Dasma që janë të nderuara në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve
«U bë një dasmë në Kanë. . . . Në dasmë ishin ftuar edhe Jezui me dishepujt e vet.»—GJONI 2:1, 2.
1. Për çfarë na bën të mendojmë tregimi për Jezuin kur ishte në Kanë?
JEZUI, nëna e tij dhe disa nga dishepujt e provuan gëzimin që mund të sjellë një dasmë e nderuar në popullin e Perëndisë. Madje Krishti e bëri të veçantë një dasmë, duke kryer mrekullinë e tij të parë të dokumentuar, dhe kjo ia shtoi kënaqësinë atij rasti. (Gjoni 2:1-11) Ndoshta keni marrë pjesë dhe keni gëzuar në dasma të krishterësh që duan t’i shërbejnë Jehovait si një çift i lumtur. Ose ndoshta mendoni për ditën kur ju vetë do të martoheni apo do të ndihmoni një shok a shoqe që të ketë një dasmë të suksesshme. Si mund të arrihet ky sukses?
2. Çfarë informacioni përmban Bibla për martesat?
2 Të krishterët kanë parë se këshillat e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë janë shumë të dobishme kur një burrë e një grua planifikojnë të martohen. (2 Timoteut 3:16, 17) Kuptohet, Bibla nuk parashtron procedura të hollësishme se si duhet bërë një martesë e krishterë. Kjo është e kuptueshme, pasi zakonet, e madje edhe kërkesat ligjore, ndryshojnë nga një vend në tjetrin dhe nga një epokë në tjetrën. Për shembull, në Izraelin e lashtë nuk kishte ceremoni formale martese. Ditën e dasmës, dhëndri e çonte nusen në shtëpinë e tij ose në shtëpinë e babait të tij. (Zanafilla 24:67; Isaia 61:10; Mateu 1:24) Ky hap publik ishte martesa, pa ceremonitë formale që janë të zakonshme në shumë dasma sot.
3. Në cilën ngjarje në Kanë dha ndihmesën e vet Jezui?
3 Për izraelitët ky hap nënkuptonte martesën. Më pas, siç përmendet edhe te Gjoni 2:1, mund të bënin ndonjë festë ose dasmë. (Mateu 22:2-10; 25:10; Luka 14:8) Nga tregimi duket qartë se Jezui ishte i pranishëm dhe bëri diçka për t’ia shtuar gëzimin festës që u bë me rastin e një martese judaike. Megjithatë, një pikë kyçe është se mënyra se si bëhej martesa dhe dasma atëherë ndryshon nga ajo që është e zakonshme sot.
4. Ç’lloj dasme zgjedhin disa të krishterë e përse?
4 Në shumë vende sot, të krishterët që duan të martohen, duhet të plotësojnë disa kërkesa ligjore. Pasi i kanë plotësuar këto, mund të martohen në çfarëdo mënyre të pranuar ligjërisht. Kjo mund të jetë një ceremoni e vogël dhe e thjeshtë që kryhet nga një gjykatës, kryetar bashkie ose një shërbëtor fetar i autorizuar nga shteti. Disa vendosin të martohen në këtë mënyrë, ndoshta duke u kërkuar disa të afërmve a miqve të krishterë të jenë të pranishëm si dëshmitarë ligjorë ose edhe thjesht për të marrë pjesë në gëzimin e tyre, në këtë rast të rëndësishëm. (Jeremia 33:11; Gjoni 3:29) Po ashtu, disa të krishterë mund të vendosin të mos bëjnë një festë ose pritje të madhe me rastin e martesës së tyre, pasi kjo do të kërkonte mjaft planifikim dhe para. Në vend të kësaj, vendosin të hanë një drekë a darkë vetëm me disa miq të ngushtë, në një vend të qetë. Pavarësisht se çfarë mund të na pëlqejë neve personalisht, duhet të pranojmë se të krishterë të tjerë të pjekur mund të kenë pikëpamje të ndryshme.—Romakëve 14:3, 4.
