BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • fy kap. 8 f. 90-102
  • Mbroni familjen tuaj nga ndikimet shkatërrimtare

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mbroni familjen tuaj nga ndikimet shkatërrimtare
  • Sekreti i lumturisë familjare
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • KUSH DO T’I MËSOJË FËMIJËT TUAJ?
  • PIKËPAMJA E PERËNDISË MBI SEKSIN
  • EDHE PRINDËRIT KANË DETYRA SHTËPIE
  • SHOKËT E FËMIJËVE TUAJ
  • ÇFARË LLOJ PUSHIMI?
  • FAMILJA JUAJ MUND TA MUNDË BOTËN
  • A mund të të ndihmojë Bibla për t’i edukuar fëmijët?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
  • Si të kesh një familje të lumtur?—Pjesa 2
    Gëzoje jetën përgjithmonë—Bibla zbulon si
  • Prindër, ndihmojini fëmijët ta duan Jehovain
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për studim)
  • Prindër: Jini një shembull i shkëlqyer për fëmijët!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
Shih më tepër
Sekreti i lumturisë familjare
fy kap. 8 f. 90-102

KAPITULLI TETË

Mbroni familjen tuaj nga ndikimet shkatërrimtare

1-3. (a) Nga cilat burime vijnë ndikimet shkatërrimtare që kërcënojnë familjen? (b) Për çfarë ekuilibri kanë nevojë prindërit në mbrojtjen e familjes së tyre?

TA ZËMË se jeni duke bërë gati fëmijën për në shkollë dhe jashtë bie një shi i fortë. Si do të vepronit në këtë rast? A do ta linit të turrej jashtë nëpër shi, pa asnjë veshje mbrojtëse? Apo do ta ngjeshnit me aq shumë rroba mbrojtëse, sa me zor të luante vendit? Sigurisht, s’do të bënit as njërën, as tjetrën. Do ta vishnit aq sa të mos lagej.

2 Në mënyrë të ngjashme, prindërit duhet të mbajnë një qëndrim të ekuilibruar për të mbrojtur familjet e tyre nga ndikimet shkatërrimtare që vërshojnë nga burime të shumta: industria e zbavitjeve, mjetet e informacionit masiv, bashkëmoshatarët e disa herë edhe shkollat. Disa prindër bëjnë pak ose aspak për të mbrojtur familjet e tyre. Të tjerët, duke i konsideruar pothuajse të gjitha ndikimet e jashtme si të dëmshme, janë aq kufizues, saqë fëmijët ndihen si të mbytur. A ka mundësi për ekuilibër?

3 Po, ka. Ekstremizmi është i pafrytshëm dhe mund të ftojë në vatër shkatërrimin. (Eklisiastiu 7:16, 17) Por, si e gjejnë prindërit e krishterë ekuilibrin e duhur në mbrojtjen e familjeve të tyre? Le të shqyrtojmë tri fusha: arsimin, shoqëritë dhe pushimet.

KUSH DO T’I MËSOJË FËMIJËT TUAJ?

4. Si duhet ta konsiderojnë arsimimin prindërit e krishterë?

4 Prindërit e krishterë e vlerësojnë shumë arsimimin. Ata e dinë se shkollimi i ndihmon fëmijët të lexojnë, të shkruajnë, të komunikojnë dhe të zgjidhin problemet. Ai duhet t’u mësojë edhe metodën e të mësuarit. Aftësitë që fëmijët fitojnë në shkollë, mund t’i ndihmojnë ata të kenë sukses, pavarësisht nga sfidat e kësaj bote. Së fundi, një arsimim i mirë mund t’i ndihmojë të kryejnë punë me cilësi të lartë.​—Proverbat 22:29.

5, 6. Si mund të ballafaqohen fëmijët në shkollë me informacione të shtrembëruara mbi çështjet seksuale?

