Paqebërës apo luftënxitës?
«NJË i krishterë nuk duhet të marrë pjesë në veprat e luftës.» Ky pohim përmbledh pikëpamjen e të krishterëve të hershëm mbi luftën, thonë Toko dhe Malusi Mpulvana në Echoes, një revistë e botuar nga Këshilli Botëror i Kishave (KBK). Vetëm «pasi Kisha e Krishterë kishte hyrë në aleancë me sundimtarët politikë» ndodhi, siç shtojnë ata, që kisha filloi të favorizonte «një pranim të domosdoshmërisë së luftës». Rezultati? Mbështetja e luftërave përgjatë shekujve nga i ashtuquajturi krishterim është bërë kaq flagrante, sa pas Luftës së Dytë Botërore, Kisha e Bashkuar e Krishtit në Japoni e ndjeu madje të nevojshme që të botonte zyrtarisht një «Rrëfim të përgjegjësisë për Luftën II Botërore».
Sot, rreth 50 vjet pas Luftës, nami i të ashtuquajturit krishterim si ndërluftues thuajse nuk ka ndryshuar. «Po të pyesim nëse ne, si të krishterë, i kemi thënë vërtet një ‘jo’ të prerë dhe bindëse logjikës së luftës dhe ‘po’ dashurisë së Krishtit,—pranon dr. Roxher Uilliamson, i cili punon për Kishën e Anglisë,—është e qartë se . . . kemi ende shumë për të rrëfyer.» Ndonëse në vitin 1948 KBK-ja deklaroi se «lufta si një metodë për të zgjidhur konfliktet është e papajtueshme me mësimin dhe shembullin e Zotërisë tonë Jezu Krisht», kishat e të ashtuquajturit krishterim, siç vëren Uilliamson, i kanë kontribuar shpesh «fanatizmit, intolerancës, kufizimit të lirisë së njeriut dhe ashpërsimit të konflikteve». S’është për t’u çuditur që ai arrin në përfundimin se «feja . . . shpesh shërben për ta acaruar, në vend se për t’i dhënë fund konfliktit».
Lufta që shkatërroi ish-Jugosllavinë është një shembull i përshtatshëm. Me gjithë padrejtësitë dhe mizoritë që kanë ndodhur për vite të tëra, kishave iu është dukur shumë e vështirë që të marrin një qëndrim të bashkuar rreth konfliktit në atë vend. Përse? Dr. Uilliamson vëren se pavarësisht nga e ashtuquajtura lidhje e tyre e krishterë, kleri serb dhe ai kroat janë po aq të ndarë sa politikanët e vendeve të tyre. Atje dhe gjetkë kleri i të ashtuquajturit krishterim qoftë katolik, ortodoks ose protestant ka vepruar jo si paqebërës, por si ‘kapelan që mban anën e palës së vet’. Edhe pse KBK-së i përkasin tani më shumë se 300 kisha, dr. Uilliamson pranon se është «çuditërisht e vështirë të gjesh shembuj të kishave që bëjnë me të vërtetë . . . paqe».
E rëndë vërtet. Por ndryshe nga kishat anëtare të KBK-së, të cilat vetëm sa po flasin për pajtim, ekziston një fe që ka arritur tashmë sukses duke pajtuar ish-anëtarët e feve të ndryshme dhe duke i ndihmuar ata që të bëhen të krishterë të vërtetë. Sot, të shtyrë nga dashuria e tyre për Perëndinë dhe nga dëshira e tyre për të ‘kërkuar paqen me të gjithë’, Dëshmitarët e Jehovait, që janë më shumë se 5,8 milionë në 233 vende, nuk pranojnë të marrin pjesë në luftërat e kombeve, edhe nëse ato bëhen në vende të tilla, si: Amerika Latine, Azia, Irlanda e Veriut, ish-Jugosllavia, Lindja e Mesme ose Ruanda. (Hebrenjve 12:14; Mateu 22:36-38) Në vend të kësaj, ata po përmbushin profecinë e Biblës ‘duke i farkëtuar shpatat e tyre në plore’ dhe ‘duke mos mësuar më luftën’.—Mikea 4:3, BR.
[Figurat në faqen 31]
Disa prej Dëshmitarëve të Jehovait në Afrikë janë rrahur rëndë, për shkak të asnjanësisë së tyre ose janë bërë refugjatë