BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w02 15/2 f. 18-22
  • Të përballojmë «një gjemb në mish»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të përballojmë «një gjemb në mish»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Si ta përballojmë një gjemb?
  • Masat që merr Jehovai janë jetësore
  • Qëndrueshmëria sjell lumturi
  • Dobësia njerëzore lartëson fuqinë e Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Ata përballuan gjemba në mish
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • ‘Gjembi në mish’ i Pavlit
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2019
  • A ke «një gjemb në mish»?
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1998
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
w02 15/2 f. 18-22

Të përballojmë «një gjemb në mish»

«Dashamirësia ime e pamerituar të mjafton.»​—2 KORINTASVE 12:9.

1, 2. (a) Përse nuk duhet të na vijë çudi që hasim sprova dhe probleme? (b) Përse mund të jemi të sigurt edhe përballë sprovave?

«TË GJITHË ata që dëshirojnë të jetojnë me devocion hyjnor në shoqëri me Krishtin Jezu, edhe do të persekutohen.» (2 Timoteut 3:12) Përse? Sepse Satanai pohon që njerëzit i shërbejnë Perëndisë vetëm për arsye egoiste dhe dëshiron me çdo kusht që ta provojë pohimin e tij. Njëherë, Jezui i paralajmëroi apostujt besnikë: «Satanai ka kërkuar t’ju shoshitë si grurin.» (Luka 22:31) Jezui e dinte mirë se Perëndia e lejon Satanain të na sprovojë me anë të problemeve të dhembshme. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se çdo vështirësi që hasim në jetë vjen drejtpërdrejt nga Satanai ose nga demonët e tij. (Predikuesi [Eklisiastiu] 9:11) Por, Satanai është gati të përdorë çdo mjet që ka në dispozicion, me qëllim që të na e thyejë integritetin.

2 Bibla na thotë se nuk duhet të na vijë çudi lidhur me sprovat tona. Çfarëdo që të na ndodhë, nuk është as e çuditshme dhe as e papritur. (1 Pjetrit 4:12) Në të vërtetë, «të njëjtat gjëra për sa u përket vuajtjeve po ndodhin në gjithë vëllazërinë [tonë] nëpër botë». (1 Pjetrit 5:9) Sot, Satanai po i bën presion jashtëzakonisht të madh çdo shërbëtori të Perëndisë. Djalli kënaqet duke na parë që jemi të munduar me sa më shumë probleme ngjashëm gjembave. Për këtë qëllim, e përdor sistemin e tij në mënyrë të tillë që ka shumë mundësi të na shtojë ose të na e keqësojë ndonjë «gjemb në mish» që mund të kemi. (2 Korintasve 12:7) Gjithsesi, sulmet e Satanait s’kanë pse të na e thyejnë integritetin. Jehovai që na ‘siguron rrugëdaljen’ për t’i qëndruar tundimit, do të bëjë të njëjtën gjë edhe kur hasim shqetësime që për ne janë si gjemba në mish.​—1 Korintasve 10:13.

Si ta përballojmë një gjemb?

3. Si u përgjigj Jehovai kur Pavli i kërkoi që t’ia hiqte gjembin në mish?

3 Apostulli Pavël iu lut Perëndisë që t’ia hiqte gjembin që kishte në mish. «Për këtë iu përgjërova tri herë Zotërisë që ta hiqte prej meje.» Si iu përgjigj Jehovai kërkesës së zjarrtë të Pavlit? «Dashamirësia ime e pamerituar të mjafton; sepse fuqia ime përsoset në dobësi.» (2 Korintasve 12:8, 9) Le ta analizojmë këtë përgjigje dhe të shohim se si mund të na ndihmojë të përballojmë çfarëdo problemi ngjashëm gjembave që na shkakton dhembje.

4. Në cilat mënyra kishte nxjerrë dobi Pavli nga dashamirësia e pamerituar e Jehovait?

4 Vini re se Perëndia e inkurajoi Pavlin të çmonte dashamirësinë e pamerituar që tashmë i ishte dhënë nëpërmjet Krishtit. Në të vërtetë, Pavli ishte bekuar jashtë mase në shumë mënyra. Me dashuri Jehovai i kishte dhënë privilegjin që të bëhej dishepull, ndonëse më parë ai kishte qenë kundërshtar fanatik i ithtarëve të Jezuit. (Veprat 7:58; 8:3; 9:1-4) Më pas, me dashamirësi Jehovai i dha Pavlit shumë caktime dhe privilegje entuziazmuese. Mësimi që mund të nxjerrim është i qartë. Edhe në periudhat më të këqija, ende kemi shumë bekime për të cilat duhet të jemi mirënjohës. Sprovat nuk duhet të na bëjnë kurrë që të harrojmë mirësinë shumë të madhe të Jehovait.​—Psalmi 31:19.

