BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 1/8 f. 4-8
  • Një shpresë më e mirë për shpirtin

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një shpresë më e mirë për shpirtin
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Shpirti në Shkrimet Hebreje
  • Ndikimi grek
  • Pikëpamja e hershme e krishtere mbi shpirtin
  • Origjinat e vërteta të doktrinës
  • Jetë pas vdekjes: Çfarë thotë Bibla?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Sa i fortë është besimi yt te ringjallja?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • A kemi një shpirt të pavdekshëm?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Shpirti sipas Biblës
    Çfarë ndodh me ne kur vdesim?
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 1/8 f. 4-8

Një shpresë më e mirë për shpirtin

USHTARËT romakë nuk e prisnin një përfundim të tillë. Ndërsa sulmonin kalanë e Masadës, kalaja e fundit e forcave rebele të judenjve, ata përgatitnin vetveten për një sulm të tërbuar nga ana e armiqve të tyre, për britmat e luftëtarëve, për ulërimat e grave dhe fëmijëve, por në vend të këtyre gjërave, ata dëgjuan vetëm kërcëllitje flakësh. Ndërsa eksploronin kështjellën e djegur, romakët mësuan të vërtetën e tmerrshme: armiqtë e tyre, rreth 960 njerëz, ishin tashmë të vdekur! Në mënyrë sistematike, luftëtarët judenj kishin vrarë familjet e tyre dhe më pas njëri-tjetrin. Ai që kishte mbetur i fundit, kishte vrarë veten.a Ç’gjë i çoi ata në një vrasje të tmerrshme masive dhe në vetëvrasje?

Sipas historianit bashkëkohës, Jozef, një faktor i rëndësishëm ishte besimi në shpirtin e pavdekshëm. Eleazar Ben Jair, udhëheqësi i zelotëve në Masada, në fillim ishte përpjekur t’i bindte njerëzit e tij që vetëvrasja do të ishte më e ndershme se sa vdekja apo skllavëria në duart e romakëve. Duke parë ngurrimin e tyre, u lëshua në një fjalim pasionant lidhur me shpirtin. Ai u tha atyre se trupi s’ishte veç një barrë, një burg për shpirtin. «Por, kur shpirti çlirohet nga trupi, i cili e tërheq drejt tokës dhe e mban të mbyllur,—vazhdoi ai—shpirti kthehet në vendin e tij dhe merr me të vërtetë një fuqi të bekuar dhe një forcë krejtësisht të pakufizuar, duke mbetur i padukshëm për sytë e njerëzve, ashtu si vetë Perëndia.»

Cila ishte përgjigjja ndaj këtij fjalimi? Jozefi raporton se, pasi Eleazari foli sipas kësaj linje gjerë e gjatë, «të gjithë ata që e dëgjuan, ndërprenë fjalimin e tij dhe plot me entuziazëm të pakontrolluar, nxituan të vrisnin familjet e tyre dhe veten». Jozef shton: «Sikur t’i kishte shtyrë dikush që të nxitonin, secili përpiqej t’ia kalonte tjetrit në kryerjen e këtij veprimi, . . . kaq e parezistueshme ishte dëshira që i kishte kapur për të vrarë gratë e tyre, fëmijët e tyre dhe veten.»

Ky shembull katastrofik, shërben për të ilustruar se sa thellësisht mund ta ndryshojë pikëpamjen normale lidhur me vdekjen, doktrina e shpirtit të pavdekshëm. Ata që besojnë në pavdekshmërinë e shpirtit, janë mësuar që ta shohin vdekjen, jo si armikun më të keq të njerëzimit, por thjesht si një derë të hapur, e cila i jep shpirtit lirinë për të gëzuar një ekzistencë të një shkalle më të lartë. Por, përse kishin këtë besim judenjtë zelotas? Shumë mund të mendojnë se shkrimet e tyre të shenjta, Shkrimet Hebreje, mësojnë se njeriu ka një frymë të vetëdijshme brenda tij, një shpirt që pas vdekjes shkëputet për të vazhduar jetën. A është me të vërtetë kështu?

