JETËSHKRIM
Bekime «në kohë të favorshme dhe në kohë të vështirë»
ERDHA në jetë në mars të vitit 1930, i rrethuar nga të afërm dhe miq që i shërbenin besnikërisht Jehovait. Fshati im i lindjes është Namkumba, afër qytetit të Lilongvës, në vendin që sot quhet Malavi. Më 1942 ia kushtova jetën Perëndisë dhe u pagëzova në një nga lumenjtë tanë piktoreskë. Që atëherë, për 70 vjet jam përpjekur të bëj tamam siç e nxiti apostulli Pavël Timoteun—‘të predikoj fjalën, ta bëj këtë me urgjencë në kohë të favorshme dhe në kohë të vështirë’.—2 Tim. 4:2.
Vizita e parë e Nejthën H. Norit dhe Milton G. Henshelit në Malavi nga fillimi i vitit 1948 më zgjoi dëshirën t’i shërbeja Jehovait në kohë të plotë. I kujtoj me mall komentet zemërdhënëse të atyre përfaqësuesve nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Ishim afro 6.000 veta që rrinim më këmbë në një fushë me baltë dhe dëgjonim tërë sy e vesh fjalimin inkurajues të vëlla Norit, të titulluar «Qeveritari i përhershëm i të gjitha kombeve».
Më vonë takova Lidasin, një motër e hijshme që, si puna ime, ishte rritur në një familje Dëshmitarësh të Jehovait. Mora vesh se edhe ajo kishte si synim të shërbente në kohë të plotë. U martuam më 1950 dhe në vitin 1953 ishim bërë me dy fëmijë. Ndonëse tashti kishim edhe përgjegjësinë për të rritur fëmijët, arritëm në përfundimin që unë mund të nisja shërbimin si pionier i rregullt. Dy vjet më pas, më ftuan të shërbeja si pionier special.
S’kaloi shumë e më dhanë privilegjin të vizitoja kongregacionet si mbikëqyrës qarkor. Falë mbështetjes së madhe të Lidasit, ia dola të kujdesesha për familjen nga ana materiale e frymore ndërkohë që bëja këtë vepër.a Por dëshira e zemrës sonë ishte të shërbenim që të dy në kohë të plotë. Me një planifikim të kujdesshëm dhe me bashkëpunimin e fëmijëve, Lidasi arriti të fillonte shërbimin e plotkohor më 1960.
Asambletë na forconin për përndjekjen që na priste
I shijuam ato «kohë të favorshme» teksa u shërbenim vëllezërve e motrave në kongregacione të ndryshme. Caktimi ynë na çonte nga shpatet e bukura të maleve Mulanie në jug deri në brigjet e paqta të liqenit Malavi, që shtrihet thuajse në krejt anën lindore të vendit. Pamë si rritej pa u ndalur numri i lajmëtarëve dhe i kongregacioneve në qarqet ku shërbyem.
Më 1962 u kënaqëm në kongresin krahinor «Shërbëtorë të guximshëm». Kur hedh vështrimin pas, shoh qartë se këto gosti frymore ishin tamam çka na duhej të gjithëve ne në Malavi që të përgatiteshim për kohët e vështira që na pritnin. Vitin pasues, vëllai Henshel vizitoi sërish Malavinë dhe u mbajt një kongres special me rreth 10.000 të pranishëm afër qytetit të Blantairit. Ai kongres inkurajues do të ishte burim force gjatë sprovave të ardhshme.
IA BEHIN KOHË TË VËSHTIRA
Vepra u ndalua, dhe qeveria konfiskoi pronën e degës
Më 1964 Dëshmitarët hoqën sprova të rënda ngaqë nuk pranonin të merrnin pjesë në veprimtari politike. Në një valë përndjekjeje u shkatërruan mbi 100 Salla Mbretërie dhe më se 1.000 shtëpi të Dëshmitarëve. Prapëseprapë, ne ia dolëm ta vazhdonim veprën udhëtuese deri në vitin 1967, kur qeveria e Malavisë i shpalli të ndaluar Dëshmitarët. Prona e degës në Blantair u konfiskua, misionarët u dëbuan dhe shumë Dëshmitarë vendës u burgosën, mes të cilëve edhe unë e Lidasi. Pasi na liruan, vazhduam me maturi veprën udhëtuese.