5, 6. (a) Si ia mësoi Jehovai Pavlit se fuqia hyjnore «përsoset në dobësi»? (b) Në ç’mënyrë shembulli i Pavlit provoi se Satanai është gënjeshtar?

5 Dashamirësia e pamerituar e Jehovait del se është e mjaftueshme edhe në një mënyrë tjetër. Fuqia e Perëndisë është më se e mjaftueshme për të na ndihmuar kur jemi nën sprova. (Efesianëve 3:20) Jehovai i mësoi Pavlit se fuqia hyjnore «përsoset në dobësi». Në ç’mënyrë? Me dashuri, Jehovai i dha Pavlit gjithë forcën që i nevojitej për ta përballuar sprovën. Nga ana e tyre, qëndrueshmëria e Pavlit dhe besimi i tij i patundur te Jehovai u tregoi të gjithëve se fuqia e Perëndisë po ngadhënjente në rastin e këtij njeriu të dobët e mëkatar. Tani, shqyrtoni efektin që pati kjo te Djalli, i cili pretendon se njerëzit i shërbejnë Perëndisë vetëm kur kanë një jetë të rehatshme e pa ndërlikime. Integriteti i Pavlit ishte një shuplakë e rëndë për këtë shpifës!

6 Ja ku qëndronte Pavli, më parë aleat i Satanait në luftën kundër Perëndisë, përndjekës arrogant i të krishterëve dhe farise i zellshëm. Pa dyshim, njëherë e një kohë ai gëzonte shumë rehati të jetës, sepse kishte lindur në një klasë të privilegjuar. Tani Pavli i shërbente Jehovait dhe Krishtit si «i fundit i apostujve». (1 Korintasve 15:9) Si i tillë, i nënshtrohej me përulësi autoritetit të trupit udhëheqës të krishterë në shekullin e parë. Gjithashtu, qëndronte me besnikëri, edhe pse kishte këtë gjemb në mish. Sa duhet të jetë zhgënjyer Satanai nga fakti që sprovat e jetës nuk ia ulën zellin Pavlit. Pavli nuk e hoqi kurrë nga mendja shpresën se do të merrte pjesë në Mbretërinë qiellore të Krishtit. (2 Timoteut 2:12; 4:18) Asnjë gjemb, sado i dhembshëm, nuk mund t’ia ulte zellin. Le të vazhdojë, në mënyrë të ngjashme, edhe zelli ynë të jetë i fortë! Duke na mbështetur gjatë sprovave, Jehovai na nderon me privilegjin që të ndihmojmë edhe ne për të provuar se Satanai është gënjeshtar.​—Fjalët e urta 27:11.

Masat që merr Jehovai janë jetësore

7, 8. (a) Në ç’mënyrë u jep fuqi sot Jehovai shërbëtorëve të tij? (b) Përse leximi i përditshëm i Biblës dhe studimi janë kaq jetësorë për të përballuar ndonjë gjemb në mish që mund të kemi?

7 Sot, Jehovai u jep fuqi të krishterëve besnikë me anë të frymës së tij të shenjtë, me anë të Fjalës së tij dhe me anë të vëllazërisë së krishterë. Ashtu si apostulli Pavël, mund t’i hedhim barrët tona mbi Jehovain në lutje. (Psalmi 55:22) Edhe pse ndoshta nuk na i heq sprovat, Perëndia mund të na japë mençurinë për t’i përballuar ato, madje edhe sprovat që janë veçanërisht të rënda për t’u duruar. Gjithashtu, Jehovai mund të na japë forcë, duke na dhënë ‘fuqi përtej asaj që është normale’, për të na ndihmuar që të qëndrojmë.​—2 Korintasve 4:7.

8 Si e marrim një ndihmë të tillë? Duhet ta studiojmë me zell Fjalën e Perëndisë, pasi aty do të gjejmë me siguri ngushëllimet e tij. (Psalmi 94:19) Në Bibël, lexojmë fjalët prekëse të shërbëtorëve të Perëndisë kur i kërkonin ndihmë Atij. Bëjmë mirë të meditojmë rreth përgjigjeve që u dha Jehovai, në të cilat shpesh përdoren fjalë ngushëlluese. Studimi do të na forcojë, në mënyrë që «fuqia përtej asaj që është normale të jetë e Perëndisë dhe jo ajo që vjen nga ne». Ashtu si kemi nevojë të hamë ushqim fizik çdo ditë për t’u ushqyer e për të marrë forcë, po kështu duhet të ushqehemi rregullisht me fjalët e Perëndisë. A e bëjmë këtë? Nëse po, do të provojmë se duke marrë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ ndihmohemi të durojmë cilatdo gjemba figurativë që mund të na mundojnë tani.

