RUTHA
Një moabite që u martua me Mahlonin pasi atij i vdiq i ati, Elimeleku. Në atë kohë, Mahloni, e ëma, Naomi, dhe i vëllai, Kilioni, jetonin në Moab. Një zi buke e kishte detyruar familjen të ikte nga Betlehemi i Judës, vendlindja e tyre. Kunati i Ruthës, Kilioni, ishte martuar me një moabite tjetër me emrin Orpa. Pas ca kohësh, të dy vëllezërit vdiqën, duke i lënë gratë vejusha dhe pa fëmijë. Kur mësoi se Izraeli dukej se kishte përsëri miratimin e Jehovait, Naomi, e shoqëruar nga dy nuset e saj, mori rrugën e kthimit për në Judë.—Ru 1:1-7; 4:9, 10.
Dashuria e saj besnike. Nga këmbëngulja e Naomit, Orpa u kthye më në fund te populli i saj, kurse Rutha nuk e la të vjehrrën. Dashuria e thellë për Naomin dhe dëshira e sinqertë për t’i shërbyer Jehovait bashkë me popullin e tij e shtynë Ruthën të linte prindërit dhe vendlindjen, edhe pse kishte pak mundësi të gjente sigurinë që mund t’i ofronte martesa. (Ru 1:8-17; 2:11) Dashuria e saj për vjehrrën ishte aq e madhe, sa më vonë njerëzit thoshin se, për Naomin, ajo ishte më e mirë se shtatë bij.—Ru 4:15.
Ato mbërritën në Betlehem kur sapo kishte filluar korrja e elbit. Rutha doli nëpër ara që të siguronte ushqim për Naomin dhe për vete. Rastësisht, ajo qëlloi në arën e Boazit, një të afërmi të Elimelekut, dhe i kërkoi leje mbikëqyrësit të korrësve që të mblidhte kallinjtë e mbetur pas. Papërtueshmëria e saj duhet të ketë rënë goxha në sy, pasi mbikëqyrësi i foli Boazit për punën e saj.—Ru 1:22–2:7.
Kur Boazi i tregoi dashamirësi, ajo shfaqi mirënjohje dhe pranoi me përulësi se nuk ishte as sa një nga shërbyeset e tij. Kur erdhi koha për të ngrënë, ai i dha aq shumë drithë të pjekur, sa mbeti për t’i çuar edhe Naomit. (Ru 2:8-14, 18) Megjithëse Boazi i kishte rregulluar gjërat që t’ia bënte punën më të lehtë, Rutha nuk e la punën më herët, por vazhdoi gjersa ra mbrëmja. Pastaj, «e rrahu me shkop atë që kishte mbledhur: ishte rreth një efë [22 litra] elb». Meqë i kishte thënë Boazi, Rutha vazhdoi të mblidhte kallinj në arën e tij, derisa mbaroi korrja e elbit dhe e grurit.—Ru 2:15-23.
I kërkon Boazit ta riblejë. Nga dëshira për t’i gjetur «një vend prehjeje» ose shtëpi nuses së saj, Naomi e mësoi Ruthën si t’i kërkonte Boazit që ta riblente. Kështu, Rutha zbriti në lëmë ku ishte Boazi. Kur ai u shtri, Rutha iu afrua ngadalë, i zbuloi këmbët dhe u shtri edhe vetë. Në mesnatë, ai u zgjua duke u dridhur dhe u përkul përpara. Duke mos e njohur në errësirë, e pyeti: «Kush je ti?» Ajo ia ktheu: «Jam Rutha, skllavja jote. Shtrije cepin e rrobës mbi skllaven tënde, sepse je riblerës.»—Ru 3:1-9.
