FEJESA
Premtim i ndërsjellë për t’u martuar në të ardhmen. Zakonisht, mes hebrenjve bisedimet për fejesën i bënin prindërit e çiftit, sidomos etërit. (Zn 24:1-4; 38:6; 21:21) Shpesh merreshin parasysh edhe dëshirat e djalit. (Gjy 14:2) Në rastin e vajzave që trashëgonin pronat e të parëve, ngaqë ati i tyre mund të kishte vdekur pa lënë djem, ato mund të merrnin kë të donin, mjaft që të martoheshin brenda fisit. (Nu 36:6) Në rastin e Isakut, nusen e tij në të vërtetë e zgjodhi Jehovai. (Zn 24:50, 51) Pasi zgjidhej nusja dhe bëhej propozimi, zakonisht nga prindërit ose nga babai i dhëndrit, jepej fjala ose bëhej fejesa. Kjo ishte një ceremoni zyrtare, për të cilën ishin përgjegjës prindërit e nuses dhe, shpesh, ndonjë mik ose ndonjë përfaqësues ligjor nga ana e dhëndrit.—Zn 24:1-4; Gjo 3:29.
Një aspekt i rëndësishëm i fejesës ishte ai që quhej móhar, çmimi i nuses. Termi móhar shfaqet tri herë në Bibël. (Zn 34:12; Da 22:16, 17; 1Sa 18:25) Zakonisht, çmimi i nuses u paguhej prindërve. Në rastin e Rebekës, shërbëtori i Abrahamit u dha «gjëra të zgjedhura» nënës dhe vëllait të saj, Labanit, i cili luajti rolin parësor në këtë ujdi. (Zn 24:53) Móhari mund të ishte edhe një shërbim që kryhej. (Zn 29:15-30; Js 15:16) Dalja 22:16, 17 tregon se móhari i paguhej si dëmshpërblim për fajin babait të vajzës që e kishin joshur të kryente marrëdhënie seksuale, edhe sikur ai të mos pranonte t’i jepte vajzën. Hera-herës, babai i jepte vajzës «pajë» dhe, disa herë, si në rastin e Rebekës, nusja merrte dhurata edhe kur fejohej.—1Mb 9:16; Js 15:17-19; Zn 24:53.
Për hebrenjtë, një çift të fejuarish konsideroheshin të lidhur dhe si të martuar, edhe pse nuk jetonin së bashku pa përfunduar formalitetet e dasmës.—Zn 19:8, 14; Gjy 14:15, 16, 20.
Për judenjtë fejesa ishte aq detyruese, sa, edhe sikur martesa të mos bëhej ngaqë dhëndrit mund t’i prishej mendja apo për ndonjë arsye tjetër të justifikueshme, vajza nuk mund të martohej me një tjetër pa qenë e lirë ligjërisht, pra, pa marrë dëshminë e divorcit. (Mt 1:19) Nëse një vajzë kryente kurvëri me një burrë tjetër gjatë fejesës, gjykohej si kurorëshkelëse dhe dënohej me vdekje. (Lp 22:23, 24) Nëse një burrë kryente marrëdhënie me një shërbyese, e cila i ishte premtuar dikujt tjetër, por nuk ishte shpenguar ende ose nuk ishte e lirë, të dy konsideroheshin fajtorë dhe ndëshkoheshin. Megjithatë, nuk vriteshin, sepse ajo ende nuk e kishte fituar lirinë.—Le 19:20-22.
Një burrë i fejuar përjashtohej nga shërbimi ushtarak.—Lp 20:7.
Bibla nuk flet për ndonjë kufizim për sa i përket moshës së fejesës. Sot, në vendet e Lindjes së Mesme martesat bëhen pasi nusja mbush 16 vjeç dhe, me raste, edhe kur është më e re. Talmudistët e ndalonin martesën kur djali ishte nën 13 vjeç e një ditë dhe kur vajza ishte nën 12 vjeçe e një ditë.
Në përgjithësi, periudha mes fejesës dhe martesës nuk zgjaste me vite, edhe pse mund të kishte raste kur kjo periudhë ishte e nevojshme që dhëndri të paguante çmimin e caktuar ose të plotësonte shërbimin që i kërkohej. Në rastin e Jakobit, fejesa zgjati shtatë vjet, dhe gjatë këtyre viteve ai shërbeu që të merrte Rakelën, por i dhanë Lean. Kështu, iu desh të priste edhe një javë tjetër para se të merrte Rakelën, edhe pse për të i shërbeu Labanit edhe shtatë vite të tjera.—Zn 29:20-28.
Kur e jep fjalën, i krishteri është i detyruar ta mbajë dhe, në rastin e fejesës, duhet të ndjekë parimin e shprehur nga Jezui: «Nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’, dhe nëse thoni ‘Jo’, le të jetë ‘Jo’, sepse ato që thuhen më tepër se kaq, vijnë nga i ligu» (Mt 5:37) dhe nga Jakovi: «Por, Po-ja juaj le të jetë Po dhe Jo-ja juaj, Jo, që të mos gjykoheni.»—Jk 5:12.
Nusja e Krishtit. Jezu Krishtit i është premtuar një nuse, kongregacioni i krishterë, që është trupi i tij. (Ef 1:22, 23) Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., pjesëtarët e parë të ‘nuses’ morën frymën e shenjtë dhe dhuratën e saj të mrekullueshme të gjuhëve. Kjo ishte njëfarë dhurate për fejesën, që për nusen frymore të Krishtit ishte «kapari i trashëgimisë [së tyre], me qëllimin që të çlironte nëpërmjet shpërblesës zotërimin e vetë Perëndisë, për lëvdimin e tij të lavdishëm». (Ef 1:13, 14) Pavli i quajti si të fejuar njerëzit të cilëve u kishte mësuar të vërtetën për Krishtin e ishin bërë të krishterë dhe i nxiti të qëndronin të pastër si një virgjëreshë e dëlirë që i takon Krishtit. (2Ko 11:2, 3) Ata që janë fejuar me Krishtin, apo që i janë premtuar atij, kur janë ende në tokë, konsiderohen të fejuar dhe janë ftuar në darkën e martesës së Qengjit.—Zb 19:9.