A mund të fitohet lufta kundër drogës?
TË FITOSH luftën kundër drogës është një synim i lavdërueshëm, por një detyrë aspak e lehtë. Mekanizmi i drogës vihet në lëvizje nga dy motorë të fuqishëm: oferta dhe kërkesa. Për afro një shekull, qeveritë dhe forcat e policisë janë përqendruar në pakësimin e ofertës. Supozimi i tyre ishte i thjeshtë: s’ka drogë, s’ka të droguar.
Sulm kundër ofertës
Duke punuar drejt këtij synimi, skuadrat anti-drogë të policisë kanë konfiskuar ngarkesa të mëdha droge dhe bashkëpunimi ndërkombëtar ka çuar në arrestimin e një sërë trafikantësh me nam të drogës. Por realiteti i zymtë është se ndonëse mbikëqyrja efikase mund t’i detyrojë disa trafikantë droge që të transferohen diku gjetkë, që të kërkojnë tregje të tjera ose që të bëhen më dinakë, ajo nuk i bën ata të ndërpresin aktivitetin. «Ne nuk do të jemi kurrë një palë e denjë luftuese kundër trafikantëve të drogës, për sa kohë që ata të kenë fonde të pakufizuara, ndërsa neve të na duhet të luftojmë për të siguruar fonde nga shteti»,—pranonte një ekspert në fushën e narkotikëve.
Xho de la Roza, oficer i parandalimit të krimeve në Forcat Policore të Gjibraltarit, foli me korrespondentin e Zgjohuni! për vështirësitë e kontrollimit të trafikut të drogës ndërmjet Afrikës dhe Gadishullit Iberik. «Gjatë 1997-ës, ne mblodhëm rreth 400 kile rrëshirë të bimës së kanabisit,—tha ai.—Në fakt pjesa më e madhe e saj nuk iu konfiskua trafikantëve të drogës, por u gjend duke pluskuar mbi ujë ose në plazhe, ku ishte nxjerrë në breg nga deti. Kjo mund të japë një ide të sasisë së stërmadhe të drogës që kalon çdo vit nëpër ngushticën e Gjibraltarit. Ajo që konfiskojmë ne është vetëm maja e ajsbergut. Trafikantët që bëjnë rrugën nga Afrika në Spanjë kanë motobarka të shpejta, të cilat i lënë në bisht motobarkat e policisë sonë doganore. Veç kësaj, nëse e nuhasin që janë në rrezik të kapen, ata thjesht e hedhin drogën në ujë, kështu që ne nuk kemi asnjë provë për t’i akuzuar.»
Në vende të tjera të botës, policia has probleme të ngjashme. Udhëtarë me pamje normale, avionë të vegjël, anije mallrash e madje edhe nëndetëse, kalojnë drogë kontrabandë përmes oqeaneve ose përmes pjesëve të kufirit ku mund të futesh më kollaj. Në një raport të Kombeve të Bashkuara llogaritej se «do të duhej të bllokohej të paktën 75 për qind e transportimit ndërkombëtar të drogës, me qëllim që fitimet e trafikut të drogës të pakësohen në një masë të konsiderueshme». Tani për tani, përqindja e bllokimit është ndoshta jo më shumë se 30 për qind për kokainën dhe mjaft më e ulët për drogat e tjera.
Përse, atëherë, qeveritë nuk e sulmojnë problemin në rrënjë dhe të shkatërrojnë gjithë të mbjellat e kanabisit, lulëkuqet e opiumit dhe gëmushat e kokës? Kohët e fundit, Kombet e Bashkuara kanë rekomanduar ndërmarrjen e këtij hapi, por bërja e kësaj s’është diçka e lehtë. Kanabisi mund të rritet pothuajse në çdo kopsht. Një zonë kryesore e rritjes së kokës në Ande, ndodhet në një rajon të përcaktuar si «jashtë rrezes së kontrollit shtetëror». Situata të ngjashme ekzistojnë edhe në disa zona të largëta të Afganistanit dhe Birmanisë, të cilat janë burime të rëndësishme të opiumit dhe të heroinës.
Si për t’i ndërlikuar akoma më tej gjërat, trafikantët e drogës mund të kthehen me lehtësi te drogat artificiale, për të cilat ka një kërkesë në rritje. Gjithashtu, laboratorët e fshehtë mund t’i prodhojnë këto droga sintetike thuajse kudo në botë.
A mund të pakësohet tregtia e drogës nga një mbikëqyrje më e efektshme dhe nga dënime më të rrepta burgimi? Ka shumë shpërndarës droge, shumë të droguar dhe tepër pak policë për ta bërë këtë metodë të realizueshme. Shtetet e Bashkuara, për shembull, kanë mbrapa hekurave të burgut afro dy milionë njerëz, shumë prej të cilëve për shkelje të ligjit në lidhje me drogën. Por kërcënimi i dënimit me burgim nuk i ka penguar njerëzit të marrin drogë. Në shumë vende në zhvillim, ku ka një bum të shitjes së drogës, forcat e policisë të pakta në numër dhe të paguara jo mirë, nuk kanë fuqi ta frenojnë rrymën.