Mënyra si veproi Rutha, e udhëzuar nga Naomi, duhet të ketë qenë në përputhje me zakonin që ndiqnin gratë kur kërkonin të drejtën që në rastin e tyre të përmbushej detyra që i takonte kunatit. Ja si shprehet Paulus Kaseli, një komentues biblik, për Ruthën 3:9: «Pa dyshim, kjo mënyrë simbolike për të kërkuar këtë të drejtë, që ishte më delikatja nga të gjitha, të lë të nënkuptosh zakone të thjeshtësisë dhe të virtytit patriarkal. Besimi i gruas mbështetet te ndershmëria e burrit. Megjithatë nuk ishte një gjë e lehtë për t’u bërë. Nëse të tjerët do ta merrnin vesh më përpara ose do të nuhatnin një gjë të tillë, do të prishej heshtja dhe fshehtësia që mbronin modestinë e pretendueses. Nga ana tjetër, edhe nëse kërkesa bëhej por mohohej, njollosej me turp si gruaja, edhe burri. Pra, mund të jemi të sigurt se Naomi nuk e dërgoi nusen e vet me një porosi të tillë pa qenë plotësisht e bindur se do të kishte pasur sukses. Në fakt, është e sigurt se krahas vështirësive të tjera, shtohej edhe një tjetër, domethënë, se Boazi, siç thotë vetë Rutha, ishte riblerës, por jo riblerësi (heb., goel). Edhe përgjigjja e Boazit të lë të mendosh se kjo kërkesë nuk ishte krejt e papritur për të. Jo se ai ishte marrë vesh me Naomin që të ishte i vetëm në lëmë, sepse fakti që u tremb, kur i doli gjumi, tregon se nuk e priste fare këtë vizitë natën. Gjithsesi, atij mund t’i kishte kaluar nëpër mend ideja që një ditë Rutha t’i kërkonte të drejtën e saj duke u bazuar në lidhjet e gjakut. Megjithatë, edhe nëse ai kishte menduar çfarë mund ose kishte gjasa të ndodhte, kjo s’do të thotë se nuk ishte e nevojshme që Rutha të tregonte vullnetin e saj të lirë nëpërmjet kësaj procedure simbolike.»—Commentary on the Holy Scriptures, nga Xh. P. Lengu, versioni i F. Shafit, 1976, f. 42.
Reagimi i Boazit tregon se veprimet e Ruthës ishin plotësisht të virtytshme në sytë e tij. Ai tha: «Qofsh bekuar nga Jehovai, bija ime! Dashamirësinë tënde e ke shprehur më mirë këtë herë sesa herën e parë, duke mos shkuar pas të rinjve, të varfër a të pasur qofshin.» Rutha tregoi vetëmohim duke zgjedhur Boazin, një burrë shumë më të moshuar, ngaqë ishte riblerës, për t’i dhënë pasardhës burrit të saj të ndjerë dhe së vjehrrës. Përderisa do të kishte qenë më e natyrshme për një grua të re si Rutha të parapëlqente një burrë më të ri, Boazi e konsideroi gjestin e saj një shprehje edhe më të madhe dashamirësie sesa vendimi për të qëndruar me vjehrrën e moshuar.—Ru 3:10.
Me siguri, zëri i Ruthës duhet të ketë treguar njëfarë ankthi, përderisa Boazi e siguroi me fjalët: «Mos ki frikë, pra, bija ime. Unë do të bëj për ty gjithçka që të thuash, sepse kushdo brenda portës së popullit tim e di mirë se ti je një grua e shkëlqyer.» Meqenëse ishte vonë, Boazi i tha Ruthës të qëndronte shtrirë. Megjithatë, të dy u ngritën herët ende pa zbardhur, me sa duket për të shmangur fjalët që mund të prishnin emrin e mirë të të dyve. Gjithashtu, Boazi i dha Ruthës edhe gjashtë masa elbi. Ndoshta kjo nënkuptonte se ashtu si pas gjashtë ditëve të punës vinte një ditë pushimi, edhe për Ruthën ishte afër një ditë pushimi, pasi ai do të kujdesej që ajo të kishte «një vend prehjeje».—Ru 3:1, 11-15, 17, 18.
Kur Rutha u kthye, Naomi, ndoshta duke mos e njohur nga errësira gruan që kërkonte të hynte, pyeti: «Ti je, bija ime?» Ndërtimi i kësaj fraze në hebraisht mund të nënkuptojë edhe se ajo po e pyeste Ruthën për identitetin e ri të mundshëm duke marrë parasysh riblerësin e saj.—Ru 3:16.
Më vonë, kur i afërmi më i ngushtë refuzoi të përmbushte detyrën që i takonte kunatit, Boazi pranoi menjëherë. Rutha i lindi Boazit Obedin, dhe kështu u bë paraardhëse e mbretit David, si dhe e Jezu Krishtit.—Ru 4:1-21; Mt 1:5, 16.