SHETAR-BOZENAI
Zyrtar, mbase sekretar, që përmendet bashkë me Tatenain, guvernatorin pers «matanë Lumit» gjatë mbretërimit të Darit I (Histaspisit). (Ezd 5:3, 6; 6:6, 13) Shetar-Bozenai shkoi në Jerusalem me Tatenain dhe të tjerë për të protestuar kundër punimeve të judenjve për rindërtimin e tempullit, të cilat Artakserksi i kishte ndaluar. Me gjithë pakënaqësitë, judenjtë vazhduan punën ndërkohë që Darit iu nis një raport. Tatenai, Shetar-Bozenai dhe bashkëpunëtorët e tij i shkruan mbretit për ta informuar çfarë po ndodhte në Jerusalem e për t’i thënë se ndërtuesit e tempullit flisnin për një urdhër të Kirit ku i autorizonte të rindërtonin tempullin. Ata kërkuan të hetohej për këtë çështje. Përgjigjja e Darit vërtetoi ekzistencën e dekretit të pandryshueshëm të Kirit dhe Dari jo vetëm e urdhëroi Shetar-Bozenain me shokë ‘t’i rrinin larg’ Jerusalemit, por kërkoi që të vazhdonin punimet e flijimet në tempull dhe që gjërat e nevojshme të siguroheshin nga të ardhurat e thesarit mbretëror, përndryshe do të kishte masa të rrepta ndëshkimore. Shetar-Bozenai dhe shokët e tij u bindën.—Ezd 4:23–6:13.