Një ditë tetori në vitin 1972, rreth njëqind anëtarë të Lidhjes Rinore të Malavisë, një lëvizje politike ekstremiste, ishin nisur drejt shtëpisë sonë. Por njëri prej tyre vrapoi para të tjerëve e më tha të fshihesha, sepse kishin në plan të më vrisnin. I thashë gruas dhe fëmijëve të fshiheshin mes pemëve të bananeve aty pranë. Pastaj ia futa vrapit dhe u ngjita në një pemë të madhe mangoje. Prej atje shihja si na shkatërronin shtëpinë dhe gjithë plaçkat tona.
Ngaqë vëllezërit tanë nuk përziheshin në politikë, u digjnin shtëpitë
Përndjekja në Malavi sa vinte e egërsohej dhe mijëra prej nesh ikëm nga vendi. Familja jonë ndenji në një kamp refugjatësh në Mozambikun Perëndimor deri në qershor të vitit 1974. Në atë kohë, mua dhe Lidasit na kërkuan të shërbenim si pionierë specialë në qytezën e Domues në Mozambik, pranë kufirit me Malavinë. Vazhduam në atë shërbim deri në vitin 1975, kur Mozambiku fitoi pavarësinë nga Portugalia. Atëherë, bashkë me Dëshmitarë të tjerë, u detyruam të ktheheshim në Malavi, te përndjekësit tanë.
Pas kthimit, më caktuan të vizitoja kongregacionet në kryeqytet, Lilongvë. Me gjithë përndjekjen dhe vështirësitë e shumta, numri i kongregacioneve në qarqet ku patëm privilegjin të shërbenim, shtohej.
PROVOJMË MBËSHTETJEN E JEHOVAIT
Një herë vajtëm në një fshat ku po zhvillohej një mbledhje politike. Disa simpatizantë të partisë zbuluan se ishim Dëshmitarë të Jehovait dhe na detyruan të uleshim mes anëtarëve të një lëvizjeje politike rinore, të quajtur Pionierët e Rinj të Malavisë. Iu lutëm me zjarr Jehovait të na ndihmonte e të na drejtonte në atë situatë që mund të merrte flakë në çast. Kur mbaroi mbledhja, zunë të na rrihnin. Mirëpo një grua e moshuar erdhi me vrap dhe thirri: «Aman, mos u bini më qafë! Ky është djali i tim vëllai. Lëreni të vazhdojë udhën!» Drejtuesi i mbledhjes tha: «Lërini të ikin!» Nuk e morëm vesh ç’pati ajo grua, se nuk e kishim fis. Por besojmë se Jehovai duhet ta ketë dëgjuar lutjen tonë.
Tesera e partisë
Më 1981 ndeshëm prapë disa Pionierë të Rinj të Malavisë. Ata na morën biçikletat, bagazhet, kutitë me libra dhe dokumentet e qarkut. Iu shpëtuam nga duart dhe vrapuam për te shtëpia e një plaku kongregacioni. Edhe kësaj here, u lutëm për atë peripeci. Ishim në merak për gjithë informacionin e dokumenteve që na kishin marrë. Kur panë dokumentet, Pionierët e Rinj gjetën letra që më dërgoheshin nga mbarë Malavia. Kjo u futi datën, sepse kujtuan që isha ndonjë funksionar i lartë. Kështu, në çast ua kthyen gjithçka të paprekur pleqve vendës.
Një herë tjetër po kalonim një lumë me varkë. I zoti i varkës ishte kryetari i partisë në atë zonë, prandaj vendosi t’u kontrollonte gjithë pasagjerëve teserat e partisë. Tek po na afrohej neve, pikasi një hajdut që e kërkonin autoritetet. U shkaktua goxha rrëmujë, e kështu kontrolli i teserave mori fund. Ndiemë sërish mbështetjen e dashur të Jehovait.
