FELIKSI
[nga lat., i lumtur].
Guvernator i provincës romake të Judesë që e mbajti Pavlin dy vjet në burg pas vizitës së fundit në Jerusalem, rreth vitit 56 të e.s. Taciti thotë se, për disa vjet, Feliksi ishte guvernator bashkë me Kumanin, pastaj qe guvernatori i vetëm i Judesë. (Analet, XII, LIV) Përderisa Jozef Flavi nuk thotë se Feliksi ishte në këtë detyrë bashkë me Kumanin, një pjesë e mirë studiuesish mendojnë se Feliksi u bë guvernator në vitin 52 të e.s. (Antikitete judaike, XX, 137 [vii, 1]; Lufta judaike, II, 247, 248 [xii, 8]) Megjithatë, meqë Feliksi e kreu këtë detyrë për shumë vite, Pavli tha: «Ky komb të ka pasur gjykatës për shumë vjet.»—Ve 24:10.
Historianët thonë se më parë Feliksi kishte qenë skllav, se quhej Anton, se atij dhe të vëllait, Pallasit, ua fali lirinë perandor Klaudi dhe se ishte një zyrtar mizor e imoral. Taciti e përshkruan si njeri që «praktikonte çdo lloj mizorie e shthurjeje, duke ushtruar autoritetin e një mbreti me instinktet e një skllavi». (Histori, V, IX) Thuhet se ai kurdisi vrasjen e kryepriftit Jonatan. Suetoni thotë se Feliksi u martua me tri mbretëresha. (Jeta e Cezarëve, Klaudi, XXVIII) Ky përshkrim pajtohet me atë që thotë Bibla për të.
Pas arrestimit të Pavlit, nga frika se mos i burgosuri i tij ishte i pasigurt në Jerusalem, komandanti romak Klaud Lisia, nxitoi ta çonte në Cezare të ruajtur mirë dhe ‘i urdhëroi paditësit t’i paraqitnin akuzat’ para Feliksit. (Ve 23:23-30) Pesë ditë më vonë, kryeprifti Anania, njëfarë Tertuli dhe disa të tjerë zbritën nga Jerusalemi për të ngritur akuza absurde kundër Pavlit. Feliksi, që drejtonte seancën, e shtyu procesin. Ai urdhëroi që Pavli të mbahej në burg. Megjithatë tha që t’i bëhej ndonjë lëshim dhe të mos ndalohej asnjë nga njerëzit e tij që t’i shërbenin.—Ve 24:1-23.
Më vonë, Feliksi «dërgoi të thërritnin Pavlin dhe e dëgjoi rreth besimit në Krishtin Jezu». Në këtë rast, në prani të Drusilës, gruas së Feliksit, Pavli foli për «drejtësinë, vetëkontrollin dhe gjykimin që do të vinte». Kur dëgjoi këto gjëra, «Feliksi u tremb» dhe i tha apostullit: «Për tani, shko. Kur të gjej kohën e përshtatshme, do të dërgoj të të thërrasin prapë.» Gjatë atyre dy viteve Feliksi e thirri shpesh Pavlin për të biseduar, duke shpresuar më kot që apostulli t’i jepte para në këmbim të lirisë.—Ve 24:24-27.
Administrata e Feliksit ngjalli shumë pakënaqësi te judenjtë. Ka mundësi që në vitin 58 të e.s., «Feliksit ia zuri vendin Porc Festi e meqë Feliksi donte të kishte pëlqimin e judenjve, e la Pavlin të lidhur». (Ve 24:27) Megjithatë, ky gjest i Feliksit nuk ua fashiti vuajtjet judenjve, as i frenoi të dërgonin një përfaqësi në Romë për të shprehur ankesat kundër tij. Pasi e thirrën në Romë, ai i shpëtoi ndëshkimit vetëm falë ndërhyrjes së të vëllait, Pallasit, dhe pozitës së privilegjuar që kishte ky pranë Neronit.