5 Megjithatë, shkolla i mbledh fëmijët së bashku me fëmijë të tjerë, shumë prej të cilëve kanë pikëpamje të mbrapshta. Për shembull, le të shqyrtojmë pikëpamjet e tyre në lidhje me seksin dhe moralin. Në një shkollë të mesme në Nigeri, një vajzë me sjellje të shthurur seksuale e kishte zakon të këshillonte nxënësit e tjerë në lidhje me seksin. Ata e dëgjonin atë me etje, edhe pse idetë e saj të mbledhura nga literatura pornografike, ishin plotësisht pa kuptim. Disa nga vajzat i provuan këshillat e saj. Si rrjedhojë, një vajzë ngeli shtatzënë pa u martuar dhe vdiq ngaqë donte të abortonte vetë.

6 Është e trishtueshme ta themi, por disa nga keqinformimet në lidhje me seksin nuk vijnë në shkollë nga fëmijët, por nga mësuesit. Shumë prindër janë tmerruar, kur shkollat i kanë mësuar nxënësit në lidhje me seksin, pa u paraqitur informata mbi normat dhe përgjegjësitë morale. Mamaja e një vajze 12-vjeçare tha: «Ne jetojmë në një vend shumë fetar dhe me tradita, por tamam në shkollën e mesme lokale fëmijëve u shpërndahen prezervativë!» Ajo dhe burri i saj u shqetësuan, kur morën vesh se vajza e tyre kishte pasur propozime seksuale nga djemtë e moshës së saj. Si mund t’i mbrojnë prindërit familjet e tyre nga ndikime të tilla të gabuara?

7. Cila mund të jetë mënyra më e mirë për t’i bërë ballë keqinformimit seksual?

7 A është gjëja më e mirë t’u ndalosh fëmijëve çdo përmendje të çështjeve seksuale? Jo. Është më mirë që ju vetë t’i mësoni fëmijët mbi seksin. (Proverbat 5:1) Vërtet, në disa pjesë të Evropës dhe të Amerikës Veriore prindërit e shmangin këtë temë. Ngjashëm, në disa vende afrikane prindërit rrallëherë flasin për seksin me fëmijët e tyre. «Nuk është zakon në kulturën afrikane të veprohet kështu»,​—thotë një baba në Sierra Leone. Disa prindër mendojnë se të mësosh fëmijët mbi seksin, është sikur t’u futësh ide që do t’i çojnë në imoralitet! Por, cila është pikëpamja e Perëndisë?

PIKËPAMJA E PERËNDISË MBI SEKSIN

8, 9. Çfarë informatash të shkëlqyeshme në lidhje me çështjet seksuale gjenden në Bibël?

8 Bibla e bën të qartë se s’ka asgjë të turpshme po të flasësh për seksin në kontekstin e duhur. Në Izrael, populli i Perëndisë kishte urdhër të mblidhej bashkë, duke përfshirë edhe «fëmijët», për të dëgjuar leximin e Ligjit të Moisiut. (Ligji i përtërirë 31:10-12; Josiu 8:35) Ligji përmendte hapur disa çështje seksuale, duke përfshirë menstruacionet, ejakulacionin, kurvërinë, tradhtinë bashkëshortore, homoseksualitetin, incestin dhe marrëdhëniet seksuale me kafshët. (Levitiku 15:16, 19; 18:6, 22, 23; Ligji i përtërirë 22:22) Pas këtyre leximeve, prindërit kishin pa dyshim shumë për t’u shpjeguar të rinjve të tyre kuriozë.

9 Ka disa pjesë në kapitujt pesë, gjashtë e shtatë të Proverbave, që japin këshilla të dashura prindërore mbi rreziqet e imoralitetit seksual. Këto vargje tregojnë se imoraliteti disa herë mund të jetë tundues. (Proverbat 5:3; 6:24, 25; 7:14-21) Por, ato të mësojnë se ai është i gabuar e ka pasoja shkatërrimtare dhe ofrojnë drejtim që i ndihmon të rinjtë për të shmangur rrugët imorale. (Proverbat 5:1-14, 21-23; 6:27-35; 7:22-27) Për më tepër, imoraliteti është në kundërshtim me kënaqësinë seksuale në vendin e saj të duhur, brenda martesës. (Proverbat 5:15-20) Sa model i shkëlqyer mësimi për t’u imituar nga prindërit!

