Një vështrim rreth botës
Të porsalindurit dhe dhimbja
Disa kërkues të një departamenti të Universitetit të Londrës kanë përcaktuar se bebet e porsalindura e ndiejnë dhimbjen më shumë sesa të rriturit dhe për periudha më të gjata kohe. «Vetëm në 10 vjetët e fundit është zbuluar se foshnjat dhe të miturit ndienin dhimbje»,—pohon gazeta The Sunday Telegraph e Londrës. Përpara kësaj, foshnjat e lindura para kohe u nënshtroheshin procedurave traumatike dhe operacioneve pa përdorimin e narkotikëve dhembjeqetësues. Tani mjekët mendojnë se një trajtim i tillë mund të ketë pasoja afatgjata mbi ndjeshmërinë e dhimbjes, madje ndoshta edhe pas fëmijërisë. Kjo ndodh sepse te foshnjat e lindura para kohe, mekanizmi i lindur që ‘zbut’ sinjalet e dhimbjes te fëmijët më të mëdhenj dhe te të rriturit, nuk funksionon siç duhet. Gazeta raporton se foshnjat, gjithashtu, e ndiejnë dhimbjen në një sipërfaqe më të madhe dhe se madje edhe një plagë fare e vogël në lëkurë mund ta bëjë sipërfaqen e dëmtuar tepër të ndjeshme ndaj prekjes edhe shumë kohë pasi plaga vetë është shëruar.
Sugjerimi i studentit çon në zbulim
Duke vepruar sipas një rekomandimi të një studenti të astrofizikës, astronomët i kanë shtuar edhe një tjetër listës së planeteve që rrotullohen rreth yjeve, përveçse rreth diellit tonë. Kevin Aps, një student në Universitetin e Suseksit në Angli, u sugjeroi astronomëve dr. Xhefri U. Marsi dhe dr. R. Pol Batler, dy prej atyre që kishin zbuluar nëntë planetë të tjerë të tillë, që të merrnin në shqyrtim 30 yje ngjashëm diellit, të cilët ishin kaluar pa u vënë re. Ata vepruan kështu dhe zbuluan një planet me madhësinë e Jupiterit që rrotullohej rreth njërit prej yjeve. Për të zgjedhur yjet që rekomandoi të merreshin në shqyrtim, Aps, siç tha dr.Marsi, «përdori të dhënat më të fundit satelitore dhe veçoi yjet që do të kishte më shumë të ngjarë të mbanin planete». The New York Times raporton se diktimi i bërë nga studenti dhe njëkohësisht gjetja e një planeti tjetër nga dy astronomët, e çuan në 12 numrin e planetëve të njohur jashtë sistemit diellor, të gjithë të zbuluar brenda një periudhe trevjeçare.
Simulues i moshës së thyer
Ndërkohë që shumë njerëz përpiqen të ndihen të rinj dhe dinamikë, është krijuar, siç raportohet në gazetën gjermane Die Zeit, një pajisje për të bërë që një person të ndihet i plakur dhe i dobët. Një kompani këshilluese për prodhimin e veshjeve, së bashku me mjekët, krijoi simuluesin e moshës për t’i ndihmuar infermieret dhe stilistët që të kuptojnë «se si e perceptojnë botën njerëzit e moshuar». Pajisja përmban fasha dhe tegela për të kufizuar lëvizshmërinë, 14 kile plumb për të krijuar efektin e dobësimit të muskujve, gunga të forta brenda një palë dorashkash për të penguar lëvizjen e gishtave, kufje për të thithur frekuencat e larta dhe një paret për të zvogëluar fushëpamjen dhe për të përgjysmuar e për të mjegulluar shikimin. Die Zeit sugjeron: «Çdo njeri nën 60 vjeç, duhet të vijë vërdallë me këtë pajisje për nja dy orë, si një kontribut ndaj mirëkuptimit ndërmjet brezave.»
Del në sipërfaqe historia
«Dy shekuj pas një beteje historike që shkatërroi shpresat e Napoleonit për të dërrmuar Perandorinë Britanike, në ujërat e cekëta të një gjiri të Mesdheut është zbuluar flota e perandorit francez»,—thotë gazeta The Toronto Star. Gjatë Betejës së Nilit në vitin 1798, anija kryesore L’Orient dhe anijet La Seriuse dhe La Artemise u fundosën nga Flota Ushtarake Britanike, e udhëhequr nga admiral Horeisho Nelson. Një arkeolog i flotës detare franceze, Frank Godio, e zbuloi flotën në 11 metra thellësi, 2 kilometra larg bregdetit të Aleksandrisë, në Egjipt. «Ky është vendi ku u vendos e ardhmja e Evropës»,—komentoi Godio.
Zogjtë udhëtues heqin bagazhet e tepërta
Revista New Scientist thotë se veshkat, mëlçia dhe organe të tjera të brendshme të disa zogjve tkurren përpara shtegtimeve të gjata. Limosa lapponica, zogj këmbëgjatë me madhësinë e pulëbardhës që shtegtojnë midis Alaskës dhe Zelandës së Re, dënden mirë përpara fluturimit të tyre pa ndalesa prej 11.000 kilometrash. Hulumtuesit Tonis Pirsma i Universitetit të Groningenit në Holandë dhe Robert Gill i Studimeve Gjeologjike të SHBA-së, zbuluan se zogjtë e kompensojnë peshën që fitojnë duke zvogëluar me 25 për qind madhësinë e organeve të tyre të përpunimit të ushqimit. Gill pohon: «Ata ruajnë aq sa, kur të zbresin përsëri në tokë, të mund ta përpunojnë ushqimin dhe të rindërtojnë organet e tyre të brendshme.»
Paralajmërim mbi të miturit dhe mjaltin
Revista Science News thotë se mjalti përmban vitamina, minerale dhe antioksidantë. Në përgjithësi, sa më i errët të jetë mjalti, aq më shumë antioksidantë përmban. Megjithatë, një buletin universitar (UC Berkeley Wellness Letter) bën këtë paralajmërim: «Mos u jepni kurrë mjaltë fëmijëve nën një vjeç.» Sporet e përgjumura të Clostridium botulinum ndodhen afërsisht në 10 për qind të mjaltit dhe mund të shkaktojnë botulizmin foshnjor. «Ndërlikimi mund të shkallëzohet nga sëmundje e lehtë deri në paralizë të rëndë dhe vdekje të papritur, nëse nuk kurohet»,—pohon Wellness Letter. Sidoqoftë, për fëmijët më të rritur mjalti konsiderohet i sigurt.
Pinë duhan për të qenë të dobëta
Gazeta e Kanadasë The Globe and Mail thotë se «dëshira e madhe për të qenë të dobëta» po i shtyn vajzat adoleshente që të pinë duhan. Në një studim të 832 vajzave kanadeze dhe 1.936 vajzave britanike të moshave 10 deri në 17 vjeç, shumë prej tyre «e renditën pirjen e duhanit si një zëvendësuese të të ngrënit» dhe si një aktivitet që i vë fre oreksit. Shumë vajza adoleshente thanë se ato besonin që «nëse hiqnin dorë nga pirja e duhanit, do të hanin më shumë dhe do të shtonin në peshë». The Globe vërente se «raportet tregojnë që vajzat adoleshente janë përgjegjëset kryesore për rritjet më të mëdha të pirjes së duhanit tek adoleshentët në përgjithësi dhe hedhin dritë mbi përqindjen rritëse të kancerit të mushkërive ndërmjet grave».
