BETH-ZURI
[shtëpi e shkëmbit].
Qytet në rajonin malor të Judës që renditet mes Halhulit dhe Gedorit. (Js 15:58) Emri ruhet ende në atë të Burj-es-Surit, kurse nga gërmimet ka dalë se qyteti i lashtë ndodhej në Kirbet-et-Tubeikeh (Bet-Zur), rreth 0,5 km në veriperëndim. Ky vend është 7,5 km në veri të Hebronit; rreth 5 km në veri-veriperëndim ka Gedorin, ndërsa 1,5 km në jug-juglindje ka Halhulin. Rrënojat e qytetit gjenden në një kodër 1.007 m mbi nivelin e detit, prandaj është përshkruar si një nga qytetet më të larta të Palestinës. Zinte një pozicion me rëndësi strategjike, meqë ndodhej pranë rrugës që shkonte nga veriu në jug përgjatë kurrizit të vargmalit ujëndarës, si edhe mbikëqyrte rrugët për në Mareshah e Libnah në perëndim.
Pas ndarjes së mbretërisë, Beth-Zuri ishte një nga 15 qytetet që rindërtoi e fortifikoi mbreti Rehoboam për të mbrojtur Judën dhe Beniaminin nga sulmet. (2Kr 11:5-12) Ishte ndër qytetet që ripopulluan judenjtë e kthyer nga mërgimi në Babiloni. (Ne 3:16) Në epokën e Makabenjve, Beth-Zuri (i quajtur asokohe Betsura) luajti rol të rëndësishëm në luftën e judenjve kundër mbretërve Seleukaj të Sirisë, dhe libri apokrif i 1 Makabenjve përshkruan një fitore të jashtëzakonshme që korri atje Judë Makabeu kundër forcave siriane (165 p.e.s.), pas së cilës e fortifikoi rishtazi qytetin. (1 Makabenjve 4:61; 6:26) Në vitin 162 p.e.s., sirianët e rrethuan dhe në fund Beth-Zuri kapitulloi nga mungesa e ushqimeve. (1 Makabenjve 6:30-50) Në qytet u vendos një garnizon sirian dhe gjeneral Bakidi ia përforcoi fortifikatat.—1 Makabenjve 9:52.
Nga gërmimet arkeologjike të bëra në Beth-Zur në vitet 1931 dhe 1957, dolën në dritë dëshmi se aty ka pasur fortifikata të qëndrueshme. U gjetën monedha të shumta që datojnë nga shekulli i 4-t deri në shekullin e 2-të p.e.s.; ndër to kishte monedha argjendi judaike që mendohet se datojnë në epokën perse ose rreth shekullit të 4-t p.e.s.
Emri Beth-Zur shfaqet te 1 Kronikave 2:45 në një listë gjenealogjike të pasardhësve të Kalebit, vëllait të Jerahmelit. Atje thuhet se Maoni ishte «ati i Beth-Zurit». Sipas shumë studiuesve, Beth-Zuri është qyteti me këtë emër, prandaj Maoni do të ishte ati i atyre që u vendosën me banim atje ose ndoshta kreu a njeriu më i rëndësishëm i qytetit.