Shpirti në Shkrimet Hebreje

E thënë shkurtimisht, jo. Pikërisht në librin e parë të Biblës, në Zanafillën, na thuhet se shpirti nuk është diçka që ti ke, por diçka që ti je. Lidhur me krijimin e Adamit, qenies së parë njerëzore, lexojmë: «Njeriu u bë një shpirt i gjallë.» (Zanafilla 2:7) Fjala hebreje e përdorur këtu për shpirt, neʹphesh, shfaqet mbi 700 herë në Shkrimet Hebreje, pa dhënë asnjëherë idenë e një pjese frymore të shkëputur apo me përbërje eterike, të njeriut. Përkundrazi, shpirti është i prekshëm, konkret dhe fizik.

Shiko në Biblën tënde personale shkrimet e cituara më poshtë, sepse në secilën prej tyre, gjendet fjala hebreje neʹphesh. Ato tregojnë fare qartë se shpirti mund të ndeshet me rreziqe dhe mund të rrëmbehet (Ligji i përtërirë 24:7; Gjykatësit 9:17; 1. Samuelit 19:11); prek gjërat (Jobi 6:7); vihet në pranga hekuri (Psalmi 105:18); ka dëshirë të hajë, mundohet nga agjërimi, i bie të fikët nga uria dhe etja dhe vuan nga lëngata apo edhe nga pagjumësia për shkak të pikëllimit. (Ligji i përtërirë 12:20; Psalmi 35:13; 69:10; 106:15; 107:9; 119:28) Me fjalë të tjera, meqenëse shpirti yt je ti, pikërisht personi yt, shpirti yt mund të provojë çdo gjë që provon ti.b

Atëhere, a do të thotë kjo se shpirti mund të vdesë me të vërtetë? Po. Në Shkrimet Hebreje, në kundërshtim me atë që pretendohet se shpirti është i pavdekshëm, thuhet se ata janë zhdukur, janë ekzekutuar për shkak të sjelljes së keqe, janë goditur për vdekje, janë vrarë, shkatërruar dhe bërë copë-copë. (Dalja [Eksodi] 31:14; Ligji i përtërirë 19:6; 22:26; Psalmi 7:2) «Shpirti që mëkaton, ai vetë do të vdesë» thotë Ezekieli 18:4. Qartë pra, përderisa të gjithë ne mëkatojmë, vdekja është fundi i përbashkët i shpirtrave njerëzorë. (Psalmi 51:5) Njeriut të parë, Adamit, iu tha se dënimi për mëkatin ishte vdekja, jo transferimi në mbretërinë frymore dhe pavdekësia. (Zanafilla 2:17) Kur ai mëkatoi, u shpall vendimi: «Sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh.» (Zanafilla 3:19) Kur Adami dhe Eva vdiqën, ata u bënë thjesht, ashtu siç i quan shpesh Bibla, ‘shpirtra të vdekur’ ose ‘shpirtra të ndjerë’.​—Numrat 5:2; 6:6.

Nuk është për t’u çuditur që, The Encyclopedia Americana thotë për shpirtin në Shkrimet Hebreje: «Koncepti i Dhjatës së Vjetër mbi njeriun, është ai i njësimit, jo i bashkimit të shpirtit dhe trupit.» Ai shton: «Nefesh . . . nuk ka dhënë asnjëherë idenë e të vepruarit si i ndarë nga trupi.»

Pra, çfarë besonin judenjtë besimplotë se ishte vdekja? E thënë thjesht, besonin se vdekja është e kundërta e jetës. Psalmi 146:4 tregon se çfarë ndodh kur fryma apo forca jetësore, ikën nga një qenie njerëzore: «Fryma e tij ikën, ai kthehet në tokën e tij; atë ditë, mendimet e tij marrin fund.»c Ngjashëm, mbreti Solomon shkroi se të vdekurit «nuk janë të vetëdijshëm për asgjë».​—Eklisiastiu [Predikuesi] 9:5.

Përse atëherë, shumë judenj të shekullit të parë, si zelotët në Masada, ishin kaq të bindur për pavdekësinë e shpirtit?

