BELSHAZARI
[nga gjuha akadiane që do të thotë «mbro jetën e tij»; ose ndoshta «Beli mbroftë mbretin»].
Biri i parëlindur i Nabonidit dhe bashkëregjent me të gjatë viteve të fundit të Perandorisë Babilonase. Në Bibël përmendet vetëm nga profeti Daniel, dhe për një kohë të gjatë kritikët e Biblës e mohonin pozitën e tij si ‘mbret i Babilonisë’. (Dn 5:1, 9; 7:1; 8:1) Megjithatë, dokumente të lashta të zbuluara nga arkeologët kanë provuar vërtetësinë historike të Biblës.
Te Danieli 5:2, 11, 18, 22, Nabukodonosori quhet «ati» i Belshazarit dhe Belshazari quhet «biri» i Nabukodonosorit. Në një libër (Nabonidus and Belshazzar, nga R. F. Dauërti, 1929) arsyetohet se ka shumë mundësi që nëna e Belshazarit ishte Nitokrisa dhe se ajo ishte bija e Nabukodonosorit (II). Nëse po, Nabukodonosori ishte gjyshi i Belshazarit. (Shih Zn 28:10, 13 për një përdorim të ngjashëm të fjalës «atë».) Gjithsesi, jo të gjithë studiuesve u duket plotësisht bindës shpjegimi i një lidhjeje të tillë. Ndoshta Nabukodonosori ishte «ati» i Belshazarit thjesht për sa i përket fronit, meqë ishte paraardhësi i tij në fron. Në mënyrë të ngjashme, asirianët përdornin shprehjen «bir i Omrit» për një pasues të Omrit.—Shih OMRI nr. 3.
A e vërteton historia jobiblike rolin e Belshazarit si sundimtar i Babilonisë?
Në një pllakë me shkrim kuneiform, që daton nga viti kur u ngjit në fron Neriglisari, i cili u bë mbret i Babilonisë pas Avil-Mardukut (Evil-Merodakut), përmendet në lidhje me një veprim financiar një burrë i quajtur «Belshazar, kryezyrtari i mbretit». Ndonëse nuk ka prova, ka mundësi që bëhet fjalë për Belshazarin e Biblës. Në vitin 1924, u botua një deshifrim i dokumentit të lashtë kuneiform të quajtur «Tregimi në vargje i Nabonidit». Falë tij dolën në dritë informacione me vlerë, që vërtetonin qartë pozitën mbretërore të Belshazarit në Babiloni dhe shpjegonin si u bë bashkëregjent i Nabonidit. Ja ç’thuhet në këtë dokument për pushtimin e Temës nga Nabonidi gjatë vitit të tretë të mbretërimit të tij: «Ai ia besoi ‘kampin’ (djalit) të tij të madh, të parëlindurit [Belshazarit], dhe vuri nën (komandën) e tij gjithë ushtrinë e vet që vepronte në tërë vendin. Hoqi dorë nga (gjithçka) dhe ia besoi mbretërinë atij. Ai vetë [Nabonidi] u nis për një udhëtim të gjatë dhe bashkë me të marshonin forcat (ushtarake) të Akadit; ai u drejtua për nga Tema, (tutje) në perëndim.» (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 313) Pra, është e qartë se që nga viti i tretë i mbretërimit të Nabonidit e më tej, Belshazari kishte pushtet mbretëror, dhe kjo ka të ngjarë të përkojë me kohën që Danieli e quan ‘viti i parë i Belshazarit, mbretit të Babilonisë’.—Dn 7:1.
Në një dokument tjetër, Kronika e Nabonidit, thuhet për vitin e shtatë, të nëntë, të dhjetë dhe të njëmbëdhjetë të mbretërimit të Nabonidit: «Mbreti (ndodhej) në Temë, (ndërsa) princi, oficerët dhe ushtria e tij (ndodheshin) në Akad [Babiloni].” (Assyrian and Babylonian Chronicles, nga A. K. Grejsëni, 1975, f. 108) Me sa duket, për një pjesë të madhe të mbretërimit të tij, Nabonidi nuk ishte në Babiloni. Megjithëse nuk hoqi dorë nga pozita si sundimtar suprem, ia besoi autoritetin administrativ të birit, Belshazarit, në mungesë të tij. Kjo duket qartë në një sërë dokumentesh të nxjerra nga arkivat e lashta, të cilat provojnë se Belshazari kishte pushtet mbretëror, se nxirrte urdhëresa e jepte drejtim. Me çështjet e trajtuara nga Belshazari në disa dokumente e urdhëresa, normalisht duhej të merrej Nabonidi, si sundimtar suprem, po të kishte qenë i pranishëm. Gjithsesi, Belshazari mbetej sundimtari i dytë në perandori, prandaj mund t’i ofronte Danielit vetëm të bëhej «i treti në mbretëri».—Dn 5:16.
Është e vërtetë që në mbishkrimet zyrtare Belshazari ka titullin «princ trashëgimtar», kurse në librin e Danielit ka titullin «mbret». (Dn 5:1-30) Arsyen e mundshme të këtij ndryshimi e tregon një zbulim arkeologjik që u bë në veri të Sirisë. Në vitin 1979, u nxor në dritë një statujë me përmasa reale e një sundimtari të Gozanit të lashtë. Në pjesën e poshtme të saj kishte dy mbishkrime, njëri në gjuhën asiriane, tjetri në gjuhën aramaike—gjuha në të cilën Danieli shkroi historinë e Belshazarit. Të dyja mbishkrimet ishin thuajse identike, por binte në sy një ndryshim. Mbishkrimi në gjuhën perandorake asiriane thotë se ishte statuja e «guvernatorit të Gozanit». Mbishkrimi në gjuhën aramaike, gjuha e popullsisë vendëse, e quan «mbret».
Alen Milardi, arkeolog dhe gjuhëtar, shkruan: «Nën dritën e burimeve babilonase dhe mbishkrimeve të reja të kësaj statuje, ndoshta ishte krejt normale që Belshazari të quhej ‘mbret’ në dokumente të tilla jozyrtare si libri i Danielit. Edhe pse mund të mos ketë qenë ligjërisht mbret, ai kishte rolin e mbretit si përfaqësues i të atit. Tregimi me përpikëri i këtij ndryshimi do të ishte i parëndësishëm dhe pështjellues në historinë e treguar te Danieli.»—Biblical Archaeology Review, maj-qershor 1985, f. 77.
Ata që ushtronin pushtet mbretëror në Babiloni pritej të ishin shembull në adhurimin e perëndive. Në gjashtë dokumente me shkrim kuneiform, që flasin për ngjarjet nga viti i 5-të deri në vitin e 13-të të mbretërimit të Nabonidit, tregohet përkushtimi i Belshazarit ndaj hyjnive babilonase. Sipas këtyre dokumenteve, Belshazari, si mbret në mungesë të Nabonidit, paraqiste në tempujt e Erekut dhe Siparit flori, argjend dhe kafshë, duke vepruar kështu siç i shkonte për shtat pozitës së tij mbretërore.
Fundi i sundimit të Belshazarit. Natën e 5 tetorit të vitit 539 p.e.s. (sipas kalendarit gregorian; ose 11 tetor sipas kalendarit julian) Belshazari shtroi një gosti të madhe për një mijë nga fisnikët e tij, siç tregohet në kapitullin e 5-të të Danielit. (Dn 5:1) Asokohe Babilonia kërcënohej nga forcat ushtarake të Kirit të Persisë dhe të aleatit të tij, medit Dar, që kishin rrethuar qytetin. Sipas historianit jude Jozef (që citon priftin babilonas Beros), pas një disfate me forcat medo-perse, Nabonidi ishte strukur në qytetin e Borsipës. (Kundër Apionit, I, 150-152 [20]) Nëse ishte ashtu, pozitën e mbretit në Babiloni e mbante Belshazari. Shtrimi i një gostie teksa qyteti gjendej i rrethuar nuk ishte edhe aq i çuditshëm, po të kujtojmë se për babilonasit muret e qytetit ishin të pathyeshme. Veç kësaj, historianët Herodot dhe Ksenofon thonë se qyteti kishte furnizime të bollshme me gjërat e nevojshme, ndaj askush nuk merakosej se mos vuanin nga ndonjë krizë. Herodoti përshkruan atmosferën festive të qytetit atë natë, mes vallesh e argëtimesh.
Gjatë gostisë, Belshazari, nën ndikimin e verës, kërkoi të sillnin enët e marra nga tempulli i Jerusalemit, që me to të pinin ai, mysafirët, gratë e konkubinat e tij, ndërsa lëvdonin perënditë babilonase. Pa dyshim, ajo kërkesë nuk u bë ngaqë s’kishte enë për të pirë, por u bë qëllimisht e me shpërfillje nga mbreti pagan, për të poshtëruar Perëndinë e izraelitëve, Jehovain. (Dn 5:2-4) Kështu ai me paturpësi sfidoi Jehovain, i cili kishte frymëzuar profecitë që parathoshin rënien e Babilonisë. Ndërkohë që dukej se nuk e vriste mendjen për rrethimin nga forcat armike, Belshazari u trondit tepër kur papritmas u shfaq një dorë që nisi të shkruante në murin e pallatit. Me gjunjët që i dridheshin, ai thirri gjithë burrat e tij të mençur që ta interpretonin mesazhin e shkruar, por më kot. Bibla tregon se atëherë mbretëresha i dha një këshillë të mençur që të thërriste Danielin, si i vetmi që ishte në gjendje ta interpretonte. (Dn 5:5-12) Sipas disa studiuesve, «mbretëresha» nuk ishte gruaja e Belshazarit, por e ëma, Nitokrisa, që mendohet se ishte e bija e Nabukodonosorit. Nën frymëzim, Danieli zbuloi kuptimin e mesazhit të shkruar me anë të një mrekullie, që parathoshte rënien e Babilonisë para medëve dhe persëve. Profeti i moshuar e dënoi blasfeminë e Belshazarit, i cili piu me enët që përdoreshin në adhurimin e Jehovait, për të lëvduar perënditë që as shohin gjë, as dëgjojnë gjë e as dinë gjë. Prapëseprapë, Belshazari nuk e tërhoqi propozimin dhe e bëri Danielin sundimtarin e tretë në mbretërinë që ishte në prag të shkatërrimit.—Dn 5:17-29.
Belshazari vdiq po atë natë; ai u vra gjatë pushtimit të qytetit, më 5 tetor të vitit 539 p.e.s, kur, sipas Kronikës së Nabonidit, «ushtria e Kirit (II) hyri në Babiloni pa luftuar». (Assyrian and Babylonian Chronicles, f. 109, 110; shih edhe Dn 5:30.) Me vdekjen e Belshazarit dhe, pa dyshim, me dorëzimin e Nabonidit para Kirit, mori fund Perandoria Neobabilonase.—Shih KIRI nr. 1; NABONIDI.
[Figura në botimin e shtypur]
Cilindër nga një tempull babilonas, ku përmendet mbreti Nabonid dhe biri i tij Belshazari