Fillimet e Dëshmitarëve të Jehovait në Shqipëri
Fundi i viteve 1800 dhe fillimi i viteve 1900 solli për shumë familje shqiptare ndryshime të mëdha. Duke kërkuar kushte më të mira ekonomike, burrat filluan të emigrojnë jashtë vendit. Këta burra mbartën me vete edhe traditat e bindjet e tyre fetare. Pasi u stabilizuan, shumë prej tyre filluan të tërhiqnin edhe familjet e veta.
Në fillim të viteve ‘20, disa shqiptarë që kishin shkuar në Shtetet e Bashkuara, filluan të rishikonin pikëpamjet e tyre fetare. Të trazuar nga hipokrizia e fesë, ata filluan të kërkonin përgjigje në Bibël. Një numër i konsiderueshëm i tyre u afruan me Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait.
Të bindur që kishin gjetur standarde të qëndrueshme morale dhe udhëzime hyjnore për jetën e tyre, si edhe një shpresë të vërtetë për të ardhmen, disa prej këtyre njerëzve ndryshuan tërësisht planet e tyre. Në vend që të transferonin familjet e tyre në Shtetet e Bashkuara, ata i harxhuan lekët e fituara me mund për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Korçë, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier. Ata donin ta ndanin me shqiptarët e tjerë atë që kishin mësuar prej Biblës. Për shkak të veprës së tyre të predikimit në ato vite, Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri u bënë të njohur si ungjillorë.
Nga fundi i viteve ‘20 e tutje, serioziteti, standardet e larta morale dhe asnjanësia politike paqësore e Dëshmitarëve të Jehovait, i bënë ata që të fitonin respektin e atyre që i njihnin. Zyrtarët e qeverisë kishin shumë besim te disa Dëshmitarë. Madje një Dëshmitar i respektuar nga Gjirokastra, ka shërbyer si mjek për një udhëheqës qeveritar.
Gjatë sundimit të Mbretit Zog, një prift ortodoks iu referua ndershmërisë së Dëshmitarëve të Jehovait dhe i tha mbretit: «Nëse të gjithë do të ishin si këta njerëz, ju do të mund t’i linit dyert e pallatit tuaj pa kyç.» Dëshmitarët vazhdonin të angazhoheshin në predikimin e tyre. Edhe pse disa udhëheqës fetarë u përpoqën t’i diskreditonin, Dëshmitarët nuk përbënin një rrezik për qeverinë. Ata nuk u përzjenë me politikën, por qëndruan asnjanës. Raportet tregojnë se në atë kohë në Shqipëri kishte nga 30 deri në 40 Dëshmitarë.
Vite të vështira
Në fund të viteve ‘30, kur në Shqipëri hyri fashizmi, Dëshmitarët e Jehovait nuk u përzjenë në politikë. Ata vazhduan të përqendroheshin në veprën e tyre për të kthyer vëmendjen e njerëzve ndaj Perëndisë dhe Fjalës së tij, Biblës. Disa anëtarë të këtij grupi të vogël u persekutuan dhe madje me ta u abuzua fizikisht. Literatura e Dëshmitarëve u konfiskua. Megjithatë, ata nuk e kundërshtuan qeverinë, por mbetën asnjanës. Ndërsa vazhdonin të predikonin në Korçë, Përmet, Gjirokastër, Ersekë, Pogradec, Elbasan, Tiranë dhe Shkodër, numri i tyre filloi të rritej disi.
Në mes të viteve ‘40, në Shqipëri filloi sundimi komunist. Dëshmitarët e Jehovait nuk u revoltuan dhe as nuk luftuan kundër sundimit totalitar. Megjithëse nuk ishte e lehtë, ata vazhduan të ndiqnin adhurimin e tyre ndaj Perëndisë. Më 1957 kishte 75 Dëshmitarë aktivë dhe me ta po shoqëroheshin disa persona të interesuar.
Kur më 1967 feja u hoq ligjërisht, Dëshmitarët e Jehovait bënë ç’mundën për të ndihmuar të tjerët që të qëndronin të fortë moralisht. U ndaluan të mblidheshin së bashku. Shumë prej tyre ishin mjaft të shkuar në moshë. Disa mblidheshin në grupe prej tre ose katër vetash. Meqenëse praktikonin besimin e tyre te Perëndia, ata u burgosën, u torturuan dhe u internuan. Megjithatë, ata iu bindën qeverisë në çdo gjë që nuk binte drejtpërdrejt ndesh me ligjet e Perëndisë. Megjithëse nganjëherë kjo nënkuptonte jetën, ata vazhduan të jenë asnjanës; ata nuk ishin kundërshtarë.
Të lumtur për lirinë e adhurimit
Në fillim të viteve ‘90, Shqipëria përballoi ndryshime të mëdha politike. Kjo çoi në vendosjen e një qeverie të re. Njëlloj si përpara, Dëshmitarët e Jehovait mbetën politikisht asnjanës. Rriedhimisht, ata nuk morën fare pjesë në dhunë, në greva ose krime kundër shtetit. Ata as nuk iu kundërvunë ndryshimeve, as luftuan për to. Dëshmitarët e moshuar filluan t‘i mësonin një brezi të ri atë që ata kishin mësuar. Kjo i ndihmoi shumë të rinj që të rriteshin në pjekuri dhe të bëheshin qytetarë e të rritur më të përgjegjshëm.
Në përputhje me ligjin, Dëshmitarët e Jehovait e regjistruan ligjërisht organizatën e tyre dhe lumturisht e morën miratimin e qeverisë shqiptare me dekret Nr. 100, më 22 maj 1992. Zyra e sekretarit të fesë vërejti: «Në lidhje me çështjet ligjore keni qenë shumë korrekt.» Juristes pranë ministrive i bëri përshtypje që statusi i Dëshmitarëve nuk parashikonte fitime financiare dhe se nuk kishin një kler me rrogë. Dëshmitarët e çmojnë këtë vlerësim që u bëhet për standardet e tyre të larta dhe me respekt vazhdojnë t’u nënshtrohen qeverisë dhe ligjeve të saj.
Kur në Shqipëri feve iu dha përsëri liria për të adhuruar, shumë shqiptarë filluan të kthenin vëmendjen e tyre ndaj Perëndisë. Në fillim të vitit 1992, me Dëshmitarët shoqëroheshin mbi 300 persona. Dëshmitarët janë të kënaqur që miratimet e qeverisë, të dhëna përmes ministrive të ndryshme, u kanë bërë të mundur atyre të importojnë Bibla, literaturë për arsimim fetar dhe ndihma humanitare. Ata e vlerësojnë bashkëpunimin e qeverisë që i lejon ata të ndihmojnë nevojtarët.
Ndonëse vepra arsimuese e Dëshmitarëve është kryesisht e një natyre shpirtërore, mësimet e tyre morale do të ishin fjalë boshe nëse nuk do të jepnin ndihmë materiale, kur kjo të ishte e nevojshme. Qindra shqiptarë kanë marrë personalisht veshje, ushqim dhe gjëra të tjera të nevojshme materiale. Ndihma bujare për familjet nevojtare shqiptare, ka ardhur prej individësh Dëshmitarë nga Anglia, Austria, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hong Kongu, Italia, Maqedonia, Shtetet e Bashkuara dhe Zvicra.
Megjithatë, Jezui mësoi: «Kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç’bën e djathta . . . ; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas.» (Mateu 6:3, 4) Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait nuk duan që t’i publikojnë si për lavdi personale ndihmat e tyre. Dëshmitarët në Itali dhe Greqi u kanë dërguar bujarisht Dëshmitarëve të tjerë në Shqipëri ndihma mjekësore. Për pasojë, Dëshmitarët në Shqipëri kanë mundur t’u dhurojnë ndihma mjekësore spitaleve dhe mjekëve, si edhe shumë individëve që ishin të sëmurë. Dëshmitarët kanë dhuruar, gjithashtu, orendi për disa ndërtesa publike që i shërbejnë popullit shqiptar. Janë ndihmuar shumë familje pa të ardhura. Në këto mënyra modeste, Dëshmitarët përpiqen të praktikojnë atë që predikojnë
[Figura në faqen 6]
Një grup Dëshmitarësh të Jehovait në Vlorë, në fillim të viteve ’30
[Figura në faqen 7]
Me këtë dokument, më 22 maj 1992, qeveria shqiptare miratoi ligjërisht Dëshmitarët e Jehovait