KORINTI
Një nga qytetet më të vjetra dhe më të rëndësishmet e Greqisë së lashtë, rreth 5 km në jugperëndim të qytetit të sotëm. Korinti ishte i rëndësishëm sidomos falë pozicionit strategjik në skajin perëndimor të istmit, rrip toke i ngushtë, që lidhte pjesën qendrore ose Greqinë kontinentale, me gadishullin e Peloponezit në jug. I gjithë transporti tokësor, qoftë tregtar a tjetër, që shkonte në veri e në jug, duhej të kalonte Korintin nëpërmjet istmit, i cili në pjesën më të ngushtë arrin rreth 6 km. Por në Korint kalonte edhe transporti detar ndërkombëtar, pasi detarët zakonisht parapëlqenin istmin mes gjirit të Korintit dhe atij Saronik, në vend të udhëtimit të gjatë e të rrezikshëm në skajin jugor të gadishullit, përreth kepave që i rrihnin stuhitë. Prandaj anije nga Italia, Sicilia dhe Spanja lundronin përmes detit Jon, pastaj në gjirin e Korintit dhe ankoroheshin në ujërat e thella të portit të Lekeumit, qytet-port në perëndim, i lidhur me Korintin nëpërmjet dy mureve. Anijet nga Azia e Vogël, Siria dhe Egjipti vinin përmes detit Egje dhe ankoroheshin në portin lindor të Kenkresë, ndoshta edhe në portin e Skenit, që ishte më i vogël. (Ro 16:1) Mallrat e anijeve të mëdha shkarkoheshin në njërin port, transportoheshin pak kilometra me rrugë tokësore në portin tjetër dhe vazhdonin udhëtimin në anije të tjera. Kurse anijet më të vogla nuk i shkarkonin, por i tërhiqnin përmes istmit nëpër njëfarë rruge me binarë që quhej díolkos (fjalë për fjalë «tërheq matanë»). Ja përse istmi i Korintit njihej si ura në det.
Historia. Korinti tashmë lulëzonte në shekullin e shtatë p.e.s., kur u inauguruan Lojërat Istmike në tempullin istmik të Poseidonit (perëndia grek i detit që përkonte me Neptunin e romakëve), të cilat mbaheshin çdo dy vjet dhe që Pavli i përdori për disa nga ilustrimet më të goditura. (1Ko 9:24-27) Nga shekulli i katërt p.e.s. e më tej, Korinti në përgjithësi ishte nën sundimin e Maqedonisë deri kur u çlirua nga romakët në vitin 196 p.e.s. Si qytet-shtet i pavarur, u bashkua me qytete të tjera të Lidhjes Akeje, u vu kundër Romës dhe u shkatërrua nga konsulli romak L. Mumi, në vitin 146 p.e.s. Burrat e vendit i vranë dhe gratë e fëmijët i shitën si skllevër. Për një shekull qyteti mbeti thuajse i shkretuar, derisa në vitin 44 p.e.s. (disa thonë 46 p.e.s.) Jul Cezari e rithemeloi si koloni romake me emrin: Colonia Laus Julia Corinthiensis. Akaia, siç e quanin romakët Greqinë të veçuar nga Maqedonia, u bë provincë romake senatoriale gjatë sundimit të Cezar Augustit, me kryeqytet Korintin.
Industria dhe ndërtesat. Qyteti i Korintit, ku Pavli mbërriti rreth vitit 50 të e.s., ishte një vend i begatë tregtie, si edhe qendër politike. Taksat që viheshin mbi anijet e mallrave që kalonin përmes istmit i kontribuonin shumë pasurisë së Korintit. Ishte edhe qendër industriale, e famshme për artin e poçarisë e të punimeve prej bronzi. Qyteti ngrihej mbi dy brezare, njëra rreth 30 metra mbi tjetrën. Në qendër ndodhej agora ose sheshi i pazarit që ishte i madh dhe anash kishte kolonada e ndërtesa publike. Në pazar rreshtoheshin dyqanet, rrënojat e të cilave dëshmojnë se disa shitnin mish e ushqime të tjera, si edhe verë. Një mbishkrim i referohet një dyqani me emrin macellum. Ky term është ekuivalenti latin i fjalës greke mákellon, që Pavli e përdori për t’iu referuar ‘pazarit të mishit’ te 1 Korintasve 10:25. Në një shkallare u gjet një mbishkrim tjetër ku shkruhej «Kasapi Luc».
Agora ndahej në dy nivele dhe afër qendrës së saj, arkeologët kanë zbuluar një platformë të ngritur, të quajtur béma ose rostra, e ndërtuar në nivelin e lartë dhe që shkonte deri në nivelin e ulët. Platforma ishte ndërtuar me mermer të bardhë me damarë blu, plot dekorime e gdhendje mjeshtërore dhe përbri kishte dy dhoma pritjeje me stola mermeri e dysheme me mozaikë. Mendohet se béma ishte ‘froni i gjykimit’ ku judenjtë kundërshtarë të mesazhit të krishterë e çuan Pavlin para prokonsullit Galion, që ta merrte në pyetje. (Ve 18:12-16) Një mbishkrim i gjetur në Delfi, qytet në perëndim të gjirit të Korintit, mban emrin e Galionit dhe tregon se ishte prokonsull.—Shih GALIONI.
Në veriperëndim të sheshit të pazarit kishte dy teatro, njëri me afro 18.000 vende. Të krishterët korintas mund ta kuptonin mirë Pavlin kur tha se apostujt ishin bërë «teatër për botën». (1Ko 4:9) Në një shesh pranë teatrit, arkeologët kanë gjetur një mbishkrim ku përmendet njëfarë Erasti, i cili mbante titullin latin aedile, që disa e përkthejnë «përgjegjës për punë publike». Ky Erast mund të ishte «ekonomi i qytetit» që përmendi Pavli kur u shkroi romakëve nga Korinti. (Ro 16:23) Termi grek i përdorur nga Pavli për «ekonom» (oikónomos) në thelb ka kuptimin «administrues shtëpie».—Krahaso Ga 4:2, shën., NW dhe Int; shih ERASTI nr. 2.
Feja dhe kultura. Përveçse njihej si seli qeveritare dhe si qyteti kryesor tregtar i Greqisë, në mendjen e shumë vetave Korinti nënkuptonte shfrenimin moral dhe rendjen cipëplasur pas kënaqësive. Këto ishin kaq të përhapura sa shprehja «të sillesh si korintas» përdorej në kuptimin «të jesh imoral». Kjo shthurje morale vinte nga mënyra si adhuronin korintasit, sidomos nga adhurimi i perëndeshës Afërditë (që përkonte me Venerën romake, Astartën fenikase dhe kananite, si dhe me Ishtarin babilonas). Asaj i kushtuan një tempull në majë të Akrokorintit, kodër e pjerrët shkëmbore, 513 m mbi agora. (FIGURA, vëll. 2, f. 336 në botimin anglisht) Pavli kishte mjaft arsye që t’u jepte të krishterëve korintas këshilla dhe paralajmërime të forta për moralin. (1Ko 6:9–7:11; 2Ko 12:21) Pa dyshim, Korinti kishte tempuj të shumë perëndive e perëndeshave të tjera. Në tempullin e Asklepit, perëndisë së shërimit, arkeologët kanë gjetur punime qeramike të pjesëve të trupit njerëzor, me ngjyrë mishi. Adhuruesit i linin këto në tempull si oferta mirënjohjeje dhe secila përfaqësonte pjesën e sëmurë të trupit (dorën, këmbën, syrin etj.).
Përveç grekëve, kishte edhe një numër të madh njerëzish nga Italia që e kishin prejardhjen nga kolonizatorët e hershëm. Shumë nga dishepujt korintas kishin emra latinë, si: Justi, Terci, Kuarti, Gaji, Krispi, Fortunati dhe Akaiku. (Ve 18:7; Ro 16:22, 23; 1Ko 1:14; 16:17) Atje ishin vendosur edhe një numër i madh judenjsh, të cilët kishin themeluar një sinagogë dhe kishin bërë për vete disa grekë. (Ve 18:4) Prania e judenjve në Korint duket nga një mbishkrim grek në një arkitra prej mermeri, të gjetur afër portës që çonte në Lekeum. Mbishkrimi që lexon «[Syna]góge Hebr[áion]», do të thotë «Sinagoga e hebrenjve». Kishte vazhdimisht udhëtarë e tregtarë që hynin e dilnin, përveç atyre që rendnin pas kënaqësive në këtë qendër zbavitjeje dhe atletike. Patjetër që kjo i kontribuonte një qëndrimi më mendjehapur se ai që mbizotëronte në qytete të tjera të vizituara nga apostulli, përfshirë Athinën, qendrën e kulturës greke. Pavli pa një vegim që e siguroi se Korinti kishte shumë njerëz të prirur siç duhet, prandaj kaloi një vit e gjashtë muaj në këtë vendtakim strategjik të Lindjes me Perëndimin. (Ve 18:9-11) Ndoshta gjatë kësaj kohe shkroi dy letrat e tij drejtuar selanikasve.
Kongregacioni i krishterë. Akuila e Prishila, shokë të Pavlit në bërjen e tendave dhe të të njëjtit besim, shkuan me të kur lundroi, përmes detit Egje, nga porti lindor i Kenkresë për në Efes, Azi e Vogël. (Ve 18:18, 19) Megjithatë, punën e Pavlit e vazhdoi Apoli gojëtar, i cili ujiti farat e mbjella në Korint. (Ve 18:24-28; 19:1; 1Ko 3:6) Pavli tregoi merak të madh për kongregacionin që formoi në Korint, duke dërguar atje dy herë Titin si përfaqësues, si edhe duke i shkruar kongregacionit të Korintit dy letrat me peshë. (2Ko 7:6, 7, 13; 8:6, 16, 17; 12:17, 18) Ndonëse nuk ndaloi në Korint teksa shkonte në Maqedoni, siç e kishte planifikuar, (2Ko 1:15, 16, 23) më vonë Pavli ndaloi në Greqi për tre muaj, ndoshta më 55-56 të e.s., dhe një pjesë të kohës e kaloi në Korint ku shkroi Letrën drejtuar Romakëve.—Ve 20:2, 3; Ro 16:1, 23; 1Ko 1:14.