Emri i tyre: Dëshmitarët e Jehovait
Emri Dëshmitarët e Jehovait është përshkrues. Ai bazohet në deklaratën që gjendet në Bibël, në kapitullin 43, vargu 10 të librit të Isaisë, ku thuhet: «Dëshmitarët e mi jeni ju, thotë Zoti.» Meqenëse të gjithë Dëshmitarët e Jehovait ia kanë dedikuar jetën Perëndisë, ata dëshmojnë për emrin, pozitën e tij si Perëndi dhe për qëllimet e tij.
Një lexim i kujdesshëm i Biblës do t’ju tregojë që Jehova është emri personal i Perëndisë së plotfuqishëm, Krijuesit të universit. Kjo tregohet në Përkthimin e Kristoforidhit, në Të Dalëtë (Eksodi), krye (kapitulli) 6, vargu 3: «Edhe i udukçë Abrahamit, Isaakut e Jakobit me emër Perëndi Gjithë-pushtetës, po me emrërinë t’im Jehovah nuk’ unjohva tek ata.»
«Perëndi», «Zotëri» dhe «Krijues», ashtu si «president», «mbret» dhe «gjeneral», janë tituj dhe mund të përdoren për njerëz të ndryshëm. Titujt nuk janë as personalë, as dallues. Por, emri Jehova e identifikon Perëndinë e vërtetë si një person real. Prandaj, më shumë se 5.600.000 Dëshmitarë të Jehovait, në mbi 230 vende, po thonë sot lajmin e mirë të Mbretërisë qiellore të Perëndisë të drejtuar nga Krishti Jezu dhe po e përdorin rregullisht emrin e Perëndisë në adhurimin e tyre.
Dëshmitarët e Jehovait përdorin formën «Jehova», me të cilën njerëzit janë familjarizuar prej shekujsh. Studiuesi dhe profesori gjerman Gustav Fridrih Ohler e mbështeti këtë përdorim në veprën e tij Theology of the Old Testament, faqe 143, ku thotë: «Që këtej e tutje unë përdor fjalën Jehova, sepse në të vërtetë, tani ky emër është bërë më i natyrshëm në fjalorin tonë dhe nuk mund të zëvendësohet.»
Emri i Perëndisë është përdorur gjatë gjithë historisë, madje deri më sot. Është për t‘u përmendur që emri i Perëndisë, i shkruar në Bibël me shkronja hebraike (tetragram), ka qenë pjesë e dekorit të shumë ndërtesave fetare, duke treguar që nuk është një term i ri, por përkundrazi, një emër me baza të forta, i cili vjen që nga kohët biblike.
[Figura në faqen 4]
Emri hyjnor i shkruar me shkronjat e vjetra hebraike dhe siç gjendet në një Bibël shqiptare të vitit 1914