JORDANI
Lumi kryesor i Tokës së Premtuar, që krijonte një kufi natyror mes pjesës lindore e asaj perëndimore të Palestinës duke përshkuar thuajse gjithë vendin. (Js 22:25) Në lashtësi, ky lumë zinte fill në basenin Hula, një zonë kënetore dhe liqen që sot janë të thara. Rajoni në veri të basenit Hula është plot rrjedha ujore që janë burimet e Jordanit. Nga lindja në perëndim, tri rrjedhat kryesore që formojnë Jordanin janë Nahr-Baniasi (Nahal-Hermoni), Nahr-el-Ledani (Nahal-Dani) dhe Nahr-Hasbani (Nahal-Seniri). Jarmuku dhe Jaboku janë degët kryesore që ushqejnë Jordanin nga lindja. Sot pjesa më e madhe e Jordanit është goxha e turbullt.
Pasi del nga baseni Hula, Jordani rrjedh disi shtruar për afro 3 km, por pastaj bëhet i rrëmbyer kur kalon mes disa grykave prej bazalti deri sa arrin në detin e Galilesë. Që nga skaji jugor i detit të Galilesë gjarpëron për rreth 320 km deri në Detin e Vdekur, një distancë që në vijë ajrore është vetëm nja 105 km.—FIGURA, vëll. 1, f. 334 në botimin anglisht.
Në rrugën prej rreth 16 km nga baseni Hula deri në detin e Galilesë, Jordani zbret afro 270 m. Ndërsa vazhdon të rrjedhë nga deti i Galilesë për në Detin e Vdekur, krijon 27 pragje të rrëmbyera dhe bie edhe rreth 180 m të tjera.
Në jug të detit të Galilesë ai kalon përmes një lugine 6 deri në 13 km të gjerë, por në Jeriko gjerësia e saj shkon në rreth 22 km. Në pjesën e poshtme të luginës (Zori), që është afro 500 m-3 km e gjerë, Jordani dredhon e gjarpëron mes shkurrnajave të dendura me driza e gjembaçë, bimëve kacavjerrëse e kaçubave, oleandrave (landrave), brukave, shelgjeve e plepave. Në lashtësi, në «shkurrnajat krenare përgjatë Jordanit» endeshin luanë. (Jr 49:19; 50:44; Za 11:3) Sot atje ka ende ujqër e çakej. Në atë xhungël, vera është tejet e nxehtë dhe e lagësht, me temperatura që i kalojnë 38° C. Në pranverë, teksa bora shkrin në malin e Hermonit, Jordani përmbyt Zorin.
Pjesa e sipërme e luginës (Gori) ndodhet nja 46 m mbi xhunglën e Jordanit dhe e ndajnë prej saj disa kodra të zhveshura e të përhime prej mergeli, të formuara nga erozioni. Në zonën e Gorit që shtrihet afro 40 km në jug të detit të Galilesë, ka fusha të kultivuara e kullota. Me përjashtim të kësaj, pjesa më e madhe e Gorit është e pakultivuar. Megjithatë, në kohën e Abrahamit dhe Lotit, para shkatërrimit të Sodomës e Gomorrës, duhet të ketë qenë pjellore një pjesë shumë më e madhe, sidomos në afërsi të Detit të Vdekur.—Zn 13:10, 11.
Për shkak të ujërave të cekëta, pragjeve të rrëmbyera e vorbullave të shumta, Jordani është i palundrueshëm. Thuhet se janë të paktën 60 vende ku mund ta kalosh lumin në kohën kur nuk ka dalë nga shtrati. Në kohët e moçme, ai që kishte nën kontroll vatë e lumit, fitonte epërsi ushtarake, sepse zakonisht ato ishin pikat ku kalohej Jordani.—Gjy 3:28; 12:5, 6.
Në përgjithësi, pjesa e Jordanit poshtë detit të Galilesë është 1 deri në 3 m e thellë dhe 27 deri në 30 m e gjerë. Mirëpo, në pranverë, Jordani vërshon dhe bëhet shumë më i gjerë e më i thellë. (Js 3:15) Do të ishte e rrezikshme që kombi i Izraelit, burra, gra e fëmijë, ta kalonin Jordanin në kohën kur ai dilte nga shtrati, sidomos afër Jerikosë. Rryma atje është aq e rrëmbyer sa, edhe në periudha të mëvonshme, i ka marrë me vete disa nga ata që laheshin në të. Megjithatë, me anë të një mrekullie, Jehovai i ngriti si digë ujërat e Jordanit, kështu që izraelitët kaluan në tokë të thatë. (Js 3:14-17) Shekuj më pas, një mrekulli e ngjashme ndodhi një herë për Elijan ndërsa ishte bashkë me Eliseun, e një herë tjetër vetëm për Eliseun.—2Mb 2:7, 8, 13, 14.
Jordani luajti rol edhe në shërimin e Naamanit me anë të një mrekullie. Për Naamanin, lumenjtë e Damaskut ishin më të mirë se gjithë ujërat e Izraelit. Mirëpo, pasi shërbëtorët e tij e ndihmuan të ndreqte pikëpamjen, u bind dhe u la shtatë herë në Jordan. Pas herës së shtatë, u shërua plotësisht nga lebra.—2Mb 5:10-14.
Në shekullin e parë të e.s., Gjon Pagëzori pagëzoi shumë judenj të penduar në ujërat e Jordanit. Ai pati privilegjin të pagëzonte atje edhe Jezuin, Birin e përsosur të Perëndisë.—Mt 3:1, 5, 6, 13-17; shih KRAHINA E JORDANIT.