KETURA
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «paraqit tym blatimi»].
Një nga gratë e Abrahamit dhe nëna e gjashtë prej bijve të tij, Zimranit, Jokshanit, Medanit, Midianit, Ishbakut dhe Shuahut, paraardhës të popujve në veri të Arabisë, që banonin në jug dhe në lindje të Palestinës.—Zn 25:1-4.
Ketura cilësohet si «konkubina e Abrahamit» te 1 Kronikave 1:32, dhe duket qartë se ajo dhe Agara ishin «konkubinat» e Abrahamit, bijtë e të cilave përmenden te Zanafilla 25:6. Pra, Ketura ishte një grua dytësore që nuk arriti asnjëherë pozitën e Sarës, nënës së Isakut, nëpërmjet të cilit erdhi Fara e premtuar. (Zn 17:19-21; 21:2, 3, 12; He 11:17, 18) «Abrahami i dha Isakut çdo gjë që kishte», kurse bijve të konkubinave të tij ky patriark u dha dhurata dhe «ndërsa ishte ende gjallë, i largoi nga i biri, Isaku, për në vendin e Lindjes».—Zn 25:5, 6.
Ka nga ata që thonë se Abrahami e mori Keturën si konkubinë para se të vdiste Sara. Sipas disave, është e pamundur që ai të kishte gjashtë bij vetëm me një grua kur mund të ishte rreth të 140-ave dhe të kishte jetuar aq gjatë sa t’i shihte të rritur dhe t’i largonte. Megjithatë, Abrahami jetoi për më shumë se 35 vjet pas vdekjes së Sarës dhe vdiq në moshën 175-vjeçare. (Zn 25:7, 8) Pra, s’është aspak e pamundur që të ketë marrë për grua Keturën, të ketë lindur me të gjashtë bij dhe t’i shihte të rritur para se të vdiste. Veç kësaj, këtu duhet mbajtur parasysh edhe konsiderata e Abrahamit për ndjenjat e Sarës, prandaj vështirë që ai të rrezikonte përsëri të krijonte mosmarrëveshje në shtëpi (si ajo që lindi lidhur me Agarën dhe Ismaelin), duke marrë një konkubinë tjetër gjatë kohës që Sara ishte gjallë. Rrjedha e ngjarjeve, siç dokumentohet në librin e Zanafillës, tregon mjaft qartë që Abrahami e mori Keturën për grua pas vdekjes së Sarës.—Krahaso Zn 23:1, 2; 24:67; 25:1.
Abrahami dhe Sara qenë në gjendje të lindnin në moshë të shkuar një bir, Isakun, vetëm ngaqë fuqitë e tyre riprodhuese u rigjallëruan me anë të një mrekullie nga Jehovai. (He 11:11, 12) Me sa duket, rikthimi i kësaj aftësie i dha mundësi Abrahamit të lindte edhe gjashtë bij të tjerë me Keturën, në moshë edhe më të shkuar.