Nga lexuesit tanë
Incidentet në pushime Më pëlqeu vërtet artikulli «Si mund t’i shmangni incidentet në pushime». (22 qershor 1998, anglisht) Mësova shumë. Unë as që e dija fare, për shembull, se rreziku për të pasur një trombozë rritet kur qëndron në zona plot me njerëz për një kohë të gjatë.
L. G., Shtetet e Bashkuara
Qeniet njerëzore: Thjesht kafshë më të larta? Dua të shpreh vlerësimin tim të madh për serinë e artikujve «Qeniet njerëzore: Thjesht kafshë më të larta?» (22 qershor 1998, anglisht) Këta artikuj janë konceptuar dhe shkruar shumë mirë. Citimet aktuale të autoriteteve të mirënjohura i bëjnë ato materiale të përshtatshme për specialistët. Në fund të fundit, është thjesht e pamundur të mos pranosh: ne jemi krijimi i Perëndisë.
A. D., Sllovaki
Këta artikuj ishin magjepsës. Zgjohuni! patjetër që di se si t’i përmbledhë të vërtetat e vështira dhe të ndërlikuara në thënie të thjeshta e të pakundërshtueshme.
K. L. D., Gjermani
Fotografia e kapakut, e cila lidhej me artikujt, qe shumë domethënëse dhe brendia jo më pak. Përpjekjet tuaja të vazhdueshme për të mbrojtur të vërtetat biblike prej teorive mashtruese janë të çmuara. Në veprën e predikimit, ky numër i Zgjohuni! ka ngjallur interes të madh te të rinjtë dhe shumë njerëz pa paragjykime e kanë pranuar atë.
M. M., Itali
Një robot eksploron Marsin Sapo përfundova së lexuari serinë e artikujve që përshkruajnë humnerën e stërmadhe që ndan njeriun nga kafshët, kalova tek artikulli i po atij numri i titulluar «Një robot eksploron Marsin». (22 qershor 1998, anglisht) Sa përmbledhtas dhe në mënyrë të pakundërshtueshme e vërtetonte ai artikull çështjen e humnerës intelektuale ndërmjet njeriut dhe kafshëve!
G. D. M., Shtetet e Bashkuara
Po sikur ai të mos i përgjigjet dashurisë sime? Sot mora numrin e 22 qershorit të Zgjohuni! (anglisht) dhe kur pashë artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Po sikur ai të mos i përgjigjet dashurisë sime?» falënderova menjëherë Jehovain që i është përgjigjur lutjeve të mia. Jam e vendosur që ta shqyrtoj këtë artikull me mamin dhe t’i zbatoj këshillat në jetën time. Seria «Të rinjtë pyesin . . .» është vërtet një sigurim i dashur nga Perëndia Jehova.
K. M., Kenia
Jam një grua 22-vjeçare dhe më pëlqen çdo numër i revistës suaj, por kjo qe hera e parë që një artikull preku kaq thellë zemrën time. Kur fillova ta lexoja, i kisha sytë me lot. Ca kohë më parë unë kisha tamam ndjenjat që përshkruanit ju dhe kisha shumë pyetje rreth tyre. Ky artikull më ndihmoi që t’i shikoj gjërat më qartë.
R. B., Lituani
Kur lexova këtë artikull, reagimi im qe: ‘Si mundi ta kuptonte dikush se si ndihem unë?’ Isha shumë e kënaqur të dija se Jehovai me dashamirësi kupton çdo gjë. Revista erdhi sot dhe megjithëse është mesnatë, dëshiroja t’ju shkruaja menjëherë.
A. N., Japoni
Ndonëse artikulli ishte përgatitur duke pasur ndër mend gratë, mua m’u duk shumë i dobishëm. Vetëm një javë më parë mora një refuzim të prerë dhe kjo gjë të lëndon. Artikulli juaj më ndihmoi të shqyrtoja ndjenjat e mia. Ai më qetësoi dhe ç’është më e rëndësishmja, më tregoi se kur të zgjedh një bashkëshorte, duhet të mendoj për të dhënë, jo për të marrë.
P. H. S., Brazil
Shoqëria koreane i jep rëndësi të madhe faktit që një vajzë të martohet sapo të ketë moshën. Është vërtet një sfidë për një të re të krishterë që të presë derisa të ketë ‘kaluar lulen e rinisë’ përpara se të martohet. (1. Korintasve 7:36, BR) Faleminderit për këshillat e shkëlqyera.
S. C., Kore