E premte, 7 nëntor
[Vazhdoni të kërkoni] me besim, pa dyshuar aspak.—Jak. 1:6.
Si Ati ynë i dashur, Jehovait i dhemb zemra kur sheh që vuajmë. (Isa. 63:9) Megjithatë, ai nuk na mbron nga të gjitha sprovat që mund të jenë si një lumë ose si flakë zjarri. (Isa. 43:2) Ama premton se do të na ndihmojë ‘të kalojmë përmes’ tyre. E ai s’ka për të lejuar që sprovat të na shkaktojnë ndonjë dëm të përhershëm. Jehovai na jep edhe frymën e tij të fuqishme për të na ndihmuar të qëndrojmë të palëkundur. (Luka 11:13; Filip. 4:13) Si rezultat, mund të jemi të sigurt se do të kemi gjithmonë fiks atë që na duhet për t’u bërë ballë sprovave e për t’i qëndruar besnikë. Jehovai pret të kemi besim tek ai. (Hebr. 11:6) Hera-herës problemet tona mund të na duken si mure të pakapërcyeshme. Madje mund të dyshojmë nëse Jehovai do të na ndihmojë. Por Bibla na siguron se falë fuqisë së Perëndisë ‘mund të kalojmë mure’. (Psal. 18:29) Prandaj në vend që të lejojmë të na gërryejë dyshimi, duhet të lutemi me besim të plotë, të sigurt se Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona.—Jak. 1:6, 7. w23.11 22 ¶8-9
E shtunë, 8 nëntor
[Dashuria] është si zjarr flakërues, vetë flaka e Jah. Ujërat e trazuara nuk e shuajnë dot dashurinë, as lumenjtë s’e marrin dot me vete.—Këng. 8:6, 7.
Çfarë përshkrimi i bukur për dashurinë e vërtetë! Këto fjalë i sigurojnë çiftet e martuara për këtë të vërtetë: është e mundur ta mbani të fortë dashurinë për njëri-tjetrin. Është në dorë të çiftit të kenë një dashuri të pashuar për njëri-tjetrin për sa kohë të jenë gjallë. Ta ilustrojmë: një zjarr mund të rrijë ndezur pambarimisht—por vetëm nëse i hedhim dru. Nëse askush nuk kujdeset për të, me kalimin e kohës zjarri do të shuhet. Po njësoj, dashuria mes një burri dhe një gruaje mund të qëndrojë e fortë pambarimisht—por vetëm nëse çifti e ushqen. Ndonjëherë, një çift mund të ndiejë që dashuria e tyre po ftohet, sidomos kur janë të rënduar nga vështirësitë ekonomike, problemet shëndetësore ose streset që sjell rritja e fëmijëve. Prandaj, për ta mbajtur ndezur ‘flakën e Jah’, burri dhe gruaja duhet të punojnë që të kenë një miqësi të fortë me Jehovain. w23.05 20-21 ¶1-3
E diel, 9 nëntor
Mos ki frikë!—Dan. 10:19.
Çfarë duhet të bëjmë që të zhvillojmë guxim? Prindërit mund të na nxitin të jemi të guximshëm, por nuk na e trashëgojnë dot këtë cilësi. Të mësosh të jesh i guximshëm është si të zhvillosh një aftësi të re. Një mënyrë si ta përvetësosh një aftësi është të shohësh me vëmendje si vepron një mjeshtër, e pastaj të imitosh shembullin e tij. Po njësoj, ne mësojmë të jemi të guximshëm kur shohim me kujdes si e shfaqin të tjerët këtë cilësi, e pastaj imitojmë shembullin e tyre. Ashtu si Danieli duhet ta njohim mirë Fjalën e Perëndisë. Duhet të krijojmë një lidhje të ngushtë me Jehovain, duke folur shpesh e hapur me të. Gjithashtu duhet të mbështetemi me besim te Perëndia ynë, të sigurt se do të na gjendet gjithmonë pranë. Kështu, kur të na sprovohet besimi, do të tregojmë guxim. Njerëzit e guximshëm shpesh fitojnë respektin e të tjerëve. Gjithashtu mund t’i ndihmojnë njerëzit me zemër të sinqertë të njohin Jehovain. Pra, kemi arsye të shkëlqyera për të zhvilluar guxim. w23.08 2 ¶2; 4 ¶8-9