Qeveria
Përkufizimi: Organ qendror që merret me nxjerrjen dhe zbatimin e ligjeve. Shpesh qeveritë klasifikohen sipas burimit nga e marrin autoritetin e tyre dhe qëllimit që kanë. Perëndia Jehova është Sovrani Universal, i cili u jep autoritet të tjerëve, në përputhje me vullnetin dhe qëllimin e tij. Por Satana Djalli, rebeli kryesor kundër sovranitetit të Jehovait, është «sundimtari i kësaj bote»—kjo gjë është lejuar nga Perëndia për një periudhë të kufizuar kohe. Bibla e përshkruan sistemin botëror të sundimeve politike si një bishë dhe thotë se «Dragoi i dha bishës fuqinë e tij, fronin e tij dhe autoritet të madh».—Gjoni 14:30; Zbul. 13:2; 1 Gjon. 5:19.
A mund të vendosin njerëzit një qeveri që të sjellë vërtet lumturi të qëndrueshme?
Çfarë tregon historia njerëzore?
Ekl. 8:9: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.» (Kjo është e vërtetë, edhe pse disa qeveri dhe sundimtarë në fillim kishin ideale të larta.)
«Çdo qytetërim që ka ekzistuar, së fundi është shembur. Historia është një rrëfim i përpjekjeve të dështuara, i aspiratave të parealizuara. . . . Prandaj, historianëve u duhet të pranojnë që tragjedia është e pashmangshme.»—Henri Kisinger, profesor i shkencave politike, cituar në The New York Times, 13 tetor 1974, f 30B.
Çfarë i pengon përpjekjet njerëzore në fushën e qeverisjes?
Jer. 10:23: «Unë e di mirë, o Jehova, se nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Perëndia nuk i autorizoi krijesat e tij njerëzore që të ecnin në udhët e tyre të pavarur nga Ai.)
Zan. 8:21: «Zemra e njeriut priret nga e keqja që në rini të tij.» (Jo vetëm sundimtarët, por edhe nënshtetasit kanë lindur në mëkat, dhe kanë prirje egoiste.)
2 Tim. 3:1-4: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, . . . nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, . . . të krekosur.» (Problemet që po has sot njerëzimi, nuk mund të zgjidhen përfundimisht vetëm nga një komb; kërkohet një bashkëpunim i plotë ndërkombëtar. Mirëpo, interesat egoiste e ndalojnë këtë, si dhe e pengojnë seriozisht çdo bashkëpunim real midis organizatave të ndryshme brenda kombeve.)
Gjithashtu, Bibla zbulon se disa forca mbinjerëzore manipulojnë çështjet njerëzore. «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjon. 5:19) «Ne nuk kemi një përleshje me gjakun e mishin, por me . . . sundimtarët botërorë të kësaj errësire, me forcat e liga frymore në vendet qiellore.» (Efes. 6:12) «Shprehje të frymëzuara nga demonët . . . shkojnë te mbretërit e mbarë tokës së banuar, që t’i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm.»—Zbul. 16:14.
Si mund të kenë njerëzit lehtësim të përhershëm nga korrupsioni dhe shtypja e qeverive?
A do të zgjidhet problemi duke i zëvendësuar njerëzit që janë në detyrë?
A nuk është e vërtetë se atje ku bëhen zgjedhje të lira, njerëzit në pushtet pas pak vjetësh nuk zgjidhen përsëri në atë pozitë? Pse? Sepse shumica e njerëzve nuk janë të kënaqur me punën e këtyre pushtetarëve.
Psal. 146:3, 4: «Mos kini besim te fisnikët, as te ndonjë bir njeriu, që nuk sjell dot shpëtim. Kur fryma i del, ai kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet e tij.» (Prandaj çdo program që organizojnë qeveritarët për të përmirësuar gjërat, shumë shpejt kalon në duart e të tjerëve dhe shpesh braktiset.)
Pavarësisht se cili qeveritar është, prapëseprapë ai bën pjesë në këtë botë, që dergjet nën pushtetin e Satanait.—1 Gjon. 5:19.
A e zgjidh çështjen një revolucion i dhunshëm?
Edhe sikur të hiqen qeveritarët e korruptuar dhe të shfuqizohen ligjet e padrejta, prapë qeveria e re do të përbëhet nga njerëz të papërsosur dhe ende do të jetë pjesë e sistemit politik, për të cilin Bibla thotë qartë se është nën kontrollin e Satanait.
Mat. 26:52: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» (Jezui i tha kështu njërit prej apostujve në kohën kur autoriteti qeveritar po përdorej padrejtësisht kundër vetë Birit të Perëndisë. Nëse kjo do të ishte gjëja që duhej bërë, a mund të kishte kauzë më të denjë për të cilën të luftonte një njeri?!)
Prov. 24:21, 22: «Biri im, ki frikë nga Jehovai dhe mbreti. Mos u përziej me ata që duan të sjellin ndryshime. Sepse shkatërrimi i tyre do të vijë aq befas, saqë askush nuk do ta marrë vesh zhdukjen e atyre që duan të sjellin ndryshime.»
Atëherë, cila është përgjigjja për problemet e korrupsionit dhe të shtypjes?
Dan. 2:44: «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri [një qeveri] që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»
Psal. 72:12-14: «Ai [mbreti i caktuar nga Perëndia, Jezu Krishti] do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon. Atij do t’i dhimbset i përvuajturi dhe i varfri, dhe do ta shpëtojë shpirtin e të varfërve. Nga shtypja dhe dhuna, do t’ua shpengojë shpirtin, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar në sytë e tij.» (Interesi që tregoi ai për njerëz të tillë kur ishte në tokë—duke i shëruar, duke ushqyer shumë prej tyre, e madje duke dhënë jetën për ta—tregon se do të jetë vërtet si sundimtari që paratha profecia.)
Shih edhe faqet 246-251, te tema «Mbretëria».
Pse duhet ta marrim seriozisht atë që thotë Bibla për të ardhmen e qeverive?
Qeveritë njerëzore nuk po i plotësojnë njerëzimit nevojat më urgjente
Shqyrtoni këto gjëra për të cilat kanë nevojë njerëzit kudo, aspekte të cilat qeveritë njerëzore nuk po i sigurojnë, por që Perëndia i ka premtuar: (1) Jetë në një botë pa kërcënimin e luftës.—Isa. 2:4; Psal. 46:9, 10. (2) Ushqim me bollëk për të gjithë.—Psal. 72:16. (3) Strehim të rehatshëm për të gjithë.—Isa. 65:21. (4) Punë të kënaqshme për të gjithë ata që kanë nevojë, në mënyrë që të sigurojnë gjërat e nevojshme për veten dhe për familjet e tyre.—Isa. 65:22. (5) Jetë pa shqetësimet e sëmundjeve dhe të lëngatave.—Zbul. 21:3, 4. (6) Drejtësi; liri nga paragjykimi fetar, racial, ekonomik dhe kombëtar.—Isa. 9:7; 11:3-5. (7) Siguri, pa kriminelë që rrezikojnë njerëzit dhe pronat e tyre.—Mik. 4:4; Prov. 2:22. (8) Një botë ku cilësitë që do të vlerësohen më shumë, do të jenë dashuria, mirëdashja, interesimi për të afërmin dhe çiltërsia.—Psal. 85:10, 11; Gal. 5:22, 23.
Për mijëra vjet, sundimtarët politikë u kanë premtuar njerëzve kushte më të mira. Cilat kanë qenë rezultatet? Ndonëse në shumë vende njerëzit kanë më shumë të mira materiale, ata nuk janë më të lumtur, dhe problemet që hasin, janë më të ndërlikuara se kurrë më parë.
Profecitë biblike kanë dalë tërësisht të besueshme
Që një shekull më përpara, Fjala e Perëndisë paratha se ç’pozitë do të kishte Babilonia si sundimtare botërore, si edhe se si do të thyhej fuqia e saj dhe që, pasi të shkretohej, kryeqyteti i saj nuk do të banohej më. (Isa. 13:17-22) Pothuajse dy shekuj përpara, madje para se të lindte Kiri, Bibla e paratha emrin e tij, si edhe rolin që do të kishte në çështjet ndërkombëtare. (Isa. 44:28; 45:1, 2) Përpara se Medo-Persia të bëhej një fuqi politike, u paratha se si do të ngrihej, se do të përbëhej nga dy kombe dhe se si do të merrte fund. Më tepër se dy shekuj më përpara u paratha rrjedha e ngjarjeve për perandorinë botërore greke nën mbretin e saj të parë, si edhe ndarja e mëvonshme e saj në katër pjesë.—Dan. 8:1-8, 20-22.
Bibla parathotë me hollësira kushtet botërore të ditëve të sotme dhe na paralajmëron se të gjitha qeveritë njerëzore do të marrin fund nga Perëndia dhe se Mbretëria e Perëndisë, e udhëhequr nga Biri i tij, Jezu Krishti, do të sundojë mbi mbarë njerëzimin.—Dan. 2:44; 7:13, 14.
A nuk është gjë e mençur t’i kushtojmë vëmendje këtij burimi informacioni që ka dalë vazhdimisht kaq i besueshëm?
Qeveria e Perëndisë është e vetmja zgjidhje e vërtetë për problemet e njerëzimit
Problemet që duhen zgjidhur, kërkojnë fuqi, aftësi dhe cilësi që nuk i ka asnjë njeri. Perëndia mund ta çlirojë njerëzimin nga ndikimi i Djallit dhe i demonëve të tij, dhe Ai ka premtuar ta bëjë këtë, por asnjë njeri nuk mund ta bëjë këtë. Perëndia ka marrë masa të bëjë atë që mjekësia nuk mund ta bëjë kurrë—të heqë mëkatin, e kështu t’u japë fund sëmundjeve e vdekjes, dhe t’u japë mundësinë njerëzve të jenë ashtu siç duan të jenë vërtet. Krijuesi ka njohurinë e duhur (për tokën dhe për të gjitha proceset e jetës) që të zgjidhë problemet e prodhimit të ushqimit dhe të parandalojë ndotjen e rrezikshme, mirëpo përpjekjet e njeriut shpesh krijojnë më tepër probleme. Fjala e Perëndisë tashmë ua ka ndryshuar jetën shumë njerëzve, dhe ata që reagojnë mirë ndaj saj, bëhen persona mirëdashës e të dashur, me norma të larta morale, bëhen një shoqëri njerëzish që nuk pranojnë të ngrenë armët kundër tjetrit dhe që jetojnë në paqe e në vëllazëri të vërtetë, megjithëse janë nga të gjitha kombet, racat dhe gjuhët.
Kur do ta fshijë Mbretëria e Perëndisë sistemin e sotëm botëror? Shih temat «Datat» dhe «Ditët e fundit».