5. Pse shumë të krishterë duan që të mbahet një fjalim martese ditën e dasmës dhe çfarë përmban ky fjalim?
5 Shumica e çifteve të krishtere vendosin që në dasmën e tyre të mbahet një fjalim biblik.a Ata e pranojnë se martesën e themeloi Jehovai dhe se ai siguron në Fjalën e tij këshilla të mençura se si të jetë e suksesshme martesa dhe të sjellë lumturi. (Zanafilla 2:22-24; Marku 10:6-9; Efesianëve 5:22-33) Veç kësaj, shumica e çifteve duan që miqtë e tyre të krishterë dhe të afërmit të marrin pjesë në këtë rast të lumtur. Atëherë, si duhet ta shohim larminë e madhe të kërkesave ligjore, të procedurave ose qoftë edhe të zakoneve të vendit? Në këtë artikull do të shqyrtohen disa situata nga rajone të ndryshme. Disa mund të ndryshojnë shumë nga ajo që dini ose nga ajo që bëhet në zonën tuaj. Megjithatë mund të vëreni disa parime ose aspekte të përbashkëta që janë të rëndësishme për shërbëtorët e Perëndisë.
Martesa e nderuar është në përputhje me kërkesat ligjore
6, 7. Pse duhet të na interesojnë aspektet ligjore të martesës dhe si mund ta tregojmë këtë interesim?
6 Martesën e themeloi Jehovai, megjithatë edhe qeveritë njerëzore kanë njëfarë kontrolli mbi veprimet e atyre që martohen. Kjo është me vend. Jezui tha: «Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.» (Marku 12:17) Po kështu, apostulli Pavël udhëzoi: «Çdo shpirt të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta, sepse nuk ka autoritet veçse nga Perëndia. Autoritetet ekzistuese qëndrojnë në pozitat e tyre relative nga Perëndia.»—Romakëve 13:1; Titit 3:1.
7 Në shumicën e vendeve, Cezari ose ndryshe autoritetet civile, përcaktojnë kush është në moshë dhe ka të drejtë të martohet. Kështu, dy të krishterë që nga ana biblike janë të lirë për t’u martuar, kur vendosin të martohen, bëjnë kujdes që të plotësojnë edhe ligjet e vendit. Kjo mund të kërkojë të marrin një leje për t’u martuar ose të celebrohen para një nëpunësi të autorizuar nga shteti apo edhe ndoshta të regjistrojnë martesën që është kryer. Kur Cezar Augusti kërkoi që të bëhej një ‘regjistrim’, Maria dhe Jozefi u bindën dhe udhëtuan deri në Betlehem që «të regjistroheshin».—Luka 2:1-5.
8. Cilat praktika shmangin Dëshmitarët e Jehovait dhe përse?
8 Kur dy të krishterë martohen në mënyrë ligjore e të pranuar, Perëndia e konsideron detyruese këtë lidhje. Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait nuk e përsëritin martesën duke bërë disa ceremoni ligjore dhe as i ripërtërijnë betimet martesore, si për shembull në përvjetorin e 25-të ose të 50-të të martesës. (Mateu 5:37) (Disa kisha nuk e pranojnë ceremoninë martesore civile të miratuar nga ligji, duke thënë që nuk quhet martesë nëse një prift ose një klerik nuk kryen ritet ose nuk e shpall çiftin burrë e grua.) Në shumë vende, qeveria ka autorizuar një shërbëtor Dëshmitar të Jehovait që të kryejë ceremoni martese. Nëse ekziston kjo mundësi, ka shumë të ngjarë që ai të dojë ta bëjë këtë së bashku me fjalimin e martesës në një Sallë Mbretërie. Ky është vendi i adhurimit të vërtetë për një zonë të caktuar dhe një vend i përshtatshëm për të mbajtur një fjalim martese, të cilën e themeloi Perëndia Jehova.
9. (a) Në rastin e martesës civile, çfarë mund të vendosë të bëjë një çift i krishterë? (b) Si mund të përfshihen pleqtë në planet e martesës?
