BEZALELI
[nën hijen (strehën) e Perëndisë].
1. Mjeshtri kryesor dhe ndërtuesi i tabernakullit, ‘biri i Urit, nipi i Hurit, nga fisi i Judës’. (Da 31:1, 2; 1Kr 2:20) Këtë caktim Bezalelit ia dha vetë Jehovai dhe i premtoi se ‘do ta mbushte me frymën e Perëndisë, me mençuri, kuptueshmëri e njohuri, që të ishte i aftë në çdo lloj zanati: të skiconte modele, të punonte arin, argjendin e bakrin, të punonte gurët për t’i ngallmuar dhe drurin për të bërë prodhime të çdo lloji’. (Da 31:3-5; 35:30-33) Materialet e kushtueshme që përdori Bezaleli vinin nga kontributet bujare të njerëzve me «zemër të gatshme» dhe ishin «më se të mjaftueshme».—Da 35:4-9, 20-29; 36:3-7.
Ndihmësi kryesor i Bezalelit ishte Oholiabi (Da 31:6) dhe me ta bashkëpunuan edhe shumë ‘njerëz të aftë’; megjithatë, përgjegjësinë për të drejtuar punët e vështira e kishte Bezaleli. (Da 35:10-19, 25, 26, 34; 36:1, 2) Kjo duket qartë nga përdorimi i ndërsjellë i përemrave «ai» për Bezalelin dhe «ata» për ndihmësit e tij. (Da 36-39) Shumëllojshmëria e madhe e mjeshtërive që zotëronte Bezaleli, bashkë me faktin që ishte mbushur me «frymën e Perëndisë» (Da 35:31), e bënin të aftë të mbikëqyrte bërjen e pëlhurave të tendës dhe qëndisjen e tyre, të grremçave prej ari dhe bakri, të mbulesave të jashtme prej lëkure, të skeleteve prej druri të veshura me ar, të perdes së brendshme (Da 36), të arkës së besëlidhjes të veshur me ar dhe të kerubinëve mbi të, të tryezës dhe të pajisjeve që viheshin mbi të, të shandanit prej ari dhe të altarit të temjanit, të vajit të mirosjes dhe të temjanit siç ishte udhëzuar (Da 37), të altarit të blatimit të djegur, të legenit prej bakri dhe të mbajtëses së tij prej bakri, të oborrit (Da 38), të efodit dhe të copës që vihej në kraharor ku ishin ngallmuar gurë të çmuar dhe, në fund, të petkave të priftërinjve (Da 39). Kur Solomoni hipi në fron 475 vjet më vonë, tenda e tabernakullit, arka e besëlidhjes dhe altari prej bakri ishin ende në përdorim.—2Kr 1:1-6.
2. Një nga bijtë e Pahath-Moabit që larguan gratë e huaja dhe bijtë e tyre sipas këshillës së Ezdrës.—Ezd 10:30, 44.