ARRESTIMI DHE BURGOSJA
Në shkurt të vitit 1984, po udhëtoja për në Lilongvë që t’i nisja raportet zyrës së degës në Zambie. Kur ja, më ndaloi një polic e më kontrolloi çantën. Pasi gjeti ca literaturë biblike, më çoi në rajonin e policisë e nisi të më rrihte. Më pas më lidhi me litarë dhe më futi në një qeli me të burgosur që ishin kapur duke vjedhur.
Të nesërmen shefi i policisë më çoi në një dhomë dhe atje shkroi këtë deklaratë: «Unë, Trofim R. Nsomba, nuk jam më Dëshmitar i Jehovait, kështu që mund të më lirojnë.» Ia ktheva: «Jam gati jo vetëm të më lidhin, por edhe të vdes. Jam ende Dëshmitar i Jehovait.» Nuk pranova ta nënshkruaja deklaratën. Shefi i policisë u xhindos dhe i ra me grusht tavolinës aq fort sa një polic erdhi me vrap nga dhoma ngjitur që të shihte ç’ndodhi. Shefi i tha: «Ky nuk pranon të nënshkruajë se nuk jep më dëshmi. Le të nënshkruajë, pra, se është Dëshmitar i Jehovait, dhe do ta dërgojmë në Lilongvë që ta lidhin.» Gjatë gjithë kësaj kohe, gruaja ime e dashur vriste mendjen ç’bëhej me mua. Më në fund, pas katër ditësh, disa vëllezër arritën t’i tregonin ku ndodhesha.
Në rajonin e policisë të Lilongvës më trajtuan mirë. Shefi i policisë tha: «Urdhëro, ja ku ke një pjatë oriz, se ty të kanë lidhur për shkak të Fjalës së Perëndisë. Të tjerët këtu janë hajdutë.» Pastaj më dërgoi në burgun e Kaçeres, ku më mbajtën pesë muaj.
Drejtori i atij burgu u kënaq kur vajta unë se donte të isha «pastori» i burgut. E hoqi pastorin e deriatëhershëm e i tha: «S’dua ta mësosh më këtu Fjalën e Perëndisë, se ty të futën në burg ngaqë vodhe kishën tënde.» Kështu më caktuan të mësoja çdo javë Biblën në mbledhjet që mbaheshin për të burgosurit.
Më vonë, gjërat morën për keq. Autoritetet e burgut më pyetën mbarë e prapë që të zbulonin sa Dëshmitarë kishte në Malavi. Kur nuk u dhashë përgjigjet që donin, më rrahën gjersa më ra të fikët. Një herë tjetër, donin të dinin ku ishte qendra jonë. U thashë: «Kjo është një pyetje e thjeshtë e do t’jua tregoj.» Policët u kënaqën dhe filluan të incizonin. U shpjegova se për qendrën e Dëshmitarëve të Jehovait flitet në Bibël. Të çuditur, më pyetën: «Ku në Bibël?»
«Tek Isaia 43:12»,—ua ktheva. E gjetën vargun dhe e lexuan me kujdes: «Ju jeni dëshmitarët e mi,—thotë Jehovai,—dhe unë jam Perëndia.» Pasi e lexuan tri herë, më pyetën: «Po si qenka këtu në Bibël qendra e Dëshmitarëve të Jehovait dhe jo në Amerikë?» U thashë: «Epo edhe Dëshmitarët e Jehovait në Amerikë mendojnë se ky shkrim flet për qendrën e tyre.» Meqë nuk u tregova atë që donin të dëgjonin, më transferuan në burgun e Dzalekës, afër Lilongvës.
BEKIME EDHE NË KOHË TË VËSHTIRA
Në korrik të vitit 1984, iu bashkova 81 Dëshmitarëve të burgut të Dzalekës. Atje ishin rrasur bashkë 300 të burgosur që flinin në dysheme ngjeshur njëri pas tjetrit. Dalëngadalë ne Dëshmitarët arritëm të mblidheshim tok në grupe të vogla për të shqyrtuar çdo ditë një shkrim, që e sugjeronte herë njëri herë tjetri. Sa na jepte zemër kjo!
Më pas drejtori i burgut na veçoi nga të burgosurit e tjerë. Një rojë na rrëfeu fshehtas: «Qeveria nuk ju urren. Ju mbajmë në burg për dy arsye: qeveria ka frikë se mos ju vrasin Pionierët e Rinj dhe, ngaqë predikoni për një luftë të ardhshme, qeveria ka frikë se mos ushtarët e saj ia mbathin gjatë asaj lufte.»
Vëllezërit i çojnë në burg pas gjyqit
Në tetor të 1984-s, duhej të dilnim të gjithë para gjyqit. Secilin nga ne e dënuan me dy vjet burg. Ashtu si më parë, na futën në qeli me ata që nuk ishin Dëshmitarë. Por drejtori i burgut i njoftoi të tërë: «Dëshmitarët e Jehovait nuk pinë duhan. Prandaj, ju roja, mos u bini më qafë duke u kërkuar cigare, as mos i dërgoni të marrin ndonjë thëngjill që t’ju ndezin cigaren. Ata janë populli i Perëndisë! Të gjithë Dëshmitarëve të Jehovait duhet t’u jepet ushqim dy herë në ditë, sepse nuk janë këtu për krime, por për besimin e tyre te Bibla.»
Reputacioni i mirë që gëzonim na solli dobi edhe në mënyra të tjera. Kur ishte terr ose binte shi, të burgosurit nuk lejoheshin të dilnin vërdallë. Kurse ne na lejonin të dilnim sa herë të donim, se ishin të sigurt që nuk do të orvateshim të arratiseshim. Për shembull, një herë kur po punonim në ara, një rojë u sëmur dhe ne e çuam te godinat e burgut që të merrte veten. Autoritetet e burgut e dinin mirë se mund të na zinin besë. Ngaqë mbajtëm sjellje të shkëlqyer, patëm bekimin të shihnim si e lëvdonin emrin e Jehovait ata që na mbanin robër.—1 Pjet. 2:12.b
SHIJOJMË SËRISH KOHË TË FAVORSHME
Më 11 maj 1985, u lirova nga burgu i Dzalekës. Çfarë gëzimi të ribashkohesha me familjen time! Falënderojmë Jehovain që na ndihmoi të mbanim integritetin në ato kohë tejet të vështira! Kur sjellim ndër mend atë periudhë, ndihemi si apostulli Pavël që shkroi: «Nuk duam, o vëllezër, të jeni në padije për shtrëngimin që patëm. . . . Nuk ishim fare të sigurt as për jetën tonë. Në të vërtetë, e ndienim përbrenda se kishim marrë dënimin me vdekje, që të mos kishim besim te vetja, por te Perëndia që ngre të vdekurit. Ai na çliroi . . . nga një gjë kaq e madhe sa vdekja.»—2 Kor. 1:8-10.
Vëlla Nsomba me të shoqen, Lidasin, para një Salle Mbretërie më 2004
Vërtet, kishte raste kur dukej se s’do të mbijetonim dot. Por ngaherë i kërkonim guxim dhe mençuri Jehovait për të mbajtur një frymë të përulur, që të vazhdonim t’i jepnim lavdi emrit të tij të madh.
Jehovai na ka bekuar ndërsa i shërbenim qoftë në kohë të favorshme, qoftë në kohë të vështira. Mrekullohemi kur shohim sot zyrën e degës në Lilongvë që përfundoi në vitin 2000 dhe mbi 1.000 Salla Mbretërie të reja që janë ndërtuar në mbarë Malavinë. Këto bekime nga Jehovai na e mbushin zemrën plot aq sa mua dhe Lidasit na duket sikur jemi në ëndërr!c
a Vëllezërit me fëmijë të mitur në shtëpi nuk ftohen më të shërbejnë në veprën qarkore.
b Për hollësi rreth përndjekjes në Malavi, shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1999, faqet 171-223.
c Ndërsa ky artikull po përgatitej për botim, vëlla Nsomba ra në gjumin e vdekjes në moshën 83-vjeçare.