9. Si mund t’i mbështetin pleqtë ata që po përballojnë probleme?

9 Pleqtë e krishterë me frikë Perëndie mund të ‘jenë si një mbrojtje nga era’ ose «një strehë kundër uraganit», domethënë, mbrojtje ndaj vuajtjeve dhe problemeve. Pleqtë, të cilët duan të përputhen me këtë përshkrim të frymëzuar, me përulësi e me çiltërsi i kërkojnë Jehovait që t’u japë «gjuhën e të mësuarve», në mënyrë që të dinë se si t’u përgjigjen me fjalët e duhura atyre që vuajnë. Fjalët e pleqve mund të jenë si një shi i butë që na e freskon dhe na e ngushëllon shpirtin gjatë periudhave të vështira në jetë. Duke u folur «në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të ligështuar», pleqtë i mbështetin vërtet vëllezërit e tyre frymorë dhe motrat frymore, të cilët mund të jenë të lodhur ose po i lëshon zemra për shkak të ndonjë gjembi në mish.​—Isaia 32:2; 50:4, BR; 1 Selanikasve 5:14.

10, 11. Si mund t’u japin zemër shërbëtorët e Perëndisë të tjerëve që po kalojnë sprova të rënda?

10 Të gjithë shërbëtorët e Jehovait janë pjesë e familjes së tij të bashkuar të krishterë. Po, ne jemi «gjymtyrë që individualisht i përkasim njëra-tjetrës» dhe jemi «nën detyrimin për ta dashur njëri-tjetrin». (Romakëve 12:5; 1 Gjonit 4:11) Si e përmbushim këtë detyrim? Sipas 1 Pjetrit 3:8, e bëjmë këtë duke «treguar ndjenja të përbashkëta, duke pasur përzemërsi vëllazërore [dhe] duke qenë zemërdhembshur» ndaj të gjithë atyre që janë të lidhur me ne në besim. Atyre që po përballojnë një gjemb veçanërisht të dhembshëm në mish, qofshin të rinj a të moshuar, të gjithë ne mund t’u kushtojmë vëmendje të veçantë. Në ç’mënyrë?

11 Duhet të përpiqemi të jemi të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të tyre. Nëse jemi të pandjeshëm, të ftohtë ose indiferentë, pa dashje mund t’ua bëjmë edhe më të dhembshme vuajtjen. Meqë i dimë sprovat që po kalojnë, kjo gjë duhet të na nxitë të jemi të kujdesshëm për atë që themi, për mënyrën se si e themi dhe për mënyrën se si veprojmë. Duke qenë pozitivë dhe inkurajues mund t’i ndihmojmë që ta ndiejnë më pak dhembjen e fortë që po u shkakton ndonjë gjemb. Në këtë mënyrë, mund të provojmë se jemi një ndihmë fuqizuese për ta.​—Kolosianëve 4:11.

Si i kanë përballuar me sukses sprovat disa?

12-14. (a) Çfarë bëri një e krishterë për të përballuar kancerin? (b) Si e ndihmuan dhe i dhanë zemër kësaj gruaje vëllezërit frymorë dhe motrat frymore?

12 Ndërsa i afrohemi fundit të këtyre ditëve të fundit, ‘dhembjet e lindjes’ shtohen nga dita në ditë. (Mateu 24:8) Kështu, ka të ngjarë që sprovat të mundojnë këdo në tokë, e sidomos shërbëtorët besnikë të Jehovait, të cilët po përpiqen të bëjnë vullnetin e tij. Për shembull, shqyrtoni rastin e një të krishtereje që ishte në shërbimin e plotkohor. U diagnostikua me kancer dhe iu desh të bënte një operacion, për të hequr gjëndrat e pështymës dhe ato limfatike. Kur ajo dhe i shoqi morën vesh për këtë sëmundje, menjëherë iu drejtuan Jehovait në një lutje të gjatë përgjërimi. Më vonë, ajo tha se i pushtoi një paqe e jashtëzakonshme. Gjithsesi, kaloi shumë të përpjeta e të tatëpjeta, sidomos kur përballoi efektet anësore të mjekimeve që bënte.

