Shërimet
Përkufizimi: T’i kthesh shëndetin dikujt që ka qenë i sëmurë fizikisht, mendërisht ose frymësisht. Disa profetë hebrenj të epokës së parakrishterë, si edhe Jezu Krishti e disa pjesëtarë të kongregacionit të hershëm të krishterë, kryen shërime të mrekullueshme, nëpërmjet frymës së Perëndisë.
A po kryhen shërimet e mrekullueshme sot nëpërmjet frymës së Perëndisë?
A mund të vijë aftësia për të kryer mrekulli nga një burim tjetër, përveç Perëndisë?
Moisiu dhe Aaroni u paraqitën te faraoni i Egjiptit, që t’i kërkonin ta linte Izraelin të shkonte në shkretëtirë për t’i bërë flijime Jehovait. Si një provë që kishte mbështetjen e Perëndisë, Moisiu e urdhëroi Aaronin të hidhte përtokë shkopin e tij, dhe ai u shndërrua në një gjarpër të madh. Kjo mrekulli u krye nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Por më pas, priftërinjtë e Egjiptit që merreshin me magji, hodhën përtokë shkopinjtë e tyre, dhe edhe ata u shndërruan në gjarpërinj të mëdhenj. (Dal. 7:8-12) Kush ua dha atyre fuqinë për të kryer këtë mrekulli?—Krahaso Ligjin e përtërirë 18:10-12.
Në shekullin e 21-të kryhen disa shërime të mrekullueshme gjatë shërbesave të drejtuara nga klerikë të të ashtuquajturit krishterim. Mes feve jo të krishtere ka priftërinj vudu, magjistarë, të ashtuquajtur mjekë popullorë dhe të tjerë që gjithashtu kryejnë shërime; shpesh ata përdorin magjinë dhe fallin. Disa «shërues psikikë» thonë se kurat e tyre nuk kanë të bëjnë fare me fenë. Në të gjitha këto raste, a vjen nga Perëndia i vërtetë fuqia shëruese?
Mat. 24:24: «Do të dalin Krishtër të rremë dhe profetë të rremë e do të bëjnë shenja të mëdha dhe çudira [«mrekulli», Dio], që të mashtrojnë mundësisht edhe të zgjedhurit.»
Mat. 7:15-23: «Kini kujdes nga profetët e rremë. . . . Shumë do të më thonë atë ditë: ‘Zotëri, Zotëri, a nuk profetizuam në emrin tënd, a nuk dëbuam demonë në emrin tënd dhe a nuk kryem shumë vepra të fuqishme [«mrekulli», DSF, ECM] në emrin tënd?’ E megjithatë do t’u them atyre: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni paligjshmëri!’»
A kryhen shërimet e bujshme të ditëve të sotme në të njëjtën mënyrë si shërimet e mrekullueshme të Jezuit dhe të dishepujve të tij të parë?
Kostoja e shërimeve: «Shëroni të sëmurë, ngrini të vdekur, pastroni të lebrosur, dëboni demonë. Falas morët, falas jepni.» (Mat. 10:8) (A po bëjnë këtë gjë shëruesit sot, pra, a po japin falas, siç urdhëroi Jezui?)
Përqindja e suksesit: «Gjithë turma kërkonte ta prekte [Jezuin], sepse nga ai po dilte fuqi dhe po i shëronte të gjithë.» (Luka 6:19) «I nxirrnin të sëmurët edhe në udhët e gjera e i vinin nëpër shtretër të vegjël e vigje, që kur të kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të binte mbi ndonjërin prej tyre. Vinin edhe turma nga qytetet përreth Jerusalemit, duke sjellë të sëmurë dhe njerëz që shqetësoheshin nga frymërat e ndyra, e që të gjithë shëroheshin.» (Vep. 5:15, 16) (Po në ditët tona, a shërohen të gjithë ata që shkojnë te shëruesit fetarë ose te faltoret fetare?)
A tregon mënyra e jetesës së pjesëtarëve të organizatave ku bëjnë pjesë «shëruesit», se ata kanë frymën e Perëndisë?
