Roli i prindërve
Pa dyshim, në shoqërinë e sotme nuk është e lehtë që t’i rrisësh fëmijët në mënyrë që të bëhen persona të ekuilibruar.
INSTITUTI Kombëtar Amerikan i Higjienës Mendore botoi rezultatet e një sondazhi të bërë mbi prindër që konsideroheshin të suksesshëm në rritjen e fëmijëve. Fëmijët mbi moshën 21 vjeç, «ishin të gjithë persona të rritur frytdhënës që me sa duket kishin zënë një vend të mirë në shoqëri». Këtyre prindërve iu kërkua: «Në bazë të përvojës suaj personale, cila është këshilla më e mirë që mund t’u jepni prindërve të tjerë?» Përgjigjet më të shpeshta ishin këto: «Kini dashuri të pakufishme për fëmijët tuaj!» «Disiplinojini për t’i ndërtuar!» «Kaloni kohë me ta!» «Mësojini fëmijët të dallojnë të drejtën nga e padrejta!» «Zhvilloni respekt reciprok!» «Dëgjojini me të vërtetë!» «Ofroni udhëheqje në vend se t’u bëni moral!» «Jini realistë!»
Megjithatë, nuk janë prindërit të vetmit që duhet të punojnë për të nxjerrë persona të edukuar mirë. Edhe mësuesit luajnë një rol të rëndësishëm lidhur me këtë. Një këshilltar shkollor me përvojë, vërejti: «Synimi kryesor i arsimimit formal është që të mbështesë prindërit për t’i bërë fëmijët e tyre të rinj të përgjegjshëm dhe të pjekur në planin intelektual, fizik dhe emocional.»
Prandaj, prindërit dhe mësuesit kanë të njëjtin synim: të nxjerrin të rinj që më vonë do të bëhen njerëz të pjekur dhe të ekuilibruar, që e gëzojnë jetën dhe kanë zënë vendin e tyre në shoqërinë në të cilën jetojnë.
Bashkëpunëtorë e jo konkurrentë
Megjithatë, kur prindërit nuk arrijnë të bashkëpunojnë me mësuesit lindin probleme. Disa prindër, për shembull, janë krejtësisht indiferentë kundrejt arsimimit të fëmijëve të tyre; të tjerë përpiqen të konkurrojnë me mësuesit. Duke folur mbi këtë situatë, një gazetë franceze thotë: «Mësuesi nuk është më kapiteni i vetëm në bordin e anijes. Prindërit që e kanë fiksim suksesin e fëmijëve të tyre u bëjnë autopsinë librave shkollorë, gjykojnë dhe kritikojnë metodat mësimore dhe reagojnë që me notën e parë të ulët të fëmijës.» Veprime të tilla mund të cënojnë të drejtat e mësuesit.
Dëshmitarët e Jehovait mendojnë se fëmijët e tyre, edukohen më mirë kur prindërit bashkëpunojnë me mësuesit, duke u kujdesur në mënyrë të dobishme dhe aktive për arsimimin e fëmijëve të tyre. Ata besojnë se ky bashkëpunim është veçanërisht i rëndësishëm, sepse puna juaj si mësues po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Problemet shkollore sot
Duke qenë se pasqyrojnë shoqërinë në të cilën bëjnë pjesë, shkollat nuk janë të mbrojtura nga problemet shoqërore në përgjithësi. Me kalimin e viteve, problemet shoqërore janë keqësuar me ritme të shpejta. Duke përshkruar gjendjen e një shkolle në Shtetet e Bashkuara, New York Times shkruan: «Nxënësit flenë në klasë, kërcënojnë njëri-tjetrin nëpër korridoret e shëmtuara nga shkrimet nëpër mure, përçmojnë nxënësit e mirë. . . . Pothuajse të gjithë nxënësit përballojnë probleme të tilla, si kujdesi për më të vegjlit e familjes, për prindërit nëpër burgje dhe që duhet t’i mbijetojnë dhunës së bandave. Çdo ditë, mungon gati një e pesta e nxënësve.»
Veçanërisht alarmuese është rritja e problemit ndërkombëtar të dhunës nëpër shkolla. Ndeshjet trup me trup, janë zëvendësuar nga një rutinë me gjuajtje armësh dhe goditje thikash. Armët janë bërë mëse të zakonshme, sulmet më të ashpra me fëmijët që i drejtohen dhunës shumë herët dhe në një moshë më të vogël.
Pa dyshim, jo në të gjitha vendet kushtet janë kaq të tmerrshme. Megjithatë, shumë mësues në mbarë botën përballojnë gjendjen e përmendur në një gazetë javore franceze: «Mësuesi nuk respektohet më; ai nuk ka më autoritet.»—Le Point.
Kjo mungesë respekti për autoritetet përbën vërtet një rrezik për të gjithë fëmijët. Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen t’u mësojnë fëmijëve të tyre bindjen dhe respektin për autoritetet, cilësi që shpesh mungojnë sot në jetën shkollore.
[Diçitura në faqen 29]
Dëshmitarët e Jehovait mendojnë se për dobinë e fëmijëve të tyre, është e nevojshme që prindërit të bashkëpunojnë me mësuesit, duke u kujdesur në mënyrë të dobishme dhe aktive për arsimimin e fëmijëve të tyre
[Figura që zë gjithë faqen 26]
[Figura në faqen 28]
Mësuesit luajnë një rol kyç në përgatitjen e adultëve të rinj të edukuar mirë
[Figura në faqen 30]
Prindërit që i rrisin mirë fëmijët e tyre, kalojnë kohë me ta