Ndikimi grek

Judenjtë e morën këtë ide, jo nga Bibla, por nga grekët. Midis shekullit të shtatë e të pestë p.e.s., dukej se ky koncept kishte nisur rrugën e tij, nga kultet misterioze fetare greke drejt filozofisë greke. Ideja e një jete të përtejme, në të cilën shpirtrat e këqinj do të merrnin shpagimin e mundimshëm, kishte pasur për një kohë të gjatë forcë të madhe tërheqëse dhe më pas mori formën e plotë e u përhap. Filozofët debatuan shumë e shumë herë mbi natyrën e saktë të shpirtit. Homeri deklaroi se shpirti largohet me shpejtësi në momentin e vdekjes, duke bërë që të dëgjohet një tingull si zukatje, cicërimë apo fëshfëritje. Epikyrusi tha se shpirti, në të vërtetë ka peshë dhe për pasojë, është një trup shumë i vogël.d

Por ndoshta, përkrahësi më i madh i pavdekësisë së shpirtit ishte Platoni, filozof grek i shekullit të katërt p.e.s. Përshkrimi që i bën ai vdekjes së mësuesit të tij, Sokratit, zbulon bindje shumë të ngjashme me ato të zelotëve të Masadës, shekuj më pas. Ndërsa studiuesi Oskar Kulman, thotë për të: «Platoni tregon se si Sokrati vdiq në paqe dhe qetësi të plotë. Vdekja e Sokratit është një vdekje e bukur. Tek ai s’u pa fare tmerri i vdekjes. Sokrati nuk mund ta kishte frikë vdekjen, përderisa në të vërtetë, ajo na çliron nga trupi. . . . Vdekja është mikja e madhe e shpirtit. Kështu mësoi Sokrati dhe po kështu, në përputhje të mrekullueshme me mësimin e tij, vdiq.»

Në shekullin e dytë para Krishtit, gjatë periudhës makabiane, u bë e dukshme se judenjtë filluan ta përvetësojnë këtë mësim nga grekët. Në shekullin e parë të e.s., Jozefi na thotë se farisenjtë dhe esenët, grupe të fuqishme fetare judaike, përkrahën këtë doktrinë. Disa poema, që ndoshta u krijuan në atë epokë, pasqyrojnë të njëjtin besim.

Por, ç’mund të themi për Jezu Krishtin? A mësoi ai dhe ithtarët e tij këtë ide, të marrë nga feja greke?

Pikëpamja e hershme e krishtere mbi shpirtin

Lidhur me shpirtin, të krishterët e shekullit të parë, nuk patën të njëjtën pikëpamje me grekët. Të shqyrtojmë, për shembull, vdekjen e mikut të Jezuit, Lazarit. Nëse Lazari do të kishte pasur një shpirt të pavdekshëm, i cili në momentin e vdekjes do të fluturonte me shpejtësi, i lirë dhe i lumtur, a nuk do të lexohej shumë më ndryshe tregimi në kapitullin 11 të Gjonit? Sigurisht që Jezui do t’u kishte treguar ithtarëve të tij nëse Lazari do të ishte gjallë, mirë dhe i vetëdijshëm në qiell; por, përkundrazi, ai u bëri jehonë Shkrimeve Hebreje dhe u tha atyre se Lazari ishte në gjumë, i pavetëdijshëm. (Vargu 11) Pa dyshim, Jezui do të kënaqej, sikur miku i tij të ishte duke gëzuar një ekzistencë të re e të mrekullueshme. Por, në vend të kësaj, ne lexojmë se ai qau para të gjithëve për vdekjen e tij. (Vargu 35) Sigurisht, nëse shpirti i Lazarit do të ishte në qiell, i kënaqur nga lumturia e pavdekësisë, Jezui nuk do të kishte qenë kurrë aq mizor sa ta thërriste për të jetuar edhe disa vite më tepër në «burgun» e një trupi të papërsosur fizik, në mes njerëzve që sëmuren e vdesin.

A u kthye Lazari nga vdekja, me tregime emocionuese për katër ditët e mrekullueshme që kishte jetuar si një qenie frymore, e çliruar dhe e çtrupëzuar? Jo, ai nuk bëri një gjë të tillë. Ata që besojnë në shpirtin e pavdekshëm, do të përgjigjen që ndodhi kështu, sepse ajo që kishte përjetuar ai njeri, ishte tepër mahnitëse për t’u përshkruar me fjalë. Por, ky arsyetim nuk është bindës. Në fund të fundit, a nuk do t’u kishte thënë Lazari, të paktën njerëzve të tij më të dashur, se kishte përjetuar diçka shumë të mrekullueshme për t’u përshkruar? Në vend të kësaj, Lazari nuk tha asgjë rreth ndonjë përjetimi që kishte pasur, ndërsa ishte i vdekur. Mendo pak: Heshtje rreth temës për të cilën njerëzit janë më shumë kureshtarë se për çdo gjë tjetër: si është vdekja! Kjo heshtje mund të shpjegohet vetëm në një mënyrë: S’kishte asgjë për t’u treguar; të vdekurit janë në gjumë, janë të pavetëdijshëm.

Pra, a e paraqet Bibla vdekjen, si miken e shpirtit, një rit të thjeshtë kalimi ndërmjet fazave të ekzistencës? Jo! Për të krishterët e vërtetë, si apostulli Pavël, vdekja nuk ishte një mike; ajo ishte «armiku i fundit». (1. Korintasve 15:26). Të krishterët e shohin vdekjen jo si diçka të natyrshme, por të tmerrshme, të panatyrshme, sepse ajo është pasoja e drejtpërdrejtë e mëkatit dhe e rebelimit ndaj Perëndisë. (Romakëve 5:12; 6:23) Ajo nuk ka qenë kurrë pjesë e qëllimit fillestar të Perëndisë për njerëzimin.

Megjithatë, kur është fjala për vdekjen e shpirtit, të krishterët e vërtetë nuk janë pa shpresë. Ringjallja e Lazarit është një prej tregimeve të shumta biblike që, në mënyrë të gjallë, na tregon të vërtetën, shpresën biblike për shpirtrat e vdekur, ringjalljen. Bibla mëson mbi dy lloje të ndryshme ringjalljeje. Për pjesën më të madhe të njerëzimit, që është duke fjetur në varr, qofshin të drejtë apo të padrejtë, ekziston shpresa e ringjalljes në një jetë të përhershme, në parajsën këtu në tokë. (Luka 23:43; Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15) Për një grup të vogël, të cilit Jezui i referohet si «tufa e vogël», ka një ringjallje për jetë të pavdekshme, si qenie frymore në qiell. Këta, ku përfshihen apostujt e Krishtit, do të sundojnë me Krishtin Jezu mbi njerëzimin dhe do ta çojnë atë drejt përsosmërisë.​—Luka 12:32; 1. Korintasve 15:53, 54; Zbulesa 20:6.

Përse atëherë, kishat e të ashtuquajturit krishterim mësojnë pavdekësinë e shpirtit njerëzor dhe jo ringjalljen? Le të shqyrtojmë përgjigjen e dhënë nga teologu Vërner Yegër në Revistën Teologjike të Harvardit, të vitit 1959: «Fakti më i rëndësishëm në historinë e doktrinës së krishtere, ishte ai që babai i teologjisë së krishtere, Origen, i cili ishte një filozof platonik në shkollën e Aleksandrisë, i shtoi doktrinës së krishterë, shumë mësime të tjera lidhur me pavdekësinë e shpirtit, të cilat i mori nga Platoni.» Kështu, kisha bëri pikërisht atë që judenjtë kishin bërë shekuj më parë! Ata hoqën dorë nga mësimet biblike, duke marrë anën e filozofisë greke.

Origjinat e vërteta të doktrinës

Por tani, në mbrojtje të doktrinës së pavdekshmërisë së shpirtit, shumë mund të pyesin: Përse e njëjta doktrinë, mësohet në një formë apo në një tjetër, nga fetë e shumta të botës? Shkrimet ofrojnë një arsyetim të logjikshëm lidhur me faktin, se pse ky mësim është kaq mbizotërues në bashkësitë fetare të kësaj bote.

Bibla na thotë se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut» dhe në mënyrë specifike identifikon Satanain si «sundimtarin e kësaj bote». (1. Gjonit 5:19; Gjoni 12:31) Natyrisht, fetë e botës nuk kanë qenë të imunizuara nga ndikimi satanik. Përkundrazi, ato kanë kontribuar në një masë të madhe, në shqetësimet dhe konfliktet e botës së sotme. Lidhur me çështjen e shpirtit, duket se ato pasqyrojnë shumë qartë mendimin e Satanait. Pse kështu?