A shfaqin dukshëm si grup fryte të tilla të frymës, si: dashuri, shpirtgjerësi, butësi dhe vetëkontroll?—Gal. 5:22, 23.
A tregojnë vërtet se «nuk janë pjesë e botës», duke mos u përfshirë aspak në çështjet politike të saj? A kanë mbetur të pastër nga faji i gjakut, në kohë të lufte? A kanë një emër të shkëlqyer, sepse shmangin sjelljen imorale të botës?—Gjoni 17:16; Isa. 2:4; 1 Sel. 4:3-8.
A dallohen të krishterët e vërtetë sot nga aftësia për të bërë shërime të mrekullueshme?
Gjoni 13:35: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Kështu tha Jezui. Nëse besojmë vërtet tek ai, do të kërkojmë si shenjë të krishterimit të vërtetë dashurinë, dhe jo shërimet e mrekullueshme.)
Vep. 1:8: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.» (Pikërisht para se të largohej nga apostujt e të kthehej në qiell, Jezui u tha atyre se kjo ishte vepra jetësore që duhej të bënin, dhe jo shërimet. Shih edhe Mateun 24:14; 28:19, 20.)
1 Kor. 12:28-30: «Perëndia ka vendosur gjymtyrë të ndryshme në kongregacion: së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues. Pastaj vepra të fuqishme, pastaj dhuratën e shërimit, pastaj shërbime të dobishme, aftësi për të drejtuar dhe gjuhë të ndryshme. Mos janë të gjithë apostuj? Mos janë të gjithë profetë? Mos janë të gjithë mësues? Mos kryejnë të gjithë vepra të fuqishme? Mos e kanë të gjithë dhuratën e shërimit?» (Pra, Bibla tregon qartë se dhuratën e shërimit nuk do ta kishin të gjithë të krishterët e vërtetë.)
A nuk tregon Marku 16:17, 18 se aftësia për të shëruar të sëmurët, do të ishte një shenjë dalluese e besimtarëve?
Mar. 16:17, 18, Dio: «Këto janë shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t’i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja; do t’i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pijnë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t’u bëjë asnjë të keqe; do t’i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen.»
Këto vargje ndodhen në disa dorëshkrime dhe versione të Biblës, që i përkasin shekullit të 5-të e të 6-të p.e.s. Por nuk ndodhen në dorëshkrimet më të vjetra greke, Kodiku Sinaitik dhe Vatikan 1209, të shekullit të 4-t. Dr. B. F. Uestkoti, një autoritet në fushën e dorëshkrimeve biblike, tha se «këto vargje . . . nuk janë pjesë e tregimit origjinal, por janë shtuar». (An Introduction to the Study of the Gospels, Londër, 1881, f. 338) Përkthyesi i Biblës, Jeronimi, shekulli i 5-të, tha se «pothuajse të gjithë kodikët grekë nuk i kanë këto vargje». (The Last Twelve Verses of the Gospel According to S. Mark, Londër, 1871, Xh. U. Bërgon, f. 53) Një enciklopedi katolike thotë: «Fjalori dhe stili i këtyre vargjeve [domethënë i vargjeve 9-20] ndryshojnë kaq rrënjësisht nga pjesa tjetër e Ungjillit, saqë duket shumë e vështirë që t’i ketë shkruar Marku.» (New Catholic Encyclopedia, 1967, vëll. IX, f. 240) Nuk ka asnjë dëshmi që të krishterët e parë pinin helm ose kapnin me dorë gjarpërinjtë për të treguar se ishin besimtarë.
Pse iu dhanë të krishterëve të shekullit të parë dhurata të tilla si aftësia për të bërë shërime të mrekullueshme?
Heb. 2:3, 4: «Si do të shpëtojmë nëse kemi lënë pas dore një shpëtim kaq të madh, që nisi të shpallej nëpërmjet Zotërisë tonë dhe u vërtetua për ne nga ata që e dëgjuan? Ndërsa Perëndia bashkohej në dhënien e dëshmisë me shenja, me çudira, me vepra të ndryshme të fuqishme dhe duke shpërndarë frymën e shenjtë sipas vullnetit të tij.» (Këto përbënin, faktikisht, dëshmi bindëse se kongregacioni i krishterë, që në atë kohë ishte i ri, vinte vërtet nga Perëndia. Por, pasi ai të themelohej plotësisht, a do të ishte më e nevojshme që ky fakt të provohej herë pas here?)
1 Kor. 12:29, 30; 13:8, 13: «Mos janë të gjithë apostuj? . . . Mos e kanë të gjithë dhuratën e shërimit? Mos flasin të gjithë në gjuhë të huaja? . . . Dashuria nuk shuhet kurrë. Nëse ka dhurata profetizimi, do të hiqen, nëse ka gjuhë, do të pushojnë. . . . Megjithatë, tani mbeten këto të tria: besimi, shpresa dhe dashuria, por më e madhja nga këto është dashuria.» (Pasi të plotësonin qëllimin për të cilin u dhanë, këto dhurata të mrekullueshme do të pushonin. Por cilësitë shumë të çmuara, që janë fryt i frymës së Perëndisë, do të vazhdonin të shfaqeshin në jetën e të krishterëve të vërtetë.)
Nëse një individ shërohet, a ka vërtet rëndësi se si ndodhi kjo?
2 Sel. 2:9, 10: «Prania e të paligjshmit vjen me veprimin e Satanait me çdo vepër të fuqishme [«gjithfarë mrekullish», DSF], shenja e çudira të gënjeshtërta dhe me çdo mashtrim që mund të sjellë padrejtësia. Të gjitha këto do t’i pësojnë ata që po marrin fund, si shpagim ngaqë nuk pranuan ta donin të vërtetën, që të shpëtonin.»
Luka 9:24, 25: «Kushdo që dëshiron ta shpëtojë shpirtin [«jetën», Dio, DSF, ECM] e vet, do ta humbasë, por kushdo që e humbet shpirtin e vet për hirin tim, do ta shpëtojë. Në të vërtetë, ç’dobi ka njeriu nëse fiton gjithë botën, por humb veten ose dëmtohet?»
A ka shpresë për t’u shëruar vërtet nga çdo lloj sëmundjeje?
Zbul. 21:1-4: «Pashë një qiell të ri dhe një tokë të re, sepse qielli i mëparshëm dhe toka e mëparshme kishin kaluar. . . . ‘Ai [Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.’»
Isa. 25:8: «Ai do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë.» (Shih edhe Zbulesën 22:1, 2.)
Isa. 33:24: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»
Nëse dikush thotë:
‘A beson te shërimet e mrekullueshme?’
Mund të përgjigjesh: ‘Kushdo që nuk beson se Perëndia ka fuqi të shërojë, nuk beson te Bibla. Megjithatë nuk jam i sigurt nëse këto mrekulli sot kryhen siç duhet.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Më lejoni t’ju lexoj një shkrim dhe të shohim se mos vërejmë një zakon që është shumë i ndryshëm në ditët tona. (Mat. 10:7, 8) . . . A vutë re këtu edhe diçka që Jezui dhe dishepujt mundën ta bënin, por që shëruesit e sotëm nuk kanë arritur ta bëjnë? (Ata nuk mund të ngrenë të vdekurit.)’ (2) ‘Nuk na takon neve të gjykojmë të tjerët, megjithatë duhet thënë se Mateu 24:24 përmend diçka, nga e cila duhet të ruhemi.’
Ose mund të thuash: ‘Patjetër, unë besoj se gjithçka që thotë Bibla për shërimet, është e vërtetë. Mirëpo, çdo shërim që bëhet në këtë sistem, sjell vetëm dobi të përkohshme, apo jo? Në fund, të gjithë vdesim. A do të vijë ndonjëherë një kohë kur të gjithë njerëzit të kenë shëndet të mirë dhe të mos vdesin kurrë? (Zbul. 21:3, 4)’