Si ndikon droga në jetën tonë?
ASHTU si një kërpudhë që kalbëzon trarët e drunjtë të një shtëpie, droga mund të brejë gjithë strukturën e shoqërisë. Që të funksionojë siç duhet, shoqëria njerëzore duhet të ketë familje të forta, punonjës të shëndetshëm, qeveritarë të besueshëm, polici të ndershme dhe qytetarë që u binden ligjeve. Droga gërryen çdonjërin nga këto elemente themelore.
Një arsye se përse qeveritë e kanë ndaluar përdorimin jomjekësor të drogave është dëmi që i shkaktojnë ato shëndetit të qytetarëve. Çdo vit, vdesin nga mbidoza me mijëra narkomanë. Mijëra të tjerë vdesin nga SIDA. Në fakt, afro 22 për qind e njerëzve të infektuar me virusin e HIV-it në mbarë botën janë të droguar që i kanë injektuar vetes drogë me shiringa të infektuara. Me arsye të vlefshme, Naser Bin Hamad Al-Kalifa, nga Katari, paralajmëroi në një konferencë të kohëve të fundit të Kombeve të Bashkuara se «fshati global po shndërrohet në një varr të përbashkët për miliona qenie njerëzore, si pasojë e tregtisë së drogave».
Por, preket më shumë sesa shëndeti i përdoruesit. Rreth 10 për qind e të gjitha foshnjave të lindura në Shtetet e Bashkuara kanë qenë të ekspozuara ndaj ndonjë lloj droge—në shumicën e rasteve ndaj kokainës—ndërsa ndodheshin në mitër. Simptomat e dhimbshme që vijnë nga ndërprerja e drogës nuk janë i vetmi problem që përballojnë ato. Ekspozimi ndaj drogës në mitër mund të bëjë që të sapolindurit të pësojnë edhe dëme të tjera si mendore, ashtu edhe fizike.
Fitim i lehtë parash nga droga: Joshje e papërballueshme
A ndihesh i sigurt të kalosh në lagjen tënde pasi është errësuar? Nëse jo, ka të ngjarë që kjo të jetë për shkak të trafikantëve të drogës. Plaçkitjet dhe dhuna në rrugë, shkojnë krah për krah me drogën. Ata që drogohen shpesh i drejtohen krimit ose prostitucionit, për të financuar vesin e tyre, ndërsa bandat rivale luftojnë dhe vrasin për të ruajtur kontrollin mbi shpërndarjen e drogës. Me të drejtë, në shumë qytete policia e konsideron drogën si një faktor që lidhet me shumicën e vrasjeve që hetohen.
Në disa vende, rebelët kanë përfituar edhe nga përdorimi i forcës në tregtinë fitimprurëse të narkotikëve. Një grup i madh gueril në Amerikën Jugore, tani e nxjerr gjysmën e të ardhurave të tij duke u siguruar mbrojtje trafikantëve të drogës. «Të ardhurat që vijnë nga droga financojnë disa nga konfliktet më të ashpra fetare dhe etnike në botë»,—raporton Programi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Kontrollin e Drogës.
Tragjedi ndërsa janë nën efektin e saj
Përdoruesit e drogës i bëjnë rrugët të pasigurta edhe në mënyra të tjera. «Ta ngasësh makinën nën efektin e marihuanës ose të LSD-së mund të jetë po aq e rrezikshme sa ta ngasësh nën efektin e alkoolit»,—thotë Majkëll Kronenveter në librin e tij Drugs in America. Nuk është për t’u çuditur që përdoruesit e drogës kanë, gjithashtu, tri a katër herë më shumë mundësi për t’u përfshirë në aksidente në vendin e punës.
Gjithsesi, shtëpia është ndoshta vendi ku droga shkakton dëmet më të mëdha. «Shpesh jeta familjare e shkatërruar dhe marrja e drogës janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën»,—thuhet në botimin World Drug Report. Ata prindër që e kanë humbur mendjen pas dëshirës së madhe për drogë, rrallë u sigurojnë fëmijëve të tyre një jetë të sigurt familjare. Madje edhe lidhja foshnjë-prind—kaq jetësore gjatë javëve të para të jetës së fëmijës—mund të pengohet. Veç kësaj, ata prindër që drogohen, shpesh hyjnë në borxhe dhe mund të vjedhin miqtë e familjen ose mund të përfundojnë të papunë. Shumë fëmijë që rriten në një ambient të tillë largohen nga shtëpia ose futen madje edhe ata vetë në rrugën e drogës.
Abuzimi me drogën mund të çojë edhe në abuzim fizik, ndaj bashkëshortit tjetër ose ndaj fëmijëve. Kokaina, veçanërisht kur kombinohet me alkoolin, mund të provokojë sjellje të dhunshme te një person, i cili në rast të kundërt mund të ishte mjaft i sjellshëm. Sipas një sondazhi të bërë në Kanada me përdorues të kokainës, 17 për qind e atyre që u morën në pyetje e pranuan se bëheshin agresivë pasi merrnin drogë. Ngjashëm, në një artikull rreth abuzimit me fëmijët në Nju Jork, përllogaritej se 73 për qind e fëmijëve që rriheshin për vdekje, kishin prindër që abuzonin me drogën.
Korruptim dhe ndotje
Ashtu si shtëpia mund të minohet nga droga, e njëjta gjë mund të thuhet për qeveritë. Në këtë rast janë paratë që nxirren nga droga ato që helmojnë sistemin, në vend se droga vetë. «Droga ka korruptuar nëpunës të qeverisë, policinë dhe ushtrinë»,—u ankua një ambasador nga një vend i Amerikës Jugore. Ai shton se ajo shumë parash që mund të fitohet kollaj është «vërtet një tundim mjaft i madh» për ata që mezi sa e nxjerrin bukën e gojës.