Kujto gënjeshtrën e parë që është thënë. Perëndia i tha Adamit dhe Evës që, nëse ata do të mëkatonin ndaj tij, rezultati do të ishte vdekja. Por Satanai siguroi Evën: «Me siguri ju nuk do të vdisni.» (Zanafilla 3:4) Sigurisht, Adami dhe Eva vdiqën; ashtu siç u kishte thënë Perëndia, ata u kthyen në pluhur. Satanai, «babai i gënjeshtrës», nuk hoqi kurrë dorë nga gënjeshtra e tij e parë. (Gjoni 8:44) Në fetë e panumërta, të cilat shmangen nga doktrina biblike apo që nuk e njohin fare atë, ende ofrohet e njëjta ide: ‘Me siguri, ju nuk do të vdisni. Trupi juaj mund të vdesë, por shpirti do të vazhdojë të jetojë përgjithmonë, ashtu si Perëndia!’ Interesant është fakti, që edhe Satanai i kishte thënë Evës se ajo do të bëhej «si Perëndia»!​—Zanafilla 3:5.

Sa më dobiprurëse është të kesh një shpresë të bazuar, jo në gënjeshtra apo filozofi njerëzore, por në të vërtetën. Sa më dobiprurëse është të kesh besimin që njerëzit tanë të dashur, kur ndodhen në varr janë të pavetëdijshëm, në vend që të shqetësohemi rreth vendndodhjes së ndonjë shpirti të pavdekshëm! Ky gjumë i të vdekurve nuk duhet të na frikësojë apo depresionojë. Në një farë mënyre, ne mund t’i shohim të vdekurit si të ndodheshin në një vend të sigurt pushimi. Përse i sigurt? Sepse Bibla na siguron se të vdekurit, të cilët Perëndia i do, në një farë kuptimi, jetojnë ende. (Luka 20:38) Ata jetojnë në kujtesën e tij. Ky është një mendim që të ngushëllon thellë, sepse kujtesa e tij nuk ka kufij. Ai mezi pret të sjellë në jetë miliona njerëz të dashur dhe t’u japë atyre mundësinë për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore.​—Krahaso Jobin 14:14, 15.

Dita e lavdishme e ringjalljes do të vijë, pasi duhet të përmbushen të gjitha premtimet e Jehovait. (Isaia 55:10, 11) Mendo për këtë profeci që do të plotësohet: «Por të vdekurit e tu do të jetojnë, trupat e tyre do të ngjallen përsëri. Ata që flenë në tokë, do të zgjohen e do të bërtasin nga gëzimi, sepse vesa jote është si vesa e dritës vezulluese dhe toka do të sjellë në jetë, ata që për një kohë të gjatë ishin të vdekur.» (Isaia 26:19, The New English Bible) Kështu, të vdekurit që janë duke fjetur në varre, janë po aq të sigurt sa edhe një fëmijë në barkun e nënës. Së shpejti ata «do të lindin», duke u kthyer në jetë në një tokë parajsore!

Cila shpresë mund të jetë më e mirë se kjo?

[Shënimet]

a Mbi këtë ngjarje, raportuan dy gra dhe pesë fëmijë, që kishin mbijetuar sepse ishin fshehur. Gratë, më vonë u treguan hollësirat ushtarëve romakë që i kapën rob.

b Sigurisht, ashtu si shumë fjalë të tjera që kanë një përdorim të gjerë, fjala neʹphesh ka, gjithashtu, nuanca të tjera kuptimore. Për shembull, ajo mund t’i referohet personit të brendshëm, veçanërisht kur i referohet ndjenjave të thella. (1. Samueli 18:1) Ajo mund t’i referohet gjithashtu edhe jetës që një njeri gëzon si shpirt.​—1. Mbretërve 17:21-23.

c Fjala hebreje për «frymë», ruʹach, do të thotë «frymëmarrje» ose «erë». Në lidhje me qeniet njerëzore, ajo nuk i referohet një qenieje të vetëdijshme frymore, por përkundrazi, siç thotë The New International Dictionary of New Testament Theology, «forcës jetësore të individit».

d Ai nuk ishte i fundit që mendonte në këtë mënyrë të çuditshme. Në fillimet e këtij shekulli, një shkencëtar deklaroi se kishte peshuar shpirtin e njerëzve të ndryshëm, duke bërë diferencën ndërmjet peshës së tyre menjëherë para vdekjes dhe peshës menjëherë pas vdekjes.

[Figura në faqen 7]

Zelotët judenj në Masada besonin se vdekja do të çlironte shpirtrat e tyre

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo