Nga një jetë krimi në një jetë shprese
TREGUAR NGA KOSTA KULLAPIS
IA NGULA SYTË MUREVE TË NDOTURA TË QELISË DHE VENDOSA TË GJEJA NJË MËNYRË PËR TË SHTËNË NË DORË NJË SASI TË MADHE PARASH ME QËLLIM QË TË DILJA NGA JETA E KRIMIT DHE TË FILLOJA NJË JETË TJETËR.
NDËRSA rrija ulur atje, i mjerë e i brengosur, solla ndër mend se brenda vitit të shkuar, 11 nga shokët e mi kishin vdekur. Njëri ishte varur për vrasje, një tjetër u vetvra ndërsa priste të gjykohej për vrasje, tre morën mbidozë droge, dy u rrahën për vdekje në përleshje rrugësh dhe katër vdiqën në aksidente me motor. Gjithashtu, disa shokë të tjerë gjendeshin në burgje të ndryshme duke vuajtur dënimet për krime të rënda.
Kështu, në errësirën e qelisë, iu luta me dëshpërim Perëndisë, cilido të ishte ai, që të më tregonte një rrugë për të dalë nga ky labirint krimi. Jo shumë kohë më vonë mora përgjigjen e asaj lutjeje. Ndërkohë, arrita t’i shpëtoja akuzës së rrezikshme të sulmimit me paramendim për të shkaktuar dëmtim të rëndë fizik. Marrëveshja për të ulur dënimin doli se qe e dobishme, kështu që arrita t’ia hedh me një akuzë më të lehtë dhe me një dënim të zbutur. Por më parë le t’ju shpjegoj se si arrita të bie në atë gjendje.
Linda në Pretoria të Afrikës së Jugut, në vitin 1944, dhe atje u rrita. Vitet e fëmijërisë sime nuk ishin të lumtura dhe familja vuante shpesh nga shpërthimet e dhunshme të temperamentit të babait tim, e rënduar kjo nga periudhat e shpeshta të teprimit në të pirë. Ai ishte edhe një kumarxhi i madh dhe çdo ndryshim në humorin e tij sillte si rezultat keqtrajtime të rënda gojore dhe fizike për të gjithë ne, por sidomos për nënën. Për t’i shpëtuar sherreve të vazhdueshme, mora rrugët.
Rruga ime drejt krimit
Si rezultat, qysh në moshë të vogël mësova shumë gjëra nga jeta. Për shembull, kur isha 8 vjeç nxora dy mësime. Të parin kur u kapa me disa lodra që i kisha vjedhur në shtëpinë e një fqinji. Në atë rast babai më rrahu keq. Akoma më kumbon në vesh kërcënimi i tij në zemërim e sipër: «Po të kapa edhe një herë me gjëra të vjedhura do të ta këpus kokën!» U betova me vete jo që të mos vidhja më kurrë, por që të mos kapesha kurrë më. ‘Herës tjetër do ta fsheh dhe nuk do të zbulohem’,—mendova.
Gjëja e dytë që mësova kur isha ende i ri, nuk ka lidhje me krimin. Në një orë mësimi në shkollë, në lidhje me Shkrimet, mësuesja na mësoi se Perëndia ka një emër personal. «Emri i Perëndisë është Jehova,—tha ajo për habinë tonë,—dhe ai dëgjon çdo lutje që ju bëni, nëqoftëse ia drejtoni atë në emër të Birit të tij, Jezuit.» Kjo la një mbresë të thellë në mendjen time të re, ndonëse nuk e frenoi rrëshqitjen time në një jetë krimi. Kur shkova në shkollën e mesme tashmë isha bërë ekspert për të vjedhur dyqane dhe për t’u futur nëpër shtëpi me këtë qëllim. Shokët e mi të shkollës nuk ishin ndonjë ndihmë për mua, pasi shumë prej tyre kishin qenë më parë nëpër shkolla riedukimi për krime të ndryshme.
Ndërsa vitet kalonin, krimi m’u bë një ves. U përfshiva në një numër të pallogaritshëm grabitjesh, vjedhjesh me thyerje të banesave, vjedhjesh të makinave dhe sulmesh të dhunshme, madje para se të kaloja adoleshencën. Meqë vazhdimisht sillesha vërdallë nëpër bilardo e bare, duke kryer porosi për tutorët e prostitutave, për prostitutat dhe kriminelët, nuk mbarova dot as vitin e parë në shkollën e mesme teknike.
Shoqërohesha vazhdimisht me kriminelë të pashpirt, të cilët nuk e kishin për gjë të gjymtonin këdo që i tradhtonte. Mësova se ishte më mirë ta mbaja gojën të kyçur dhe të mos flisja kurrë andej-këtej me mburrje për arritjet e mia ose t’i tregoja paratë për t’u dukur. Duke bërë kështu do të ishte njësoj sikur të shpallej se ishte kryer një krim, gjë që mund të sillte si rezultat vënien nën mbikëqyrjen e policisë dhe bërjen e pyetjeve që të zënë ngushtë. Por më keq akoma, mund të sillte si rezultat vizita të papritura nga kriminelë të tjerë që mund të kërkonin një përqindje të plaçkës.
Megjithatë, pavarësisht nga këto masa mbrojtëse, disa herë u vura nën mbikëqyrjen e policisë, si një person që dyshohej se ishte përfshirë në aktivitete të paligjshme. Por unë u tregova i kujdesshëm që të mos mbaja asgjë që mund të më lidhte me ndonjë krim ose që mund të më inkriminonte. Një herë, policia mësyu në shtëpinë tonë në orën tre të mëngjesit. Ata e kontrolluan dy herë të gjithë shtëpinë, duke kërkuar pajisje elektrike, pasi dyqani i një tregtari shumice në qytet ishte vjedhur, por nuk gjetën gjë. Më morën në stacionin e policisë për të më marrë shenjat e gishtave por nuk më akuzuan.
Përzihem me drogën
Që në moshën 12-vjeçare fillova të përdor rregullisht droga që ndikonin në mendje. Shëndeti im filloi të keqësohej për shkak të këtij abuzimi dhe në disa raste për pak sa nuk kam kaluar në mbidozë. S’kaloi shumë dhe u njoha me një mjek, i cili kishte lidhje të forta me botën e krimit. Për pasojë u bëra trafikant droge dhe shpejt mësova se duke furnizuar disa shpërndarës e ekspozoja veten ndaj një rreziku shumë më të vogël, pasi mund të qëndroja pa rënë në sy ndërkohë që rreziku binte mbi të tjerët.
Mjerisht, disa nga njerëzit me të cilët më lidhte trafiku i drogës morën mbidozë dhe vdiqën ose kryen krime të rënda nën efektin e drogës. Një «shok» vrau një mjek me emër. Kjo ngjarje zuri titujt kryesorë të gazetave në mbarë vendin. Atëherë, ai u përpoq të më inkriminonte mua, por unë as që kisha dëgjuar për incidentin e ndodhur deri në momentin kur policia erdhi në derën time. Në fakt, policia vinte shpesh dhe më pyeste për krime të ndryshme që kryheshin.
Por një ditë u tregova vërtet i pamend. Pasi isha dhënë për një javë të tërë pas drogës dhe alkoolit, sulmova dy burra në zemërim e sipër pas një keqkuptimi dhe i rraha keq. Mëngjesin tjetër ata më identifikuan si personin që i kishte sulmuar dhe më arrestuan me akuzën se kisha sulmuar me paramendim për të shkaktuar dëmtim të rëndë fizik. Në këtë mënyrë përfundova në burg.
Pasurohu dhe ec në rrugë të drejtë
Pas lirimit nga burgu, mora vesh për një vend të lirë pune si magazinier në një shoqëri farmaceutike. Bëra një kërkesë dhe e binda punëdhënësin se isha i kualifikuar për atë punë. Me rekomandimin e një miku që tashmë punonte për atë shoqëri, e fitova vendin e punës. Kjo, mendova, ishte rruga që të bëja një dorë të mirë parash dhe të ikja diku tjetër për të rifilluar një jetë të pastër. Kështu, iu përkushtova mësimit të të gjitha aspekteve të biznesit (sa më shpejt që të ishte e mundur) dhe qëndroja zgjuar deri vonë çdo natë duke studiuar emrat e të gjitha barnave. Isha i sigurt se kjo do të ishte rruga drejt një jete të re.
Plani im ishte të prisja momentin e përshtatshëm dhe të fitoja besimin e punëdhënësve të mi. Pastaj, në momentin e duhur, do të hyja dhe do të vidhja një sasi të madhe barnash nga ato që unë e dija se ishin shumë të shtrenjta në tregun e zi, do t’i shisja dhe do të bëhesha një njeri relativisht i pasur brenda natës. Kisha sajuar një alibi që mendoja se ishte e pakundërshtueshme, me qëllim që të siguroja lirinë dhe një jetë të re.
Momenti për të vënë në zbatim planin, erdhi. Një natë, pasi hyra me kujdes në magazinë, u hodha sytë rafteve plot e përplot me barna që vlenin qindra mijë dollarë. Tek ato pashë rastin tim për të filluar një jetë larg krimit dhe dhunës. Por, për herë të parë në jetën time, ndërgjegjja filloi të më vriste. Çfarë e shkaktoi këtë brerje të papritur të ndërgjegjes kur pothuajse kisha harruar madje se kisha një ndërgjegje? Më lini t’ju tregoj se si ndodhi.
Disa javë më parë, administratori dhe unë kishim bërë një bisedë rreth domethënies së jetës. Në përgjigje të diçkaje që ai tha, unë ia ktheva se kur mbetet pa rrugëdalje, njeriu mund të lutet. «Kujt?»—pyeti ai. «Perëndisë»,—iu përgjigja. «Por ka shumë perëndi të cilëve njerëzit u luten,—tha ai,—prandaj, kujt do t’i luteshe?» Unë i thashë: «Perëndisë së Plotfuqishëm.» «Patjetër,—vazhdoi ai.—Dhe cili është emri i tij?» «Ç’do të thuash?»—e pyeta. «Po ja, ashtu si ti, si unë dhe si çdo njeri tjetër, Perëndia i Plotfuqishëm ka një emër personal»,—u përgjigj ai. Kjo dukej e logjikshme, por unë po mërzitesha. Prandaj pyeta i irrituar: «Po hë pra, cili është emri i Perëndisë?» «Emri i Perëndisë së Plotfuqishëm është Jehova»,—ma ktheu ai.
Papritur vitet u larguan si perdja e një skene që ngrihet dhe kujtimi i atij mësimi në klasë kur isha vetëm 8 vjeç, më vërshoi përsëri në mendje. Për habinë time, ndikimi që pati mbi mua ky diskutim me administratorin ishte i jashtëzakonshëm. U ulëm për orë të tëra dhe zhvilluam një bisedë serioze. Ditën tjetër ai më solli librin E vërteta që të çon në jetën e përhershme.a E lexova të gjithë librin po atë natë dhe u binda menjëherë se kisha gjetur të vërtetën dhe domethënien e vërtetë të jetës. Për dy javët vijuese pjesën më të madhe të kohës e kalonim duke biseduar në lidhje me temat e ndryshme në atë libër të mahnitshëm blu.
Kështu, ndërsa qëndroja në errësirën dhe qetësinë e magazinës, ndërgjegjja më tha se planet e mia për të vjedhur dhe për të shitur barnat ishin të gjitha të gabuara. U largova pa bërë zhurmë dhe shkova në shtëpi, i vendosur që duke filluar nga ai moment nuk do të vidhja më.
Një ndryshim rrënjësor
Në ditët vijuese, i thashë familjes se kisha vendosur të filloja një mënyrë të re jetese dhe fillova të ndaja me ta disa nga të vërtetat biblike që kisha mësuar. Babai donte të më flakte nga shtëpia. Por vëllai im, Xhoni, më mbrojti, duke i thënë babait: «Kjo është hera e parë në jetën e Kostës që po merret me diçka që s’ka të bëjë me krimin dhe ti dëshiron ta dëbosh? Unë do të mësoj më shumë për këto gjëra.» Çfarë surprize e këndshme kur Xhoni më kërkoi të studioja Biblën me të! Që nga ajo ditë, kushdo që vinte tek unë për të kërkuar drogë, merrte në vend të saj librin E vërteta. Shpejt me ndihmën e atij libri fillova të drejtoj 11 studime biblike.
Pastaj mësova që administratori i shoqërisë nuk ishte vetë një Dëshmitar. Gruaja e tij kishte qenë Dëshmitare për afro 18 vjet, por ai «nuk kishte pasur kurrë kohë të bënte ndonjë gjë për të vërtetën». Kështu, ai bëri rregullimet që një Dëshmitar me përvojë të drejtonte një studim të rregullt biblik me mua. Studimi më ndihmoi të kuptoja nevojën për të përballuar çështje të tjera në jetë dhe s’kaloi shumë kohë para se e vërteta e Fjalës së Perëndisë të fillonte të më çlironte nga mënyrat e të vepruarit të botës.—Gjoni 8:32.
Por papritur u ndjeva i dërrmuar nga shpejtësia me të cilën kishin ndodhur gjërat brenda harkut kohor të vetëm disa javëve. Gjendesha përballë ndryshimeve të mëdha dhe fillova të kuptoj se nëse do të vazhdoja të ndiqja drejtimin që më tregonin studimet e Biblës, më priste një luftë e madhe midis mishit dhe frymës. Në krahun tjetër, isha i vetëdijshëm se nëse do të vazhdoja të jetoja siç kisha bërë deri në atë moment, më priste vdekja e mundshme ose të paktën kalimi i pjesës më të madhe të jetës në burg. Kështu, pasi e peshova mirë çështjen dhe pas lutjesh të zjarrta, vendosa të ndiqja rrugën e së vërtetës. Gjashtë muaj më vonë, më 4 prill 1971, e simbolizova dedikimin tim ndaj Perëndisë Jehova me pagëzimin në ujë.
Shpërblimet e ndjekjes së një rruge të drejtë
Kur e hedh vështrimin mbrapa, ndonjëherë më mbysin emocionet ndërsa mendoj për bekimet që kam gëzuar që kur mora vendimin për ta braktisur rrugën e krimit. Nga të 11 personat me të cilët fillova të studioja gjatë atyre javëve të para të turbullta, 5 po ecin akoma në rrugën e së vërtetës. Edhe nëna ime pranoi një studim biblik dhe u bë një Dëshmitare e pagëzuar, duke vazhduar t’i shërbente me besnikëri Perëndisë deri sa vdiq në vitin 1991. Dy vëllezërit e mi ia dedikuan jetën Jehovait dhe tani shërbejnë si pleq. Gjithashtu, pata mundësi të ndihmoj edhe tezen time që të mësonte të vërtetën dhe për 15 vjetët e kaluar ajo ka vazhduar në shërbimin e plotkohor.
Administratori i shoqërisë farmaceutike për të cilën punoja u inkurajua aq shumë nga ndryshimet në jetën time, saqë filloi ta merrte të vërtetën biblike më seriozisht. Një vit pasi isha pagëzuar edhe ai e simbolizoi dedikimin e tij ndaj Perëndisë me pagëzimin në ujë. Më vonë ai shërbeu si plak për shumë vite në një nga kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në Pretoria.
Tani jam i martuar me një motër të krishterë të dedikuar. Lioni dhe unë u transferuam në Australi në vitin 1978. Atje lindën dy bijtë tanë: Elija dhe Pavli. Inkurajimi i familjes sime ka qenë një burim i vërtetë force për mua. Kam privilegjin të shërbej si plak në Kanberrë, kryeqyteti i Australisë. Çdo ditë i jam mirënjohës Jehovait, i cili më shpëtoi nga jeta e pakuptimtë e krimit që po më çonte në mjerim dhe në vdekje. Por më tepër se kaq, ai i dha kuptim jetës sime duke siguruar një shpresë të vërtetë për mua dhe për njerëzit e mi të dashur.
[Shënimi]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., anglisht.
[Figura në faqen 18]
Kur isha 12 vjeç
[Figura në faqen 18]
Me gruan dhe dy djemtë sot