SHESHBAZARI
I ngarkuari i mbretit Kir në krye të grupit të parë të të mërguarve që u kthyen nga Babilonia. Përveçse ktheu judenjtë në atdhe, Sheshbazari mori me vete edhe pajisjet prej ari e argjendi që kishte plaçkitur Nabukodonosori nga tempulli. Me të mbërritur në Jerusalem, ai hodhi themelet e tempullit të dytë.—Ezd 1:7-11; 5:14-16.
Ekzistojnë opinione të kundërta nëse Sheshbazari ishte vetë guvernatori Zorobabel apo ndonjë individ tjetër. Disa thonë se ishte Shenazari, biri i mbretit Jehojakin, që përmendet te 1 Kronikave 3:18, për shkak të ngjashmërisë mes emrave, si edhe për shkak të titullit ‘princ i Judës’ që i atribuohet Sheshbazarit në disa versione të Ezdrës 1:8. (Dio, RS) Megjithatë, kjo teori është shumë e brishtë, sepse ngjashmëria mes emrave nuk është e madhe dhe titullin ‘princ [‘prijës’, BR] i Judës’ e gëzonte edhe Zorobabeli, meqë gjyshi i tij ishte Jehojakini.
Sot disa studiues përpiqen t’i konsiderojnë Sheshbazarin dhe Zorobabelin si dy individë të ndryshëm. Sipas tyre, në fillim Kiri emëroi si guvernator Sheshbazarin, të cilin gjatë mbretërimit të Darit e pasoi Zorobabeli dhe kështu, ndërtimi i tempullit i atribuohet këtij të fundit.
Më shumë të ngjarë ka që Sheshbazari dhe Zorobabeli të kenë qenë i njëjti person. Në fakt, shumica e studiuesve dhe e veprave të referimit i lidhin këta dy emra me një individ të vetëm. Ja disa përafri mes tyre: në përgjithësi, veprimet që i atribuohen Sheshbazarit në dy fragmentet ku ai përmendet me emër, në vargje të tjera i atribuohen Zorobabelit. Të dy mbanin titullin «guvernator». (Ezd 1:11; 2:1, 2; 5:2, 14, 16; Hg 1:1, 14; 2:2, 21; Za 4:9) Zorobabeli njihet si udhëheqësi i të mërguarve që u riatdhesuan; në këtë listë emri «Sheshbazar» nuk gjendet fare.—Ezd 2:2; 3:1, 2.
Duket se Sheshbazar ishte një emër zyrtar ose babilonas që iu vu Zorobabelit, njësoj si Danielit dhe të tjerëve iu vu një emër zyrtar oborri. (Dn 1:7) «Sheshbazar» është më kaldeas si emër sesa «Zorobabel». Tek Ezdra 5:14-16 citohet një letër zyrtare dhe në kapitullin e 1-rë të Ezdrës sapo është cituar urdhëresa e Kirit, që mbase shpjegon përdorimin e një emri të mundshëm zyrtar në këto fragmente.