A e dalloni atë këngë?
CILËN këngë? Ndonjë këngë të njohur nga e kaluara? Po, këngë nga e kaluara shumë e largët, ndoshta këngët më të vjetra të dëgjuara në tokë. Cilat janë ato? Këngët e zogjve.
Shumë njerëz i identifikojnë zogjtë nga ngjyrat, zbukurimet, stili i fluturimit dhe nga mënyra e ndërtimit të foleve të tyre. Por, a i keni dëgjuar ndonjëherë me vëmendje zogjtë, që t’i identifikoni nga këngët e tyre?
Me disa zogj është shumë e lehtë, sepse nuk kanë një shumëllojshmëri të madhe tingujsh. Për shembull, merrni sorrën mistrece. Megjithëse është një nga zogjtë më të zgjuar, «krrau- krrau» i saj i ngjirur e identifikon menjëherë. Edhe korbat sqepbardhë dallohen për krakëllimat e tyre të zhurmshme. Një zog tjetër, tingujt e pikëlluar të të cilit mund t’ju çmendin gjatë natës, është dallëndyshja e natës. Emri që ka u bën jehonë tingujve të saj, që duket sikur vazhdojnë pafundësisht, sidomos kur doni të flini.
Në kontrast me të, «trumcakët e kënetave kanë shpesh repertorë me mbi 100 këngë, ndërsa zogu imitues me 100 deri 200. Një zog këngëtar ngjyrë kafe paraqiti më shumë se 2.000 këngë»!—Audubon, mars-prill 1999.
Për të caktuar kufijtë e një territori dhe për të tërhequr femrat, zakonisht janë meshkujt ata që këndojnë. Megjithatë, ndonjëherë, disa femra bashkohen me korin e zogjve. Kështu ndodh me bengjet e Baltimores ose të Veriut, me kardinalët në Amerikën Veriore dhe me sqepmëdhenjtë që kanë kraharor të trëndafiltë.
A i njihni zogjtë e asaj pjese të botës ku jetoni? Në shumë vende ka kaseta me këngë zogjsh, të cilat mund t’ju ndihmojnë t’i dalloni zogjtë nga tingujt e tyre. Madje mund të blini edhe orë që çdo 60 minuta bien me këngën e një zogu të ndryshëm. Të paktën do të mësoni shumë shpejt 12 tinguj!
[Figura në faqen 31]
Trumcak kënetash
[Figura në faqen 31]
Sqepmadh me kraharor të trëndafiltë
[Figura në faqen 31]
Kardinali