13 Për të përballuar gjendjen, kjo motër u përpoq të mësonte sa më shumë që mundej për kancerin. Foli me mjekët e saj. Në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si edhe në botime të tjera të krishtere, gjeti jetëshkrime që tregonin se si e kishin përballuar të tjerët nga ana emocionale këtë sëmundje. Lexoi edhe fragmente biblike që ishin domethënëse në këtë rast, në të cilat tregohej aftësia e Jehovait për ta mbështetur popullin e tij gjatë vështirësive, si edhe të dhëna të tjera të dobishme.

14 Një artikull që tregonte se si të përballohet dëshpërimi, citonte këto fjalë të mençura: «Kush veçohet do të kërkojë dëshirën e tij të zjarrtë egoiste.» (Proverbat [Fjalët e urta] 18:1, BR) Prandaj, artikulli jepte këtë këshillë: «Kundërvijuni veçimit!»a Motra tregon: «Shumë veta më thanë se po luteshin për mua, të tjerë më telefononin. Dy pleq më merrnin në telefon rregullisht për të marrë vesh si isha. Merrja lule dhe shumë kartolina. Disa, madje, përgatitnin edhe ushqime. Veç kësaj, shumë dilnin vullnetarë që të më çonin për të bërë terapitë.»

15-17. (a) Si i përballoi një e krishterë vështirësitë që i erdhën si pasojë e aksidenteve? (b) Çfarë ndihme siguruan pjesëtarët e kongregacionit?

15 Në Nju-Meksiko, SHBA, një shërbëtore e Jehovait, e cila i shërben atij nga shumë kohë, pati dy aksidente automobilistike. Iu dëmtuan qafa dhe shpatullat, duke ia keqësuar artritin me të cilin kishte më shumë se 25 vjet që po luftonte. Ajo tregon: «Kisha shumë vështirësi për ta mbajtur kokën lart dhe për të mbajtur pesha mbi 2 kilogramë. Por, lutjet e zjarrta që i bëj Jehovait më kanë mbështetur shumë. Po kështu edhe artikujt që kemi studiuar në Kullën e Rojës. Njëri prej tyre kishte një koment për Mikenë 6:8, duke treguar se të jesh modest në ecjen me Perëndinë do të thotë të njohësh kufizimet që ke. Kjo më ndihmoi të kuptoja se pavarësisht nga gjendja ime, nuk duhej të shkurajohesha, ndonëse koha që kaloja në shërbim ishte më pak nga sa dëshiroja. T’i shërbej me motive të pastra është ajo që ka rëndësi në radhë të parë.»

16 Gjithashtu, ajo thotë: «Pleqtë më lavdëronin gjithnjë për përpjekjet që bëja për të ndjekur mbledhjet e për të shkuar në shërbimin në fushë. Të rinjtë më përshëndetnin me një përqafim. Pionierët ishin shumë të duruar me mua dhe shpesh bënin rregullime në planet e tyre, nëse kisha ditë të vështira. Kur moti ishte i keq, me dashamirësi më çonin në rivizita ose më ftonin në studimet e tyre biblike. E meqë nuk mbaja dot çantë shërbimi, lajmëtarët e tjerë e vinin literaturën time në çantën e tyre, kur dilja në predikim.

17 Vini re se si i ndihmuan pleqtë e kongregacionit dhe bashkëbesimtarët këto dy motra që të përballonin problemet shëndetësore, ngjashëm gjembave. U dhanë ndihmë praktike e dashamirëse, me qëllim që të plotësonin nevojat e tyre të veçanta frymore, fizike dhe emocionale. A nuk ju jep zemër kjo që t’u jepni ndihmë vëllezërve dhe motrave që po hasin probleme? Edhe ju të rinj mund të jeni një ndihmë për ata në kongregacionin tuaj që po luftojnë me gjembat në mish.​—Fjalët e urta 20:29.

18. Çfarë inkurajimi mund të gjejmë në jetëshkrimet e botuara në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!?

18 Revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! kanë botuar shumë jetëshkrime dhe përvoja të Dëshmitarëve që kanë përballuar dhe po përballojnë ende probleme në jetë. Duke i lexuar rregullisht këta artikuj, do të shihni se shumë nga vëllezërit tuaj frymorë dhe motrat tuaja frymore përreth botës kanë duruar vështirësi ekonomike, humbjen e njerëzve të tyre të dashur nëpër katastrofa, si edhe rrethana të rrezikshme në kohë lufte. Të tjerë jetojnë me sëmundje ligështuese. Shumë prej tyre nuk janë në gjendje të bëjnë disa nga gjërat e thjeshta të jetës që njerëzit e shëndetshëm i nënvlerësojnë. Sëmundja i sprovon shumë rëndë, veçanërisht kur nuk mund të marrin pjesë në veprimtaritë e krishtere aq sa do të donin. Sa shumë e çmojnë ata ndihmën dhe përkrahjen që u japin motrat dhe vëllezërit, të rinj e të moshuar!

