Fuqia e muzikës
«Vetëm muzika me magjepsjet e befta mund të rehatojë shpirtin e trazuar dhe të qetësojë mendjen e shqetësuar.»
KËSHTU shkruante rreth 300 vjet më parë Uilliam Kongriv në Himn për harmoninë. Shekuj përpara, në disa vepra të lashta greke thuhej se «stërvitja muzikore është më e fuqishme se çdo mjet tjetër, sepse ritmi dhe harmonia depërtojnë deri në thellësitë e shpirtit».
Vërtetësinë e këtij fakti e kanë vënë re disa prindër që kanë vërejtur se pasi fëmijët e tyre adoleshentë ushqeheshin rregullisht me muzikë heavy metal, bëheshin të zymtë dhe jo bashkëpunues. Kjo gjë u pa edhe gjatë viteve 30 e 40 në Gjermani, kur nazistët përdornin marshe nxitëse, që t’i përgatitnin turmat e mëdha për të dëgjuar fjalimet hipnotizuese të Adolf Hitlerit.
S’ka dyshim që muzika mund të ndikojë në mendje e në zemër dhe mund të përdoret për t’i manipuluar ato qoftë për mirë, qoftë për keq. Për shembull, ekspozimi i fëmijëve ndaj disa llojeve të muzikës mendohet se rrit zhvillimin e tyre mendor dhe emocional. Madje personat që belbëzojnë mund të thonë disa herë me këngë fjali që normalisht nuk mund t’i shqiptojnë.
Efektet e muzikës mbi pacientët, të cilët kanë sëmundje neurologjike që shkaktojnë çrregullime në lëvizje janë në disa raste të mahnitshme, siç tregon Antoni Stor në librin e tij Music and the Mind (Muzika dhe truri). Stor përmend shembullin e një pacienteje: «E ngrirë në një palëvizshmëri të plotë nga sëmundja [e Parkinsonit], ajo qëndronte krejt e paaftë për të lëvizur derisa arrinte të kujtonte melodi që i kishte njohur në rininë e saj. Kjo gjë ringjallte papritmas aftësinë e saj për të lëvizur përsëri.»
Një shkak për shqetësim
Kështu pra duket se fuqia e muzikës sjell dobi. Gjithsesi, ekziston rreziku që njerëz të degjeneruar ose lakmitarë mund ta përdorin fuqinë e muzikës si një vegël shkatërrimtare. Disa studime kanë treguar lidhjen e drejtpërdrejtë midis sjelljes antishoqërore dhe disa llojeve të muzikës.
Në mbështetje të këtyre pohimeve, botimi Psychology of Women Quarterly njofton: «Ekzistojnë një sërë dëshmish që lënë të kuptohet se shikimi i videove të muzikës rok ka të njëjtin efekt si shikimi i pornografisë, pasi ata burra të cilëve iu shfaqën video me muzikë të dhunshme rok shfaqën qëndrime më të pashpirta dhe armiqësore kundrejt grave sesa ata të cilëve iu shfaqën video rok jo të dhunshme.»
Ky efekt nuk kufizohet vetëm te burrat. Edhe gratë mund të ndikohen. I njëjti buletin shton: «Si burrat, ashtu edhe gratë mund të fillojnë të pranojnë mesazhet negative që paraqesin këto këngë lidhur me mungesën e vlerës së grave.»
Gazeta Sex Roles bie dakord me këtë përfundim, duke pohuar: «Një studim i kohëve të fundit . . . konstatoi se ndërthurja e ardhjes nga një ambient i pakëndshëm familjar me ekspozimin e tepruar ndaj videove muzikore shoqërohej në një masë të madhe me qëndrime dhe sjellje tolerante seksuale mes adoleshenteve.» Disa tekste këngësh të muzikës rep, të cilat jepnin një përshkrim të gjallë të dhunës dhe flitnin hapur për seksin bënë që një gjykatës qarku në SHBA ta shpallte një album të caktuar të muzikës rep «të turpshëm për normat e atij komuniteti».
A po tregohej ekstremist gjykatësi? Aspak! Revista Adolescence arrinte në përfundimin se «si adoleshentët, ashtu edhe prindërit e tyre raportojnë shumë më tepër shqetësime në jetën e atyre adoleshentëve që dëgjojnë muzikë heavy metal dhe rep». Këto shqetësime kanë të bëjnë me «mënyrat agresive dhe shkatërruese të të sjellurit» dhe me rezultatet jo të mira në shkollë.
Vërtet, lidhja midis disa llojeve të muzikës dhe seksit, vetëvrasjes e sjelljes antishoqërore është e dokumentuar mirë. Por a do të thotë kjo se të gjitha llojet e muzikës shoqërohen me efekte të tilla negative? Lexoni ç’thonë për këtë artikujt vijues.
[Diçitura në faqen 4]
Muzika mund të ndikojë në zemër e në mendje qoftë për mirë, qoftë për keq