Shëmbëlltyrat
Përkufizimi: Zakonisht janë paraqitje të personave ose të sendeve. Një shëmbëlltyrë që është objekt adhurimi, është idhull. Ata që kryejnë akte adhurimi përpara shëmbëlltyrave, shpesh thonë se adhurimi i tyre i drejtohet qenies frymore që përfaqësohet nëpërmjet shëmbëlltyrës. Ky lloj përdorimi i shëmbëlltyrave është i zakonshëm në shumë fe jo të krishtere. Në lidhje me zakonet katolike, një enciklopedi thotë: «Meqë adhurimi që i bëhet një shëmbëlltyre, i drejtohet vetëm personit që përfaqëson kjo shëmbëlltyrë, i njëjti lloj adhurimi që i drejtohet personit, mund t’i bëhet shëmbëlltyrës që përfaqëson atë person.» (New Catholic Encyclopedia 1967, vëll. VII, f. 372.) Ky mësim nuk është biblik.
Çfarë thotë Fjala e Perëndisë për bërjen e shëmbëlltyrave që përdoren si objekte adhurimi?
Dal. 20:4, 5, DSF: «Mos bëj kurrfarë idhulli, as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë në ujë nën tokë. Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi, sepse unë, Zoti, Hyji yt, jam Hyj ziliqar.» (Kursivi është yni.) (Vëre se ndalimi ishte kundër bërjes së idhujve ose shëmbëlltyrave dhe adhurimit të tyre.)
Lev. 26:1, DSF: «Mos bëni idhuj e trupore as mos ngulni gur [«kolonë të shenjtë», BR] as mos vendosni në gurë fytyra të gdhendura për t’i adhuruar në vendin tuaj. Sepse unë jam Zoti, Hyji juaj.» (Nuk duhej bërë asnjë shëmbëlltyrë që njerëzit ta përdornin për adhurim.)
2 Kor. 6:16, DSF: «E ç’marrëveshje mund të ketë Tempulli i Hyjit me idhuj? Sepse, ne jemi Tempulli i Hyjit të gjallë.»
1 Gjon. 5:21, DSF: «Fëmijëzit e mi, ruani veten prej idhujve [‘idhujve’, Dio, Kris; ‘perëndive të rreme’, ECM]!»
A mund të përdoren shëmbëlltyrat thjesht si mjete ndihmëse në adhurimin e Perëndisë së vërtetë?
Gjoni 4:23, 24, DSF: «Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë, sepse Ati kërkon shi adhurues të tillë. Hyji është shpirt, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë.» (Ata që përdorin shëmbëlltyrat si mjete ndihmëse në adhurim, nuk po e adhurojnë Perëndinë «në shpirt», por kanë nevojë për diçka që mund ta shohin me sy.)
2 Kor. 5:7, BR: «Po ecim me anë të besimit dhe jo me anë të asaj që shihet.»
Isa. 40:18, DSF: «Kë të gjeni që t’i përngjasë Hyjit? O ç’shëmbëllesë mund t’i vëni përbri?»
Vep. 17:29, DSF: «Nëse, pra, jemi rodi [«pasardhës», Dio] të Hyjit, atëherë s’bën të mendojmë se Hyjnia është e ngjashme me arin, me argjendin e me gurin e punuar nga mjeshtria dhe arti i njeriut.»
Isa. 42:8, DSF: «Unë Zoti: ky është emri im; lavdinë time tjetërkujt s’ia jap, as nderin tim idhujve të gdhendur.»
A duhet të përnderojmë «shenjtorët» si ndërmjetës të Perëndisë, ndoshta duke përdorur shëmbëlltyrat e tyre si mjete ndihmëse në adhurim?
Vep. 10:25, 26, DSF: «Kur Pjetri arriti, Korneli i doli para e, duke rënë ndër këmbët e tija, e adhuroi. Pjetri e ngriti në këmbë dhe i tha: ‘Çohu në këmbë se edhe vetë jam vetëm njeri!’» (Meqenëse Pjetri nuk e miratoi një adhurim të tillë kur ishte vetë i pranishëm, a do të na nxiste të përkuleshim përpara një shëmbëlltyre të tij? Shih edhe Zbulesën 19:10.)
Gjoni 14:6, 14, DSF: «Jezusi u përgjigji: ‘Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta. Askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua. Nëse do të më kërkoni ndonjë send në Emër tim, do ta bëj.’» (Jezui e thotë qartë këtu se mund t’i afrohemi Atit vetëm nëpërmjet tij dhe se kërkesat tona duhen bërë në emër të Jezuit.)
1 Tim. 2:5, DSF: «Sepse, Hyji është një i vetëm, një i vetëm është edhe Ndërmjetësi midis Hyjit e njerëzve: Njeriu—Jezu Krishti.» (Sipas këtij shkrimi, nuk lejohet askush tjetër të shërbejë në rolin e ndërmjetësit për pjesëtarët e kongregacionit të Krishtit.)
Shih edhe faqet 363, 364 te tema «Shenjtorët».
Zakonisht, a kanë në mendje adhuruesit personin e paraqitur në shëmbëlltyrë apo disa shëmbëlltyra shihen si më të rëndësishme se të tjerat?
Qëndrimi i adhuruesve është një faktor i rëndësishëm, që duhet marrë parasysh. Pse? Sepse një ndryshim i thelbësor midis një «shëmbëlltyre» dhe një «idhulli» është përdorimi i tyre.
Në mendjen e një adhuruesi, a ka shëmbëlltyra e një personi vlerë ose rëndësi më të madhe se një shëmbëlltyrë tjetër e të njëjtit person? Nëse po, atëherë adhuruesi ka në mendje shëmbëlltyrën, dhe jo personin. Pse shkojnë njerëzit për pelegrinazhe të gjata për të adhuruar në disa faltore? A nuk shihet vetë shëmbëlltyra sikur ka fuqi «të mrekullueshme»? Për shembull në një libër thuhet kjo gjë për shëmbëlltyrat e Marisë në katedralen e Shartrësë në Francë: «Këto shëmbëlltyra, që mund të jenë skulptura, piktura ose punime në dritaret me xhama me ngjyra, nuk janë njëlloj të famshme. . . . Vetëm tri adhurohen vërtet: Zonja e Dhomës së Nëndheshme, Zonja e Kolonës dhe Zonja e ‘Bel Verrierës’.» Por në rast se adhuruesit do të kishin në mendje personin, dhe jo shëmbëlltyrën, çdo shëmbëlltyrë do të shihej po aq e mirë sa edhe një tjetër, apo jo? (Les Trois Notre-Dame de la Cathédrale de Chartres, nga kleriku Iv Delaport.)
Si i sheh Perëndia shëmbëlltyrat që adhurohen nga njerëzit?
Jer. 10:14, 15, DSF: «Shtang mbetet çdo njeri, s’është në gjendje të kuptojë, turpërohet çdo argjendtar për truporen e vet, sepse është e rreme ajo që ka shkrirë, sepse në të frymë jete s’ka. Janë një kotësi, vepra qesharake.»
Isa. 44:13-19, DSF: «Gdhendësi në dru e shtrin gjedhen, e shënon atë me thumbat e punon mandej atë me dalta e me përgjel dhe trajton një fytyrë njeriu, një figurë të bukur njeriu për ta vënë në tempull. Pret për vete cedrat, merr një ilqe ose një lis që qëndronin mes lëndëve të pyllit; ose ka mbjellë një pishë që e ushqen shiu. Këto janë bërë që njeriu t’i djegë; i merr njeriu ndonjë prej tyre për t’u ngrohur, i ndez dhe pjek bukë. Por, prej tyre punon zotin dhe e adhuron, punon një trupore e bie përmbys pas asaj! Gjysmën e saj e djeg në zjarr, mbi prush pjek mishin, han mishin e pjekur e kënaqet, nxehet e thotë: ‘Oh bre, ç’u ngroha, u kënaqa bri zjarrit!’ Kurse me tepricën e saj punoi zotin, trupore për vete; bie përmbys para saj dhe e adhuron dhe i lutet duke thënë: ‘Më shpëto, sepse je zoti im!’ Gjë nuk dinë as nuk kuptojnë: sytë u janë verbuar që të mos shohin edhe zemra që të mos kuptojnë. Të tillët nuk mendojnë me mendjen e vet, u mungon dija dhe kuptimi që të thonë: ‘Me gjysmën e këtij druri e kam ndezur zjarrin dhe poqa mbi prushin e saj bukën, poqa mishin dhe hëngra, po a thua prej gjysmës tjetër do të punoj këtë turpësi? Do bie përmbys para cungut të drusë?’»
Ezek. 14:6, DSF: «Kështu thotë Zoti Hyj: Kthehuni e largohuni nga idhujt tuaj [«idhujt tuaj të pështirë», BR] dhe shkoqeni fytyrën tuaj nga çdo ndyrësi.»
Ezek. 7:20, DSF: «Argjendet e tyre të bukura i shndërruan në turpëri: punuan më to idhujt e vet, pikturat e veta të ndyra, ja, përse në iri ua ktheva [«do t’i bëj ata një ndyrësi», Dio; «duhet t’i flakin plot neveri», ECM].»
Si duhet t’i shohim shëmbëlltyrat që mund të kemi përnderuar më parë?
Ligj. 7:25, 26, DSF: «Digji në zjarr idhujt e tyre! Mos i lakmo arit e argjendit me të cilin janë të veshur: mos merr asgjë prej tyre për vete, që të mos ngashnjehesh prej tyre, sepse janë ndyrësi për Zotin, Hyjin tënd. Mos shtjer ndyrësi në shtëpinë tënde që të mos jesh edhe ti i ngarkuar me ‘mallkim’ siç janë ata. Përbuzi nga fundi i zemrës e mbaji për të fëlliqur e të ndytë [«duhet të të vijë krupë e të të pështiroset», BR].» (Edhe pse populli i Jehovait sot nuk është i autorizuar të shkatërrojë shëmbëlltyrat që u përkasin të tjerëve, ky urdhër që iu dha izraelitëve, siguron një shembull se si duhet t’i shohin shëmbëlltyrat që mund të kenë, të cilat i përnderonin dikur. Krahaso Veprat 19:19.)
1 Gjon. 5:21, DSF: «Fëmijëzit e mi, ruani veten prej idhujve [‘perëndive të rreme’, ECM]!»
Ezek. 37:23, DSF: «Më nuk do të përlyhen me idhujt e tyre, . . . ata do të jenë populli im e unë do të jem Hyji i tyre.»
Ç’ndikim mund të ketë në të ardhmen tonë përdorimi i shëmbëlltyrave në adhurim?
Ligj. 4:25, 26, DSF: «Nëse prisheni e punoni çfarëdo idhulli [«shëmbëlltyra të gdhendura», Dio; «idhull të-gdhëndurë», Kris], e kështu veproni keq para Zotit, Hyjit tënd, duke e ngacmuar të hidhërohet, Pasha qiellin e pasha tokën, që po jua bëj unë sot, do të zhdukeni shpejt.» (Pikëpamja e Perëndisë nuk ka ndryshuar. Shih Malakinë 3:5, 6.)
1 Kor. 10:14, 20, DSF: «Prandaj, o të dashurit e mi, ikni nga idhujtaria! . . . [Paganët] u flijojnë djajve e jo Hyjit; e unë nuk dua të bëheni pjesëtarë të djajve.»
Zbul. 21:8, DSF: «Frikacakët, të pafetë dhe të ndytët, vrastarët e fëlligështarët, shortarët dhe idhujtarët dhe të gjithë rrenacakët trashëgimin e kanë në liqenin që digjet me zjarr dhe me sulfur. Kjo është vdekja e dytë.»
Psal. 115:4-8, DSF: «Idhujt e paganëve janë argjend e ar-prodhim i dorës së njeriut. Gojë kanë e nuk flasin, sy kanë e nuk shohin, veshë kanë e nuk dëgjojnë, hundë kanë e nuk nuhasin. Duar kanë e nuk prekin, këmbë kanë e nuk ecin,-zë nuk qesin prej gurmazit të tyre! Të tillë qofshin edhe ata që i punojnë, të gjithë ata që shpresojnë në ta!»