9 Në vende të tjera, ligji kërkon që çiftet të martohen në një zyrë shtetërore, si për shembull në bashki ose para një nëpunësi civil të caktuar. Shpesh, të krishterët vendosin që pas këtij hapi ligjor të mbahet një fjalim martese në Sallën e Mbretërisë po atë ditë ose ditën tjetër. (Nuk duan që të kalojnë shumë ditë nga ceremonia civile deri në fjalimin biblik, pasi në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve, përfshirë këtu edhe kongregacionin e krishterë, tashmë janë të martuar.) Nëse një çift dëshiron që pas martesës civile të mbahet edhe fjalimi në një Sallë Mbretërie, duhet që më përpara të kërkojnë lejen e pleqve që përbëjnë Komitetin e Shërbimit të Kongregacionit. Përveçse do të sigurohen se çifti ka reputacion të mirë, këta mbikëqyrës do të sigurohen edhe që orari i fjalimit të martesës të mos bjerë ndesh me mbledhjet dhe me programet e tjera të sallës. (1 Korintasve 14:33, 40) Gjithashtu, do të rishikojnë përgatitjet që mund të kërkojë të bëjë çifti në sallë dhe të vendosin nëse duhet bërë ndonjë njoftim për përdorimin e saj.
10. Nëse duhet bërë më parë martesa civile, si do të ndikojë kjo në fjalimin e martesës?
10 Plaku që do të mbajë fjalimin e martesës, duhet të përpiqet ta paraqitë këtë fjalim në mënyrë të përzemërt, ndërtuese frymësisht dhe dinjitoze. Nëse çifti tashmë është lidhur me anë të martesës civile, ai do ta bëjë të qartë para të pranishmëve se ata janë martuar sipas ligjit të Cezarit. Nëse nuk janë shkëmbyer betimet martesore në ceremoninë civile, çifti mund të dëshirojë ta bëjë këtë gjatë fjalimit.b Nëse në ceremoninë civile ishin thënë edhe betimet, por çifti i sapomartuar dëshiron t’i përsëritë ato para Jehovait dhe kongregacionit, do ta bëjnë këtë në kohën e shkuar, duke treguar se tashmë janë «bashkuar».—Mateu 19:6; 22:21.
11. Si martohen çiftet në disa vende dhe si ndikon kjo në fjalimin e martesës?
11 Në disa vende, ligji mund të mos kërkojë që çifti të martohet me ndonjë ceremoni, madje as para ndonjë nëpunësi të qeverisë. Martesa ndodh kur ata i paraqitin një nëpunësi një formular për regjistrim martese, të firmosur nga të dy. Pas kësaj, përpilohet një certifikatë martese. Në këtë mënyrë, çifti konsiderohet burrë e grua, dhe kjo është data e martesës së tyre. Siç u tha më sipër, çifti që martohet në këtë mënyrë mund të dëshirojë që menjëherë pas regjistrimit të vazhdojë me fjalimin biblik në Sallën e Mbretërisë. Vëllai i pjekur frymësisht, që kanë zgjedhur për të mbajtur fjalimin, do t’i informojë të gjithë të pranishmit se çifti është martuar, pasi regjistrimi i martesës së tyre sapo është bërë. Nëse do të bëhen betime, do të jenë në përputhje me atë që u tha në paragrafin 10 e në shënimin për atë paragraf. Të pranishmit në Sallën e Mbretërisë do të gëzojnë bashkë me çiftin dhe do të nxjerrin dobi nga këshillat që jepen prej Fjalës së Perëndisë.—Kënga e Solomonit 3:11.
Martesat zakonore dhe civile
12. Çfarë është martesa zakonore dhe çfarë këshillohet të bëhet pas një martese të tillë?
12 Në disa shtete, çiftet lidhen me anë të asaj që quhet martesë zakonore (ose fisnore). Nuk bëhet fjalë për dy individë që thjesht jetojnë bashkë dhe as i referohet asaj që quhet «martesë pa kurorë (e paligjësuar)», që në disa zona gëzon njëfarë statusi, por nuk përbën një martesë plotësisht ligjore.c Po flasim për një martesë që bëhet sipas zakonit të pranuar publikisht në atë fis ose zonë. Kjo mund të përfshijë pagimin e plotë dhe pranimin e çmimit të nuses, me anë të të cilit çifti martohet ligjërisht dhe nga ana biblike. Këtë martesë zakonore qeveria e konsideron të vlefshme, ligjore dhe detyruese. Më pas, në përgjithësi është e mundur të dokumentohet ose të regjistrohet martesa zakonore që është bërë, dhe, pasi të jetë bërë kjo, çifti mund të marrë një certifikatë zyrtare. Regjistrimi mund të ofrojë mbrojtje ligjore për çiftin ose për gruan, nëse mbetet e ve, si edhe për fëmijët që mund të lindin në të ardhmen. Kongregacioni do ta nxitë çiftin që lidhet me këtë martesë zakonore, ta regjistrojë martesën sa më shpejt të jetë e mundur. Vlen të përmendet që, nën Ligjin e Moisiut, me sa duket martesat dhe lindjet regjistroheshin zyrtarisht.—Mateu 1:1-16.