10. Përse njohuria hyjnore që u jepet fëmijëve mbi seksin nuk i çon ata në imoralitet?

10 A i shtyn ky mësim fëmijët në imoralitet? Përkundrazi, Bibla mëson: «Me anë të njohurisë çlirohen të drejtët.» (Proverbat 11:9, BR) A doni t’i çlironi fëmijët tuaj nga ndikimet e kësaj bote? Një baba tha: «Edhe pse fëmijët ishin shumë të vegjël, ne jemi përpjekur të jemi plotësisht të hapur me ta në lidhje me seksin. Në këtë mënyrë, kur dëgjonin fëmijët e tjerë që flisnin për seksin, ata nuk ishin kuriozë. S’ka ndonjë sekret të madh.»

11. Si mund të mësohen fëmijët dalëngadalë në lidhje me çështjet intime të jetës?

11 Siç u vërejt në kapitujt e mëparshëm, edukimi seksual duhet të fillojë herët. Kur t’u mësoni fëmijëve të vegjël të thonë emrat e pjesëve të trupit, mos i kaloni pjesët private sikur të ishin në ndonjëfarë mënyre të turpshme. Mësojuni emrat e përshtatshëm për to. Me kalimin e kohës, mësimet mbi gjërat private dhe kufizimet janë thelbësore. Është mirë që të dy prindërit t’u mësojnë fëmijëve se këto pjesë të trupit janë të veçanta, se zakonisht nuk duhen prekur nga të tjerët apo nuk u duhen treguar atyre dhe se kurrë nuk duhet folur për to në mënyrë të keqe. Duke u rritur, fëmijët duhen mësuar se si një burrë e një grua bashkohen për të ngjizur një fëmijë. Në kohën kur vetë trupat e tyre fillojnë të hyjnë në pubertet, ata duhet të jenë tashmë të vetëdijshëm për ndryshimet që duhen pritur. Siç është folur në kapitullin 5, një edukim i tillë mund t’i mbrojë fëmijët edhe nga abuzimi seksual.​—Proverbat 2:10-14.

EDHE PRINDËRIT KANË DETYRA SHTËPIE

12. Çfarë pikëpamjesh të shtrembëruara mësohen shpesh në shkollë?

12 Prindërit duhet të jenë të gatshëm t’u kundërvihen ideve të tjera të rreme që mund të mësohen në shkollë: filozofi botërore si evolucioni, nacionalizmi, apo ideja se asnjë e vërtetë nuk është absolute. (1. Korintasve 3:19; krahaso Zanafillën 1:27; Levitikun 26:1; Gjonin 4:24; 17:17.) Shumë zyrtarë të sinqertë të shkollave i japin rëndësi të tepërt arsimimit të mëtejshëm. Edhe pse çështja e arsimimit shtesë është një zgjedhje personale, disa mësues mendojnë se kjo është e vetmja rrugë drejt çfarëdo suksesi personal.a​—Psalmi 146:3-6.

13. Si mund të mbrohen prej ideve të gabuara fëmijët që ndjekin shkollën?

13 Nëse prindërit duan t’u kundërvihen mësimeve të gabuara apo të shtrembëra, ata kanë nevojë të dinë se çfarë udhëzimesh po marrin fëmijët e tyre. Prandaj prindër, mos harroni se edhe ju keni detyra shtëpie! Tregoni interes të sinqertë për shkollimin e fëmijëve tuaj. Flisni me ta pas shkollës! Pyetini ç’po mësojnë, ç’u pëlqen më shumë, ç’gjë u duket më shumë sfiduese. Kontrolloni detyrat e shtëpisë, notat dhe rezultatet e provimeve. Përpiquni të njihni mësuesit e tyre. Lëruni mësuesve të kuptojnë se ju e vlerësoni punën e tyre dhe se dëshironi t’i ndihmoni në ndonjë mënyrë që mundeni.

SHOKËT E FËMIJËVE TUAJ

14. Përse është jetësore që fëmijët e devotshëm të zgjedhin shokë të mirë?

14 «Ku dreqin e mësove këtë?» Sa shumë prindër e kanë bërë këtë pyetje, të tmerruar nga diçka që fëmija i tyre ka thënë apo ka bërë e që duket plotësisht e pazakontë? Dhe sa shpesh përgjigjja ka përfshirë ndonjë shok të ri në shkollë apo në lagje? Po, shokët ndikojnë thellësisht mbi ne, qofshim të rinj apo të vjetër. Apostulli Pavël paralajmëroi: «Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.» (1. Korintasve 15:33; Proverbat 13:20) Të rinjtë në veçanti janë të hapur përpara presioneve të bashkëmoshatarëve. Ata kanë prirje të jenë të pasigurt për veten dhe kohë pas kohe mund të ndihen të mposhtur nga dëshira për t’u pëlqyer e për t’u bërë përshtypje shokëve. Sa e rëndësishme është, pra, që të zgjedhin shokë të mirë!

15. Në ç’mënyrë prindërit mund t’i drejtojnë fëmijët në zgjedhjen e shokëve?

15 Siç e di çdo prind, fëmijët nuk do të zgjedhin gjithmonë mirë; ata kanë nevojë për ca drejtim. S’është puna që ju të zgjidhni shokët për ta. Përkundrazi, ndërsa ata rriten, mësojuni aftësitë shquese dhe ndihmojini të kuptojnë se cilat cilësi duhet të vlerësojnë te shokët. Cilësia kryesore është dashuria për Jehovain dhe bërja e asaj që është e drejtë në sytë e tij. (Marku 12:28-30) Mësojuni të duan e të respektojnë ata që kanë ndershmëri, mirësjellje, bujari dhe zell. Gjatë studimit familjar, ndihmojini fëmijët të dallojnë cilësi të tilla në personazhet e Biblës dhe pastaj të zbulojnë të njëjtat aspekte tek të tjerët në kongregacion. Jini shembull, duke përdorur të njëjtin kriter në zgjedhjen e shokëve tuaj.

16. Si mund t’i kontrollojnë prindërit zgjedhjet që bëjnë fëmijët në shoqëri?

16 A i njihni shokët e fëmijëve tuaj? Përse të mos u thoni fëmijëve që t’i sjellin në shtëpi, kështu që të mund t’i njihni më mirë këta shokë? Gjithashtu, mund t’i pyesni fëmijët se ç’mendojnë të tjerët për këta shokë. A njihen se kanë shfaqur integritetin personal apo se bëjnë një jetë të dyfishtë? Nëse është e vërtetë kjo e fundit, ndihmojini fëmijët që të arsyetojnë mbi faktin se përse mund t’i dëmtojnë shoqëri të tilla. (Psalmi 26:4, 5, 9-12) Nëse vëreni ndryshime të padëshirueshme te fëmija juaj, si në sjellje, veshje, qëndrim, apo të folur, ndoshta duhet të flisni në lidhje me miqtë e tij apo të saj. Ndoshta fëmija juaj e kalon kohën me ndonjë shok që po ushtron një ndikim negativ.​—Krahaso Zanafillën 34:1, 2.

17, 18. Përveç paralajmërimeve kundër shoqërive të këqija, ç’ndihmë praktike mund të japin prindërit?

17 Megjithatë, nuk mjafton vetëm t’i mësoni fëmijët që të shmangin shoqëritë e këqija. Ndihmojini të gjejnë shokë të mirë. Një baba tha: «Ne përpiqeshim gjithmonë të gjenim një zëvendësim. Kështu, kur shkolla dëshironte që djali ynë të ishte në skuadrën e futbollit, gruaja dhe unë uleshim e bisedonim me djalin se përse ajo nuk do të ishte një ide e mirë, për shkak të shokëve të rinj që do të përfshiheshin. Por më pas, sugjeronim që të flisnim me disa fëmijë të tjerë në kongregacion e të shkonim bashkë me ta në park për të luajtur futboll. Kjo ka funksionuar për mrekulli.»

18 Prindërit e mençur i ndihmojnë fëmijët e tyre të gjejnë shokë të mirë e pastaj të gëzojnë pushime të shëndetshme me ta. Por për shumë prindër, çështja e pushimit paraqet në vetvete një sfidë.

ÇFARË LLOJ PUSHIMI?

19. Cilët shembuj biblikë tregojnë se nuk është mëkat nëse familjet zbaviten?

19 A i dënon Bibla zbavitjet? Aspak! Bibla thotë se ka «një kohë për të qeshur . . . dhe një kohë për të hedhur valle».b (Eklisiastiu 3:4) Popullit të Perëndisë në Izraelin e lashtë i pëlqente muzika, vallja, lojërat dhe gjëzat. Jezu Krishti mori pjesë në një dasmë të madhe dhe në «një gosti të madhe» që Mateu Levi shtroi për të. (Luka 5:29; Gjoni 2:1, 2) Sigurisht, Jezui nuk u prishte gëzimin të tjerëve. Të qeshurat dhe zbavitjet kurrë nuk duhen parë si mëkate në shtëpinë tuaj!

20. Ç’duhet të mbajnë në mend prindërit, në zgjedhjen e pushimit për familjen?

20 Jehovai është «Perëndia i lumtur». (1. Timoteut 1:11, BR) Prandaj, adhurimi i Jehovait duhet të jetë burim kënaqësie, jo diçka që shkakton mungesë gëzimi në jetë. (Krahaso Ligjin e përtërirë 16:15.) Fëmijët janë prej natyre të mbushur plot me energji, të cilën mund ta çlirojnë në lojë dhe në pushim. Një pushim i zgjedhur me kujdes është më shumë se vetëm zbavitje. Për fëmijën është një mënyrë që të mësojë e të piqet. Një kryefamiljar është përgjegjës të marrë masat për nevojat e shtëpisë së tij, duke përfshirë edhe pushimin. Megjithatë, duhet ekuilibër.

21. Çfarë kurthesh fsheh sot pushimi?

21 Në këto «ditë të fundit» me telashe, shoqëria njerëzore është plot me njerëz «dëfrimdashës më fort se perëndidashës», siç ishte profetizuar edhe në Bibël. (2. Timoteut 3:1-5) Për shumë persona, pushimi është gjëja kryesore në jetë. Ekzistojnë kaq shumë zbavitje, saqë me lehtësi mund të zëvendësojnë gjërat më të rëndësishme. Për më tepër, një pjesë e madhe e zbavitjeve moderne përqendrohen mbi imoralitetin seksual, dhunën, abuzimin e drogës dhe mbi praktika të tjera mjaft të dëmshme. (Proverbat 3:31) Ç’mund të bëhet për të ruajtur të rinjtë nga zbavitjet e dëmshme?

22. Si mund t’i stërvisin prindërit fëmijët, për të marrë vendime të mençura në lidhje me pushimet?

22 Prindërit duhet të vënë kufij dhe kufizime. Por më shumë se kaq, ata duhet t’i mësojnë fëmijët që të gjykojnë se cili lloj pushimi është i dëmshëm dhe të dinë deri në ç’masë është i tepërt ai. Kjo stërvitje kërkon kohë dhe përpjekje. Të shqyrtojmë një shembull. Një baba me dy djem kishte vërejtur se djali më i madh po dëgjonte shumë dendur një stacion të ri radioje. Prandaj, ndërsa po shkonte një ditë me kamionin e tij për në punë, babai e ktheu radion në atë stacion. Herë pas here, ai ndalonte dhe mbante shënim tekstet e disa këngëve. Më vonë, u ul me të birin dhe biseduan për ato që kishte dëgjuar. Ai bëri disa pyetje për të parë pikëpamjen e djalit, duke filluar me: «Si mendon ti?» Pastaj, dëgjoi me kujdes përgjigjet e atyre pyetjeve. Pasi kishin arsyetuar për këtë çështje, duke përdorur Biblën, djemtë ranë dakort të mos e dëgjonin më atë stacion.

23. Si mund t’i mbrojnë prindërit fëmijët e tyre nga zbavitjet jo të shëndetshme?

23 Prindërit e mençur të krishterë kontrollojnë muzikën, programet televizive, videokasetat, librat komikë, lojrat elektronike dhe filmat që u interesojnë fëmijëve të tyre. Kontrollojnë ilustrimet e kapakut, tekstet dhe paketimin, si dhe lexojnë kritikat nëpër gazeta e shohin disa fragmente. Shumë janë tronditur prej disa «zbavitjeve» që sot u drejtohen fëmijëve. Ata që dëshirojnë të mbrojnë fëmijët e tyre nga ndikimet e papastra, ulen bashkë me familjen dhe flasin për rreziqet, duke përdorur Biblën dhe botimet e bazuara aty, të tilla si libri Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike dhe artikuj në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!c Nëse prindërit vendosin kufij të patundur dhe tregohen të palëkundshëm e të arsyeshëm, zakonisht do të kenë rezultate të mira.​—Mateu 5:37; Filipianëve 4:5.

24, 25. Cilat janë disa lloje të shëndetshme pushimi, që familja mund t’i gëzojë së bashku?

24 Natyrisht, kufizimi i formave të dëmshme të pushimit është vetëm një pjesë e betejës. E keqja duhet të ketë si kundërpeshë të mirën, përndryshe fëmijët mund të lëkunden në një rrugë të gabuar. Shumë familje të krishtere kanë kujtime të panumërta, të ngrohta e të lumtura, nga pushime të kaluara së bashku: piknikë, shëtitje, fushime, lojra e sporte, udhëtime për te të afërmit apo miqtë. Disa kanë zbuluar se edhe leximi së bashku me zë të lartë është një burim i madh kënaqësie dhe ngushëllimi. Të tjerëve u pëlqen të tregojnë histori humoristike apo interesante. Të tjerë akoma kanë zhvilluar disa hobi së bashku, për shembull, punime druri apo zanate të tjera, si edhe luajtja e instrumenteve muzikore, vizatimi, apo studimi i veprave krijuese të Perëndisë. Fëmijët që mësojnë të gëzojnë variacione të tilla, janë të mbrojtur nga pjesa më e madhe e zbavitjeve të papastra dhe mësojnë që pushimi është shumë më tepër se vetëm të ulesh pa bërë gjë e të zbavitesh. Shpesh, të marrësh pjesë është diçka më zbavitëse, se vetëm të vëzhgosh.

25 Grumbullimet me qëllim zbavitje mund të jenë, gjithashtu, një formë shpërblyese pushimi. Kur janë të mbikëqyrura siç duhet dhe jo tepër të mëdha e që të hanë kohë, ato mund t’u japin fëmijëve më shumë se vetëm zbavitje. Ato mund të ndihmojnë për të thelluar lidhjet e dashurisë në kongregacion.​—Krahaso Lukën 14:13, 14; Judës 12.

FAMILJA JUAJ MUND TA MUNDË BOTËN

26. Cila është cilësia më e rëndësishme, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e familjes nga ndikimet jo të shëndetshme?

26 Pa dyshim, mbrojtja e familjes nga ndikimet shkatërrimtare të botës kërkon prej jush shumë punë. Por ekziston diçka, që më shumë se çdo gjë tjetër, do ta bëjë të mundur suksesin. Është dashuria! Lidhjet e ngushta e të dashura familjare do ta bëjnë shtëpinë tuaj një liman të sigurt dhe do të nxisin komunikimin, i cili është një mbrojtje e madhe nga ndikimet e këqija. Për më tepër, akoma edhe më i rëndësishëm është kultivimi i një tjetër lloj dashurie: dashuria për Jehovain. Kur familja përshkohet nga një dashuri e tillë, ka më shumë të ngjarë që fëmijët të rriten me urrejtje për idenë se s’do të kenë pëlqimin e Perëndisë, nëse jepen përpara ndikimeve të botës. Ndërsa prindërit që e duan Jehovain me zemër, do të përpiqen të imitojnë personalitetin e tij të dashur, të arsyeshëm e të ekuilibruar. (Efesianëve 5:1; Jakovit 3:17) Nëse prindërit veprojnë kështu, fëmijët e tyre nuk do të kenë arsye ta konsiderojnë adhurimin e Jehovait vetëm si një listë me gjëra që s’u lejohet t’i bëjnë apo si një mënyrë jetese pa zbavitje e të qeshura, nga e cila do të donin t’ia mbathnin një orë e më parë. Përkundrazi, do të kuptojnë se adhurimi i Perëndisë është mënyra e jetesës më e lumtur dhe më e kënaqshme që ekziston.

27. Si mund ta mundë botën një familje?

27 Familjet që qëndrojnë të bashkuara në shërbimin e lumtur e të ekuilibruar që i bëjnë Perëndisë, duke u përpjekur me gjithë zemër të mbesin ‘të papërlyera dhe të paqortueshme’ nga ndikimet korruptuese të kësaj bote, janë një burim gëzimi për Jehovain. (2. Pjetrit 3:14; Proverbat 27:11) Familje të tilla ecin në gjurmët e Jezu Krishtit, i cili u rezistoi të gjitha përpjekjeve të botës së Satanait për ta njollosur. Aty nga fundi i jetës së tij njerëzore, Jezui mundi të thoshte: «Unë e munda botën!» (Gjoni 16:33) Edhe familja juaj le ta mundë botën e të gëzojë jetën përgjithmonë!

a Për një diskutim të arsimimit shtesë, shiko broshurën Dëshmitarët e Jehovait dhe arsimimi, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., faqe 4-7.

b Fjala hebreje e përkthyer këtu «qesh», në forma të tjera mund të përkthehet «luaj», «ofroj ca argëtim», «kremtoj», apo edhe «dëfrehem».

c Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

SI MUND TË NDIHMOJNË KËTO PARIME BIBLIKE . . . PËR TË MBROJTUR FAMILJEN TUAJ?

Njohuria çon drejt mençurisë, e cila mund ta mbajë një person në jetë.​—Eklisiastiu 7:12.

«Dituria e kësaj bote është marrëzi pranë Perëndisë.»​—1. Korintasve 3:19.

Shoqëritë e këqija duhen shmangur.​—1. Korintasve 15:33.

Edhe pse pushimi ka vendin që i takon, ai duhet kontrolluar.​—Eklisiastiu 3:4.

AI NUK NDIHEJ I PRIVUAR

Prindërit e krishterë Poli dhe gruaja e tij, Lu-Ana, organizojnë kohë pas kohe në shtëpinë e tyre disa festa. Ata marrin masa që të ftuarit të kenë mbikëqyrjen e duhur dhe të jenë në një masë të kontrollueshme. Ata kanë arsye të mirë për të besuar se fëmijët e tyre përfitojnë nga këto festa.

Lu-Ana tregon: «Mamaja e një shoku të klasës së djalit tim gjashtëvjeçar, Erikut, m’u afrua për të më thënë se i vinte keq për Erikun, ngaqë ai ulej veç dhe nuk merrte pjesë në festat e ditëlindjeve që bëheshin në klasë. Unë i thashë: ‘E çmoj me të vërtetë që kujdeseni për tim bir. Kjo tregon shumë se çfarë njeriu jeni. Ndoshta asgjë që mund të them unë, s’mund t’ju bindë se Eriku nuk mendon se po humbet diçka.’ Ajo ishte dakort. Prandaj i thashë: ‘Atëherë, ju lutem, që ju të jeni e bindur dhe me mendje të qetë, pyeteni vetë Erikun se si ndihet.’ Kur unë nuk gjendesha aty, ajo e pyeti Erikun: ‘A nuk e ndjen mungesën e këtyre festave të shkëlqyeshme të ditëlindjeve?’ Ai e pa nga poshtë lart i çuditur dhe tha: ‘A mendoni se dhjetë minuta, nja dy ëmbëlsira dhe një këngë, bëjnë një festë? Duhet të vini në shtëpinë time e të shihni se ç’është një festë e vërtetë!’» Entuziazmi i pafajshëm i djalit e bëri të qartë: ai nuk ndihej i privuar dhe nuk mendonte se i mungonte diçka!

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo