Shpërblesa
Përkufizimi: Çmimi që paguhet për të blerë diçka ose për t’u çliruar nga ndonjë detyrim a rrethanë e pakëndshme. Shpërblesa më e rëndësishme është ajo që pagoi Jezu Krishti me gjakun e tij. Duke e paraqitur vlerën e kësaj shpërblese në qiell, Jezui u hapi rrugën pasardhësve të Adamit të çliroheshin nga mëkati dhe vdekja, që të gjithë ne trashëguam nga Adami, paraardhësi ynë.
Si ndryshonte vdekja e Jezu Krishtit nga ajo e të tjerëve që u bënë martirë?
Jezui ishte njeri i përsosur. Ai lindi pa asnjë njollë mëkati dhe e ruajti përsosmërinë deri në fund të jetës së tij. «Ai nuk kreu asnjë mëkat», përkundrazi, ishte «i pandotur, i ndarë nga mëkatarët».—1 Pjet. 2:22; Hebr. 7:26.
Ai ishte Biri i vetëm i Perëndisë. Perëndia dëshmoi vetë për këtë, kur foli nga qiejt. (Mat. 3:17; 17:5) Ky Bir kishte jetuar më parë në qiell. Nëpërmjet tij Perëndia kishte bërë të gjitha krijesat e tjera dhe gjithçka që gjendet në mbarë universin. Për të përmbushur vullnetin e Tij, me anë të një mrekullie, Perëndia e transferoi jetën e Birit të vet në barkun e një virgjëreshe, që ai të lindte si njeri. Për të nënvizuar se ishte bërë vërtet njeri, Jezui e quajti veten: Biri i njeriut.—Kolos. 1:15-20; Gjoni 1:14; Luka 5:24.
Ai nuk ishte i pafuqishëm para atyre që e torturuan. Ai tha: «Jap shpirtin tim. . . . Nuk ma ka marrë askush, por e jap me nismën time.» (Gjoni 10:17, 18) Ai nuk pranoi t’u drejtohej forcave engjëllore, që të ndërhynin për ta mbrojtur. (Mat. 26:53, 54) Megjithëse të ligjve iu lejua të zbatonin planet që kishin thurur për ta eliminuar, në të vërtetë vdekja e tij ishte një flijim.
Gjaku i tij është çmimi që bën të mundur çlirimin e të tjerëve. «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz.» (Mar. 10:45) Ndaj, vdekja e tij ishte shumë më tepër se vdekja e një martiri, i cili nuk bën kompromis me bindjet e veta.
Shih edhe faqet 289, 290, në temën «Përkujtimi».
Që ne të kemi jetë të përhershme, pse nevojitej që shpërblesa të sigurohej në mënyrën në të cilën u sigurua?
Rom. 5:12: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Ndonëse mund të jetojmë sipas parimeve të drejta, të gjithë jemi mëkatarë që nga lindja. [Psal. 51:5] Në këtë gjendje s’ka asnjë mënyrë që të fitojmë të drejtën për të jetuar përgjithmonë.)
Rom. 6:23: «Paga që paguan mëkati është vdekja.»
Psal. 49:6-9: «Ata kanë besim te gjërat që kanë dhe krenohen vazhdimisht me bollëkun e pasurive të tyre, por asnjëri prej tyre nuk e shpengon dot kurrsesi qoftë edhe të vëllanë, as i jep dot Perëndisë një shpërblesë për të, (çmimi i shpengimit për shpirtin e tyre është aq i lartë, sa mbetet përgjithmonë i papaguar) që ai të jetojë përgjithmonë dhe të mos e shohë gropën.» (Asnjë njeri i papërsosur nuk zotëron ndonjë mënyrë për të çliruar dikë tjetër nga mëkati dhe vdekja. Paratë e tij nuk kanë aq vlerë sa të blejnë jetën e përhershme. Shpirti i tij nuk ka aq vlerë sa të çlirojë dikë tjetër, pasi, do apo s’do, ai duhet t’ia dorëzojë vdekjes si çmim për mëkatin e vet.)
Pse Perëndia nuk dekretoi thjesht që Adami dhe Eva të vdisnin për rebelimin e tyre, kurse pasardhësit e tyre që do t’i bindeshin Perëndisë, të jetonin përgjithmonë?
Sepse Jehovai «e do të drejtën dhe drejtësinë». (Psal. 33:5; Ligj. 32:4; Jer. 9:24) Prandaj, mënyra se si e zgjidhi atë situatë ishte në përputhje me drejtësinë e tij, plotësoi kërkesat e drejtësisë absolute dhe njëkohësisht lartësoi dashurinë dhe mëshirën e tij. Si?
(1) Adami dhe Eva nuk kishin pasur fëmijë para se të mëkatonin, ndaj ata që lindën më pas, ishin të gjithë të papërsosur. Të gjithë pasardhësit e Adamit lindën në mëkat, dhe mëkati çon në vdekje. Nëse Jehovai do ta kishte shpërfillur këtë fakt, do të kishte shkelur normat e tij të drejta. Ai nuk mund ta bënte një gjë të tillë, pasi do të ishte bërë palë në padrejtësi. Ai nuk iu shmang kërkesave të drejtësisë absolute. Kështu, asnjë krijesë inteligjente nuk do të kishte pasur kurrë arsye të vlefshme të gjente kleçka në lidhje me mënyrën se si veproi.—Rom. 3:21-26.
(2) Ç’masa mund të merrte Jehovai që, pa dhunuar drejtësinë e tij, të çlironte ata pasardhës të Adamit të cilët do t’i bindeshin nga dashuria? Po ja, nëse një njeri i përsosur do të flijohej, jeta e tij e përsosur do të bënte të mundur që, në përputhje me drejtësinë, të mbulonte mëkatet e atyre njerëzve, të cilët me besim do ta pranonin këtë masë. Meqenëse mëkati i një njeriu të vetëm [i Adamit] zhyti tërë familjen njerëzore në mëkat, gjaku i një njeriu tjetër të përsosur (si të thuash, një Adam i dytë), që do të kishte të njëjtën vlerë, do të përmbushte kërkesat e drejtësisë. Adami nuk mund të përfitonte nga kjo masë, pasi ai mëkatoi me vullnet, kurse pasardhësit e tij mund të çliroheshin, meqenëse dënimi i gjithë njerëzimit për mëkatin do të shlyhej nga një tjetër. Mirëpo, një njeri i tillë i përsosur nuk ekzistonte. S’do të ekzistonte kurrë dikush që t’i përmbushte kërkesat e drejtësisë absolute. Atëherë, si shprehje të një dashurie të mrekullueshme e që i kushtoi shumë, Jehovai e siguroi vetë shpërblesën. (1 Kor. 15:45; 1 Tim. 2:5, 6; Gjoni 3:16; Rom. 5:8) Biri i vetëmlindur i Perëndisë ishte i gatshëm të bënte pjesën e vet. Kështu, me përulësi, Jezui e la pas lavdinë e tij qiellore, u bë njeri i përsosur dhe dha jetën për gjithë njerëzimin.—Filip. 2:7, 8.
Ilustrim: Ta zëmë se kreu i një familjeje kryen një krim dhe dënohet me vdekje. Fëmijët e tij mund të mbeten në një gjendje të mjerë dhe të mbytur në borxhe që s’mund t’i shlyejnë. Mirëpo gjyshi u vjen në ndihmë. Ai rregullon që djali që jeton me të të shlyejë borxhet e tyre dhe kështu, të mund të nisin një jetë të re. Kuptohet që fëmijët nuk mund të përfitojnë, nëse nuk e pranojnë këtë rregullim, dhe gjyshi nga ana e tij me të drejtë mund t’u vërë disa kushte për t’u siguruar se fëmijët nuk do të ndjekin rrugën e babait të tyre.
Cilët ishin të parët mbi të cilët u zbatua vlera e flijimit të Jezuit, dhe me ç’qëllim?
Rom. 1:16: «Mua nuk më vjen turp për lajmin e mirë [lidhur me Jezu Krishtin dhe rolin e tij në qëllimin e Jehovait]. Në të vërtetë, ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e kujtdo që ka besim, më parë të judeut, por edhe të grekut.» (Ftesa për të përfituar nga masa që është marrë për të shpëtuar përmes Krishtit, iu bë së pari judenjve, e pastaj jojudenjve.)
Efes. 1:11-14: «Edhe ne [judenjtë, duke përfshirë edhe apostullin Pavël] u caktuam bashkë me të [Krishtin] si trashëgimtarë [trashëgimtarë të cilës gjë? Të Mbretërisë qiellore], . . . që përmes nesh, që ishim të parët që shpresuam te Krishti, Perëndia të lëvdohej e të merrte lavdi. Por edhe ju [të krishterët e marrë nga kombet johebreje, siç ishin shumë në Efes] shpresuat në të pasi dëgjuat fjalën e së vërtetës, lajmin e mirë për shpëtimin tuaj. Gjithashtu, me anë të tij, pasi besuat, u vulosët me frymën e shenjtë të premtuar, që është kapari i trashëgimisë sonë, me qëllimin që të çlironte nëpërmjet shpërblesës zotërimin e vetë Perëndisë, për lëvdimin e tij të lavdishëm.» (Siç tregohet te 1 Pjetrit 1:4, ajo trashëgimi është qiellore. Zbulesa 14:1-4 tregon se ata që e marrin, janë 144.000 veta. Ata do të shërbejnë si mbretër dhe priftërinj mbi njerëzimin për 1.000 vjet bashkë me Krishtin. Gjatë asaj kohe, do të përmbushet edhe qëllimi i Perëndisë që toka të kthehet në një parajsë të populluar me pasardhës të përsosur të çiftit të parë njerëzor.)
Kush tjetër përfiton sot nga flijimi i Jezuit?
1 Gjon. 2:2: «Ai [Jezu Krishti] është një flijim pajtues për mëkatet tona [ato të apostullit Gjon dhe të të krishterëve të tjerë të mirosur], madje jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës [njerëzve të tjerë, për të cilët është bërë e mundur shpresa për të jetuar përgjithmonë në tokë].»
Gjoni 10:16: «Kam edhe dele të tjera, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato do t’i sjell, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një kope e vetme me një bari të vetëm.» (Këto «dele të tjera» gëzojnë kujdesin e dashur të Jezu Krishtit, teksa mbetja e «kopesë së vogël», e përbërë nga ata që do të trashëgojnë Mbretërinë, është ende në tokë. Pra, «delet e tjera» mund të shoqërohen me ata që do të trashëgojnë Mbretërinë si pjesë e ‘një kopeje të vetme’. Të gjithë së bashku ata nxjerrin dobi nga flijimi i Jezuit, por jo në të njëjtën mënyrë, pasi shpresa që kanë, është e ndryshme.)
Zbul. 7:9, 14: «Pas këtyre gjërave, pashë të qëndronte para fronit dhe para Qengjit një shumicë të madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët. . . . ‘Këta janë ata që dalin nga shtrëngimi i madh dhe i kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.’» (Pra, anëtarët e shumicës së madhe do të jenë gjallë kur të nisë shtrëngimi i madh. Ata kanë një qëndrim të pastër para Perëndisë, sepse tregojnë besim te shpërblesa. Drejtësia që u atribuohet mbi këtë bazë, mjafton që ata të kalojnë shtrëngimin e madh dhe të ruhen gjallë në tokë.)
Ç’bekime do të sjellë shpërblesa në të ardhmen?
Zbul. 5:9, 10: «Ata këndojnë një këngë të re, që thotë: ‘Ti [Qengji, Jezu Krishti] je i denjë të marrësh rrotullën e të hapësh vulat e saj, sepse ti u there dhe me gjakun tënd bleve për Perëndinë njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, i bëre një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë, dhe ata do të mbretërojnë mbi tokën.’» (Ata që do të mbretërojnë bashkë me Krishtin, kanë nevojë për shpërblesën, që ta kenë rrugën të hapur drejt jetës qiellore. Së shpejti, të gjithë ata që do të marrin pjesë në qeverisjen e re të tokës, do të jenë në fronet e tyre në qiell.)
Zbul. 7:9, 10: «Pashë të qëndronte para fronit dhe para Qengjit [Jezu Krishtit, i cili vdiq sikur të ishte një qengj flijimi] një shumicë të madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte. Ata ishin veshur me petka të bardha të gjata dhe kishin në duar degë palmash. Ata thërrasin me zë të fortë: ‘Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, i cili rri ulur në fron, dhe Qengjit.’» (Që të mbijetojë gjatë shtrëngimit të madh, shumica e madhe duhet të ketë patjetër besim te flijimi i Krishtit.)
Zbul. 22:1, 2: «Më pas më tregoi një lumë me ujin e jetës, i kulluar si kristal, që rridhte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit, e zbriste përmes udhës së gjerë të qytetit. Këtej e andej lumit ishin pemët e jetës, që prodhojnë fryt dymbëdhjetë herë në vit, po, japin fryt muaj për muaj. Ndërsa gjethet e pemëve ishin për shërimin e kombeve.» (Zbatimi i vlerës së flijimit të Qengjit të Perëndisë, Jezu Krishtit, përbën një pjesë të rëndësishme të masave që ka marrë Perëndia për të shëruar njerëzimin nga të gjitha pasojat e mëkatit dhe për t’i dhënë mundësi që të gëzojë jetën e përhershme.)
Rom. 8:21: «Edhe vetë krijesa [njerëzimi] do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.»
Ç’kërkohet nga ne, që të nxjerrim dobi të qëndrueshme nga flijimi i përsosur i Jezuit?
Gjoni 3:36: «Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme, kurse ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi të.»
Hebr. 5:9: «Pasi [Jezu Krishti] u bë i përsosur, u bë shkak për shpëtimin e përhershëm të të gjithë atyre që i binden.»
Ç’na zbulon shpërblesa për ndjenjat që ka Perëndia për njerëzit?
1 Gjon. 4:9, 10: «Perëndia e shfaqi dashurinë e tij ndaj nesh, duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij. Në këtë qëndron dashuria: jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi dhe dërgoi Birin e tij si një flijim pajtues për mëkatet tona.»
Rom. 5:7, 8: «Vështirë të vdesë dikush për një njeri të drejtë, kurse për një njeri të mirë, mbase dikush edhe guxon të vdesë. Por Perëndia na e shfaq dashurinë e vet në atë që, kur ishim akoma mëkatarë, Krishti vdiq për ne.»
Si duhet të ndikojë shpërblesa në mënyrën se si jetojmë?
1 Pjet. 2:24: «Ai vetë mbarti mëkatet tona në trupin e tij në shtyllë, që ne të mos kishim të bënim më me mëkatet dhe të jetonim për drejtësinë.» (Duke parë gjithë sa kanë bërë Jehovai dhe Biri i tij për të na pastruar nga mëkati, ne duhet të përpiqemi me gjithë shpirt që t’i mposhtim prirjet mëkatare. As që duhet ta çojmë nëpër mend të bëjmë qëllimisht diçka, të cilën e dimë se është mëkat!)
Titit 2:14: «Ai [Krishti Jezu] dha veten për ne, që të na çlironte nga çdo lloj paligjshmërie dhe të pastronte për vete një popull posaçërisht të vetin, të zellshëm për vepra të shkëlqyera.» (Vlerësimi për këtë masë të mrekullueshme, duhet të na nxitë të marrim pjesë me zell në veprat që u caktoi Krishti ithtarëve të tij të vërtetë.)
2 Kor. 5:14, 15: «Dashuria që ka Krishti, na detyron, sepse kemi gjykuar që një njeri i vetëm vdiq për të gjithë. Kështu, të gjithë kishin vdekur, dhe ai vdiq për të gjithë, që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit.»