Përse t’i japim Jehovait?
NDËRSA dielli ndriçonte fort mbi qytetin e vogël sidonian të Sareptës, një e ve përkulej për të mbledhur shkarpa. Ajo kishte nevojë të ndizte një zjarr që të mund të gatuante një ushqim të thjeshtë, ndoshta vaktin e fundit që do të hante ajo dhe djali i saj i ri. Ajo kishte luftuar për të mbajtur gjallë veten e saj dhe të birin, gjatë një thatësire dhe urie të zgjatur, por e gjithë kjo po shkonte drejt një përfundimi të mjerueshëm. Ata po vdisnin nga uria.
U afrua një burrë. Emri i tij ishte Elia dhe e veja e kuptoi shpejt se ai ishte një profet i Jehovait. Duket sikur ajo kishte dëgjuar për këtë Perëndi. Jehovai ishte i ndryshëm nga Baali, adhurimi mizor dhe i mbrapshtë i të cilit ishte mbizotërues në vendin e saj të Sidonit. Kështu, kur Elia i kërkoi të pinte pak ujë në një enë, ajo ishte e gatshme për ta ndihmuar. Ndoshta e kishte ndjerë se duke bërë kështu do të fitonte favorin e Jehovait. (Mateu 10:41, 42) Por më pas Elia i kërkoi më shumë se kaq, pak ushqim. Ajo i shpjegoi se kishte ushqim të mjaftueshëm vetëm për një vakt të fundit. Megjithatë, Elia këmbënguli, duke e siguruar se Jehovai do të siguronte për të ushqim në mënyrë të mrekullueshme, derisa të merrte fund thatësira. Ç’bëri ajo? Bibla thotë: «Kështu ajo shkoi dhe veproi sipas fjalës së Elias.» (1. Mbretërve 17:10-15) Këto fjalë të thjeshta përshkruajnë një vepër besimi të madh, aq të madh sa, në fakt, Jezu Krishti e lavdëroi atë të ve pothuajse njëmijë vjet më vonë!—Luka 4:25, 26.
Megjithëkëtë, mund të duket e çuditshme që Jehovai të kërkonte kaq shumë nga një grua që kishte kaq pak. Kjo është veçanërisht e vërtetë po të marrim parasysh një lutje që u drejtua një herë nga një burrë shumë i njohur. Mbledhja nga mbreti David e kontributeve që do të përdoreshin nga biri i tij për ndërtimin e tempullit, nxiti një bujari të madhe. Të shprehura me termat e sotëm, dhuratat e kontribuara kishin vlerën e miliarda dollarëve! Megjithatë Davidi i tha në lutje Jehovait: «Po kush jam unë dhe kush është populli im që jemi në gjendje të të ofrojmë gjithçka në mënyrë spontane? Në të vërtetë të gjitha gjërat vijnë nga ti, dhe ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote.» (1. Kronikave 29:14) Siç tha Davidi, çdo gjë i përket Jehovait. Kështu, pra, kurdo që ne japim në mënyrë që të çojmë përpara adhurimin e pastër, jemi thjesht duke i kthyer Jehovait atë që tashmë është e tija. (Psalmi 50:10) Prandaj, lind pyetja: «Pikë së pari, përse Jehovai do që ne të japim?»
Një pjesë jetësore e adhurimit të vërtetë
Përgjigjja më e thjeshtë është se që në kohët e lashta Jehovai e ka bërë dhënien një pjesë jetësore të adhurimit të pastër. Njeriu besimplotë, Abeli, i sakrifikoi Jehovait disa kokë nga bagëtia e tij e çmuar. Patriarkët Noe, Abrahami, Isaku, Jakobi dhe Jobi bënë oferta të ngjashme.—Zanafilla 4:4; 8:20; 12:7; 26:25; 31:54; Jobi 1:5.
