtohen frymësisht. Kishte kohë, në të cilën Pavli kishte nevojë për inkurajim dhe shpesh iu lut bashkë të krishterëve që të luteshin për të. (Veprat 28:15; Romakëve 15:30-32; 2. Korintasve 1:11; Kolosianëve 4:2, 3; 1. Selanikasve 5:25) Në mënyrë të ngjashme, edhe mbikëqyrësit e sotëm udhëtues kanë nevojë për lutjet dhe inkurajimin tonë.
10. Si mund të ndihmojmë për t’ua bërë punën të gëzuar mbikëqyrësve udhëtues?
10 A i kemi thënë mbikëqyrësit qarkor dhe gruas së tij se sa shumë e vlerësojmë vizitën e tyre? A e falënderojmë për këshillat e dobishme që na jep? A ia bëjmë të ditur, kur sugjerimet e tij për shërbimin në fushë e rritin gëzimin tonë në shërbim? Nëse po, atëherë kjo ndihmon që puna e tij të jetë e gëzuar. (Hebrenjve 13:17) Një mbikëqyrës qarkor në Spanjë komentoi veçanërisht se sa shumë i kishte vlerësuar ai dhe gruaja e tij letrat e falënderimit, që kishin marrë pas vizitave nëpër kongregacione. «I ruajmë këto letra dhe i lexojmë kur ndihemi poshtë,—thotë ai.—Ato janë burim i një inkurajimi të vërtetë.»
11. Përse duhet t’ua bëjmë të ditur mbikëqyrësve qarkorë e krahinorë dhe grave të tyre, se na janë të dashur dhe të çmuar?
11 Gratë e mbikëqyrësve udhëtues sigurisht që përfitojnë nga fjalët lavdëruese. Ato kanë bërë sakrifica të mëdha, për të ndihmuar burrat e tyre në këtë fushë të shërbimit. Këto motra me besim braktisin dëshirën e natyrshme për të pasur një shtëpi të vetën dhe në shumë raste, edhe për të pasur fëmijë. Vajza e Jeftahut ishte një nga shërbëtoret e Jehovait, e cila vullnetarisht hoqi dorë nga mundësia për të pasur një burrë dhe një familje, për shkak të një betimi që kishte bërë i ati. (Gjykatësit 11:30-39) Si u konsiderua sakrifica e saj? Gjykatësit 11:40 pohon: «Vit pas viti, vajzat e Izraelit shkonin për t’i dhënë lavdërime vajzës së Jeftahut galaaditit, katër ditë në vit.» (BR) Sa mirë është kur përpiqemi t’u themi mbikëqyrësve qarkorë dhe grave të tyre se janë të dashur e të çmuar!
«Mos harroni mikpritjen»
12, 13. (a) Çfarë baze nga Shkrimet kemi për të qenë mikpritës kundrejt mbikëqyrësve udhëtues dhe grave të tyre? (b) Ilustro se si mund të sjellë përfitim reciprok kjo mikpritje.
12 Shfaqja e mikpritjes është një mënyrë tjetër për të treguar dashuri dhe çmueshmëri për ata që janë në veprën e krishterë të udhëtimit. (Hebrenjve 13:2) Apostulli Gjon e lavdëroi Gajin, pasi u kishte treguar mikpritje atyre që vizitonin kongregacionin si misionarë udhëtues. Gjoni shkroi: «Shumë i dashur, ti vepron me besnikëri në të gjitha ato që bën për vëllezërit dhe për të huajt. Ata dëshmuan për dashurinë tënde përpara kishës [kongregacionit, BR]; dhe ti të bësh mirë të kujdesesh për udhëtimin e tyre, në mënyrë të denjë për Perëndinë, sepse ata dolën për emrin e tij, pa marrë asgjë nga johebrenjtë. Ne e kemi për detyrë, pra, t’i presim këta njerëz, që të jemi bashkëpunëtorë në çështjen e së vërtetës.» (3. Gjonit 5-8) Sot, ne mund të përkrahim aktivitetin e predikimit të Mbretërisë, duke u treguar një mikpritje të ngjashme mbikëqyrësve udhëtues dhe grave të tyre. Natyrisht, pleqtë lokalë duhet të sigurohen që shtëpitë mikpritëse të jenë të rehatshme, megjithatë një mbikëqyrës krahinor tha: «Të qenët tonë bashkë me vëllezërit nuk duhet bazuar mbi ata që mund të bëjnë diçka për ne. Ne s’duhet as që të japim një përshtypje të tillë. Duhet të jemi të gatshëm të pranojmë mikpritjen e kujtdo prej vëllezërve tanë, i pasur apo i varfër qoftë.»