A mund të pakësohet kërkesa për drogë?
Nëse përpjekjet për të kontrolluar ofertën e drogës kanë dalë të kota, ç’mund të thuhet për pakësimin e kërkesës? «Lufta kundër drogës është në të vërtetë një betejë në zemra e mendje, e jo thjesht një çështje për policinë, gjykatat dhe burgjet»,—vërehet në revistën Time.
Xho de la Roza, i cituar më sipër, mendon po ashtu se edukimi është mënyra e vetme për të luftuar drogat. «Dhënia pas drogës është një problem social i krijuar nga shoqëria, kështu që na duhet të ndryshojmë shoqërinë ose të paktën të ndryshojmë mënyrën e të menduarit të njerëzve,—thotë ai.—Ne po përpiqemi të përfshijmë shkollat, prindërit dhe mësuesit, në mënyrë që të gjithë të jenë të vetëdijshëm se rreziku është i pranishëm, se droga gjendet kudo dhe se fëmijët e tyre mund të bien viktima të saj.»
Ajo që kanë bërë Dëshmitarët e Jehovait
Për shumë vite Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë të përfshirë aktivisht në një vepër arsimimi, për t’i ndihmuar njerëzit që të shmangin drogën. Ata kanë përgatitur informacione për t’i ndihmuar prindërit që t’i mësojnë fëmijët e tyre rreth rreziqeve të drogës.a Për më tepër, shërbimi i tyre ka ndihmuar në ndryshimin e shumë personave të droguar dhe trafikantëve të drogës.
Ana, e përmendur në artikullin e mëparshëm, u njoh me Dëshmitarët e Jehovait sepse motra e saj kishte dëgjuar për suksesin që kishin ata kur ndihmonin të droguarit. Anës nuk i interesonte edhe aq Bibla, por shkoi si me gjysmë zemre në një asamble të mbajtur nga Dëshmitarët. Atje i zunë sytë një burrë, i cili kishte qenë shpërndarës famëkeq droge, por që kishte ndryshuar plotësisht si pamjen, ashtu edhe mënyrën e jetesës. «Mendova me vete që nëse kishte mundur të ndryshonte ai, mund ta bëja edhe unë,—thotë Ana.—Transformimi i tij më bindi se duhet të pranoja ofertën për një studim biblik.
Qysh herën e parë të studimit biblik, vendosa të qëndroja në shtëpi, pasi e dija se po të largohesha nga shtëpia, do të takoja të droguar të tjerë dhe do t’i kthehesha drogës. Tashmë e dija se droga ishte diçka e gabuar dhe se Perëndisë nuk i pëlqen ky zakon. Kisha parë edhe efektin e drogës mbi njerëzit dhe dëmin që i kisha shkaktuar familjes sime. Por më nevojitej forcë shpirtërore, që të çlirohesha nga skllavëria e drogës. Detoksikimi ishte i rëndë. Për njëfarë periudhe vetëm flija tërë ditën, ndërkohë që pasojat e drogës pakësoheshin. Por ia vlejti barra qiranë.»
Shpresë e vërtetë dhe jetë me domethënie
Pedro, burri i Anës, i përmendur po ashtu në artikullin e mëparshëm, shpëtoi në një mënyrë të ngjashme. «Një ditë, ndërsa po pija hashash në shtëpinë e tim vëllai, më zuri syri një libër me një titull që më tërhoqi,—kujton Pedro.—Titullohej E vërteta që të çon në jetën e përhershme. E mora me vete në shtëpi, e lexova dhe kontrollova shkrimet. Isha i sigurt se kisha gjetur të vërtetën.
Leximi i Biblës dhe fakti që flisja me të tjerët për atë që po mësoja, më bënin të ndihesha më mirë dhe dëshira ime e madhe për drogë u pakësua. Vendosa të mos e kryeja planin që kisha bërë për të grabitur me armë një stacion gazi. Një shok po studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe shpejt unë ndoqa shembullin e tij. Brenda nëntë muajsh ndreqa mënyrën time të jetesës dhe u pagëzova. Gjatë asaj kohe, shumë ish-shokë të mi më ofronin drogë, por unë filloja t’u flisja menjëherë për Biblën. Disa reaguan në mënyrë të favorshme. Njëri madje arriti ta linte drogën.
Për të hequr dorë nga vesi i drogës, të nevojitet shpresë. Bibla ma dha atë shpresë, i dha domethënie jetës sime dhe më tregoi qartë pikëpamjen e Perëndisë për drogën dhe dhunën. Vura re se dora-dorës që mësoja për të Plotfuqishmin, ndihesha më mirë dhe se kjo gjë nuk sillte asnjë efekt anësor. Më vonë, shoqërimi në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait me njerëz që bënin një jetë të pastër, më ndihmoi të vazhdoja në këtë rrugë.»
Nga trafikant droge në murator
Hozé, trafikanti i drogës i përmendur në artikullin e mëparshëm, tani është përsëri një murator. Për të nuk qe e lehtë ta ndërpriste biznesin e tij fitimprurës. «Droga të sjell shumë para,—pranon ai,—por kjo s’është një mënyrë e mirë për t’i fituar ato. Shikoj të rinj me pistoleta dhe makina vezulluese. Familjet rrënohen, krimi bën kërdinë në rrugë dhe shumë të droguar futen me dhunë në makina, vjedhin dyqane ose plaçkitin njerëzit, që të kenë para për drogë. Shumë e nisin me hashashin, vazhdojnë me ekstazën o me pilula të tjera dhe pastaj provojnë kokainën ose madje heroinën. E kuptoj se edhe unë kisha gisht në futjen e shumë njerëzve në këtë qark.
Ndërsa studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, bindesha gjithnjë e më shumë se përzierja ime me drogën ishte e gabuar. Dëshiroja të kisha një ndërgjegje të pastër dhe gruaja ime, e cila gjithashtu po studionte, dëshironte të njëjtën gjë. Pa dyshim, është e vështirë ta ndërpresësh punën me drogën. U shpjegova klientëve dhe trafikantëve të mi se po studioja Biblën dhe se e kisha lënë tregtinë e drogës. Në fillim ata nuk më besonin, e disa nuk më besojnë ende. Gjithsesi, unë hoqa dorë rreth dy vjet më parë dhe nuk jam penduar për asnjë moment.
Vitin e fundit kam punuar si murator, që është zanati im. Tani në një muaj fitoj çerekun e asaj që mund të fitoja si trafikant droge në një ditë. Por kjo është një mënyrë më e mirë jetese dhe ndihem i lumtur.»
Një zgjidhje e vërtetë mbarëbotërore
Disa trafikantë të guximshëm e kanë lënë tregtinë e drogës. Gjithashtu, forma të ndryshme rehabilitimi i kanë ndihmuar mijëra të droguar që ta mposhtin vesin e tyre. Por, siç pohohet në World Drug Report, «për ata që e teprojnë me drogën nga shumë kohë, heqja dorë për një kohë të gjatë është një përjashtim e jo një rregull». Mjerisht, për çdo të droguar që heq dorë, ka një numër viktimash të reja që zihen në grackë. Oferta dhe kërkesa vazhdojnë të rriten.
Për të fituar luftën kundër drogës, duhet një zgjidhje mbarëbotërore, sepse tashmë problemi shtrihet në mbarë botën. Lidhur me këtë, Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Drogat Narkotike vëren: «Ndërkohë që në shumicën e vendeve abuzimi me drogën, trafiku i drogës dhe kriminaliteti që lidhet me problemin e drogës dalloheshin si një nga kërcënimet më të mëdha të sigurisë, njerëzit ishin gjithnjë e më pak të vetëdijshëm për faktin që droga ishte një problem mbarëbotëror, i cili nuk mund të zgjidhej më vetëm me përpjekjet e një shteti.»
Por a do të bashkohen qeveritë e botës për të çrrënjosur këtë murtajë mbarëbotërore? Rezultatet deri tani nuk kanë qenë shpresëdhënëse. Bibla, megjithatë, e drejton vëmendjen te një qeveri qiellore si zgjidhja përfundimtare, një qeveri që do t’i kapërcejë kufijtë kombëtarë. Bibla na siguron se Mbretëria e Perëndisë, e drejtuar nga Jezu Krishti, do të qëndrojë «në shekuj të shekujve». (Zbulesa 11:15) Si rezultat, nën Mbretërinë e Perëndisë, arsimimi hyjnor do të garantojë zhdukjen e kërkesës për drogë. (Isaia 54:13) Veç kësaj, problemet sociale dhe emocionale që tani krijojnë një ambient pjellor për abuzimin me drogën, do të jenë eliminuar njëherë e përgjithmonë.—Psalmi 55:22; 72:12; Mikea 4:4.
Keni nevojë për ndihmë?
Qysh tani, shpresa te Mbretëria e Perëndisë, e cila është në duart e Krishtit, po i nxit njerëzit që t’i thonë ‘jo’ drogës. Nëse dëshironi më shumë informacion, ju lutemi të kontaktoni me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj.
[Shënimi]
a Shiko kapitullin 34 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, të titulluar «Përse t’i them jo drogës?», botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Figura në faqen 11]
Një arrestim për drogë
[Burimi]
K. Sklute/SuperStock
[Figura në faqen 12]
Pedro dhe e shoqja, Ana, duke studiuar Biblën me fëmijët e tyre
[Figura në faqen 13]
Pedro duke instaluar pajisje sigurimi