BEREA
Qytet i populluar i provincës së Maqedonisë që apostulli Pavël e vizitoi gjatë udhëtimit të dytë misionar. (Ve 17:10-14) Sot quhet Verja. Gjendej në një zonë pjellore, rrëzë malit Vermion, rreth 65 km në perëndim-jugperëndim të Selanikut dhe 35 km larg detit Egje.
Ka të ngjarë që Pavli e Sila të kenë mbërritur në Bere rreth vitit 50 të e.s., pasi ishin nisur natën nga Selaniku për shkak të turmave të dhunshme. Berea kishte një komunitet judenjsh dhe një sinagogë ku predikuan dy misionarët. Falë gatishmërisë për t’ia vënë veshin mesazhit dhe zellit për të shqyrtuar Shkrimet që t’i vërtetonin gjërat që mësonin, bereasit e merituan lavdërimin që gjejmë te Veprat 17:11. Shumë nga ata ‘me mendje fisnike’ ndryshuan besim, qoftë judenj, qoftë grekë. Por vepra e Pavlit u ndërpre ngaqë erdhën judenjtë fanatikë të Selanikut, të betuar për ta turbulluar më tej turmën. Ai lundroi drejt Athinës, duke lënë Silën dhe Timoteun që të kujdeseshin për grupin e besimtarëve të rinj në Bere.—Ve 17:12-15.
Me siguri Pavli kaloi përmes ose afër Beresë në udhëtimin e tretë misionar, gjatë të cilit shkoi sërish në Maqedoni. Në këtë udhëtim, një ndër shoqëruesit ishte Sopatri, një i krishterë nga Berea.—Ve 20:1-4.