TIBERI
Perandori i dytë i Romës. Ishte bir i Tiber Klaud Neronit dhe i Livia Drusilës. Lindi në vitin 42 p.e.s. Kur e ëma u martua me Augustin në vitin 38 p.e.s., Tiberin e birësoi perandori. Në moshën 31-vjeçare, nën presionin e njerkut, ai u divorcua nga gruaja e tij, Vipsania Agripina, dhe u martua me Julian, të bijën e Augustit.
Augusti zgjodhi Tiberin si pasues vetëm pasi vdiqën të gjithë ata që parapëlqente. Më 17 gusht të vitit 14 të e.s. (sipas kalendarit gregorian), Augusti vdiq; më 15 shtator, Tiberi e lejoi senatin ta shpallte perandor. ‘Vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiber Cezarit’ Gjoni filloi të pagëzonte. Nëse është llogaritur nga vdekja e Augustit, viti i 15-të shkon nga gushti i vitit 28 të e.s. deri në gusht të vitit 29 të e.s. Nëse llogaritet nga momenti kur u shpall zyrtarisht perandor, viti i 15-të shkon nga shtatori i vitit 28 të e.s. deri në shtator të vitit 29 të e.s.—Lu 3:1-3.
Tiberi jetoi deri në mars të vitit 37 të e.s. dhe qe perandor gjatë gjithë kohës që shërbeu Jezui. Kështu, shëmbëlltyra në monedhën që i çuan Jezuit kur tha «paguajini Cezarit gjërat e Cezarit», ishte e Tiberit. (Mr 12:14-17; Mt 22:17-21; Lu 20:22-25) Përveç nxitjes për kryengritje, Tiberi përfshiu në ligjin laesa majestas (krim kundër madhërisë) edhe përgojimet kundër perandorit, dhe mendohet se judenjtë shfrytëzuan pikërisht këtë ligj për t’i bërë presion Ponc Pilatit që të vriste Jezuin. (Gjo 19:12-16) Më vonë, Tiberi e thirri Pilatin në Romë për shkak të ankesave të samaritanëve kundër administratës së tij, por, para se Pilati të arrinte, Tiberi vdiq dhe vendin e tij e zuri Kaligula.
Si perandor, Tiberi kishte virtyte dhe vese. Ai kufizoi shpenzimet për gjëra luksi dhe kështu pati fonde të cilat i përdori me dorëgjerësi për të rritur mirëqenien e perandorisë, si dhe rezerva për të përballuar katastrofat dhe kohët e vështira. Tiberi e quante veten njeri, jo perëndi, refuzoi shumë tituj nderi dhe në përgjithësi e drejtoi kultin e perandorit tek Augusti e jo te vetja.
Megjithatë, veset e tij ishin më shumë se virtytet. Ai ishte tejet dyshues e hipokrit me të tjerët dhe si i tillë, gjatë mbretërimit të tij, urdhëroi vrasjen e shumë njerëzve, mjaft prej të cilëve ishin miqtë e tij të dikurshëm. Ai këshillohej me astrologët. Në vilën e tij në Kapri ku kaloi dhjetë vitet e fundit të jetës, ai u dha në mënyrën më të ulët pas epsheve të tij perverse me meshkuj që mbaheshin për qëllime të panatyrshme.
Tiberin e përbuznin jo vetëm individë, si mësuesi i tij, Teodori i Gadarës, dhe njerku i tij, Augusti, por edhe nënshtetasit në përgjithësi. Pas vdekjes, senati nuk pranoi ta hyjnizonte. Për këto arsye dhe për të tjera, studiuesit e Biblës e shohin Tiberin si atë që përmbushi profecinë që thoshte se «një që është për t’u përbuzur» do të ngrihej si «mbreti i veriut».—Dn 11:15, 21.