DAMASKU
Qytet i lashtë dhe i rëndësishëm i Sirisë. Damasku (Esh Shami i sotëm ose Dimashku) gjendet në këmbë të vargmalit të Anti-Libanit dhe përpara, në lindje, ka shkretëtirën arabo-siriane. (Kng 7:4) Në jugperëndim të qytetit, mali i Hermonit 2.814 m i lartë e i mbuluar me borë, shënon skajin jugor të këtij vargmali.
Shpatet pas Damaskut, në perëndim, janë më se të shkreta, por ujërat e freskëta të lumit Barada (Abanahut te 2Mb 5:12) vërshojnë nga një grykë mes maleve dhe derdhen në rrafshinën ku ndodhet qyteti. Kështu krijohet një oazë e harlisur rreth 16 km e gjerë dhe 48 km e gjatë. Rezervat e bollshme të ujit e bënë Damaskun një vend kyç të rrugëve të lashta tregtare e ushtarake mes vendeve të Mesdheut Lindor, Mesopotamisë dhe Lindjes. Edhe vargmalet e Libanit dhe Anti-Libanit ndihmonin për të drejtuar trafikun nga Damasku, ngaqë ishin si një pengesë natyrore për karvanët që shkonin e vinin nga bregdeti i Mesdheut.
Në veriperëndim të qytetit ka një të çarë në vargmalin e Anti-Libanit dhe, që nga kohët e lashta, kjo udhë lidhej me rrugën kryesore që kalonte nëpër Koele-Siri (Beka), shkonte në jug deri në Hazor, zbriste në perëndim të detit të Galilesë, përshkonte luginën e Megidos drejt bregdetit, e pastaj vazhdonte në jug përmes Filistisë derisa arrinte në Egjipt. Në lindje të vargmalit të Anti-Libanit, një rrugë të çonte në jug nga Damasku deri në Hazor dhe në veri deri në Hamath, Haleb e Karkemish. Një tjetër rrugë e rëndësishme, që zakonisht quhej Rruga e Mbretit (krahaso Nu 21:22), shkonte nga Damasku për në jug, duke kaluar buzë rrafshnaltës në lindje të Jordanit dhe zbriste deri në Detin e Kuq e Gadishullin Arabik. Nëpër këto rrugë marshuan ushtritë egjiptiane, asiriane, babilonase dhe perse. Kurse në një drejtim tjetër, karvanët e nisur për në Mesopotami shkonin në fillim nga Damasku drejt lindjes, deri në Tadmor, dhe që andej në rajonin e Eufratit.
Damasku ndodhet në një rrafshnaltë rreth 700 m mbi nivelin e detit dhe ka një klimë të këndshme, ku temperaturat mesatare shkojnë nga rreth 7° C në dimër deri në 29° C në verë. Toka mjaft pjellore prodhon ullinj, kajsi dhe fiq shumë të mirë, si dhe drithë me bollëk. Megjithatë, qyteti u bë i begatë kryesisht falë shkëmbimeve tregtare dhe ngaqë ishte një treg kryesor për fiset nomade. Profeti Ezekiel thotë se Damasku «bënte tregti» me Tirin, me sa duket duke i shitur verën e qytetit fqinj të Helbonit dhe lesh të hirtë në të kuqërremtë në këmbim të prodhimeve të Tirit. (Ezk 27:18) Ben-Hadadi II i ofroi Akabit «rrugë» në Damask, ndoshta që të hapte pazare për të mbështetur interesat tregtare të Akabit në kryeqytetin sirian.—1Mb 20:34.
Historia. Zanafilla e Damaskut nuk njihet. Sipas traditës judaike që paraqet historiani Jozef në veprën e tij (Antikitete judaike, I, 145 [vi, 4]), Damasku u themelua nga Uzi, biri i Aramit dhe nipi i Semit, edhe pse ka tregues se pasardhësit e Uzit u vendosën më në jug. (Zn 10:21-23; shih UZI nr. 11.) Ka të ngjarë që gjatë udhëtimit për në Tokën e Premtuar, Abrahami të ketë kaluar nga Damasku ose afër tij. Eliezeri, shërbëtori i Abrahamit, ishte «nga Damasku». (Zn 15:2) Abrahami i ndoqi mbretërit pushtues që t’u rimerrte Lotin, nipin e kapur rob, deri në Hobah, një vend në veri të Damaskut.—Zn 14:1-16.
I kundërvihet Izraelit. Paskëtaj Damasku nuk përmendet në Bibël për pothuajse një mijë vjet dhe, kur rishfaqet, në përgjithësi, është kundërshtar i kombit të Izraelit. Në atë kohë ishte kryeqendra e një prej shumë mbretërive aramaite të Sirisë. Kur Davidi luftoi dhe mundi mbretin e Zobahut, «sirianët e Damaskut» u shkuan në ndihmë të mundurve. Por Davidi i mposhti edhe ata, duke vënë garnizone në mbretërinë e Damaskut dhe e detyroi t’i paguante haraç Izraelit. (2Sa 8:3-6; 1Kr 18:5, 6) Megjithatë, gjatë mbretërimit të Solomonit, një burrë i quajtur Rezon, i cili ia kishte mbathur nga mbretëria aramaite e Zobahut, shtiu në dorë Damaskun dhe e shpalli veten mbret. Ai e shfaqi urrejtjen për Izraelin me akte agresioni.—1Mb 11:23-25.
Mbreti Ben-Hadadi I i Damaskut, që në fillim kishte bërë një besëlidhje me Baashën e mbretërisë veriore të Izraelit, iu shit Asës së Judës (977-937 p.e.s.) dhe sulmoi territorin e ish-aleatit të tij. (1Mb 15:18-20; 2Kr 16:2-4) Edhe pasardhësi i tij, Ben-Hadadi II, në krye të koalicionit me 32 mbretër, sulmoi mbretërinë veriore të Izraelit. Pasi e riorganizoi ushtrinë nën komandën e 32 guvernatorëve, ai sulmoi sërish, po të dyja herët u mund. (1Mb 20:1, 16-34) Herën e dytë e kapën rob, por mbreti Akab (rr. 940-920 p.e.s.) e la të lirë. Më vonë, në betejën e Ramot-Galaadit, ai i udhëhoqi karrocat e luftës kundër ushtrive të bashkuara të Judës e të Izraelit, i mundi dhe vrau Akabin. (1Mb 22:29-37) Gjatë mbretërimit të Jehoramit të Izraelit (rr. 917-905 p.e.s.), Ben-Hadadi II u orvat për herë të fundit të merrte Samarinë, por dështoi falë një mrekullie të Jehovait.—2Mb 6:24; 7:6, 7.
Për të përmbushur caktimin e Elijas, pararendësit të tij, profeti Elise shkoi në Damask dhe i tha Hazaelit se do të bëhej mbret i Sirisë në vend të Ben-Hadadit II. (1Mb 19:15; 2Mb 8:7-13) Para vdekjes së Ben-Hadadit, Damasku ishte qendra e rezistencës siriane ndaj ekspansionit të Perandorisë Asiriane që synonte të pushtonte vendet e pellgut të Mesdheut. Si nyjë nevralgjike në rrugën kryesore nga Mesopotamia për në Mesdhe, Damasku ishte shënjestër kryesore. Në krye të koalicionit të mbretërive fqinje, ai arriti t’u bënte ballë sulmeve të njëpasnjëshme të Shalmaneserit III të Asirisë. Në një mbishkrim të Shalmaneserit tregohet si e shtiu në dorë fronin e Sirisë Hazaeli. Pas një beteje të rëndësishme, Shalmaneseri e kufizoi Hazaelin në Damask dhe rrethoi qytetin, por nuk arriti ta merrte.
Gjatë kohës që ishte mbret i Damaskut, Hazaeli vazhdoi të ndiqte një politikë agresive ndaj Izraelit. (2Mb 10:32) Ai e shtriu pushtetin e Damaskut deri në qytetin filistin të Gathit, madje pushtoi edhe Judën, duke e trembur mbretin Jehoas (898-859 p.e.s.) i cili i pagoi një haraç të stërmadh, për të shpëtuar Jerusalemin nga sulmi sirian. (2Mb 12:17, 18; 13:3, 22; 2Kr 24:23, 24) Nën pasuesin e Hazaelit, Ben-Hadadin III, zgjedha e Damaskut mbi Izraelin u lehtësua meqë Jehoasi i Izraelit (rr. 859-845 p.e.s.) e mundi tri herë Sirinë. (2Mb 13:24, 25) Pastaj Jeroboami II i Izraelit (rr. 844-804 p.e.s.) depërtoi thellë në Siri, deri në ‘hyrje të Hamathit’ dhe «ia riktheu Damaskun dhe Hamathin Judës dhe Izraelit». (2Mb 14:23-28) Në përgjithësi mendohet se kjo do të thotë që i bëri mbretëri haraçpaguese, siç ishin nën sundimin e Solomonit.—1Mb 4:21.
Gjykimet e Jehovait për Damaskun. Megjithatë, një shekull më vonë, Damasku shfaqet përsëri si «koka e Sirisë». (Is 7:8) Gjatë mbretërimit të Akazit të Judës (761-746 p.e.s.), Rezini i Damaskut bashkë me Pekahun e Izraelit u dyndën në Judë e arritën deri në Elath, në gjirin e ʽAkabës. Kjo e frikësoi shumë mbretin Akaz, i cili i dërgoi ryshfet Tiglath-Pileserit III të Asirisë dhe i kërkoi ta shpëtonte nga sirianët që po e mbanin Judën nën presion. Me gatishmëri asirianët sulmuan Damaskun, e pushtuan, vranë Rezinin dhe çuan në mërgim shumë prej banorëve. (2Mb 16:5-9; 2Kr 28:5, 16) Kështu u plotësuan profecitë që Jehovai kishte thënë me anë të Isaisë e Amosit (Is 8:4; 10:5, 8, 9; Am 1:3-5). E megjithatë, kur ishte në Damask për të takuar Tiglath-Pileserin (dhe mbase për t’i bërë nderime), Akazi pa altarin për adhurimin e rremë dhe në mënyrë të pamend kërkoi që t’i bënin një të ngjashëm. Pastaj mbi të bëri flijime për ‘perënditë e Damaskut’.—2Mb 16:10-13; 2Kr 28:23.
Paskëtaj Damasku nuk ishte më një kërcënim për Izraelin. Edhe pse i dobët ushtarakisht, qyteti u fuqizua përsëri nga ana tregtare, siç tregohet edhe nga profecia e Ezekielit. (Ezk 27:18) Por Jeremia kishte parathënë se Damaskun, një herë e një kohë mjaft të lëvduar, do ta zinte ankthi nga një lajm i keq që do të vinte nga Hamathi e Arpadi në Sirinë e Veriut. Lajmi duket se kishte të bënte me pushtimin e egër të mbretërive aramaite nga ushtria babilonase që po përparonte nën komandën e Nabukodonosorit. (Jr 49:23-27) Damasku, xhevahiri i shkretëtirës, nuk do të shpëtonte dot nga pasojat e këtij pushtimi. Më vonë u përfshi edhe një herë në një shpallje të pafavorshme që Jehovai bëri me anë të profetit Zakaria, i cili e shkroi profecinë në vitin 518 p.e.s. Kjo ka të ngjarë të jetë plotësuar në kohën e Aleksandrit të Madh, i cili i zaptoi Sirinë dhe Fenikinë pas fitores që korri në betejën e Isusit më 333 p.e.s.—Za 9:1-4.
Gjatë periudhës së Seleukajve, Antiokia u bë kryeqytet i provincës siriane në vend të Damaskut. Areta III, mbreti i mbretërisë arabe nabatease, e pushtoi qytetin në vitin 85 p.e.s. Roma zaptoi gjithë Sirinë nga viti 64 deri në 63 p.e.s., dhe Damasku mbeti qytet romak deri në vitin 33 të e.s. Plini (historian romak i shekullit të parë të e.s.) e rendit ndër dhjetë qytetet e hershme të Dekapolit.
Në shekullin e parë të e.s. Kur Sauli i Tarsit u nis për në Damask që të përndiqte të krishterët, qyteti kishte disa sinagoga judeje. (Ve 9:1, 2) Duket se në atë kohë qyteti bënte pjesë në mbretërinë nabatease të Aretës IV dhe e drejtonte një guvernator. (2Ko 11:32, 33) Pas kthimit në besim, Saulin e verbër e çuan në një shtëpi në rrugën e quajtur E Drejtë. (Shih E DREJTË.) Pavli (Sauli) predikoi për ca kohë në sinagogat e Damaskut por, ngaqë komplotuan që ta vritnin, u detyrua të ikte natën nga një e çarë në murin e qytetit.—Ve 9:11, 17-25; 26:20; Ga 1:16, 17.