13. Pas martesës zakonore, çfarë është me vend të bëhet për sa i përket fjalimit të martesës?
13 Ata që lidhen ligjërisht me këtë martesë zakonore, bëhen burrë e grua kur ndodh kjo martesë. Siç është përmendur më sipër, të krishterët që kryejnë këtë martesë ligjore mund të dëshirojnë të bëhet një fjalim martese, bashkë me betimet e martesës, në Sallën e Mbretërisë. Nëse bëhet kjo, oratori do të njoftojë se çifti tashmë është martuar në përputhje me ligjet e Cezarit. Do të ketë vetëm një fjalim të tillë. Ka vetëm një martesë—që në këtë rast është martesa zakonore (fisnore), e cila është e vlefshme ligjërisht—e prandaj vetëm një fjalim biblik. Nëse këto të dyja bëhen sa më afër njëra-tjetrës në hark kohor, mundësisht në të njëjtën ditë, kjo do të nderojë martesën e krishterë në zonën ku banon çifti.
14. Ç’mund të bëjë një i krishterë, nëse në vendin e tij janë të mundura edhe martesa zakonore, edhe ajo civile?
14 Në disa vende ku martesa zakonore njihet si e ligjshme, ka ligje edhe për të kryer martesën civile. Zakonisht martesa civile kryhet para një nëpunësi shtetëror e mund të përfshijë edhe betimin e martesës, edhe firmosjen në një regjistër. Disa çifte të krishtere zgjedhin këtë martesë civile në vend të asaj zakonore. Nga ana ligjore, nuk është e nevojshme të bëhen të dyja martesat; secila procedurë është ligjërisht e vlefshme. Ajo që thuhet në paragrafët 9 dhe 10 për fjalimin e martesës dhe betimet, zbatohet edhe në këtë rast. Kryesorja është që çifti të martohet në një mënyrë që është e nderuar para Perëndisë dhe njerëzve.—Luka 20:25; 1 Pjetrit 2:13, 14.
Mbajeni të nderuar martesën
15, 16. Si duhet të ndërthuret nderimi në një martesë?
15 Kur një mbret pers pati një problem martesor, njëri nga kryekëshilltarët, me emrin Memukan, dha një këshillë që mund të ketë ndikim pozitiv: ‘Të gjitha gratë t’i nderojnë burrat e tyre.’ (Estera 1:20) Në martesat e krishtere, nuk ka nevojë që kjo këshillë të jepet me dekret nga ndonjë mbret njerëzor, pasi gratë dëshirojnë t’i nderojnë burrat e tyre. Po kështu, burrat e krishterë i nderojnë gratë e tyre dhe i lavdërojnë. (Proverbat 31:11, 30; 1 Pjetrit 3:7) Nderimi në martesë nuk duhet të vijë pasi të kenë kaluar shumë vite. Ai duhet shfaqur që në fillim, madje që nga dita e dasmës e më tej.
16 Nuk janë vetëm burri dhe gruaja, pra dhëndri dhe nusja, të vetmit që duhet të tregojnë nderim ditën e dasmës. Nëse një plak i krishterë do të mbajë fjalimin e martesës, edhe ky fjalim duhet të mbahet në një mënyrë të nderuar. Fjalimi duhet t’i drejtohet çiftit. Duke treguar nderim për ta, oratori nuk do të përdorë shprehje humoristike ose popullore. Nuk duhet të përfshijë vërejtje tepër personale që mund ta vënë në siklet çiftin dhe auditorin. Përkundrazi, do të përpiqet të jetë i përzemërt dhe inkurajues, duke e vënë theksin te Nismëtari i martesës dhe te këshillat e tij të mrekullueshme. Po, fjalimi dinjitoz i martesës që mban një plak, do të ndihmojë që martesa t’i sjell nder Perëndisë Jehova.
17. Pse duhet shqyrtuar edhe aspekti ligjor i martesave të krishtere?
17 Me siguri, e vutë re që në këtë artikull ka shumë pika lidhur me hollësitë ligjore të martesës. Disa prej këtyre mund të mos zbatohen drejtpërdrejt në zonën ku banoni ju. Megjithatë, që të gjithë duhet të mbajmë në mend sa e rëndësishme është që, mes Dëshmitarëve të Jehovait, planet e martesës të pasqyrojnë respekt për ligjet e vendit, për kërkesat e Cezarit. (Luka 20:25) Pavli na nxiti: «Jepuni të gjithëve atë që u takon: taksën atij që kërkon taksën, haraçin atij që kërkon haraçin . . . dhe nderim atij që e kërkon këtë nderim.» (Romakëve 13:7) Po, është me vend që të krishterët, që nga dita e dasmës, të tregojnë nderim për këtë masë që Perëndia ka në fuqi tani për tani.
18. Cilit aspekt tjetër të mundshëm të martesës duhet t’i kushtojmë vëmendje dhe ku mund të gjejmë informacione për këtë?
18 Në shumë martesa të krishtere, pas ceremonisë bëhet edhe një festë me këtë rast, një grumbullim shoqëror që mund të përfshijë edhe ushqim. Ndoshta ju kujtohet që Jezui vendosi të ishte i pranishëm në një dasmë të tillë. Nëse do të bëhet kjo festë, si mund të na ndihmojnë këshillat e Biblës që të sigurohemi se edhe ajo do t’i sjellë nder Perëndisë e do të lërë një emër të mirë për të sapomartuarit e për kongregacionin e krishterë? Në artikullin vijues do të shqyrtohet pikërisht ky aspekt.d
[Shënimet]
a Dëshmitarët e Jehovait përdorin një skemë për fjalimin e martesës, që zgjat 30 minuta dhe ka temën: «Martesa e nderuar në sytë e Perëndisë.» Fjalimi mbështetet në këshillat e shkëlqyera biblike që gjenden në librin Sekreti i lumturisë familjare e në botime të tjera të Dëshmitarëve të Jehovait. Është një fjalim i dobishëm për çiftin që po martohet dhe për të gjithë të pranishmit atë ditë.
b Përveç rastit kur ligji i vendit kërkon diçka tjetër, zakonisht përdoren këto betime, që nderojnë Perëndinë. Për dhëndrin: «Unë [emri i dhëndrit] të marr ty [emri i nuses] që të jesh bashkëshortja ime në martesë, të të dua dhe të të çmoj në përputhje me ligjin hyjnor siç paraqitet në Shkrimet e Shenjta për bashkëshortët e krishterë, për sa kohë që të jetojmë të dy së bashku në tokë, në përputhje me rregullin martesor të Perëndisë.» Për nusen: «Unë [emri i nuses] të marr ty [emri i dhëndrit] që të jesh bashkëshorti im në martesë, të të dua, të të çmoj dhe të të respektoj thellësisht, në përputhje me ligjin hyjnor siç paraqitet në Shkrimet e Shenjta për bashkëshortet e krishtere, për sa kohë që të jetojmë të dy së bashku në tokë, në përputhje me rregullin martesor të Perëndisë.»
c Kulla e Rojës, 1 maj 1962, në faqen 287, anglisht, ka komente për sa i përket «martesës pa kurorë» (common-law marriage, anglisht).
d Shih edhe artikullin «Si t’ia shtojmë gëzimin dhe dinjitetin ditës së dasmës?», faqja 28.
A ju kujtohet?
• Pse duhet të na interesojnë edhe aspekti ligjor i martesës, edhe ai frymor?
• Nëse dy të krishterë martohen me një ceremoni civile, çfarë mund të vendosin të bëjnë shpejt pas kësaj?
• Pse mbahen fjalime martese në Sallën e Mbretërisë?
[Figura në faqen 18]
Në martesat e lashta izraelite, dhëndri e sillte nusen në shtëpinë e tij ose të babait të tij
[Figura në faqen 21]
Pas martesës zakonore, të krishterët mund të dëshirojnë që të mbahet një fjalim në Sallën e Mbretërisë