DALMACIA
Një zonë që ndodhet në rajonin malor në lindje të detit Adriatik, në Gadishullin Ballkanik. Ky emër përdorej për të përshkruar pjesën më jugore të provincës romake të Ilirikut. Pas vitit 9 të e.s., kur kjo zonë u bë provincë më vete, fjala Dalmaci përdorej shpesh si sinonim i fjalës Ilirik dhe në fund provinca e re mori këtë emër. Titi, shoku i Pavlit, u nis për në Dalmaci pak kohë para ekzekutimit të apostullit Pavël, që mendohet të ketë ndodhur rreth vitit 65 të e.s. (2Ti 4:6-10) Në të njëjtin varg ku thuhet se Dema e «braktisi» Pavlin, thuhet edhe se Titi shkoi atje. Megjithatë, duket se iku në Dalmaci me miratimin e Pavlit, ndonëse nuk ka pohime të qarta për qëllimin e misionit të Titit atje. Meqë, nga fundi i udhëtimit të tretë misionar, rreth nëntë vjet më parë, Pavli kishte thënë se qarku i tij shtrihej në veri deri në Ilirik (Ro 15:19), disa studiues arsyetojnë se në këtë kohë Titi u dërgua në këtë rajon që të rregullonte çështjet e kongregacionit të atjeshëm dhe të përfshihej në veprën misionare. Nëse ishte kështu, po luante rol të ngjashëm me atë që kishte pasur në Kretë. (Tit 1:5) Në Letrën drejtuar Titit, Pavli i kishte kërkuar të ikte nga Kreta (Tit 3:12) dhe ka të ngjarë që Titi ishte me apostullin deri sa u caktua në Dalmaci.