PATMOSI
Ishull ku syrgjynosën Gjonin, ‘ngaqë kishte folur për Perëndinë dhe kishte dhënë dëshmi për Jezuin’. (Zb 1:9) Gjatë kohës që ishte këtu, Gjoni mori Zbulesën. Sipas traditës së lashtë, Gjonin e internoi Domiciani në ishullin e Patmosit dhe u lirua pas vdekjes së këtij sundimtari më 96 të e.s.—Etërit e Kishës para Këshillit të Nicesë, vëll. VIII, f. 562, «Veprat e apostullit të shenjtë dhe ungjillëzuesit Gjon teologut».
I pozicionuar në detin Ikarian (pjesë e Egjeut) afro 55 km në perëndim të Azisë së Vogël, Patmosi ndodhej rreth 60 km në perëndim-jugperëndim të Miletit dhe më pak se 240 km nga shtatë kongregacionet që përmenden me emër në kapitujt 2 dhe 3 të librit të Zbulesës. Ky ishull i vogël vullkanik ka vijë bregdetare të dhëmbëzuar dhe është thuajse i zhveshur e shkëmbor. Gjithsesi, këtu kultivohet gruri, ullinjtë dhe rrushi. Me sa duket, ngaqë ishte i veçuar, Patmosi shërbeu si ishull ndëshkimi ashtu si edhe ishuj të tjerë të Egjeut.