BEEROTI
[puse].
Një nga katër qytetet hivite që, me mendjemprehtësi, bënë besëlidhje me Josiun. Me sa duket, në këtë çështje e morën drejtimin burrat e Gibeonit. (Js 9:3-17) Më pas, ky qytet u përfshi në trashëgiminë e fisit të Beniaminit. (Js 18:21, 25) Në tregimin për vrasjen e Ish-Boshethit, birit të Saulit, nga burra të Beerotit, thuhet se «edhe Beeroti llogaritej si pjesë e Beniaminit». Kjo mund të tregojë se qyteti ishte afër kufirit të një fisi fqinj, ndaj duhej saktësuar se në territorin e cilit fis gjendej. (2Sa 4:2-6) Përmendet se banorët e tij ia mbathën për në Gitaim, por nuk shpjegohet arsyeja. Mbase kjo ndodhi për shkak të mësymjeve të filistinëve pas fitores mbi forcat e Saulit në malin Gilboa; ose mund të kenë ikur pas vrasjes së Ish-Boshethit, që të shmangnin gjakmarrjen. Sidoqoftë, pas mërgimit në Babiloni, burrat e Beerotit renditen mes atyre që u kthyen në Judë.—Ezd 2:1, 25; Ne 7:29.
Disa e lidhin Beerotin me Kirbet-el-Burjin ose Nabi-Samvilin në jug, kurse të tjerë me El Birën, qytezë fqinje me Ramallahun e sotëm, rreth 14 km në veri të Jerusalemit dhe rreth 8 km në veri-verilindje të Gibeonit, pra afër kufirit të Efraimit. Atje gjendet një krua që siguron ujë me bollëk. Rrënojat e një hani të vjetër tregojnë se ishte vendqëndrim për karvanët.