Qëndrueshmëria sjell lumturi

19. Përse Pavli ishte në gjendje të gëzonte, me gjithë sprovat dhe dobësitë e tij ngjashëm gjembave?

19 Pavli gëzohej duke parë se si e forconte Perëndia. Ai tha: «Me gëzim të madh do të mburrem më mirë për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të qëndrojë mbi mua si një tendë. Prandaj, gjej ëndje në dobësi, në fyerje, në raste nevoje, në persekutime dhe vështirësi për Krishtin. Sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.» (2 Korintasve 12:9, 10) Për shkak të përvojave të tij personale, Pavli mund të thoshte i sigurt: «Nuk e them këtë ngaqë jam në nevojë, pasi kam mësuar në çdo rrethanë që të ndodhem, të kënaqem me aq sa kam. Në të vërtetë, di të jem ngushtë dhe, në fakt, di të kem me bollëk. Në çdo gjë dhe në çdo rrethanë kam mësuar sekretin edhe si të jem i ngopur, edhe si të jem i uritur, edhe si të kem me bollëk, edhe si të jem në nevojë. Për çdo gjë kam forcë në sajë të atij që më jep fuqi.»​—Filipianëve 4:11-13.

20, 21. (a) Përse mund të gjejmë gëzim duke medituar për «gjërat që nuk shihen»? (b) Cilat janë disa nga «gjërat që nuk shihen», të cilat shpresoni t’i shihni në Parajsën tokësore?

20 Pra, duke duruar çfarëdo gjembi figurativ që kemi në mish, mund të gjejmë shumë lumturi duke i treguar kujtdo se fuqia e Jehovait përsoset në dobësinë tonë. Pavli shkroi: «Ne nuk dorëzohemi . . . Sigurisht që njeriu i brendshëm po përtërihet nga dita në ditë. Sepse, ndonëse shtrëngimi është kalimtar dhe i lehtë, ai prodhon për ne një lavdi që ka një peshë, e cila tejkalon gjithnjë e më shumë çdo gjë dhe është e përhershme; ndërkohë që i kemi sytë . . . tek [gjërat] që nuk shihen. Sepse gjërat . . . që nuk shihen janë të përhershme.»​—2 Korintasve 4:16-18.

21 Sot, pjesa më e madhe e popullit të Jehovait shpreson të jetojë në Parajsën e Tij tokësore dhe të gëzojë bekimet që ai ka premtuar. Këto bekime mund të themi «që nuk shihen» për ne sot. Megjithatë, po afrohet me të shpejtë koha kur do t’i shohim këto bekime me sytë tanë, po, dhe do t’i gëzojmë ato përgjithmonë. Një nga këto bekime do të jetë lehtësimi që do të provojmë duke mos na u dashur të jetojmë më me ndonjë problem ngjashëm gjembave. Biri i Perëndisë do t’i ‘zhbëjë veprat e Djallit’ dhe do të ‘asgjësojë atë që ka mjetet për të shkaktuar vdekjen’.​—1 Gjonit 3:8; Hebrenjve 2:14.

22. Cilën siguri dhe vendosmëri duhet të kemi?

22 Prandaj, cilido qoftë gjembi në mish që po na shkakton dhembje sot, le të vazhdojmë ta përballojmë! Ashtu si Pavli, do të kemi forcën për ta bërë këtë në sajë të Jehovait, i cili me bujari na jep fuqi. Kur të jetojmë në Parajsën tokësore, do ta bekojmë Jehovain, Perëndinë tonë, çdo ditë për gjithë veprat e tij të mrekullueshme në dobinë tonë.​—Psalmi 103:2.

[Shënimi]

a Shih artikullin «Pikëpamja e Biblës: Si ta përballoj dëshpërimin?», në Zgjohuni! të 8 majit 2000, anglisht.

Si do të përgjigjeshit?

• Përse dhe si përpiqet Djalli ta thyejë integritetin e të krishterëve të vërtetë?

• Si «përsoset në dobësi» fuqia e Jehovait?

• Si munden pleqtë dhe të tjerët t’u japin zemër atyre që vuajnë nga problemet?

[Figura në faqen 18]

Tri herë Pavli u lut që Perëndia t’ia hiqte gjembin në mish

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo