LUGINA E PËRROIT TË JABOKUT
Një nga luginat ose vadet kryesore në lindje të Jordanit, që përmendet për herë të parë në Shkrime në rastin kur Jakobi kaloi «vaun e Jabokut» me gjithë familjen e tij. Gjithashtu, pranë këtij vau, Jakobi u kacafyt me një engjëll.—Zn 32:22-30.
Burimet e Jabokut gjenden afër Amanit (Rabahut të lashtë), por vadi mbledh ujërat e disa përrenjve të pashtershëm dhe të shumë përrenjve dimërorë para se të derdhet në Jordan, 39 km në veri të Detit të Vdekur. Ndonëse pikënisjen dhe fundin e luginës së përroit i ndajnë vetëm nja 40 km, rrjedha gjysmërrethore e Jabokut përshkon rreth 100 km. Emri i sotëm arab, Vadi-Zarka, fjalë për fjalë do të thotë «lugina e përroit të kaltër». Këtë emër ndoshta e ka marrë ngaqë së largu Jaboku duket i kaltër në gri. Ujërat e cekëta që përshkohen me lehtësi gëlojnë nga peshqit e vegjël.
Buzë luginës së thellë pjellore ku rrjedh Jaboku, sheh kaçuba me oleandra e lloj-lloj pemësh të vogla. Kjo luginë me faqe të rrëpirëta shërbente si kufi natyror. (Lp 3:16) Dikur, pjesa e parë e luginës së përroit, që ngjitej nga jugu në veri, ishte kufiri mes amonitëve dhe amoritëve (Nu 21:24), kurse pjesa që shtrihej nga perëndimi në lindje ndante më dysh Galaadin dhe shënonte kufirin mes territoreve të mbretërve amoritë Sihon dhe Og. (Lp 2:37; Js 12:2; Gjy 11:13, 22) Sot kjo luginë është një nga rrugët më të mira për të kaluar Jordanin, kur vjen nga rajoni që në lashtësi quhej Galaad.