Ligji i Moisiut kërkonte dhe madje rregullonte dhënien e kontributeve Jehovait. Për shembull, të gjithë izraelitët ishin urdhëruar për të dhënë të dhjetën, apo për dhurimin e një të dhjetës së prodhimit të tokës dhe të shtimit të bagëtisë së tyre. (Numrat 18:25-28) Kontributet e tjera nuk ishin rregulluar në mënyrë kaq strikte. Për shembull, çdo izraeliti i kërkohej t’i jepte Jehovait frytin e parë të bagëtisë së tij dhe të prodhimit. (Dalja 22:29, 30; 23:19) Megjithatë, Ligji i lejonte secilit individ që ta përcaktonte vetë se sa nga frytet e tij të para të jepte, përderisa ai jepte më të mirën. Gjithashtu, Ligji parashikonte ofertat e falënderimit dhe të betimit, të cilat ishin krejtësisht vullnetare. (Levitiku 7:15, 16) Jehovai e inkurajoi popullin e tij që t’i jepte në përpjestim të drejtë me mënyrën në të cilën ai i kishte bekuar. (Ligji i përtërirë 16:17) Siç kishte ndodhur me ndërtimin e tabernakullit dhe më vonë me tempullin, secili dha atë që zemra e tij e nxiti të jepte. (Dalja 35:21; 1. Kronikave 29:9) Sigurisht që kontribute të tilla vullnetare ishin ato që e kënaqnin më shumë Jehovain!
Nën «ligjin e Krishtit», çdo dhënie duhej të ishte vullnetare. (Galatasve 6:2; 2. Korintasve 9:7) Kjo nuk donte të thoshte se ithtarët e Krishtit pushuan së dhëni apo se dhanë më pak. Përkundrazi! Ndërsa Jezui dhe apostujt e tij predikuan në Izrael, një grup grash i ndoqën dhe u shërbyen me gjërat e tyre. (Luka 8:1-3) Ngjashëm, apostulli Pavël mori dhurata që mbështetën veprën e tij si misionar dhe ai nga ana e tij, i inkurajoi disa kongregacione për të dhënë fonde për të tjerët në raste nevoje. (2. Korintasve 8:14; Filipianëve 1:3-5) Trupi udhëheqës në Jerusalem kishte caktuar burra përgjegjës për t’u siguruar se ato që ishin kontribuar u ishin shpërndarë nevojtarëve. (Veprat 6:2-4) Është e qartë, pra, se të krishterët e hershëm e konsideronin një privilegj mbështetjen e adhurimit të pastër në mënyra të tilla
Megjithatë, ne mund të pyesim veten se përse Jehovai e konsideron dhënien si një pjesë të adhurimit të tij. Le të shqyrtojmë katër arsye.
Përse japim
Së pari, Jehovai e konsideron dhënien si një pjesë të adhurimit të pastër, sepse bërja e kësaj është diçka e mirë për ne. Ajo nxjerr në pah çmueshmërinë tonë për mirësinë e Perëndisë. Për shembull, nëse një fëmijë blen apo i bën dhuratë një prindi, përse prindi i buzëqesh me kënaqësi? A plotëson dhurata ndonjë nevojë jashtëzakonisht të madhe, të cilën prindi nuk mund ta përmbushte në asnjë mënyrë tjetër? Ka të ngjarë që jo. Përkundrazi, prindi është i kënaqur tek sheh fëmijën që zhvillon një frymë çmueshmërie dhe dhënieje. Për arsye të ngjashme Jehovai na inkurajon që të japim dhe është i kënaqur kur ne veprojmë kështu. Kjo është mënyra për t’i treguar se çmojmë me të vërtetë dashamirësinë e tij të pakufishme dhe bujarinë e tij ndaj nesh. Ai është dhënësi i «çdo gjëje të mirë dhe i çdo dhurate të përsosur», kështu që ne nuk na shterojnë kurrë arsyet për ta falënderuar atë. (Jakovit 1:17) Mbi të gjitha, Jehovai dha Birin e tij të dashur, duke lejuar që ai të vdesë, në mënyrë që ne të jetojmë përgjithmonë. (Gjoni 3:16) A mund të mjaftojë ndonjëherë falënderimi ynë?
Së dyti, nëse ne e bëjmë dhënien një zakon, nëpërmjet saj ne mësojmë të imitojmë Jehovain dhe Birin e tij, Jezu Krishtin në një aspekt shumë të rëndësishëm. Jehovai është dhënës në mënyrë të pandërprerë, është bujar në mënyrë të vazhdueshme. Siç thotë Bibla, ai na dhuron «jetë, frymë dhe çdo gjë». (Veprat 17:25, BR) Në mënyrë të përshtatshme ne mund ta falënderojmë atë për çdo frymëmarrje tonën, për çdo pjesë ushqimi që gëzojmë, për çdo moment të lumtur e të këndshëm të jetës. (Veprat 14:17) Jezui, ashtu si Ati i tij, tregoi një frymë dhuruese. Ai dha pa kursim nga vetvetja. A e di se kur Jezui kryente mrekulli, ai vetë vuante nga humbjet që pësonte? Më shumë se një herë Shkrimet na tregojnë se kur ai shëronte njerëz të sëmurë, ‘prej tij dilte’ fuqi. (Luka 6:19; 8:45, 46) Jezui ishte kaq bujar sa zbrazi shpirtin e tij, jetën e tij, pikërisht në vdekje.—Isaia 53:12.
Kështu, pra, kur ne japim, qoftë nga koha jonë, energjitë tona apo zotërimet tona, ne imitojmë Jehovain dhe bëjmë që të gëzojë zemra e tij. (Proverbat 27:11; Efesianëve 5:1) Gjithashtu, ne ndjekim modelin e përsosur të sjelljes njerëzore që na u la nga Jezu Krishti.—1. Pjetrit 2:21.
Së treti, dhënia përmbush nevoja të vërteta dhe të rëndësishme. Është e vërtetë që Jehovai mund t’i përmbushë me lehtësi nevojat për interesat e Mbretërisë pa ndihmën tonë, ashtu siç mund t’ia dalë që t’i bëjë gurët të thërrasin, në vend që të na përdorë ne për të predikuar fjalën. (Luka 19:40) Por ai ka zgjedhur që të na nderojë ne me këto privilegje. Kështu, kur ne japim nga mjetet tona për çuarjen përpara të interesave të Mbretërisë, kemi kënaqësinë e madhe të dimë se po marrim pjesë me të vërtetë në veprën më të rëndësishme që po vazhdon në mbarë botën.—Mateu 24:14.
Nuk ka nevojë të thuhet që për të financuar veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait, kërkohen para. Gjatë vitit të shërbimit 1995, Shoqata shpenzoi afërsisht 60 milionë dollarë vetëm për mbështetjen e pionierëve specialë, misionarëve dhe mbikëqyrësve udhëtues në caktimet e tyre të shërbimit në fushë. Megjithatë, kjo është relativisht një shpenzim i vogël në krahasim me ndërtimin dhe veprimtarinë e zyrave të degëve dhe ndërtesave për botim në mbarë botën. E megjithatë, tërë kjo është bërë e mundur nëpërmjet kontributeve vullnetare!
Në përgjithësi, populli i Jehovait nuk ecën me mendimin që nëse ata nuk janë në gjendje të mirë për vete, ua lenë fare lehtë të tjerëve që ta mbajnë barrën. Një qëndrim i tillë mund të na çojë në lënien pas dore të këtij aspekti të adhurimit tonë. Sipas apostullit Pavël, të krishterët në Maqedoni po vuanin nga «varfëria e thellë». Megjithatë, ata u lutën për privilegjin e dhënies dhe siç u dëshmua nga Pavli, ajo që ata dhanë ishte «përtej mundësisë së tyre»!—2. Korintasve 8:1-4.
Së katërti, Jehovai e ka konsideruar dhënien një pjesë të adhurimit të vërtetë, sepse dhënia do të na ndihmojë për të qenë të lumtur. Vetë Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh» dhe Jehovai kështu na ka projektuar. (Veprat 20:35) Kjo është një arsye tjetër se përse ne mund të ndiejmë që pavarësisht nga sa i japim atij, asnjëherë ajo nuk do të mund të përshtatet me çmueshmërinë që ndiejmë për të në zemrat tona. Lumturisht, Jehovai nuk pret nga ne më shumë sesa ne mund të japim. Mund të kemi besim se ai është i kënaqur kur ne i japim me gëzim atë që mundemi!—2. Korintasve 8:12; 9:7.
Nga shfaqja e një fryme dhënieje vijnë bekime
Për t’iu rikthyer një shembulli më të hershëm, përfytyro sikur e veja e Sareptës të kishte arsyetuar që dikush tjetër mund të kujdesej për nevojën e Elisë për ushqim. Ç’bekim do të kishte humbur ajo!
Nuk ka diskutim që Jehovai i bekon ata që shfaqin një frymë dhënieje. (Proverbat 11:25) Të vesë së Sareptës nuk iu desh të vuante për shkak se hoqi dorë nga ajo që, siç mendonte, ishte vakti i saj i fundit. Jehovai e shpërbleu me një mrekulli. Siç kishte premtuar Elia, enët ku mbante vajin dhe miellin, nuk shteruan derisa kaloi thatësira. Por ajo mori një shpërblim edhe më të madh. Kur biri i saj u sëmur dhe vdiq, Elia, njeriu i Perëndisë së vërtetë, ia riktheu asaj. Sa do ta ketë ngritur frymësisht kjo gjë atë!—1. Mbretërve 17:16-24.
Sot, ne nuk presim që të bekohemi me mrekulli. (1. Korintasve 13:8) Por Jehovai jep sigurinë se do të mbështetë ata që i shërbejnë atij me gjithë shpirt. (Mateu 6:33) Kështu, në këtë aspekt ne mund të jemi si e veja e Sareptës, duke dhënë me bujari, me besimin se Jehovai do të kujdeset për ne. Ngjashëm, mund të gëzojmë shpërblime të mëdha frymore. Nëse dhënia jonë është pjesë e një rutine të rregullt dhe jo një çështje rastësie apo e çastit, ajo do të na ndihmojë për ta mbajtur syrin të thjeshtë dhe të përqendruar në interesat e Mbretërisë, ashtu siç porositi Jezui. (Luka 11:34; krahaso 1. Korintasve 16:1, 2.) Ajo do të na ndihmojë, gjithashtu, për t’u ndjerë më pranë Jehovait dhe Jezuit si bashkëpunëtorë të tyre dhe do t’i shtohet frymës së dhënies bujarisht, e cila tashmë i dallon adhuruesit e Jehovait në mbarë botën.—1. Korintasve 3:9.
[Kutia në faqen 31]
MËNYRAT QË DISA MUND TË ZGJEDHIN PËR TË DHËNË
KONTRIBUTE PËR VEPRËN MBARËBOTËRORE
Shumë persona vënë mënjanë ose parashikojnë në buxhet një shumë, të cilën e vendosin në kutitë e kontributeve me etiketën: «Kontribute për veprën mbarëbotërore të Shoqatës—Mateu 24:14.» Çdo muaj kongregacionet ia dërgojnë këto shuma qendrës botërore në Bruklin, Nju Jork, ose zyrës së degës lokale.
Dhurata vullnetare në para mund të dërgohen, gjithashtu, drejtpërsëdrejti në Treasurer’s Office, Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, 25 Columbia Heights, Brooklyn, New York 11201-2483, ose në zyrën e Shoqatës që shërben në shtetin tënd. Po ashtu mund të dërgohen edhe arturina ose gjëra të tjera me vlerë. Këto kontribute duhet të shoqërohen nga një letër e shkurtër që pohon se një gjë e tillë është një dhuratë pa kushte.
RREGULLIMI I DHURIMIT ME KUSHT
Paratë mund t’i jepen Shoqatës Watch Tower për t’u mbajtur në mirëbesim deri në vdekjen e dhuruesit, me kushtin që në rast nevoje personale, ato t’i kthehen dhuruesit. Për më shumë informacion, të lutemi kontakto me Zyrën në shtetin tënd.
DHËNIE E PLANIFIKUAR
Përveç dhurimit me dhe pa kusht të parave, ka metoda të tjera dhënieje në dobi të shërbimit të Mbretërisë në mbarë botën. Këto përfshijnë:
Sigurimet: Shoqata Watch Tower mund të quhet si përfituesja e një dëftese sigurimi jete apo në një plan largimi ose daljeje në pension. Shoqata duhet të informohet për çdo rregullim të tillë.
Llogaritë bankare: Llogaritë bankare, certifikatat e depozitimeve apo llogaritë individuale të pensioneve, mund të vendosen në mirëbesim të ose të pagueshme pas vdekjes Shoqatës Watch Tower, në përputhje me kërkesat e bankës lokale. Shoqata duhet të informohet për çdo rregullim të tillë.
Aksionet dhe huatë: Aksionet dhe huatë mund t’i dhurohen Shoqatës Watch Tower si një dhuratë pa kushte ose me një rregullim, sipas të cilit të ardhurat vazhdojnë t’i paguhen dhuruesit.
Pasuria e patundshme: Pasuria e patundshme e shitshme mund t’i dhurohet Shoqatës Watch Tower ose duke e dhënë si dhuratë pa kushte, ose duke i rezervuar dhuruesit një pasuri të patundshme të banueshme, ku ai të mund të jetojë gjatë jetës së tij. Një person duhet të kontaktojë me Shoqatën para se t’i bëjë një akt kalimi të ndonjë pasurie të patundshme Shoqatës.
Testamentet dhe lëniet në mirëbesim: Pasuria apo paratë mund t’i lihen si trashëgimi Shoqatës Watch Tower nëpërmjet një testamenti të ekzekutuar ligjërisht, ose Shoqata mund të quhet si përfituese e një marrëveshjeje mirëbesimi. Një dhënie me përfitim në mirëbesim një organizate fetare, mund të sigurojë nxjerrjen e disa dobive lidhur me taksat. Një kopje e testamentit ose e marrëveshjes së mirëbesimit duhet t’i dërgohet Shoqatës.
Ata që janë të interesuar për ndonjë prej këtyre rregullimeve të dhënieve të planifikuara, duhet të kontaktojnë me Zyrën e dhënieve të planifikuara (Planned Giving Desk) në adresën e shënuar poshtë ose në zyrën e Shoqatës që shërben në shtetin tuaj. Planned Giving Desk duhet të marrë një kopje përkatëse për secilin prej këtyre rregullimeve.
Shoqata ka përgatitur një broshurë në gjuhën angleze, të titulluar Planned Giving. Për ata që ndodhen në Shtetet e Bashkuara dhe që po planifikojnë t’i bëjnë tani Shoqatës një dhuratë të veçantë, apo që të lënë një trashëgimi pas vdekjes, ky informacion mund të jetë ndihmës. Kjo është veçanërisht e vërtetë, nëse ata dëshirojnë të plotësojnë disa synime familjare apo ndonjë objektiv lidhur me një pasuri të planifikuar, ndërsa përdorin përfitimet lidhur me taksat për minimizimin e kostos së dhuratës apo trashëgimisë. Broshura është në dispozicion me anë të një kërkese me shkrim ose duke telefonuar.
PLANNED GIVING DESK
Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
100 Watchtower Drive, Patterson, New York 12563-9204
Telephone: (914) 878-7000