13 Mikpritja mund të jetë me përfitim reciprok. «Në familjen time e kishim zakon të ftonim mbikëqyrësit udhëtues që të qëndronin me ne,—kujton Jorge, një ish-mbikëqyrës qarkor që tani shërben në Bethel.—Mendoj se këto vizita më ndihmuan më shumë nga sa mund ta merrja me mend. Gjatë adoleshencës, kam pasur probleme frymore. Mamaja ishte e shqetësuar për këtë, por nuk dinte tamam se si të më ndihmonte, prandaj i kërkoi mbikëqyrësit qarkor të fliste me mua. Së pari iu shmanga, pasi kisha frikë të kritikohesha. Por sjellja e tij miqësore më në fund më mposhti. Ai më ftoi të hanim bashkë një të hënë dhe i hapa zemrën, sepse u ndjeva i sigurt se më kishte kuptuar. Ai më dëgjoi me kujdes. Sugjerimet e tij praktike bënë me të vërtetë punë dhe unë nisa të përparoja frymësisht.»
14. Përse duhet të jemi vlerësues, në vend se t’i kritikojmë pleqtë udhëtues?
14 Mbikëqyrësi udhëtues mundohet të jetë i dobishëm frymësisht për të rinjtë e për të moshuarit. Sigurisht, pra, që duhet të tregojmë çmueshmërinë tonë për përpjekjet e tij. Megjithatë, ç’të themi nëse e kritikojmë atë për shkak të pikave të tij të dobta apo nëse e krahasojmë në mënyrë të pafavorshme me të tjerë që kanë vizituar kongregacionin? Ka të ngjarë që kjo të jetë shumë shkurajuese. Pavli nuk u inkurajua kur dëgjoi kritika për punën e tij. Me sa duket, disa të krishterë korintas e kritikonin pamjen e tij dhe aftësinë e tij të të folurit. Ai vetë citoi disa prej atyre kritikave, që thoshin: «Letrat e tij janë të ashpra dhe të fuqishme, kurse paraqitja e tij trupore është e dobët dhe fjala e tij ka pak peshë.» (2. Korintasve 10:10) Megjithatë, lumturisht, mbikëqyrësit udhëtues zakonisht dëgjojnë fjalë të dashura çmueshmërie.
15, 16. Si ndikohen mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre nga dashuria dhe zelli që shfaqin bashkëbesimtarët e tyre?
15 Një mbikëqyrës qarkor në Amerikën Latine përshkoi një ditë të tërë mes shtigjeve gjithë baltë, për të vizituar vëllezërit dhe motrat e tij frymore që jetonin në një zonë të kontrolluar nga guerrilasit. «Është prekëse kur shikon mënyrën se si e shprehin vëllezërit çmueshmërinë e tyre për vizitën,—shkruan ai.—Edhe pse më duhen përpjekje të mëdha për të shkuar atje, duke përballuar shumë rreziqe e vështirësi, e gjithë kjo shpërblehet nga dashuria dhe zelli që tregojnë vëllezërit.»
16 Një mbikëqyrës qarkor në Afrikë shkruan: «E duam kaq shumë territorin e Tanzanisë, për shkak të dashurisë që na tregojnë vëllezërit! Vëllezërit ishin të gatshëm të mësonin nga ne dhe ishin të lumtur të na pritnin në shtëpitë e tyre.» Ndërmjet apostullit Pavël dhe çiftit të martuar të krishterë në shekullin e parë, Akuilës dhe Prishilës, ekzistonte një marrëdhënie e dashur dhe e lumtur. Në fakt, Pavli tha për ta: «U bëni të fala Prishilës dhe Akuilës, bashkëpunëtorë të mi në Krishtin Jezu, të cilët për jetën time vunë kokën në rrezik; ata i falënderoj jo vetëm unë, por të gjitha kishat [kongregacionet, BR] e johebrenjve.» (Romakëve 16:3, 4) Mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre janë mirënjohës që kanë si miq Akuilat dhe Prishilat e ditëve të sotme, të cilët bëjnë përpjekje të veçanta për të treguar mikpritje dhe për t’u siguruar shoqëri.
Duke forcuar kongregacionet
17. Përse mund të themi se prapa rregullimit të mbikëqyrësve udhëtues ka mençuri dhe ku i marrin ata udhëzimet?
17 Jezui tha: «Mençuria është provuar e drejtë nga veprat e saj.» (Mateu 11:19, BR) Mençuria që qëndron prapa rregullimit të mbikëqyrësve udhëtues është e dukshme në ndihmën që jep për të forcuar kongregacionet e popullit të Perëndisë. Gjatë udhëtimit të dytë misionar të Pavlit, ai dhe Sila ‘përshkuan Sirinë dhe Kilikinë, duke i forcuar kongregacionet’. Libri i Veprave na thotë: «Dhe duke kaluar nëpër qytete, i urdhëronin ata të zbatonin vendimet që ishin marrë nga apostujt dhe nga pleqtë në Jerusalem. Kishat [kongregacionet, BR], pra, po forcoheshin në besim dhe rriteshin në numër përditë.» (Veprat 15:40, 41; 16:4, 5) Mbikëqyrësit e sotëm udhëtues marrin udhëzime frymore nëpërmjet Shkrimeve dhe botimeve të «skllavit të besueshëm e të matur», si edhe të gjithë të krishterët e tjerë.—Mateu 24:45, BR.
18. Si i forcojnë kongregacionet mbikëqyrësit udhëtues?
18 Po, pleqtë udhëtues duhet të vazhdojnë të ushqehen në tryezën frymore të Jehovait. Ata duhet të jenë shumë të mirinformuar me metodat dhe me udhëzimet që ndjek organizata e Jehovait. Në këtë mënyrë, këta burra mund të jenë një bekim i vërtetë për të tjerët. Me anë të shembullit të tyre të shkëlqyer në zellin për shërbimin në fushë, ata mund t’i ndihmojnë bashkëbesimtarët që të përmirësohen në shërbimin e krishterë. Fjalimet e bazuara në Bibël, që japin këta pleq në vizitat e tyre, i ndërtojnë dëgjuesit frymësisht. Duke i ndihmuar të tjerët që të zbatojnë këshillat e Fjalës së Perëndisë, të shërbejnë në harmoni me popullin e Jehovait anembanë tokës dhe të përdorin masat frymore të marra nga Perëndia nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm’, mbikëqyrësit udhëtues i forcojnë kongregacionet që kanë privilegjin të vizitojnë.
19. Cilat pyetje mbeten për t’u shqyrtuar?
19 Kur organizata e Jehovait vendosi veprën e pleqve udhëtues ndërmjet Studentëve të Biblës, gati njëqind vjet më parë, kjo revistë thoshte: «Do të presim për rezultatet dhe për drejtimin e mëtejshëm të Zotërisë.» Drejtimi i Jehovait ka qenë qartësisht i dukshëm. Për shkak të bekimit të tij dhe nën mbikëqyrjen e Trupit Udhëheqës, kjo vepër është shtrirë dhe rafinuar përgjatë viteve. Si rezultat, kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë tokës po bëhen të vendosura në besim dhe po rriten në numër nga dita në ditë. Është e dukshme që Jehovai po e bekon frymën vetëmohuese të këtyre dhuratave në njerëz. Por, si mund ta kryejnë me sukses veprën e tyre mbikëqyrësit udhëtues? Cilat janë objektivat e tyre? Si mund t’u sjellin ata kongregacioneve sa më shumë dobi?
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cilat janë disa nga detyrat e mbikëqyrësve qarkorë dhe krahinorë?
◻ Përse mbikëqyrësit udhëtues duhet të kenë një frymë vetëflijuese?
◻ Si mund të tregohet çmueshmëri për veprën e pleqve udhëtues dhe të grave të tyre?
◻ Ç’mund të bëjnë mbikëqyrësit udhëtues, për t’i bërë kongregacionet të vendosura në besim?
[Figura në faqen 10]
Të jesh vazhdimisht në lëvizje, kërkon një frymë vetëflijuese
[Figura në faqen 13]
A u ke treguar mikpritje mbikëqyrësve udhëtues dhe grave të tyre?
-
-
Si shërbejnë mbikëqyrësit udhëtues si kujdestarë të besueshëm?Kulla e Rojës—1996 | 15 Nëntor
-
-
Si shërbejnë mbikëqyrësit udhëtues si kujdestarë të besueshëm?
«Në përpjestim, sipas dhuratës që ka marrë gjithsecili, përdoreni atë duke i shërbyer njëri-tjetrit, si kujdestarë të shkëlqyer të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, të shprehur në mënyra të ndryshme.»—1. PJETRIT 4:10, BR.
1, 2. (a) Si do ta përcaktoje fjalën «kujdestar»? (b) Cilët janë përfshirë mes kujdestarëve të përdorur nga Perëndia?
JEHOVAI i përdor të gjithë të krishterët e besueshëm si kujdestarë. Shpesh, kujdestari është një shërbëtor që ka përgjegjësinë për kujdesjen e një shtëpie. Gjithashtu, ai mund të mbarështojë punët e biznesit të zotërisë së tij. (Luka 16:1-3; Galatasve 4:1, 2) Jezui e quajti trupin e shërbëtorëve të tij të mirosur besnikë mbi tokë «kujdestari i besueshëm». Këtij kujdestari ai i ka ngarkuar «të gjitha pasuritë e tij», duke përfshirë edhe aktivitetet e predikimit të Mbretërisë.—Luka 12:42-44, BR; Mateu 24:14, 45.
2 Apostulli Pjetër tha se të gjithë të krishterët janë kujdestarë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, të shprehur në mënyra të ndryshme. Çdo i krishterë ka një vend, në të cilin mund të kryejë një kujdestari të besueshme. (1. Pjetrit 4:10) Pleqtë e krishterë të emëruar janë kudestarë e mes tyre gjenden edhe mbikëqyrësit udhëtues. (Titit 1:7) Si duhen konsideruar këta pleq udhëtues? Çfarë cilësish dhe objektivash duhet të kenë ata? Si mund të kryejnë ata sa më shumë të mira?
Mirënjohës ndaj shërbimit të tyre
3. Përse mbikëqyrësit udhëtues mund të quhen «kujdestarë të shkëlqyer»?
3 Duke i shkruar një mbikëqyrësi dhe gruas së tij, një çift i martuar i krishterë thoshte: «Donim t’ju shprehnim mirënjohjen tonë për gjithë kohën dhe dashurinë që na keni dhënë. Si familje, kemi përfituar shumë nga i gjithë inkurajimi dhe këshillat tuaja. E dimë
-