Nga një vend në tjetrin, gjykatës, kryetarë bashkie, policë e madje edhe punonjës të forcave anti-drogë kanë ngecur në rrjetën e korrupsionit. Politikanët, fushata elektorale e të cilëve mund të jetë financuar nga bosët e drogës, bëjnë një vesh të shurdhër kur u bëhet thirrje që të marrin masa të rrepta kundër trafikut të drogës. Shumë nga punonjësit e ndershëm që kanë marrë pjesë me kurajë në fushatat kundër drogës, janë vrarë.
Edhe toka e pyjet tona, si edhe gjallesat që jetojnë në to, po vuajnë nga murtaja mbarëbotërore e drogës. Një përqindje e madhe e prodhimit të opiumit dhe të kokainës është përqendruar në dy rajone që janë veçanërisht të ndjeshme ndaj dëmtimit të mjedisit: pyjet e shiut në perëndim të Amazonës dhe ato në Azinë Juglindore. Në këto vende, shkretimi ka qenë mjaft i madh. Edhe përpjekjet e lavdërueshme për të shfarosur të mbjellat e paligjshme të drogave shkaktojnë dëme të rënda, për shkak të herbicideve toksike që përdoren.
Kush paguan?
Kush paguan për tërë dëmet që sjell droga? Të gjithë ne. Po, të gjithë ne paguajmë për rënien e rendimentit në punë, për koston e trajtimit mjekësor, për zotërimet e vjedhura a të dëmtuara dhe për shpezimet e zbatimit të ligjit. Në një raport të Departamentit të Punës të SHBA-së, përllogaritej se «përdorimi i drogës në vendet e punës mund t’i kushtojë biznesit dhe industrisë amerikane një shumë prej 75 miliardë deri në 100 miliardë dollarë çdo vit . . . për shkak të kohës së humbur, aksidenteve dhe shpenzimeve më të mëdha për kujdesin shëndetësor, si edhe kostos së zhdëmtimit të punonjësve».
Gjithë këto para në fund të fundit dalin nga xhepat e taksapaguesve dhe konsumatorëve. Në një studim të kryer në Gjermani në vitin 1995, llogaritej se kostoja e përgjithshme vjetore si pasojë e abuzimit me drogën në atë vend ishte 120 dollarë për çdo qytetar. Në Shtetet e Bashkuara, një llogaritje e përafërt nxori një shifër akoma më të lartë: 300 dollarë për person.
Një shpenzim shumë më i madh, ama, është dëmi social që i sjell droga shoqërisë. Kush mund të caktojë një çmim për shpërbërjen e kaq shumë familjeve, për abuzimin ndaj kaq shumë fëmijëve, për korruptimin e kaq shumë zyrtarëve dhe për vdekjen e parakohshme të kaq shumë njerëzve? Çfarë nënkupton tërë kjo për jetën njerëzore? Artikulli vijues do të shqyrtojë se si ndikon droga në jetën e atyre që e përdorin.
[Kutia dhe figura në faqen 7]
DROGA DHE KRIMI
DROGA LIDHET ME KRIMIN TË PAKTËN NË KATËR MËNYRA:
1. Thuajse në çdo vend të botës, mbajtja dhe trafiku i paautorizuar i drogës konsiderohen shkelje të ligjit. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, policia arreston çdo vit rreth një milion njerëz me akuzën për mbajtje ose trafik droge. Në disa vende, sistemi i drejtësisë penale po mbytet prej një vale në rritje shkeljesh të ligjit për drogën, të cilave policia dhe gjykatat nuk mund t’u bëjnë ballë.
2. Duke qenë se droga kushton shumë, ata që drogohen, shpesh i drejtohen krimit, që të financojnë vesin e tyre. Një kokainomani mund t’i duhen të paktën 1.000 dollarë në javë për t’u droguar! Nuk është për t’u çuditur, pra, që kur në një zonë zë rrënjë droga, atëherë mbijnë si kërpudha vjedhjet me thyerje, plaçkitjet dhe prostitucioni.
3. Krime të tjera kryhen për të lehtësuar trafikun e drogës, një nga bizneset më fitimprurës në botë. «Droga dhe krimi i organizuar janë pak a shumë të ndërvarur»,—shpjegohet në World Drug Report. Me qëllim që droga të vazhdojë të kalojë lirshëm nga një zonë në tjetrën, trafikantët përpiqen të korruptojnë ose të trembin zyrtarët. Disa madje krijojnë ushtritë e tyre private. Edhe fitimet e jashtëzakonshme që nxjerrin bosët e drogës krijojnë probleme. Derdhjet e stërmëdha të parave mund të përbënin fare lehtë një akuzë kundër tyre, nëse paratë nuk do të spastroheshin. Kështu futen në lojë banka dhe avokatë, që të mbulojnë gjurmët e transferimit të parave të drogës.
4. Vetë efekti i drogës mund të çojë në veprimtari kriminale. Pjesëtarët e familjes mund të pësojnë abuzime nga të droguarit kronikë. Në disa vende afrikane ku ka pllakosur lufta civile, janë kryer krime të lemerishme nga ushtarë adoleshentë, të cilët kanë qenë nën efektin e drogës.
[Figura në faqen 6]
Përdorimi i drogës nga nëna mund të dëmtojë foshnjën
[Burimi]
SuperStock