A po transferohesh në një vend tjetër?
Në rast se përgjigjja e kësaj pyetjeje është po, kujto se ka shumë gjëra që ti dhe të tjerët duhet të merrni iniciativën t’i bëni. Duke ndjekur hapat bazë që jepen më poshtë, do të mund të stabilizohesh menjëherë në kongregacionin tënd të ri.
(1) Pasi mëson se ku do të transferohesh, sekretari i kongregacionit ku bën pjesë, mund të të sigurojë adresën e Sallës së Mbretërisë të kongregacionit të ri ku do të shkosh. Me të mbërritur në atë zonë, gjej menjëherë se ku ndodhet Salla e Mbretërisë dhe sigurohu për orarin e mbledhjeve të kongregacionit. Nëse salla përdoret nga disa kongregacione, kërkoju pleqve të të tregojnë se në territorin e cilit kongregacion banon. Mos humb kohë për të ndjekur mbledhjet dhe për t’u njohur me pleqtë e kongregacionit të ri.
(2) Sekretarët e të dy kongregacioneve, qoftë të atij ku bën pjesë, qoftë të atij ku do të transferohesh, do të bashkëpunojnë për transferimin e kartelave të Regjistrimit të Lajmëtarit të Kongregacionit, për ty dhe për familjen tënde. Pleqve të kongregacionit të ri do t’i dërgohet edhe një letër rekomandimi. (Shiko Shërbimi ynë i Mbretërisë, shkurt 1991, Kutia e pyetjes, anglisht.) Komiteti i Shërbimit të Kongregacionit ku je transferuar, duhet të njoftojë për mbërritjen tënde drejtuesin e studimit të librit që e bën këtë mbledhje në zonën ku ti banon, në mënyrë që ai të mund të kontaktojë me ty dhe të të ndihmojë të gjesh se në ç’vend ndodhet grupi i ri i studimit të librit ku je caktuar.—Rom. 15:7.
(3) Të gjithë lajmëtarët në kongregacionin tënd të ri, kanë një rol të gëzueshëm për të përmbushur: atë që të njihen me ty dhe të të bëjnë të ndihesh i mirëpritur. (Krahaso 3 Gjonit 8.) Natyrisht, kjo do të thotë se duhet të jesh i pranishëm gjatë mbledhjeve, që të mund të gëzosh një shkëmbim inkurajimi dhe ndërtimi me motrat dhe vëllezërit e krishterë.
(4) Ti nuk duhet të presësh derisa të përfundojë gjithçka që ka të bëjë me transferimin e pastaj të marrësh pjesë në shërbimin në fushë me kongregacionin e ri. Ndërsa vë në radhë të parë interesat e Mbretërisë, çështjet e tjera me kalimin e kohës do të rregullohen dhe do të ndihesh mjaft rehat në mjedisin tënd të ri. (Mat. 6:33) Kur të jesh sistemuar në shtëpinë e re, ndoshta do të duash të ftosh disa lajmëtarë nga kongregacioni për një vizitë dhe për t’u njohur më mirë.—Rom. 12:13b.
Transferimi është një projekt i madh. Megjithatë, kur të gjithë ata që përfshihen në të bëjnë atë që rekomandohet për këto raste, nuk do të hasin pengesa në aspektin frymor. Vëllazëria jonë e dashur e krishterë do të jetë një ndikim pozitiv për të gjithë ata që përfshihen në një projekt të tillë.