Kërcënimi i punës mund të çojë në kërcënim të shëndetit
Revista Science News thotë se pasiguria në lidhje me të ardhmen e punës suaj mund t’ju dëmtojë shëndetin. Nga 10.000 nëpunësit britanikë që u përfshinë në një studim mjekësor afatgjatë, një grup prej më shumë se 600 burrash dhe grash, gjatë një periudhe prej katër vjetësh kishin dëgjuar fjalë se departamenti i tyre do t’i shitej sektorit privat. Ndërkohë, mesatarisht, shëndeti i atyre që ishin në këtë grup u keqësua në krahasim me atë të pjesëmarrësve të tjerë të studimit, punët e të cilëve nuk ishin në rrezik. Ata të grupit të kërcënuar patën një rritje të përqendrimeve të kolesterolit në gjak dhe një numër 40 deri në 60 për qind më të lartë të sëmundjeve iskemike të zemrës. Science News vëren: «Gjithashtu, doli se këta punonjës kishte shumë më tepër të ngjarë që të hiqnin dorë nga ushtrimet, të shtonin në peshë, të flinin më shumë se 9 orë dhe të divorcoheshin ose të ndaheshin nga bashkëshorti.»
Përqendrimi i qenit
Çfarë kërkohet që një qen të jetë një diktues i mirë i drogës? Mes të tjerash, siç shpjegon revista New Scientist, një shqisë e shkëlqyer nuhatjeje dhe «përqendrim i patundur». «Një diktues i mirë duhet të jetë i aftë të përqendrohet në detyrën e kërkimit të drogave, me gjithë lëmshin e gjërave shpërqendruese në ndonjë aeroport ose kantier detar»,—vëren raporti. Gjithashtu, ndonëse mund të duhen orë për një kontrollim rutinë të postës, «qentë qëndrojnë kaq të përqendruar, sa as edhe . . . 0,5 gram heroinë . . . e fshehur brenda një dengu të madh letrash, nuk shpëton pa u diktuar». Në vitin 1993 nisi një program për stërvitjen e qenve, i cili ka qenë shumë i suksesshëm. Në fakt, më shumë se 50 për qind e qenve janë kualifikuar për të shërbyer si diktues të drogës me Shërbimin Doganor Australian. Me kalimin e disa breznive të qenve, stërvitësit u përpoqën të zhvillonin veçori të tjera të tilla, si: një dëshirë për lavdërime, një instinkt të fortë gjuetie, qëndrueshmëri dhe guxim.
Harta më e vjetër me numra distancash
Agjencia e shtypit francez France-Presse raporton se arkeologët kinezë kanë gjetur një pllakë të gdhendur bakri 2.300-vjeçare, e cila është në të vërtetë një hartë që ka numra për të treguar distancat. Harta, e cila paraqet një pjesë të vogël të asaj që tani është provinca e Hebeit të Veriut në Kinën Veriore, përdor një shkallë prej afërsisht 1:500. Ajo përfshin një vizatim të mauzoleve mbretërore që i përkitnin mbretit Vang Cuo, i cili jetoi në shekullin e katërt p.e.s. Du Naisong, një kërkues i Qytetit të Ndaluar të Kinës, pohoi: «Kjo është jo vetëm harta më e vjetër që është gjetur ndonjëherë në Kinë, por edhe harta më e vjetër në botë e shënuar me numra.»
Gjashtë miliardë në vitin 1999
E përditshmja franceze Le Monde thotë se brenda këtij viti, popullsia e botës do t’i kalojë të gjashtë miliardët. Megjithatë, ritmi i rritjes së popullsisë po ngadalësohet. Rritja vjetore është 30 për qind më e ulët nga ç’ishte në vitet 60. Kjo ulje e ritmit i detyrohet pjesërisht përdorimit më të madh të kontraceptivëve dhe arsimimit më të mirë të vajzave. Sipas raportit, të rinjtë e moshave 15 deri në 24 vjeç numërohen tani në mbi një miliard, ndërsa më shumë se 578 milionë njerëz janë mbi 60 vjeç.